Humori vulgar e banal, ka pushtuar skenat teatrore dhe portalet televizive
Humori vulgar e banal, ka pushtuar skenat teatrore & portalet televizive. Qasja për të bërë humor me hundën e shtremërt dhe jo me shpirtin e deformuar, siç do të thoshte Balzaku, është arratisje nga shijet e përparuara estetike, nga humoristi që krijon tekste mediokre pa ide të qarta e pa përmbajtje, i keq-vetëorientuar që lexuesit apo spektatorët të gajasen së qeshuri me humor gallatë, madje edhe me fjalë të tilla që bien erë të keqe. Mendoj se refuzimi i traditës së humorit, është qasje e gabuar.
2
Historia e humorit dhe satirës shqiptare dëshmon se kultivimi i humorit dhe komikes me shije estetike dhe vlera artistike, është kontribut i shkrimtarëve humoristë të talentuar: Kristo Floqi, A, Z. Çajupi, Spiro Çomora, Qamil Buxheli, Dionis Bubani, Pëllumb Kulla, Tasim Alia, Ruzhdi Pulaha, Bujar Kapexhiu, Koço Devole, Filip Çakulli etj.
Mbështetja e këtyre shkrimtarëve në humorin e traditës popullore dhe ngritja në nivel profesional duke e pasuruar me elemente të një tradite të re, është model që nuk duhej refuzuar nga ata që sot shkruajnë tekste humoristike. Me fantazinë frelëshuar në tekstet e tyre të parsyeshme dhe inskenimin e ngjitjen në skenë, regjisorët, provokojnë të qeshurën komike pa përmbajte, me dyzina fjalësh me erë të keqe, ku vendin e parë e zë fjala “mut”, e cila përsëritet me dhjetra herë brenda një teksti te shkurtër, siç do ta paraqes me poshtë.
3
Ca prej këtyre humorucëve e konsiderojnë veten shkrimtarë klasi, madje edhe “modern”. Argumenti se kanë tridhjet vjet që shkruajnë tekste humoristike, është nul. Koha e gjatë është faktor pozitiv, kur shkrimari mbështetet në traditë dhe e pasuron, me ide, mesazhe e me forma të reja shprehëse të humorit e satirës, që godet të keqen nga pozitat e së mirës & të bukurës. Po kjo kërkon kulturë të përgjithshme, dije të thella teorike dhe vizione e këndvështrime të reja, çka mund të realizohen vetëm nga të talentuarit, madje nga ata, që janë të vetëdijshëm se po s’e ushqeve talentin me dije, nëpërmjet një punë sistematike, ai zvjordhet e thahet si trëndafili që nuk ujitet.
4
Siç e ceka më sipër, shkrimtarët humoristë mediokër, shkruajnë tekste komike që t’u pëlqejë shtresave të ulta të shoqërisë, të cilat të gajasen me humorin gallatë që ata u servirin. Qeshin me fjalët e pista, me erë të keqe
si: mut, pordhac, trap, rrotë, ka… by.. q.r.. qelbësirë, ndyrësirë, mos ma çaj trapin, të q….motrën, karakurvë muti, madje edhe me shprehje skandaloze si kjo, që po u rrëfej më poshtë: Mësuesja që iu jepte nxënësve mësim online i thotë njërit t’i bënte një foto. Ai merr aparatin, Ajo pozon. Në çastin kur po shkrepte ajo shqipton fjalën stop… ‘Foton e dua të bukur- i thotë, Ai: “Të bukur do ta bëj”. Ajo buzëqesh ëmbël dhe i thotë: “Ma bëj shumë të bukur, të hëngsha mutin”. Nxënësit qeshnin e s’pushonin së qeshuri…E revoltuar, u sulet atyre e i qëllon me pëllëmbë në fytyrë dhe u shkul leshrat e kokës. Thuaj po deshe se ky humor banal, të jep kënaqësi estetike!
5
Këtë togfjalësh që bie erë të keqe e gjen pothuajse në çdo tekst banal e vulgar. Edhe për kryeministrin është shkruar në mënyrë të tillë dhe inskenuar e ngjitur në skenë. Kur gazetares që po intervistonte njerëzit në rrugë, i afrohet një grua dhe i hakërrohet: “Pse ma shani kryeministrin, moj kurvë muti…. U bëre të shash atë që është baba jonë, baba i kombit…. Kush e shan, i hëngërt mutin”.
6.
