Dr. Agim Nesho: Rama është e shkuara. E ardhmja përcaktohet me 25 prill

328
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

“Analizë nga Dr. Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA : Opozita e Bashkuar do të marrë shumicën e duhur dhe duke dalë në një marrëveshje paraelektorale e bënë atë pretenduesen e vetme për drejtimin e vendit, duke ndalur eksperimentin e rrezikshëm të sektit të “rilindjes” në qeverisje. Vizita e Ramës në Bruksel ishte e sforcuar për efekte elektorale, pasi e vërteta e integrimit  të Shqipërisë  varet nga 15 kushtet e BE”

Dr. Agim Nesho, ish ambasador në SHBA në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se marrëveshja Basha Kryemadhi është një marrëveshje e nevojshme, në një situatë kritike që po kalon vendi përpara një regjimi autokratik të Zotit Rama, një ndërgjegjësim i opozitës, për të ndaluar eksperimentin e rrezikshëm të sektit të Rilindjes. Zoti Nesho, diplomat karriere, pohon se vizita e pardjeshmë e Ramës në Bruksel, ishte një shoë propagandistik për efekte elektorale për t’i thonë shqiptarëve gjysëm të vërtetë, ndërkohë që Brukseli i kërkoi Ramës të dënohen zyrtarët e lartë që kryen krime elektorale dhe të mos guxojë më të kandidojë deputetë persona që janë të lidhur me krimin.

 Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al: 

“Vizita e Ramës në Bruksel, ishte show propagandistik për efekte elektorale për t’i thënë shqiptarëve një gjysëm të vërtetë, atë që Brukseli pranon që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat, por janë vende dhe interesa të tjera që Shqipëria nuk pranohet në BE”

– Zot Nesho, cili është gjykimi juaj për marrëveshjen Basha-Kryemadhi?

– Marrëveshja Basha-Kryemadhi ishte një marrëveshje e nevojshme në një situatë kritike që po kalon vendi përpara një regjimi autokratik të Zotit Rama, i cili nga dita në ditë po zhbën shtetin demokratik në Shqipëri. Marrëveshja nuk është vetëm një lëvizje politike elektorale, por një ndërgjegjësim i të gjithë opozitës së vendit për t’u bashkuar për të ndaluar eksperimentin e rreikzshëm të një sekti në qeverisje që po e largon gjithmonë e më shumë Shqipërinë nga perspektiva europiane. Marrëveshja nga ana tjetër tregon angazhimin e forcave politike për të bërë kthesën e nevojshme, marrjen e përgjegjësive për të zgjidhur problemet e rënda sociale, si papunësia, largimet masive të rinisë, varfërisë, duke dhënë një alternativë udhëheqëse transparente dhe me llogaridhënie të plotë përpara opinionit publik. Në thelb marrëveshja është një alternativë qeverisje demokratike dhe një shpresë për ndryshim për të gjithë qytetarët që mendojnë se Shqipëria nuk bëhet, për të gjithë ata që nuk duan që Shqipëria të jetë peng e liderëve delirantë dhe ambicieve të tyre për pushtet të pakufizuar.

“Marrëveshja Basha-Kryemadhi është një ndërgjegjësim i të gjithë opozitës së vendit për t’u bashkuar për të ndaluar eksperimentin e rreikzshëm të sektit të Rilindjes në qeverisje”

Pse Rilindja Socialiste dhe Rama do të kandidojnë pa aleancë në këto zgjedhje parlamentare të 25 prillit?

– Ka shumë arsye pse Rilindja del pa asnjë koalicion në këto zgjedhje.
Së pari, mënyra e qeverisjes së Rilindjes mbështetet jo në platforma qeverisëse, por në ide të një individi, i cili gjithmonë e më shumë po mbledh pushtet të jashtëzakonshëm. Pas tetë vitesh qeverisje Rama nuk ka nevojë të ndajë pushtet me të tjerë ose të ketë zëra të ndryshëm. Në këtë situatë të imponuar qeverisëse partitë e tjera që mund të afrohen vijnë vetëm me qëllimin pragmatist të plaçkës së pushtetit, se sa përfaqësues të një ideologjie, ideje apo kërkese të opinionit publik. Duke qenë të tillë, ai që drejton Rilindjen, Zoti Rama, nuk ka më nevojë për ta.
Së dyti, është e vështirë të gjesh një grupim politik, që pas gjithë skandaleve 8 vjeçare të kryera nga Rilindja të ndajë përgjegjësinë e pushtetit të konsumuar me të. Shumë parti, që i janë bashkuar opozitës, si PDIU dhe PBDNJ, kanë qenë fillimisht afër Rilindjes dhe tani ndjehen të tradhëtuara e të keq përdorura prej saj.
Së treti, dhe më kryesorja është fakti se sot ka një frymë anti-Rilindje në opinionin public, që nuk i mundëson asnjë partie ose individi të bëhet me të humburin. Kur mbytet anija, vetëm kapiteni mbytet me të. Ka ardhur koha, që eksperimentit Rilindje, një eksperimenti të bukur në formë, por shkatërrues në përmbajtje, që po tërheq zvarrë perspektivën europiane të vendit t’i vijë fundi. Shqipëria ka nevojë të ecë përpara.

