Lasgush Poradeci/Paravajtja e Himnit: Marshi atdhesor në dorëshkrimin “Ejani sot, o shqipëtarë!”

576
Sigal

Dorëshkrime/ – Kryeveterani Nikoll N. Naço-Korça themeloi në Bukuresht të parën Shoqëri të Mësimit shqip, “Dritën”

Paravajtja e Himnit: Marshi atdhesor në dorëshkrim “Ejani sot, o Shqipëtarë

  Vasil Zografi lajmëroi lajmin ardhjen e At Harallamb Çalamanit në gji të Kolonisë

Si u ndërhy pranë Mitropolisë së Bukureshtit për dhënien e një kishe Kolonisë shqiptare ku të meshohet shqip

– Leja u dha në vitin 1908 dhe ka qenë një gëzim, një lumtëri, një festim i përgjithshëm për veteranët e Bukureshtit

– Kori Kishtar u formua në mbledhjen e shoqërisë me vendim të njëzëshmë, ku u zgjodhnë pjesëtarët nga gjith ata shqiptarë të rinj që ndodheshin asikohe në Bukuresht

 Lasgush Poradeci

Nata e mbledhjes së shoqërisë ishte zgjedhur posaçërisht ajo e ditës së-Premte, pas mbarimit të tregjeve dhe tregtimeve brenda në qëndër në kryeqytet dhe jashtë- nëpër qarqe. Të qetësuar kësisoj nga përpjekjet e ditës dhe të javës mundnin t’i kushtohen më gjallërisht çështjeve aq të dashura, nënë dritën elektrike të një lustri të madh në sallën e Selisë Shoqërore. Në këtë sallë, ku u patnë lëçitur me mallëngjim për të parën herë vjershat e Naim Frashërit pas dorëshkrimit të ardhura fshehtazi nga Stambolli, ku mirrte pjesë shpesh herë Çerçiz Topulli me Mihal Gramenon dhe Spiro Ballkamenin, kryengritësit e Rilindjes që vinin të kalojnë dimrin në gji të shoqërisë në Bukuresht dyke pritur veshjen me fletë të maleve shqiptare, duke pritur parëverën e kur ktheheshin përsëri në atdheun e robëruar për t’a çrobëruar me pushkë në dorë,- këtu u mblodhë tashi burrat e veteranërisë, ata të kryeqytetit dhe të qendrave përqark, Konstancë, Jash, Braillë ettj. Mbledhjet e shoqërisë bëheshin përherë që të mbarohet një punë, kurrë që të bëhet fjalë e kotë. Anëtarët e dinin vetë këtë gjë, ish një vendim i marë që në fillimin e themelimit të saj. Karakteri i shoqërisë ish idealist, aty ish nevojë vetëm për dy gjëra: therrori dhe veprim. Kur i-u vinte prej sekretarit një ftesë për mbledhje të jashtërendshme, sicili nga anëtarët e mirte me mënd se duhet paguar ose i duhet përveshur një pune për t’a kryer. Kështu të pregatitur u mblodhë që të gjithë përsëri dhe tani, dhe Vasil Zografi iu lajmëroi lajmin gazmor të kishës për t’u themeluar, dhe, si gëzim më të madh, ardhjen e At Harallamb Çalamanit në gji të Kolonisë. U derthnë më parë pagesat e nevojshme për jetesën e Atit të përndershëm dhe u vendos, me qenë që çështja ish e ngutshme, të ndërhyhet pranë Mitropolisë së Bukureshtit për dhënien e një kishe Kolonisë shqiptare ku të meshohet shqip.

Kërkesa ish e kuximshme nga ana e shoqërisë, po jo dhe aq e papritur për Mitropolitin, i cili kish të njohur dhe miqësi vetore me shumë anëtarë dyke ditur mirë dhe dyke e marë me mënd ç’i-u zjente në zemër të gjithëve pa asnjë ndryshim. Nga ana e saj dhe lutjes i kish hije për kërkesën që mbante, ajo e vinte Mitropolitin përpara një fakti të filluar që priste mbarim, i bënte të njohur sjelljen, me shumë therrori, të priftit shqiptar posaçërisht nga Shqipërija dhe pregatitjen e tij për t’a mbajtur meshën shqip në mënyrën më të përsosur pas librës së Fan Nolit. Kryesisht libra e Fan Nolit i bëri shentërisë së tij një përshtypje të fellë. Mitropoliti u kënaq me të tepër kur pa se organizimi i kishës shqiptare kish bërë një fillim me rëndësi; ay kish nisur përurimin e vet me qarkullimin e një vepre themelore. Urdhëri i dhënë i erarkisë së Bukureshtit vetëkuptohet, siç u muar vesh dhe drejtazi më von, se kish qënë kategorik; ay kërkonte shënimin e një kishe me rëndësi në kryeqytet, ku të kremtërohet meshimi i parë shqip i Komunitetit orthodhoks shqiptar. Dhe falëtorja u gjend me-do-e-mos, u gjend brenda mun në qëndrën më të populluar të Bukureshtit, në vëndin më të përshtatur, vetëm disa hapa larg nga Selija shoqërore e shqiptarëve; ishte një ndërtesë faljeje antike, mbretërore, e shpallur prej kohe me vendim ligjor si monument kombëtar i shtetit rumun. Kaq e rëndë ish ndaj udhëheqësit e popullit rumun hija e Kollonisë shqiptare të Bukureshtit.

