Marash Gilaj: As me zemër, as me mendje, por me joshje dhe frikësim

132

Maskarada zgjedhore që sapo kaluam nën hundën e drejtësisë së Vetinguar e reformuar, ishte totalisht manipulim e tjetërsim i vullnetit të popullit, deri në kufinjtë e një ngjarje tragjike për shkatërrimin përfundimtar të demokracisë, kundër lirisë, rrotacionit dhe pro shpopullimit të vendit

Sigal

Në fillim të muajit prill, rreth 40 ditë më parë, pata shkruar bash te kjo gazetë, se më 14 maj 2023 nuk do të kishte zgjedhje, por vetëm votime kriminale dhe të turpshme. Dhe siç tregojnë të gjitha ndodhitë gjatë fushatës elektorale, që fushatë i thënçin, dhe deri në përfundim nuk ishin të tilla. Parashikimet, për fatin më të keq të popullit, jo vetëm që u bënë realitet, por pati edhe risi e harbutëri të paimagjinuara. Kjo vërteton se huqet dalin vetëm, kur del shpirti, siç thotë populli. Maskarada zgjedhore që sapo kaluam nën hundën e drejtësisë së Vetinguar e reformuar, ishte totalisht manipulim e tjetërsim i vullnetit të popullit, deri në kufinjtë e një ngjarje tragjike. Dhe se humbësi më i madh në raste të tilla nuk është asnjë parti, por populli i joshur, i mashtruar e i kërcënuar. Ishte dëshpërues, tallës, ofendues e kërcënues fjalori i përdorur nga kapoja që donte “fitoren” me çdo çmim. Ky qëndrim ishte banal e kriminal deri në turp kombëtar. Nuk qenë zgjedhje apo votime të lira, as të ndershme e aq më pak të barabarta. Që zgjedhjet nuk ishin të lira, e pohoi edhe zonja Glover, kur u pyet. Në gjithçka mbisundonte paligjshmêria, klima mbytëse dhe kërcënimet, që synonin tek nënshtrimi. Ligësi, pabesi, hile, dhunë verbale, përbuzje e mashtrime shoqëruar me tallavanë e neveritshme të kësaj farse elektorale, e kthyer në estradë. Ishte terror i vërtetë narkoshtetëror i paparë deri sot. Këto nuk thuhen për të justifikuar humbjen e opozitës, por për të treguar humbjen e popullit. Duke gërmuar në google, gjeta se “shkelja e legjitimitetit institucional mbi të cilin është ndërtuar shteti si formë e organizimit politik dhe e rregullave ligjore, me të cilat qeveriset, janë elemente të një grushti shteti”. Ja ku kemi arritur. Me gjuhën e popullit, dikush tha se ra edhe Shkodra apo Tropoja ose i mori rilindja. Ndërsa qeveriu na tha se ata votuan me mendje dhe jo me zemër. Kjo ka lidhje me titullin që i vura shkrimit. As njëra as tjetra! Them unë. Fjalët: ra ose i mori përdoren për konflikte midis shtetesh, kur janë në luftë. Sa keq tingëllojnë!

Më kriminalja ishte thirrja e qeveriut: “Nëse votoni për kandidatët e opozitës, nuk do të keni financime as shërbime, investime as bashkëpunim me qeverinë.” Kam dëgjuar nga një avokat, nga më të mirët që kemi, se një thirrje dhe kërcënim si ky, dënohet me burg. Ku ishte drejtësia në këtë rast, me se po merrej? Pastaj dëgjuam edhe kërkesa të tjera, jashtë çdo rregulli, norme, morali e ligji siç ishte kërkesa për të mbyllur burrat brënda ditën e votimit, se ata mund të votojnë kundër nesh. Gratë e dashkan më shumë qeveriun!? Në kësi rastesh thirrja bëhet për të dalë sa më shumë në votime dhe jo e kundërta. Absurditete të tilla nuk janë dëgjuar në asnjë vend tjetër të botës.

