Dr. Agim Nesho: Rama është një aksident historik i Shqipërisë

375
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ardhja në Kosovë e modelit Kurti-Osmani sigurisht përbën një rrezik për modelin e zotit Rama, i cili tashmë mbahet vetëm nga propaganda

Dr. Agim Nesho, ish ambasador në SHBA, në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke analizuar rëndësinë e fitores së koalicionit Albin Kurti-Osmani, thotë se ky mesazh i politikës së re të Kosovës, kërkon ndryshim politike edhe në Tiranë, pasi qeveria e Ramës është pengesë për strategjinë kombëtare. Ish ambasadori Nesho e cilëson kryeministrin Rama si një aksident historik në historinë e Shqipërisë, pasi, duke personalizuar çdo gjë, Rama ka dështuar në Çështjen Kombëtare, pasi besoi se kjo do të zgjidhej vetëm në partneritet me Beogradin.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

– Zoti Nesho, pse elektorati kosovar i dha votbesimin e madh aleances Kurti- Osmani? Elektorati kë dënoi me votë?

– Kosova votoi qartë, duke i besuar aleancës së Vet-Vendosjes me Listën e zonjës Osmani qeverisjen e vendit për katër vitet e ardhshme. Vota ishte plebishitare, jo vetëm për të dënuar klasën e vjetër politike në Kososvë, por edhe besimin në një forcë politike të re që paraqiste një vizion për të ardhmen e vendit. Në thelb ajo që propozonte kjo aleancë ishte një platformë e plotë politike për të tejkaluar dy sfidat e mëdha që po kalonte vendi. Në planin e brendshëm luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe shtetit të kapur për të fuqizuar institucionet dhe vendosur shtetin e së drejtës. Me këtë platformë për fuqizimin e Republikës së Kosovës ajo do të realizonte hapa të rëndësishëm për integrimin e shtetit të saj drejt institucioneve Euro-Atlantike, të cilat gjithmonë kanë insistuar për luftën kundër korrupsionit, kapjes së shtetit, klientelizmit dhe fuqizimin e  shtetit të së drejtës. Së dyti, ne platformën e politikës së jashtme, kjo aleancë kërkon që Kosova të paraqitet si një shtet Sovran, ku të negociojë me çdo subjekt ndërkombëtar mbi bazën e recipriocitetit dhe barazisë sovrane. Kjo platformë e ririkthen dinjitetin në politikën e jashtme, refuzon politikat sllavo-ruse që përpiqen ta paraqesin konfliktin Serbi-Kosovë si një konflikt të ngrirë për të përfituar kompromise të dëmshme dhe të panevojshme në dëm të sovranitetit të Kosovës. Këto dy arsye madhore motivuan opinionin publik për t’i kthyer këto zgjedhje në një referendum popullor. Sigurisht këto zgjedhje ndëshkuan partitë dhe klasën politike që kishin ndërtuar një shtet klientelist, nepotik dhe klanor, të cilat nuk arritën ta nxirrnin Kosovën nga një impas politik i krijuar nga presioni nacionalist serb për ta izoluar dhe penguar Republikës së Kosovës në avancimin dhe prosperitetin e saj. Humbësi më i madh në këto zgjedhje është partia LDK, e cila u ndëshkua për prishjen e koalicionit qeverisës të tetorit 2019 me VetVendosjen dhe lidhjen e saj (LDK) me individë dhe projekte të cilat u dënuan nga vota popullore. Këto lëvizje pa integritet, të justifikuara si të kryera nga presioni ndërkombëtar, u perceptuan nga elektorati si lëvizje të dobëta që motivoheshin nga interesa të ngushta brenda lojës të një establishmenti te vjeter, të kapur dhe pa vizion për të ardhmen e Kosovës.

“Mesazhi i politikës së re të kosovës kërkon ndryshim në Tiranë, duke e parë qeverinë shqiptare si një pengesë për realizimin e strategjisë së tyre kombëtare dhe përparimin e vendit.”

-Modeli Kurti- Osmani në politikë, çfarë përparësie ka me modelin “Rama”?