Falëtorja e caktuar për Kolloninë shqiptare jo vetëm që ish një kishë e mirë, e radhës së parë, në qëndër në kryeqytet, po gjindej dhe në mes të tregut të Bukureshtit dyke bërë nga ky shkak pa dashur një propogandë të pashme dhe të bujëshme para syve të shumicës për çështjen t’onë kombëtare. Dhe shoqërija e Kollonisë diti të përfitojë nga ky rast, me kujdesjen që i dha spastrimit, lyerjes dhe zbukurimit të jashtëm të kishës, që të duket se ka hije jo vetëm për shërbimin fetar të komunitetit, po sipër së gjithash dhe çkëlqimërisht për idealin e lartë kombëtar të cilit me zemër i ish kushtuar. I theshin falëtores Shën-Gjergji-i-Vjetër, po ajo s’ish në të vërtet dhe aq e vjetër, quhej kështu për t’u çquar nga një kishë tjetër që e kish emrin Shën-Gjergji-i-Ri dhe ish ndërtuar më von sesa kisha e shqiptarëve. Që të dyja i kishin bërë me të hollat e tyre isnafët e Bukureshtit aty e dy-qind vjet më parë kur krijimi dhe administrimi i falëtoreve kish një karakter më shumë qytetar, me dhuronjësit dhe kujdesonjësit e tyre privatë sipas një zakoni të traditës fetare orthodhokse. Isnafët i kishin këto kisha dhe nënë vërrejtjen e drejtpërdrejtëshme të tyre, gjer sa më në fund, dyke u çdukur dal-nga-dal kjo gjindje patriarkale, mprojtjen dhe mbikqyrjen e tyre e mori Bashkija. Prej Bashkisë mvareshin ato gjer tashi në këtë kohë, ajo i paguante me të ardhurat e saj pa ndërprerje dhe priftërinjtë.

Falëtorja Shën-Gjergji-i-Vjetër ishte pa enori, pothuajse nuk kish asfare lagjë aty pranë për të marë pjesë në shërbimin fetar, sepse siç u shënua më sipër lagja ish me tregëtore, ish treg dhe qëndra e Bukureshtit, me pjesën më të madhe të popullsisë të përbërë prej israelitësh. Me gjith që pa enori, vetëm me një pakicë besnikësh të krishterë, kisha e Shën-Gjergjit-të-Vjetër mbante regullisht priftin e saj, vërtetonte kështu me punë dogmën ungjillore sipas së cilës atje ku janë dy-tri veta të mbledhur në emërin e Zotit, është midis tyre dhe Zoti vetë. Dyke i-u dhënë Mitropolija lejë meshimi shqiptarëve urdhëroj këtë prift se në “Shën-Gjergjin-e-Vjetër” do bëhet shërbimi i perëndishmë dy-fish, në njërën psaltore rumanisht dhe në tjetrën shqip.

Leja u dha në vitin 1908 dhe ka qënë një gëzim, një lumtëri, një festim i përgjithshëm për veteranët e Bukureshtit. Rëndësija që i pat dhënë Mitropoliti çlirimit të kishës shqiptare nga zgjedha politike e Patriarkisë, i nxiti anëtarët e Kollonisë për vepra më të bukura, dyke i mbushur jo vetëm me mirënjohje për qëllimin e harijtur po dhe më çqetësimin e një dëshire shumë të madhe për t’a plotësuar sa më tepër në pikëpamjen e artit muzikor kishëtar.

Leja ish për ta një eveniment në kuptimin më të lartë të fjalës, dhe këtij evenimenti u menduan t’i japin tashi gjithë çkëlqimin e duhur.

Ata vendosnë t’a bëjnë kultin e meshës me një hijeshi të brëndshme, pleqësuan për këtë qëllim formimin e një Kori Kishëtar i cili të ish kurorëzimi i gjithë kësaj çështjeje kombëtare të përfunduar, më shumë sesa plotësimi teknik i regullshëm i shërbimeve hijerore me përgjigjet e duhura nga ana e korit.

