Moisi Dalipi: Sot ditëlindja e Vasil Rucit, simboli kuqezi i Flamurtarit

169
Sigal

“Unë sot që bëj 65 vjeç do ta puth fort fanellën e Flamurtarit tim të dashur. Këtë detyrë e kryej çdo vit, si një ditë të shënuar të jetës time. Dhe kur veproj kështu, jeta më shumëfishohet dhe më bën krenar. Ajo fanellë ka peshë të rëndë, si vet emëri i Flamurtarit. Ajo fanellë është simboli më i veçantë i jetës time|”!- Kur flet dhe shkruan për Flamurtarin e viteve të arta 1980-1991, shumë natyrshëm bën të pranishëm Vasil Rucin, këtë figurë shumë popullore të futbollit vlonjat. Dhe sot kur Vasil Ruci mbush plot 65 vjeç , portreti tij vjen me tërë vlerat dhe forcën, me të cilat ai shkruajti aq bukur biografinë e tij sportive tek Flamurtari i tij i dashur i atyre viteve. Fëmija i talentuar i lagjes “Vrenez”

Vasil Ruci e ka kaluar fëmijërinë e tij në një nga lagjet më të vjetra të Vlorës, të quajtur Vrenez. Si djali i vetëm i shoferit te njohur Thoma Rucit dikush kishte menduar se do të dashurohej më shumë pas profesionit të babait. Por dhe si vëllai i katër motrave mund të preferonte dicka tjetër më të lakmuar në ato vite. As njera as tjetra nuk ka ndodhur, sepse Vasili tek një fushë e vogël diku pas shkollës mesme”Halim Xhelo” së bashku me shokët e lagjes tij do luante për shumë orë të ditës vetëm futboll. I lodhur dhe shkujdesur do kthehej në shtëpi pas lojës futbollit ku priste kritikat e babait. Por ai nuk hoqi dorë nga futbolli. Dhe kur ishte 14 vjeç bën pjesë në ekipin e ish Shtëpisë Pionerit-Vlorë me trajner Skënder Ibrahimin. Një vit më vonë në vitin 1973 me këtë skuadër të fëmijëve të Vlorës merr pjesë në spartakiadën verore të Durrësit. Në ndeshjet e zhvilluara bie në sy talenti i tij si sulmues krahas Hasan Likës, Kristaq Miles, Emil Kërcic, Robert Kokalarit e portierit Perlat Mustës. “

