Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama:Letra dashurie të një kohe të vonë

122
Sigal

Me rastin e botimit të letrave të Kamysë drejtuar të dashurës së tij.

– ”Ti gjaku im”, – i shkruante Kamy të dashurës Kazares,

dhe ajo i përgjigjej:

– “Pres mrekullinë të më rishfaqë praninë tënde”

– ”Ti je ajo që do të doja më shumë se jeta dhe qielli”!

– ”Atëherë po të dërgoj diejt e zemrës…”

Letra të zverdhura nga koha,

që sot enden e shtegtojnë në mijra udhë të botës,

fjalë si prushi në sytë e tu, të mi,

i kthej letrat t’i shoh për nga qielli.

Dhe fjalët më shkojnë tutje si mizëri harabelësh,

i kthej për nga dielli.

Dhe lexoj se Kazares po digjet nga një zjarr,

shkoj dhe i lexoj buzë detit

dhe dallga ma mbulon fytyrën plot shkumë!

Pastaj siluetat e tyre shkojnë, vijnë,

është vonë, duan të flenë,

të mbyllin portat dhe të kërleshen

në shtratin ende të kuq,

dy dashnorë prej mishi e gjaku

dy dashnorë prej zjarri e pluhuri

që ngrihet lart në mugëtirën e agut,

pluhuri i artë i tokës…

Letra me aromë dielli që tunden në erë,

si shami të kuqe, të bardha, të zeza.

Sa shumë shami për këtë dashuri,

mesazhe për kohën që nderet e ndalon

në cep të buzëve,

në ijet e kolme që përvëlojnë nga dëshira,

ku prushet më së fundi rreshken, shuhen…

Mesazhe për vetminë e madhe,

që ditën e ktheu përfundimisht në natë,

që dritën e ktheu në errësirë.

Nobelisti kërkonte zjarrin e Prometeut

ta çonte gjer në skajet e botës.

Ah, ky «Njeri i revoltuar»,

ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…

Atëherë dritarja mbyllet,

shpendi shtegtar ndoshta s’do të kthehet më!

Kazares lëshohet mbi shtrat në letargjinë e gjatë

pa mundur të jetë lehonë,

pa mundur të dehet dhe njëherë e të klithë

për të dashurin që i shkroi: ”Po vij…”

Dhe që nuk i erdhi kurrë…

Ah, ky «Njeri i revoltuar»

ku shkon kështu me dashurinë dhe vdekjen mbi kurriz?…