Shkrimtari X e kish tekstuar këtë situatë. Regjisori Y e inskenoi. Aktori ZH e interpretoi, duke theksur togfjalëshin me erë të keqe h,, ..k .m.. k… Në mbrëmje u shfaq për spektatorët, të cilët nuk besoj se nuk e kanë ndjerë veten keq nga këto erëra të këqija…
7.
Në rrethana e situata të ndryshme, ka raste që fjala me erë të keqe ta humbasë kundërmimin dhe merr vlerë estetike. Këtë e promovon skica humoristike e një shkrimtari amerikan: “Një lypës veshur me rrecka, ulur mbi gazeta, është shtrirë përpara portës së madhe të një grataçeli gjigand. Sa herë hyjnë e dalin bosët barkmëdhenj, ai zgjat dorën dhe përsërit refrenin “Më fal një cent zotëri, të dhëntë Zoti shëndet”. Shumica e shohin me përbuzje…Ndonjëri i hedh një dollar, si kockën qenit. Autori i revoltuar e mbyll Skicën satirike me togfjalëshin: “Të dhjefsha Amerikë!”
8
Humori është ndër gjinitë e vështira të prozës. Kërkon shkrimtarin humorist inteligjent, me dije e shije të përparuara, të cilat ai i bën pjesë të vetëdijes krijuese, çka krijon tekste humoristike cilësore, madje aftësohet edhe për të gjykuar me kompetencë vlerat e jovlerat dhe për të debatuar si profesionist.
9.
Tek disa shkrimtarë humoristë të sotëm dhe aktorë komikë, gjen mungesë njohurish për komiken, subjektin dhe objektin komik, për humorin me shije estetike dhe të qeshurën komike, që qëndron jo te subjekti, por te objekti komik i dukurive negative të realitetit, që shndërrohen në realitet artistik komik.
10
Kjo reflektohet në debatin “Ç’është humori?”, midis dy humoristëve: X dhe Y me nivele të ndryshme. Së pari fjalën e merr X. I fryrë si personazh pozitiv i realizmit socialist, përgjigjet pa e vrarë mendjen: “Humori është humor”. Y i hedh X-sit një vështrim çuditor e habitor. Ai i ngrehur me gjoks të fryrë i thotë: “Ç’më shikon ashtu?.. Po, po, humori është humor. Humoristi Y, pasi kruan zërin, bën një pauzë njëminutëshe dhe i thotë: “Me këtë trifjalësh, s’ke thënë asgjë”. X: “Unë, unë s’kam thënë asgjë…” Y përsërit: “S’ke thënë asgjë, asgjë” Është njësoj si të të thuash guri është gur, mali ëshë mal, komedia është komedi, poezia, poezi, madje politika është politikë, siç thonë deputetët injorantë të Kuvendit.
11.
Ky nivel pa nivel e ka burimin tek mungesa e kulturës së përgjithshme dhe asaj profesionale; tek leximet përciptas të literaturës pa i përvetësuar. Urtaku do të thoshte, nuk merr dije i pavëmendshmi që ha (lexon) shumë, por ai që bluan mirë, i cili nuk nuk përvetëson dijet se ç’është e qeshura komike, objekti i humorit, shijet e përparuara e të kultivuara e të tjera, e të tjera, çka zbulon mediokritetin e tij.
12.
Sipas meje, shkrimtarët dhe artistët e talentuar janë pajisur me dije të shëndosha dhe të thella, dinë të aplikojnë mjetet humoristike të komikes, nëpërmjet së cilës qeshen e përqeshen dukuritë negative të realitetit, fshikullohen, ironizohen e satirizohen veset dhe të metat e njerëzve në çdo fushë të jetës. Objekt të humorit, satirës dhe komikes janë, smira, ligësia, egoizmi, vesi i keq, hajdutëria, korrupsioni, babëzia dyfytyrësia dhe karrierizmi i pushtetarëve, etja për pushtet absolut e liderëve që synojnë fronin e lartë, pa patur asnjë meritë.
13
Shqipëria e sotme është pushtuar nga këto dukuri e vese sidomos në rrafshin e politikës, të drejtësisë, ekonomisë, po edhe në rrafshin e moralitt, të humanizmit, barazisë sociale. Shqipëria ëshë zhytur në kriza të gjithanëshme. Shkatarë janë udhëheqësit politikë aventurierë e gangsterë. Misioni i humorit dhe satirës është t’i godasë pa mëshirë ata, dhe bashkëpunuesit e tyre, si bartës të së keqes, t’i godasë me të gjitha mjetet figurative humoristike, nga pozitat e së mirës e të bukurës. Kjo kërkon nga shkrimtarë humoristë dhe aktorë profesionistë, përkushtim maksimal për të zgjeruar njohuritë në rrafshin e shijeve të përparuara estetike, por edhe për të mësuar më shumë për dimensionet e komikes, të qeshurën komike, subjektin e objektin komik duke ju referuar edhe mendimeve të personaliteteve të shquara.
