Vepror Hasani: Keqmenaxhimi i pandemisë, prodhoi adoleshentë përdorues droge

426
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Vetëm në qytetin e Korçës 200 përdorues droge, si bashki 1,200

Tendenca në rritje e përdorimit të drogave edhe te femrat

Mosmenaxhimi i mirë i pandemisë Covid-19 rriti numrin e përdoruesve të drogës edhe tek adoleshentët. Dalja e autoblindave në rrugë, ndryshimi i vazhdueshëm i orareve: herë për qytetarët, herë për gjyshet, herë për pensionistët, herë me mesazhe telefonike, “lani duart”, herëpasherë me aplikime te E-Albania, herë nga pamjet në media ku policia ndiqte këmba-këmbës të rinjtë në bulevard sikur të ishin subjekte të OFL-së, vetëm pse kishin dalë pa leje në rrugë, sollën stres tek të gjithë, por veçanërisht te adoleshentët. Për këtë arsye, numri i përdoruesve të drogës u rrit edhe te moshat 18 e sipër, e pranuar kjo edhe  nga burimet zyrtare, pranë Qendrës së Detoksifikimit, “Korça Plus”. Sipas burimeve në fjalë, shkak i përdorimit të drogave nga adoleshentët u bë edhe pandemia, gjendja e të cilëve u rëndua psikologjikisht. Dihet gjithashtu se adoleshentët kur përjetojnë gjendje stresi, rrezikojnë të shkojnë drejt drogave, fillimisht me tymosjen e hashashit duke menduar se me këtë lloj droge nuk mund të bëhen “pre” e tij, madje e shohin thjesht si një eksperiencë të re, të paprovuar më parë, por që më pas e gjejnë veten te heronina apo kokaina.

Tendencë rritje në përdorimin e drogave edhe te femrat

Aktualisht  në qytetin e Korçës gjenden të kartelizuar 200 përdorues të lëndëve narkotike të forta, ku çdo ditë trajtohen me metadon 80 përdorues të lëndëve narkotike. Për marrjen e drogës adoleshentët, të rinjtë dhe moshat e tjera përdorin shtëpitë e braktisura, banesat në ndërtim e sipër dhe ambiente të tjera larg syrit të njerëzve. Numri i përdoruesve të drogës në Bashkinë e Korçës shkon në 1.200 persona. Pandemia shihet edhe si shkak për rritjen e numrit të përdoruesve të drogave edhe te femrat, pasi viti 2020 dhe 2021 u shoqëruan me humbje të vendeve të punës, me rënien e të ardhurave, me mosplotësimin e kërkesave të përditshme, me mungesë aktivitetesh dhe argëtim gjatë ditës etj, (masa këto që ishin të domosdoshme), por që u shoqëruan me rëndim psikologjik të shumë qytetarëve. Madje viti 2021 shënoi raste të tjerë të regjistrimit të adoleshentëve si përdorues droge.

Metadon dhe trajtim psikiatrik

Gjithashtu te Qendra e Diagnostifikimit pati rikthim të përdoruesve të drogës, të cilët kishin mundur të hiqnin dorë nga lëndët narkotike. Rritje pati kryesisht te moshat nga 18 deri në 22 vjeç, po kështu u shtua edhe numri i personave të regjistruar për herë të parë në këtë qendër. Te qendra e Detoksifikimit, “Korça Plus”, gjenden edhe persona të cilët krahas marrjes së metdonit shërbehen edhe me trajtim psikiatrik. Te përdoruesit e drogave ndikon edhe ngritja e temperaturave gjatë verës, te të cilët shfaqen shenja agresiviteti, çregullime mendore dhe debulesë; për këtë arsye kërkojnë rritjen e dozës së metadonit. Marrja e këtij medikamenti, ndikon pozitivisht në lehtësimin e pasojave nga përdorimi i heroinës. Sipas burimet të përmendura më sipër, metadoni merret si dozë vetëm njëherë në ditë, i cili i qetëson për 24 orë, pasi ky ilaç zëvëndëson heroninën dhe nuk shkakton simptoma të dhimbjes së kockave që ata mund të kenë. Kurse ata që vijnë nga zona të largëta, që nga fillimi i pandemisë e në vijim po u shërbehet  me urdhër të brendshëm për marrjen e ilaçit për disa ditë. Megjithatë, ata që shkëputen krejtësisht nga varësia e drogave janë të rallë.

Përdoruesit e drogës të rrezikuar edhe nga sëmundje të tjera

Përdoruesit e drogave të kësaj qendre bëjnë rregullisht edhe analizat e sifilizit dhe hepatitit, pasi ka patur rritje të numrit të personave të prekur nga këto sëmundje si pasojë e përdorimit më shumë se njëherë të shiringave. Përdoruesit e heroinës, – shumica e tyre, – janë të prekur nga hepatiti B dhe C. Epatiti viral është sëmundje infektive e mëlçisë, kryesisht nga kjo sëmundje janë të prekur meshkujt e moshës 20 deri në 32- 35 vjeç, të cilët trajtohen me metadon  në gjendje të ngurtë (tabletë) ku në qendrën e sipërpërmendur, veç hepatitit  bëjnë edhe analizat e sifilizit dhe gonoresë. Pas kryerjes së analizave dhe ekzaminimeve, personat e diagnostifikuar me hepatit C, rekomandohen të trajtohen nga mjeku infeksionist pranë spitalit civil të Korçës dhe më pas pranë qendrës së Tiranës.