Luman Caka: Bardhyl të kërkon muzeu

278
Sigal

Të shkruash për Bardhyl Yllin – ish drejtorin e muzeumit të Skraparit, është si të shkruash për historinë e bukur të muzeut. Ndonëse vinte nga rradhët e arsimit, ku shërbeu si mësues e drejtor në Leshnje, vendlindjen e tij, Bardhyli bëri emër si drejtor i muzeut për afro një çerek shekulli. Ky burrë ishte dhe mbeti zot i vërtetë i punës, që i besoi pushteti i kohës. Qysh në hapat e para të ngritjes, rritjes dhe lulëzimit të selisë së nderit e krenarisë së mbarë rrethit, u vërtetua se emërimi i tij kishte qënë një gjetje e mënçur e domethënëse. Koha tregoi se Bardhyli i Niazi e Rike Yllit, pinjolli i familjes së madhe Ylli, vuri nëpër stendat, raftet, vitrinat dhe dosjet e muzeut, pasionin, dashurinë, nderimin dhe respektin e pakufishëm për dëshmorët, heronjtë dhe trimat e Skraparit në të gjitha periudhat e historisë. Vuri shpirtin dhe zemrën e tij cep më cep. Familja Ylli ka qënë njëra nga 5-6 shtëpitë e mëdha, që mbajtën e përballuan LANÇ në Skrapar.

Bardhyli miturak 6-7-vjeçar, këtu mori mësimet e para të atdhe-dashurisë. Këtu ai pa si po zbrisnin nga mali të vrarë Heroin e Popullit Ramiz Aranitasi, bashkëfshatarët me partizanë, komandantë e komisarë. Qafa e Gjarprit e Pelës, Beçit, Martës, Kalibarit, Tëndës së Qypit, Shkozës etj. hynë dhe mbetën në historinë e vendit, të paharruar për jetë, si heronjtë dhe dëshmorët. Ku i thonë Vlushë dhe Krushovë rrodhi gjaku lumit tatëpjetë, krim e lemeri që s’thuhet me gojë, sa u drodh Tomorri, mal i shenjtë. Masakra e Vlushës dhe Krushovës, asnjëherë e nga askush, nuk është treguar e shkruar gjer në fund. Vlusha jonë, Borovë Skrapari, ndeze yjet prag më prag, tek çan qiellin lapidari, e lave lirinë me gjak…Ashtu si mbarë Shqipëra mburret e krenohet me trinitetin e shenjtë: Periudha e Skënderbeut, Rilindja Kombëtare dhe LANÇ. Skrapari mburret dhe krenohet për gjithçka bëri për lirinë e Shqipërisë. Dhe Bardhyl Ylli në muze i kushtoi LANÇ-it vëndin qëndror me plot të drejtë, pa i shkuar mendja asnjëherë se çfarë do të ndodhte më vonë. Bardhyl Ylli i palodhur, kërkoi, gjurmoi, gjeti dhe grumbulloi në mënyrë sistematike çdo gjë të nevojshme për muzeun e porsangritur. Kërkoi pandërprerë në Arkivin Shtetëror, në Bibliotekën Këmbëtare, u miqësua dhe u njoh me personalitete kombëtare, me ish-luftëtarë, me veteranë, familje patriotësh, historianë dhe specialistë të njohur të fushës nëpër rrethe. Por puna pasionante, vullneti dhe këmbëngulja sistematike, orar e pa orar, hasnin dhe në pengesa të paparashikuara. Ja vetëm një rast. Në korrik të vitit 1968, kur punonim bashkë në Arkivën e Shtetit në Tiranë, na vjen befasisht telegrami nga Dega Ushtarake e Skraparit për t’u paraqitur në zbor në batalionin reservist të zbulimit në Surropull të Përmetit. Arritëm në Surropull duke udhëtuar tre ditë e tre netë, më tepër natën, duke pyetur fshatrave, se s’dinim ku ndodhej. Atje ishim në gadishmëri, se situata në kufirin grek ishte tepër kërcënuese.