Më kriminalja ishte thirrja e qeverisë: “Nëse votoni për kandidatët e opozitës, nuk do të keni financime as shërbime, investime as bashkëpunim me qeverinë.” Kam dëgjuar nga një avokat, nga më të mirët që kemi, se një thirrje dhe kërcënim si ky, dënohet me burg.

Opozita e vërtetë u la pa financime, pa vulë, pa logo e flamur duke mos i vënë as emrin tek fleta e votimit. Kështu u veprua me komisionerë e numurues. Gjithçka dukej e qëllimshme si denigrim e poshtërim. Opozita e emëruar prej tij, megjithëse nuk i mungonin asnjë prej këtyre, bile as përkrahja qeveritare dhe ndërkombëtare, duket se kishte dalë në votime për të luftuar opozitën, pasi nuk fitoi asgjë dhe prishi shumë punë. Thuhet se 4 bashki të tjera do të fitoheshin po të bashkoheshin votat e dy krahëve opozitarë si: Këlcyra, Mallakastra, Finiqi dhe Kuçova. Gjykatat i vonuan qëllimisht vendimet se kujt i takonte vula apo simbolet, sa duket se ishte me urdhër nga lart që të veprohej kështu. A e kuptoni tani se kujt i takon vula dhe se Alibeaj ishte njëpërdorimësh? Këtë e vërteton dorëheqja e tij, pasi kreu detyrën e ngarkuar.

Një tjetër problem i madh ishte qëndrimi i poshtër ndaj dy lloje “non grata – sh”, i cili shkonte deri tek lufta e klasave të kohës së E. Hoxhës. Njëra anë u konsiderua tepër armiqësore dhe tjetra si miqësore, sepse mblidhte vota për rilindjen.

Votimet u zhvilluan, kur 60 bashki ishin moniste, gjë që e bënte edhe më të vështirë fitoren e opozitës. Edhe kjo të kujton diktaturën. Në Elbasan, Vorë dhe Kamëz, votoje për Arianin dhe vota i shkonte Rakipit. Kjo ishte vjedhje e hapur dhe siç duket, askush nuk e mori në konsideratë. Këtu punuan iranianët apo hakerat shqiptarë? Skema “karusel” apo “treni bullgar” ishte një mënyrë tjetër për të tjetërsuar votën. Çudia tjetër. Të burgosurit votojnë dhe përcaktojnë fituesin në Rrogazhinë, sepse vuajnë nga sindroma e Stokholmit. E përdhunuara bie në dashuri me përdhunuesin (për krahasim).

Sa keq që nuk kuptuat as sloganin “Kurrë mbrapa, vetëm përpara!” Përveç atyre që përmendëm më lart ka edhe qindra arsye të tjera që “fitoi” ai që duhet të humbte, jo vetëm në këto votime, por që në mandatin e parë, kur e mori kalanë. Kemi parasysh blerjen e votave sa tronditi kursin e euros dhe të dollarit, punësimet pa kontratë dhe asfaltimet elektorale, si dhurata për pensionistët prej 50 000 lekësh të vjetra, që nuk u dhanë për Pashkë as për Bajram, por për t’i joshur që të jepnin ca vota haram. Çmimi i votës varioi nga 50 – 500 euro. Pastaj vinin pakot me ushqime dhe orendi shtëpiake, etj. Amerikanët kanë një shprehje: “Nëse një palë zgjedhje nuk mund të fitohen me para, ato mund të fitohen me shumë para.” Kjo duket se u aplikua edhe tek ne. Rezutati ishte çudibërës. 87% të bashkive i fitoi PS – ja. Edhe 12% iu duhen për të kapur 99% – shin dhe diktaturën. Premtimet për rritje rrogash në fushatë bashkë me legalizimet dhe dekorimet ishin tejet të paligjshme. Po kush pyet për ligje këtu, kur kemi Maliqin? Po kërcënimi i gazetarëve që lajmëronin policinë se kishte njerëz të paautorizuar, që rrinin me orë të tëra në qëndrat e votimit, me lista në dorë që kërcënonin e orientonin votuesit? Dhunimi i komisionerëve, në Krujë e Kurbin, votat e pavlefshme në Ballsh e Rrogozhinê bashkë me ushtrinë e patronazhistëve e aktivistëve e shtuan kriminalitetin e këtyre votimeve të kufizuara, sepse zgjedhje nuk ishin. 35 000 000 euro të shkuara dëm si fond i përdorur për të ashtuquajturat zgjedhje.

