Veprimet tuaja janë të njëanshme e partiake, por populli dhe emigrantët janë të të gjithëve e të askujt
NË SELANIK “ FSHATI PO DIGJET “, MPJ- ja VAZHDON TË KRIHET…
-Opinion pas vendimit të MPJ-me për të përgjysmuar apo ndërruar punonjësit e ndershëm e të ndërgjegjshëm të konsullatës në Selanik
Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes së vështirë të konsullatës shqiptare në Selanik. Ka javë që aty mblidhen çdo ditë mbi 300-400 persona në ditë. Të gjithë për një karton magjik, për një pasaportë biometrike. Para ca ditësh një grup i posaçëm, i përzgjedhur nga KDS, (Këshilli i Diasporës Selanik) kërkoi një takim me personelin e këtij institucioni. Na priti titullari z. Arqile Sota, i cili për hir të së vërtetës u ndje mirë nga vizita jonë aty. Ai u shpreh me shqetësim për gjendjen e krijuar dhe na tha se po bëjnë çmos për rregullimin e saj.
-“Personeli i konsullatës ka muaj që e ka harruar orarin zyrtar, na tha konsulli dhe përveç kësaj ditë pune e zakonshme është bërë edhe e shtuna, këtu e muaj me radhë. Por me gjithë këto, përsëri gjendja është dhe mbetet e vështirë. Nga një kapacitet normal prej 140 shërbime në ditë, ne kemi arritur të shërbejmë edhe mbi 300 qytetarë e bashkëkombësit tanë.”
Ne e falënderuam konsullin dhe i përcollëm përshëndetjet tona edhe për të gjithë punonjësit e tjerë, (shumica e të cilëve janë dhe rrjedhin nga familje emigrantësh, të cilët kanë arsimin dhe kulturën përkatëse), që punojnë duke sakrifikuar familjet e tyre. Më në fund i shprehëm edhe besimin e përkrahjen tonë, se gjendja do të rregullohet e përmirësohet sa më shpejt.
Menduam se gjendja e konsullatës shqiptare në Selanik, do të kishte renë në vesh edhe të dikasterit qendror që e mbulon në Tiranë, pra MPJ. Dimë gjithashtu, se është shkrirë personeli i ambasadës sonë në Athinë, (nuk dimë se ç’është bërë me konsullatën e Janinës, por edhe kjo besoj se nuk i ka shpëtuar “koronës” së brendshme, të Ministrisë së Jashtme), kryesisht për çështje mosshërbimi korrekt e ryshfeti, ndaj mendja dhe zemra e MPJ-së, do përqendrohej te konsullata shqiptare, këtu në Selanik. Dhe ministria ndërhyri duke venë dorë, por një dorë mëngjarashe e vëngarashe dhe jo të njëjtën gjë, siç bëmë ne, grupi i përzgjedhur i KDS, të cilët i përshëndetëm dhe i falënderuam punonjësit e konsullatës për punën e vyer e sakrificat që ata bëjnë çdo ditë. Ministria vepron pa përkushtim e përgjegjësi, ajo pushon nga puna rreth 8 punonjës të konsullatës, duke përfshirë edhe shoferin, edhe pastruesen, edhe financieren, edhe disa vajza të mrekullueshme që u shërbenin qytetarëve duke u bërë fotografi, apo duke u marrë shenjat e gishtave etj. Pra, këta paskan qenë “thembra” e Akilit në konsullatën shqiptare në Selanik, duke ua lenë fëmijët pa bukë.
O tempora o mores..!., në vend që të vendosin vetullat në konsullatën e Selanikut, për t’ i ndihmuar me punonjës shtesë, për t’u ndërruar godinën në proporcion me shërbimet dhe qytetarët, pikërisht tani, tani në pikën e vlimitt e të gushtit, kur temperaturat po shkojnë në 40 gradë, ne lemë 8 familje emigrantësh pa bukë në Selanik. Në vend që qeveria dhe ministria t’ i ketë dhe t’ i hedhë sytë nga emigrantët që siguronin bukën me punën dhe mbajnë familjet e ushqejnë fëmijët, ne pa çak e pa bam, i hedhim menjëherë në rrugën e madhe.
Ore njerëz të shekullit njëzetë e një të diplomacisë shqiptare, ore trushkulur e batakçinj, ore rryshfetxhinjë e diplomatë pa pikë e pa presje diplomacie në arenën dhe vizionin tuaj pa shije, pa të ardhme e pa shkëlqim. Këtu çdo gjë tjetër mund të ketë, por vetëm diplomaci nuk ka e nuk mund të gjesh. Veprimet tuaja janë të njëanshme e partiake, por populli dhe emigrantët janë të të gjithëve e të askujt…Nuk mjafton që i keni braktisur dhe degdisur këtu e 30-vjet, por na kërkoni edhe kusurin nga pas.
Uroj që titullari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, (të cilin nuk e njohim personalisht), të mos jetë i mpleksur dhe i prekur nga kjo molepsje e rëndë e paprecedentë, nga ky “virus” i brendshëm, përkrah pandemisë botërore të Covid – 19. Ne si banorë të Selanikut këtu e 30-vjet, kërkojmë që t’ i vendos gjërat siç ishin, jo vetëm të shtojë personelin e konsullatës e t’ i falënderojnë punonjësit e këtushëm, por edhe t’ i bëjë shembull në të gjitha ambasadat e konsullatat tona nëpër botë, jo vetëm në dikasterin ku drejton, por edhe në mbledhjen më të afërt të qeverisë e të këshillit të ministrave, ku edhe vetë Edi Rama, duhet të krenohet me këtë personel punëtor, të pastër e mjaft aktiv.
Ne si shqiptarë të Selanikut e të krahinave përreth, jemi në pritje të një vendimi të tjetërsuar, të drejtë e të saktë në lidhje me punonjësit e pezulluar të konsullatës shqiptare në Selanik!
Dhimitër Nica