“Ka ardhur koha, që eksperimentit Rilindje, një eksperimenti të bukur në formë, por shkatërrues në përmbajtje, që po tërheq zvarrë perspektivën europiane të vendit t’i vijë fundi”

Pavarësisht se Aleanca për Ndryshim e Opozitës së Bashkuar nuk u rregjistrua në KQZ, a duhet ta njohë Presidenti i Republikës për ta mandatuar për krijimin e Qeverisë së re, pas 25 prillit, nëse fitojnë 71 mandate?

– Aleanca për ndryshim e opozitës, duke i parë këto zgjedhje si shumë të rëndësishme për të ardhmen e vendit, ka dashur të hyjë në koalicion që në fillim të herës. Ishte vetë Rilindja, që pas marrëveshjes konsensuale të partive politike më 5 qershor 2020, ndryshoi Kushtetutën, duke i mohuar Opozitës së Bashkuar të dilte me një koalicion të gjerë parazgjedhor. Frika për një humbje të thellë e detyroi Rilindjen t’i kthehej Parlamentit “të kapur” për të keqpërdorur Kushtetutën sa herë që ka nevojë. Duket që Opozita e Bashkuar do të marrë shumicën e duhur për të realizuar një qeverisje të qëndrueshme dhe duke dalë me një marrëveshje para-elektorale e bën atë pretenduesen e vetme për drejtimin e vendit. Ky fakti padiskutueshëm, në qoftë se opozita e bashkuar arrin të marrë mbi 71 deputetë, do të detyrojë Presidentin e Republikës për hir të respektimit të Kushtetutës dhe stabilitetit të vendit ti besojë asaj qeverisjen e vendit.

Zoti Nesho, pardje në konferencën e përbashkët në Bruksel, Shefi i Politikës së Jashte të BE Borrel, i bëri edhe një herë të qartë kryeministrit Rama se duhet të dënohen ata zyrtarë të lartë që kanë kryer krim zgjedhor. Sipas jush, pse këmbëngul Bashkimi Europian kaq shumë në këtë çështje, dhe pse ia kërkon kryeministrit Rama? Përse krerët e lartë të BE-së i bënë apel kryeministrit Rama që të mos kandidojnë për deputet persona me lidhje nga bota e krimit, ndërkohë që në takimet që bëjnë me opozitën, nuk theksohet kjo çështje?

– Vizita e Kryeministrit Rama në Bruksel ishte një vizitë e sforcuar, që i duhej atij për arsye elektorale. Takimet e radhës së Këshillit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri janë bërë zakonisht nga ministrat e Jashtëm të vendit, për më tepër që kjo vizitë nuk do të ndryshonte asgjë në Bruksel. Problemet e Shqipërisë janë prezente dhe të qarta në Bruksel, janë vënë në dukje nga Parlamenti Europian, Parlamenti i Gjermanisë, Franca, Hollanda, Danimarka, etj, duke i lënë Komisionit Europian gjuhën e hollë diplomatike domethënëse në mesazhin e të ardhmes europiane por e pafuqishme përpara kërkesave të përsëritura të vendeve të Unionit. Vizita e zotit Rama në Bruksel kishte dy pamje.
Së pari, ishte shoë propagandistik për efekte elektorale për t’i thënë popullit shqiptar një gjysëm të vërtetë, atë që Brukseli pranon që Shqipëria i ka kryer të gjitha detyrat e saj, por janë vende dhe interesa të tjera që ajo nuk pranohet në BE. Për të hequr dyshimet që ai gjithmonë e më shumë po refuzohet nga vendet europiane për nivelin e funksionimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, shtetit të kapur, korrupsionit, lidhjes së politikës me krimin e organizuar, ai sulmon Brukselin për mënyrën e menaxhimit të pandemisë dhe vaksinimit, për të krijuar idenë në popull që ai refuzohet, sepse qëndron fort për interesat e vendit të tij.
Pamja tjetër është që në takimet e Brukselit ju vu në dukje zotit Rama nevoja për respektimin e politikave europiane për koncesionet që ai kryen, për nevojën e ruajtjes së pastërtisë morale të përfaqësuesve të zgjedhur, për vetë procesin e zgjedhjeve e shumë probleme të tjera. Zoti Rama duhet ta kuptojë se ai për 8 vite dështoi ta afronte vendin me BE-në dhe vetë ai krijoi një sërë problematikash me kosto për vendin.  Rama është e shkuara. E ardhmja përcaktohet me 25 prill.