– Të dy modelet kanë ardhur si shpresë për ndryshim në hapësirat shqiptare. Rama për t’i dhënë fund tranzicionit të zgjatur shqiptar, ndërsa Kurti- Osmani për ta çuar Kosovën një një stad më të lartë zhvillimi dhe njohje ndërkombëtare. Zoti Rama erdhi në pushtet si misionar, por tregoi që dështoi plotësisht në misionin e tij duke e dëmtuar Shqipërinë në të gjitha drejtimet: një Shqipëri më e dobët ekonomisht, më problematike nga ana sociale, e ç’orientuar në politikën e jashtme deri në vasalitet ndaj fuqive rajonale, e pa-integruar në BE dhe mbartëse e plot fenomeneve negative si kanabizimit të vendit, kapjes së shtetit, rënies së nivelit të demokracisë dhe kthimit drejt një regjimi autoritarist. Modeli i zotit Rama ishte një model personal i motivuar nga narcizizmi dhe i mbështetur nga përkrahës për fitime pragmatiste dhe personale, duke degjenuar në një sekt politik që përfaqëson vetveten. Duke personalizuar çdo gjë politike, përfshirë edhe politikën e jashtme, ai dështoi në idenë e çështjes kombëtare, duke besuar se zgjidhjet mund të vinin nga një partneritet me Beogradin dhe kompromiset midis tyre. Ai nuk u ngrit asnjëherë në nivelin e një lideri me vizion, por u përdor nga të tjerët në funksion të projekteve të tyre. Nevoja dhe dëshira për të krijuar një raport me historinë, e kthyen atë në një aksident historik për historinë e popullit shqiptar. Zoti Kurti erdhi në politikë si një aktivist politik në mbrojtje të Çështjes Shqiptare, duke u burgosur nga regjimi fashist i Milosheviçit. Në ndryshim nga liderët e tjerë, që institucionin e partisë e kthyen në institucion klanor e nepotik, ai mbështeti idenë e bashkimit kombëtar. Idealist në mendim, revolucionar në ide, ai hyri në skenën politike si një lëvizje populiste e Majtë dhe mbeti konsekuent në qëndrimet e tij pa kompromis ndaj joshjeve të pushtetit. Në momentet e vështira që Kosova po kalon sot, votuesit besuan në vendosmërinë dhe integritetin e tij. Lidhja e tij politike me zonjën Vjosa Osmani është një lidhje komplementare me një politikane të re që qendrës së Djathtë, ku lidhja është e çimentuar nga vizioni i përbashkët për ndryshim dhe prosperitet. Ardhja në Kosovë e modelit Kurti-Osmani sigurisht përbën një rrezik për modelin e zotit Rama, i cili tashmë mbahet vetëm nga propaganda. Dallimet midit tyre janë të thella, konceptuale për zhvillimin dhe drejtimin e shtetit, rolin e Shtetit të së Drejtës, pavarësinë e institucioneve, por sidomos kanë qasje të ndryshme në strategjinë e çështjes kombëtare. Kjo do të çojë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Kosovës, për sa kohë që zoti Rama nuk reflekton dhe mbetet në pushtet, do të jenë të ftohta, por fryma e ndryshimit që vjen nga Kosova do t’i dobësojë pozitat e qeverisë Rama. Bashkë me mosbesimin që kanë palët midis tyre, zoti Rama humbet në Ballkan edhe rolin e garantuesit të stabilitetit rajonal përpara faktorit ndërkombëtar, që me aq kujdes e kishte ngritur së bashku me zotin Vuçiç.

“Modeli i zotit Rama ishte një model personal i motivuar nga narcizizmi dhe i mbështetur nga përkrahës për fitime pragmatiste dhe personale, duke degjenuar në një sekt politik që përfaqëson vetveten”

“Bashkë me mosbesimin që kanë Rama me Kurtin midis tyre, zoti Rama humbet në Ballkan edhe rolin e garantuesit të stabilitetit rajonal përpara faktorit ndërkombëtar, që me aq kujdes e kishte ngritur së bashku me zotin Vuçiç”

– Nëse i kthehemi vizitës së Presidentes në detyrë Vjosa Osmani në Tiranë, në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, në një mesazh zonja Osmani theksoi: Të bashkohen me gjeneratën e re të politikanëve të Tiranës për Çështjen Kombëtare. Kujt i adresohej ky mesazh?

