Hyqmet Zane: Ndotja nga qeverisja e Rilindjes Rama më e rrezikshme se ndotja e mjedisit

389
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ndotja e mjedisit në Shqipëri në tërësi dhe në Elbasan në veçanti është një nga treguesit, veç shumë të tjerave, e mospërputhjes së realiteteve, që nuk na bashkon me Europën. Ndoshta ka njerëz që thonë se ndotja e mjedisit është e fundit gjë që ne nuk kemi parametra europianë. Por do u thoja secilit prej atyre që kanë skepticizëm se para 10 a 12 vjetësh kishim disa kushte jo më shumë se gishtat e një dore, porse sot kemi kushte të diktuara sa tre herë gishtat e një dore.

Kjo ka arsyet e veta dhe do të doja të ndaja opinionin se ndotja e mjedisit është një prolog që shoqëroi shoqërinë shqiptare gjatë dhe në ndryshimin e sistemit dhe e kishim peshqesh të një industrie të rëndë. Metalurgjia e zezë jo vetëm nxiu jetët e shqiptarëve me sëmundje profesionale, por nxiu ambientin dhe u bë bashkëshoqërues i rrezikshëm që e konstatonin edhe të huajt kur vinin në Shqipërinë e hapur tashmë. Ajo ndotje binte në sy, në mjedise dhe në jetesë, në fytyrat e njerëzve dhe në pasojat trashëgimore. Ishte si një peshqesh i të zezave, që i bëri një regjim diktatorial popullit të vet.

Iku si iku ai sistem dhe u gjenerua një ndryshim në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve që me të mirat dhe të këqiat e tij ishte shumë herë më ndryshe se stalinizmi i një sistemi, që ishte si vetë ndotja. Duke menduar se po plotësonim kushtet jo vetëm për të arritur që të bëheshim pjesë e Bashkimit Europian, por edhe për të ndryshuar gjithçka në mjedisin shoqëror dhe politik të këtij vendi, u gjendëm nën një rilindje të një ndotjeje më të madhe se sa ajo e mjedisit. Sot shqiptarët po përjetojnë ndotjen e jetës së tyre politikisht, ekonomikisht, shoqërisht, në qeverisje dhe në pushtetin lokal, po aq sa edhe në familjen e vogël dhe brenda në Parlament. Është ndotës fjalori kryeministror që të vjen turp të shohësh një njeri që flet si një metalurgji e zezë, me fjalë ndotëse dhe me mendësi të zeza, që ndot ambientet ku shkon dhe ku futet, duke lënë gjurmën e një pluhuri në ngjyrë mavi që të nxin jetën.

 

E thënë me fjalë të tjera ky është epilogu i ndotjes nga rilindja që kërkonte të bënte kryeminsitri Rama me filozofinë e tij ndotëse në gjithçka. Kjo u bë vit pas viti dhe për 8 vjet rresht me pamjen e tij dhe me fjalën e tij ai ndoti edhe Europën me mendësitë e tij, që i dukeshin si oratori për të shërbyer si modele estrade në të ardhmen. Nuk ka vaksinë që të mbrojë shqiptarët nga kjo lloj ndotje, se edhe vaksinat për virusin e pandemisë Covid-19 nuk i solli si një nevojë imediate e shpëtimit të jetës së njerëzve, por e ndoti edhe sjelljen e tyre, sepse një mendje e ndotur nuk mund të bëjë tjetër veç sjellje e veprime që prodhojnë ndotje.

Ekologjistët e ndershëm dhe të paanshëm që kanë eksperienca në këto punë, vënë alarmin e ndotjeve të shumëllojta që i bëhen këtij vendi nga tymrat sidomos nga uzinat që punojnë ende në metalurgjinë e zezë. Por jo vetëm ajri që në Elbasan shkon deri në 3–4 fish larg parametrave europiane, por sidomos ndotja e tokës që ka hyrë deri në 32 cm sipas një studimi të bërë nga një menaxher i bashkisë së Misissisipit në SHBA kur e deklaroi këtë në një takim me ARM dhe Klubin Ekologjik në Elbasan.