Duke shitur votën apo duke u joshur e trembur nga kërcënimet, ju votuat për shkatërrimin përfundimtar të demokracisë, për monizmin dhe zhdukjen e pluralizmit në Shqipëri. Votuat kundër lirisë, rrotacionit dhe pro shpopullimit të vendit. Doni që njëshi të mbajë të gjitha pushtetet në dorën e tij? Ju votuat që drejtësia të mos japë drejtësi, që të mos kesh kujt t’i ankohesh, por të zëvendësohet me kaos e vetëgjyqësi. Ju ka pëlqyer shumë harta e re gjyqësore me 107 000 dosje të pluhurosura, që duhen dekada për t’i shqyrtuar e vendosur padrejtësisht. Ju votuat që korrupsioni e krimi i organizuar të lulëzojë bashkë me drogën që sëmurë e vret fëmijët tuaj. Votuat për inceneratorët, që marrin miliona euro pa dhënë asgjë e duke pasuruar oligarkët kriminalisht. Ju ka shijuar shumë varfëria, grabitja, humbja e shpresës për të parë diçka më të mirë në të ardhmen? Kemi dëgjuar për mijëra biznese të falimentuara, të shembura pa vendime gjykate, por ata që i shkaktuan na dolën të votuar e të fituar! Për popullin çmime të rritura, taksa të shtuara e më të larta, por edhe këto i doni e i votoni! Çdo ditë e mē shumë po ju mungojnë punëtorët dhe profesionistët , por edhe këtë ia bëni hallall qeveriut. Ju votuat që askush të mos mbajë përgjegjësi për shkelje ligjesh, për qindra skandale as të mos japë llogari! Mos vallë votuat edhe për satelitët, që kanë ikur në drejtim të paditur, pasi nuk po na thuhet çfarë zbuluan dhe sa fituam prej tyre, apo, thjeshtë, po fluturojmë me presh, sa as dreqi s’po e merr vesh se ç’ bëhet? Taksat tuaja bërë rrush e kumbulla. Votuat edhe për reformën territoriale, që nuk jep shërbime, sigurisht? Sa shpejt i harruat dosjet 184 dhe 339. Mosdënimi i fajtorëve rriti oreksin për krime zgjedhore shtesë. Kujtojeni edhe McGonigal apo Sorosin se na ndihmon për të kuptuar më mirë ku jemi e ku po shkojmë. Mos e harroni Beckettin, që për faj të qeverisë po na gërryen xhepin në arbitrazh. Keni rënë në dashuri me ekonominë kriminale, amnistinë fiskale dhe pastrimin e parave të pista e të përgjakshme. Ka edhe të tjera, por zbuloni vetë në jetën tuaj. Për të konkluduar, pas kësaj “fitoreje”, do të ndeshemi me alibinë që justifikon çdo dështim tjetër të qeverisë, duke shtuar dozën e arrogancës, sipas parimit: “Fituesi nuk gjykohet.” Në anën tjetër, humbet interesi për të kritikuar qeveriun, kur ti thua se jam duke bërë një vrimë në ujë. Dihet, gjithashtu se qeveriu është alergjik ndaj kritikave dhe hakmarrës i tërbuar. Me të drejtë e me të padrejtë do të na thotë: “Ju vetë m’i dhatë votat mua, sepse më keni besuar, e unë me ju, mund të bëj çfarë të dua.” Por, pa një drejtësi të pavarur dhe votat e diasporës, nuk kemi gjë në vijë. Historia ka shanse të përsëritet.