Vizita e zonjës Osmani në Tiranë, në funksionin e Presidentes në detyrë të Republikës së Kosovës, solli disa mesazhe të rëndësishme .Mesazhi i parë ishte nevoja për bashkërendimin e politikës së jashtme midis dy vendeve tona, sidomos për një strategji të përbashkët për çështjen kombëtare. Zonja Osmani shprehu pakënaqësi për përfshirjen e qeverisë Rama në projekte të rrezikshme, si ai i ndarjes së Kosovës dhe Mini-shengeni Ballkanik, që njihet si projekti i rikthimit të dominancës serbe në Ballkan. Theksi kryesor i mesazhit ishte ai që projekte të tilla që anashkalojnë Kosovën ose prekin sovranitetin e saj janë të papranueshme. Qëndrimi në pozicione të pandryshueshme të qeverisë së Tiranës do të sjellë si pasojë nevojën për partnerë të rinj në Tiranë nga opozita. Ajo i bëri thirrje Presidentit të Republikës Meta të merrte rolin e liderit që duhet të kujdeset për interesat e shqiptarëve kudo që ndodhen, duke kritikuar indirekt zotin Rama, i cili ishte përpjekur ta luante këtë rol për arsye të pushtetit personal. Ky ishte edhe mesazhi i dytë. Ajo që ishte e rëndësishme nga kjo vizitë ishte mesazhi i politikës së re të Kosovës që kërkonte ndryshim në Tiranë, duke e parë qeverinë shqiptare si një pengesë për realizimin e strategjisë së tyre kombëtare dhe përparimin e vendit.

“Dallimet midit modelit Rama dhe Kurtit-Osmani janë të thella, konceptuale për zhvillimin dhe drejtimin e shtetit, rolin e Shtetit të së Drejtës, pavarësinë e institucioneve, por sidomos kanë qasje të ndryshme në strategjinë e çështjes kombëtare”

“Duke personalizuar çdo gjë politike, përfshirë edhe politikën e jashtme,Rama dështoi në idenë e çështjes kombëtare, duke besuar se zgjidhjet mund të vinin nga një partneritet me Beogradin dhe kompromiset midis tyre”

Zoti Kurti është shprehur se bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës janë prioriteti i tij i pestë ose i gjashtë. Nga ana tjetër SHBA dhe BE po shprehen që marrëveshja Kosovë-Serbi të mbetet prioritet kryesor për arritjen e një marrëveshje të qëndrueshme gjithëpërfshirëse midis dy vendeve. Mendoni se zoti Kurti duhet të reflektojë për këtë problem?

– Deklarata e zotit Kurti për prioritetet e qeverisë së tij, duke e vënë marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë si një prioritet jo kryesor është një lëvizje e zgjuar dhe diplomatike për të treguar që mënyra e trajtimit të kësaj çështje nga BE të shikohet në një plan tjetër. Së pari, ai kërkon që barazia dhe reciprociteti midis vendeve të jetë kusht për negociatat e ardhshme. Kosova nuk mund të trajtohet si një subjekt për ndryshim dhe plotësim të çdo kërkese nga ana e Serbisë, pa pasur të qartë rezultatin final të marrëveshjes: atë të njohjes reciproke midis dy vendeve. Serbia nga njëra anë kërkon marrëveshje dhe parashtron kërkesa ndaj Kosovës dhe, nga ana tjetër, deklaron se nuk do ta njohë Kosovën kurrë. Kërkesa për një normalizim të marrëdhënieve është një kërkesë ndaj Serbisë dhe një kusht për hyrjen e saj në BE. Për të shmangur këtë përgjegjësi, Serbia vitet e fundit është përpjekur t’i paraqesë marrëdhëniet me Kosovën si një konflikt i ngrirë, i cili ka nevojë për një zgjidhje përfundimtare, ku të dyja palët të dalin fituese. Ngritja e tezës së konfliktit të ngrirë është shtyrë edhe nga Rusia, e cila kërkon të përdorë Serbinë si precedent për zgjidhjen e konflikteve të ngrira në ish-republikat sovjetike. Që Kosova nuk është një konflikt i ngrirë, por një çështje e zgjidhur historike pas konfliktit të vitit 1998-99, këtë e kanë të qartë të gjithë. Ky ka qenë edhe vendimi i mbi 100 vendeve të botës, të cilat kanë njohur Republiën e Kosovës, si një subjekt sovran të pavarur. Zoti Kurti e di që ky skenar është përgatitur mirë nga Serbia dhe kërkon që zgjidhjen t’ua lërë atyre. Serbia tashmë është para dilemës së njohjes së Kosovës, si Republikë të pavarur dhe t’i bashkohet BE-së ose të mbetet jashtë BE-së, si një vend klientelist i influencave të Kinës, Rusisë, etj. Zoti Kurti do të luajë politikisht fort se mbas tij ka mbështetjen popullore shumë të madhe dhe do të negociojë në mënyrën dhe kohën e duhur kur Serbia të kuptojë se sovraniteti i Republikës së Kosovës është një çështje e panegociueshme.Përkrahja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë gjë është e palëkundur dhe BE si negociator kryesor duhet të paraqesë qartë road map-in e plotë të bisedimeve për marrëveshje midis palëve. Kjo do të jetë edhe një fitore për tezën e Albin Kurtit për reciprocitet.

-Faleminderit