Këto fakte janë kaq të vërteta sa frytet e kësaj ndotjeje po shihen vit pas viti në shtimin e dosjeve të të sëmurëve që vdesin nga kanceri, në lindjet e përçudnuara në njerëz dhe në kafshë, në prishjen e ekosistemit të ujrave dhe bimësisë. Shpresa Bumi, mjekja e sistemit të dosjeve që mbaheshin tek sigurimet shoqërore pohonte në konfidencë të madhe nga frika e mosdaljes së të vërtetave se nga metalurgjia ishin bërë mbi 2500 dosje të të sëmurëve që duhet të merrnin KEMP nga sëmundjet profesionale. Për këta të sëmurë kishte vetëm një mjeke të sëmundjeve profesionale, që edhe ajo iku në emigrim, dhe pas 30 vjetësh nuk ka mbetur më asnjë. Nuk ka asnjë projekt për depistimin e rreth 12 mijë qytetarëve që punuan jo pak vite në metalurgjinë e zezë që të mos trashëgohen sëmundjet e rrezikshme, aq më tepër që edhe trajtimi i tyre me antidote nuk bëhet.

Po ashtu nuk ka asnjë projekt për të bërë dekontaminimin e tokës nga ndotja e rëndë që është futur kaq thellë. Janë realitete që na dhembin dhe na shqetësojnë se në Europë nuk shkojmë dot me të tilla parametra ndotjeje të mjedisit.

Fenomenet e ndotjes janë një zinxhir i gjerë me hallka të shumta, që vijnë edhe nga prerja e pyjeve nga militantët dhe mbikqyrësit e tyre socialistë , që bëjnë tregti të konstatuar në qarkun e Elbasanit. Mungesa e gjelbërimit detyrimisht krijon mungesa në pastërtinë  e ajrit dhe të pasurimit të tij me oksigjen. Po ku do t’ia dijë një drejtues socialist i qarkut për të vërtetat e kësaj pune se atë e ka kapur amoku i paudhësive dhe i fitimeve. Dhe në vend të tyre u mbollën dhe u kultivuan plantacione me hashash, që nga djegia e tyre siç vepron policia, krijohet një ndotje po aq e rrezikshme.

Më shumë akoma mund të themi se importimi i produkteve ushqimore që vijnë në Shqipëri dhe me skadenca të shpejta, kur dalin nga qarkullimi janë një ndotje e madhe, sepse ato kthehen në helme edhe për tokën.

Edhe inceneratorët që thuhet se do i shërbejnë grumbullimit të plehrave ka krijuar probleme të mëdha, sepse shkarkesat e tyre bëhen në lumenj, që ndotin ujin me ujitjen e prodhimeve bimore. Po aq më të rrezikshme janë groposja e inerteve të ngurta që dalin nga inceneratorët, precipitojnë nën tokë helmet dhe krijojnë rrezikun e helmimeve të ujrave nëntokësore prej të cilave marrim edhe ujin e pijshëm.

Me sjelljet banditeske të një qeverisje i kemi krijuar edhe Europës një ndotje të jetës shoqërore dhe publike përmes trafikut të drogës dhe të trafiqeve. Mafia shqiptare po kthehet si një ndotje e madhe e Europës që po krijon precedent të jetës në vendet europiane.

Mund ta konsideroj si një ndotje të madhe të atmosferës europiane nga gënjeshtrat e një kryeministri që nuk e njeh sinqeritetin dhe me mashtrimet e një njeriu që në krye të kësaj qeverisjeje në Shqipëri u kthye në një njeri që mbolli gënjeshtrën dhe fasadën, që kultivoi krimin dhe hajdutërinë si një ndotje e shoqërisë nga mungesa e të vërtetës dhe një sjelljeje me shumë fytyra përmes ofezave dhe cilësive negative që ai manifeston në çdo tubim.

Edhe ngritja e zërit të tij është një ndotje akustike si ajo që përdorin lokalet në Shqipëri, sa ka krijuar një nervozizëm dhe padurim, a thua se shoqëria shqiptare ka nevojë për këtë realitet të ndotjes akustike që ka të bëjë me cilësinë e të jetuarit. Kjo ka të bëjë me problemet infrastrukturore dhe teknike të një shteti apo një rajoni me qytetarinë.

Për të gjitha këto kategori ndotjesh dhe papërgjegjshmërie kërkohet ndryshimi i një qeverisjeje, që të rikthejmë besimin tek rinia për të kuptuar se jeta në Shqipëri mund të pastrohet nga ndotja e gjithçkaje nëse ndryshojmë qeverisjen dhe filozofinë e saj në të ardhmen.