14.
PLATON: e përcakton komiken si lidhje dialektike të kundërtash midis qeshjes dhe seriozitetit, Ndërsa ARISTOTELI e sheh komiken si kontrast të së bukurës me të shëmtuarën, veshur me maskë.
HEGELI komiken e shquan në kontradiktën midis një rastësie krejt të parëndësishme që fryhet e zmadhohet deri në nivelin e qëllimeve substanciale, me vogëlsitë e rastësive dhe pretendimit që subekti komik i vlerëson seriozisht.
KANTI: e sheh thelbin e komikes te përqëndrimi i vëmendjes, përqëndruar në asgjë. Komikja mund të shfaqet edhe si kontadiktë (mospërputhje) midis qëllimit dhe mjetit, shkakut dhe pasojës, veprimit dhe pësimit. Komiken e sheh edhe në kontradikten e palogjikës që jepet me formë logjike. Te komedia “Borgjezi fisnik”, mësuesi i dancit përpiqet t’i mbushë mendjen Zhordenit se, pa valle njeriu nuk mund të bëjë asgjë. Midis absurdes dhe te paarsyeshmes shfaqet komikja.
15.
Arratisja e shkrimtarit humorist dhe aktorit komik nga shijet e përparuara dhe kuptimësitë e komikes, ka bërë që ai të aplikojnë qasjen më të gabuar komike ku përqeshet\n: Sakati, kurrizoja, idioti, njeriu me sëmundje mendore e të tjerë kësisoj. Bëhet humor vulgar e banal me figurën e malësorit, fshatarit dhe dialektet e tyre, ku përçudnohet kjo pasuri e artë e gjuhës shqipe.
Të papranueshme konsideroj përqeshjen e figurave më të ndritura të kombit tonë si Skënderbeu, Ismail Qemali, Nënë Tereza, Ahmet Zogu, Isa Boletini e tjerë. Kulmi arrin kur përqeshet edhe Papa Voitila, që ishte i pari Papë që vizitonte Shqipërinë më 1993. Sapo zbret nga avioni në Rinas, përkulet e puth dheun dhe bekon tokën tonë dhe gjithë shqiptarët. Duke u ngritur më këmbë i dridhen gjymtyrët (nga pleqëria). Humoristi A, shkruan tekstin, e vë në lojë, e përqesh. Regjisori B e inskenon dhe e shfaq në skenë. Pret duartrokitje. Spektatori këmbëtroket, i revoltuar, boshatis sallën. Urtaku ngre duart lart: “O Zot! Pse pse gjuan me rrufe! Unë si kritik arti stigmatizoj intelektualët që heshtin kur është e domosdoshme të flasin. Akademikëve u hedh ujë të ftohtë të zgjohen nga gjumi i thellë… Ndërsa studiuesve u kumtoj të divorcohen nga kritika entuziaste.
KONKLUZË
Shkrimtarët dhe artistët e talentuar, ndonëse janë pakicë, sipas meje, mbajnë përgjegjësi historike për kultivimin e humorit dhe satirës, zhvillimin e shijeve të përparuara estetike dhe aplikimin e komikes, duke sfiduar humorin vulgar e banal, Në fokus: siç e ceka më sipër, janë dukuritë negative të realitetit dhe personazhet bartës të tyre: horra e horrucë, aventurierierë e gangsterë, të korruptuar, hajdutë e kriminelë injorantë, deputetë, pseudodemokratë, dhe sidomos ata te fronit më të lartë në piramidën shtetërore, që kanë pushtuar të katër pushtetet e bashkë me oligarkët pasurojnë pakicën e bëjnë jetë përrallore, ndërsa shumica bën luftë egzistence për mbijetesë, duke u zvarritur me rrasën e varrit mbi shpinë. Komikja e satirikja, madje edhe sarkazma, të godasin fort të keqen, me të gjitha mënyrat dhe format e komikes për të rindërtuar të mirën, të dobishmen dhe të bukurën, që t’i jepen lexuesit dhe spektatorit, kënaqësi të vërteta artistike, estetike dhe mesazhore, duke kultivuar humorin me përmbajte dhe formë artistike me vlera të larta. BALZAKU do të thoshte: S’ja vlen të pëqeshesh hundën e shtrembët, por shpirtin e keq të njeriut të deformuar dhe bëmat e tij të liga”.
.