Në periudhën që ka luajtur futboll Vasil Ruci, është shumë e vështirë të gjendet portier në kampionatet shqiptare të atyre viteve të mos jetë ndëshkuar nga ky sulmues i shkëlqyer, që për shumë vite ishte idhulli tifozerisë vlonjate. Dhe është koçidencë, se që në ndeshjen e parë me Flamurtarin, kundër Besës në Vlorë në shtator të vitit 1976, atëhere kur trajneri Bejkush Birce e promovonte si sulmues Vasil Ruci do niste me gol të shënuar. Dhe arkiva e karrierës tij si sulmues ka plot 98 gola të shënuar me fanellën e Flamurtarit. Gola të shënuar me gjuajtje të lira dënimi, penallti, me gjuatje në ecje e sipër apo në çdo pozicion janë njëri më i bukur se tjetri. Një triblues i jashtëzakonshëm, duke i bërë topin ti bindej në çdo gjuatje. Mbrojtësit e kishin shumë të vështirë ta mbanin nën kontroll, sepse Vasil Ruci “vallëzonte; me topin midis tyre. Në shumë raste vinte përpara një mbrojtje të tërë të skuadrës kundështare. Trajnerët Bejkush Birçe, Agron Sulo, Leonidha Curi, NiqiforThomai dhe Edmond Licaj, që kanë punuar në ato vite Flamurtari me këtë sulmues klasi ndiheshin mirë, që kishin në skuadrën e tyre këtë futbollist, symbol të shënimit të golave. Me golat e shënuar në portën kundërshtari Vasil Ruci sillte vetëm etusiazëm në shkallët e stadiumeve. Në rivalitet të fortë me Partizanin, Dinamon. 17 Nëndorin e Vllazninë sulmuesi Vasil Ruci me shokët e tjerë të skuadrës kanë pjesën e kontributit dhe suksesit të tyre në fitimin e dy Kupave të Republikës më 8 shkurt 1985 dhe 18 maj 1988, një titull kampion kombëtar më 16 maj 1991 dhe dy Superkupave më 16 dhe 22 qershor të viteve 1991 dhe 1992. Por po ti shtosh këtyre sukseseve kolektive dhe atë që Flamurtari në këto vite ka qënë dhe tre herë nënkampion dhe pesë herë të tjera finalist i Kupës, kuptohet qartë se ajo skuadër e Flamurtarit të atyre viteve është vështirë të rikthehet përsëri në skenën e futbollit shqiptar. “Kopetent” si Vasil Ruci në sulm ishin dhe Bubeqi e Kushta, në mesfushë Ferko, Ziaj, Gjodeda, Ziu, Daullja e Memushi, në mbrojtje Cipi, Taho, P.Ruci, Lushaj e Iljadhi e në portë Birçe e Arapi. Një kapitull dhe më i bukur i atij Flamurtari paraqitja në ndeshjet e Kupave të Evropës me ndeshjet plot dritë kundër H.JK. Helsinkit në 1985, Barcelonës në vitet1986 dhe 1987, Partizan –Beogradit, Vismut-Aue në 1987, Leh –Poznani  në 1988, Olipiakos –Pire më 1990 dhe Gotenborgut më 1991. Dhe në 12 ndeshjet për Kupat e Evropës ky sulmuesi Vasil Ruci ka shënuar 6 gola duke ruajtur një rekord më vete. Nga dy të shënuar në portën e Barcelonës dhe Leh –Poznanit dhe një gol në portën e H.J.K Helsikit dhe Vismut- Aue. Dhe nga këta gola të shënuar mjeshtërisht Vasil Ruci veçon atë të shënuar Zubizartës në ndeshjen e zhvilluar në Vlorë më 17 shtator 1986 ku ajo gjuatje jashtë zonës, si një pjell e fatazisë të hollë mposhti portierin e njohur spanjoll. Në atë ndeshje dramatike të përfunduar në barazim Flamurtari 1-1 Barcelona. Por dhe pesë golat e tjerë të shënuar në këto ndeshje kanë fantazinë e këtij sulmuesi race. E thënë më qartë sa më shumë ta gërmosh galerinë e golave të Vasil Rucit, aq më shumë gjen gola të bukur që të bëjnë të shijosh futbollin e luajtur aq bukur.

Vasil Ruci i mirë për Flamurtarin dhe i “keq” për kombëtaren

Edhe pse Vasil Ruci pranohet nga të gjithë se ishte nga sulmuesit më të mirë në ato vite, nga ana tjetër ishte “më i keqi” për ekipin kombëtar. Kështu mund ta spjegosh faktin që ky futbollist luante, shënonte gola në ndeshje të kampionatit shqiptar dhe ndeshjet për Kupat e Europës, kurse për ekipin kombëtar i mbylleshin dyert. Edhe në dy raste që është grumbulluar me ekipin kombëtar në ndeshjet ndaj Austrisë në ato vite, përsëri nuk ka marrë as një minutë lojë në ndeshje. Në filim të çdo sezoni futbollistik, dikush nisej dhe nga biografiA e familjes tij. Me Flamurtarin ky sulmues luante në çdo stadium evropian dhe shënonte gola. Tek ekipi kombëtar nuk e kishte këtë të drejtë. Një rast unikal ky i shpikur nga e famshmja “luftë e klasave” .Gjithsesi ky fakt nuk e ka zbehur aspak popullaritetin e figurës sportive të Vasil Rucit, i cili me golat e shkëlqyer të shënuar i ka bërë sfidën më të mirë sistemit të diktaturës, duke konfirmur më së miri se ai ishte simboli i golave kuqezi të Flamurtarit.

Skeda Vasil Ruci

Lindur: Në Vlorë, më 17 shkurt 1958

Karriera sportive: Flamurtari 1976-1993

Numëri në fanellë: 7

Gola të shënuar: 104 gola të shënuar. 98 gola shënuar në kampionat dhe 6 gola në Kupat e Europes

Trofe të fituara me Flamurtarin: Dy Kupa Republike 1985, 1988, dy Superkupa 1991, 1992 dhe një titull kampion kombëtar 1991.

Karriera si trajner: Tek Flamurtari 2006-2007, Turbina Cërrik 2007-2008, dhe drejtor teknik tek Himara 2009-2010.

Vlerësime: “Mjeshtër Sporti”. “Mjeshtër i Merituar” “Legjenda e Futbollit Shqiptar “, “Nderi Sportit Shqiptar” dhe “Mjeshër i Madh”.