Pas 19 ditësh, lamë punimet e xhades dhe përsëri u nisëm drejt Arkivit në Tiranë, etj. etj. Korrikun e vitit 1969 u bëmë katër vetë, duke patur mes nesh dhe të mirënjohurin Abdulla Bregu me një tomorricar. I shkëlqenin sytë dhe i gufonte zemra sa herë që i binte në dorë ndonjë objekt me vlerë për muzeun. Në çastet kur pasuronte dosjet, stendat, raftet e vitrinat, kur ekspozonte nëpër ambiente të dukshme relike, foto, libra, fletëpalosje, armë personale të luftëtarëve, ish-dëshmorëve etj. i bëhej zemra mal. Dhe kurrë ndonjëherë nuk besoj t’i shkonte mendja se pas qindra vjetësh mund të prekeshin, çvendoseshin e zhdukeshin gjithçka nga sa ai kishte siguruar me mund, djersë e sakrifica. Mund të luanin malet nga tërmeti, po kurrë ato nga mileti! Bardhyl Ylli la çdo gjë në vendin e vetë si në gji të Perëndisë, i kënaqur dhe i gëzuar e plot optimizëm, siç lë nëna fëmijën e shtrenjtë. Miku im, zemërzjarrtë e duarartë, gjatë një çerek shekulli qe shkrirë e bërë një me krijesën e vet. Ata të dy qenë bërë për njëri-tjetrin, të pandarë, si vllezër siamezë. Bardhyl, mirë e bukur le të shkruar nëpër inventare, listat e luftëtarëve, reliket, armët, fototekën, librat, objektet arkeologjike, etnografike…

Nuk le gjë pa bërë dhe e bëre ashtu si duhej e si të qante zemra ty. Banorët e Çorovodës së vogël, si tërë banorët e fshatrave të Skraparit, e vlerësonin muzeun si një përmendore të shenjtë, si një seli të trimërisë dhe mburreshin e krenoheshin me të sa herë kalonin nëpër shkallët e bardha përpara tij. Dhe, brenda mureve, dëborë e bardhë Tomorri, përfytyronin Bardhylin, përkulur mbi stenda, foto e botime, si nëna me fëmijën e vetëm, shtrënguar në gjirin e saj të ngrohtë.Kishte qenë fati ynë që projekti pati një arkitekt të vërtetë për ndërtesën më të bukur në Çorovodë, në të gjitha kohët. Bardhyl Ylli, me punën e tij pasionante ia rriti vlerat ndërtesës, aq sa, turistët francezë kur e vizituan e quajtën “surprizë e rrallë mes malesh të ashpër”. E pranoj plotësisht se sado të zgjatem nuk mund t’i them të gjitha ato që di për Bardhylin, edhe pse në miturinë e muzeut kam punuar me të në Arkivin e Shtetit. Nga ana tjetër, nuk anashkaloj punën e 4-5 pasardhësve të tij; ata bënë sa e si mundën në një kohë tjetër, në të tjera rrethana. Bardhyl Ylli nuk kishte rënë nga qielli, por ai kishte lindur, absolutisht, vetëm për atë punë që bëri, e cila më mirë dhe më bukur, kurrë nuk mund të bëhej.

Ai burrë i paharruar sikur kishte lindur e ishte rritur në mes të koshereve të bletëve, të cilave u kishte rrëmbyer mjeshtërinë aq enigmatike të prodhimit të mjaltit apo ambrozisë së antikitetit në Olimpin grek.   Ngritja dhe pajisja e muzeut të Skraparit ndodhte në vitet 1968-1970, për herë të parë në historinë e një rrethi, me mbi 105 fshatra. Aty u ekspozua historia dhe zunë vend figurat e njohura që bënë emër nëpër kohë. Muzeu ynë ishte nderi, lavdia dhe krenaria jonë e pamohueshme. Nëpër fshatra u ngrit vetëm një muze dinjitoz, në Vërzhezhë, ku përveç Bardhylit, punuan me përkushtim Robert Ballauri me Taip Çelën, muze i vërtetë që sot është kthyer në kasolle me kashtë për qetë dhe lopët e fshatit. I paharruari Bardhyl! Askush s’më kërkoi të shkruaj, këtë e ndIeja si detyrim. Ike po s’le prapa asnjë peng. E bëre bukur e mirë detyrën tënde; të ka zili e të kujton me mall çdo njeri që të pati njohur. Çlodhu miku im i dashur dhe harroje krijesën tënde, fëmijën që rrite e selite muzeun…Ata që banojnë në Çorovodë thonë se te dera mungon një dëllinjë dhe kryq e shul një ferrë. Kyç i madh si asnjëherë, s’ishte varur tek kjo derë. Brënda mureve të akullt ka mbetur një kufomë, të cilës i kanë shkulur zemrën, mushkëritë, mëlçinë e tërë rropullitë. Bardhyl, të kërkon muzeu. S’të ka marrë malli?