Kori u formua në mbledhjen e shoqërisë me vendim të njëzëshmë, u zgjodhë pjesëtarët nga gjith ata shqiptarë të rinj që ndodheshin asikohe në Bukuresht, dhe, si rendërisht, u derthnë më parë prej udhëheqësve të hollat e nevojitura të punës fillimtare: tre-qind lei flori, me të cilat u ble një orgë e bukur për ushtërimet himnike.

Kur themelonin shqiptarët e Bukureshtit një ngrehje kombëtare, kishin kujdes gjithnjë që drejtonjësit dhe mprojtësit e saj t’i zgjedhin nër korifenjtë e jetës rumune. Ata deshnin që, vepra e tyre, të përfitojë nga prestigji i parë i vëndit, nga fjala e fundit e diturisë. Kryeveterani Nikoll N. Naço-Korça dyke themeluar në Bukuresht të parën Shoqëri të Mësimit shqip, “Dritën” e tij të famshme më 1884, vuri në krye të saj një pasanik të math- pastaj, në vëndin e nderit në Komitet, princin rumun prej gjaku shqiptar I. Gjika, shkencëtarin V. A. Urege dhe, midis të tjeresh, vjershëtorin më të math të atëhershëm të Rumanisë Vasile Aleksandri, të mbiqojtur prej filoshqiptarit Eminesku mbret i poezisë; në krye të fletores së tij Shqipëtari Naçua kish për drejtor profesorin e ndritur C. Predesku, dhe fletorja botohej, siç shënon Shqiptari vetë, nënë redaktimin e një grupi profesorësh rumunë; në krye të shtypshkronjës shqipëtare të botimeve të tija Naçua kish tipografët profesionistë rumunë Mocëceanu dhe Lambru, të cilin mbanin përsipër udhëheqjen teknike; dhe në krye të Shkollës Normale shqipe të tij – që ish e para e gjithë mërgimit – Naçua vuri leksikografin dhe filologun rumun me famë të përbotshme B. P. Hazhdeu, autor i një theorije së re mi gjuhën shqipe, anëtar i Akademisë rumune në Bukuresht, i Akademisë Imperale të Diturive në St. Petersburg, i Shoqërisë së Linguistikës në Paris, i Shoqërisë së Arkivave në Belgrad dhe në Sofje ettj., drejtor i përgjithshëm i Akademive të Shtetit dhe profesor i filologjisë së krahasuar në universitetin e Bukureshtit. Mësonjësit e shkollës ishin të gjithë personalitete, profesorë universitarë dhe doktorë, sicilido një specialist i mbaruar në degën e vet: T. Speranca, doktor në filozofi dhe letra, profesor i letraturës popullore në Universitetin e Bukureshtit; S. Popesku, i diplomuar në theologji, profesor në Fakultetin e Theologjisë në Bukuresht; E. Grigorovica, profesor në Shkollën e Lartë të Luftës; V. Gr. Borovan, i diplomuar në Fakultetin e Theologjisë dhe Pedagogjisë në Budapest; A. Kolorian, i diplomuar në dituritë fiziko-naturore nga Fakulteti i Bukureshtit dhe doktor në dituritë fizike i Fakultetit të Parisit; N. Kosëçesku, i diplomuar i diturive fizike nga Fakulteti i Bukureshtit dhe i Shkollës së Lartë të Telegrafisë në Paris.

(Mi Naçon shih: Lasgush Poradeci, Një Fatos i Veteranërisë shqiptare. Fytyra urdhëronjëse dhe vepërimi heroik i kryeveteranit Nikoll N. Naço-Korça, Konstancë 1932;

Nikoll N. Naço-Korça dhe shoqërija e tij e famshme “Drita”, në fletoren Tomori, Tiranë 25 Tetor dhe muajt vazhdonjës 1942 si dhe muajt vazhdonjës 1943).

Këta paravajtës shqiptarë të atdhetarisë besonin në veprën e tyre, i viheshin me gjithë shpirt, me tërë therrorësinë e nevojshme, e mbanin krijesën e tyre në gjallëri të pangadalësuar kurrë, dhe prandaj përfundimet vinin vetvetiu sipas qëllimit të shenjtë të cilit ata i shërbenin. Prandaj dhe pasardhësit e Shoqërisë “Drita”, të cilët ajo i riti me parimet e kulluara dhe të zjarta të atdhedashurisë, i-a zbarthnë faqen shqiptarisht kurdoherë prandaj nxënësit e Normales shqipe të Bukureshtit u çquan me nder në fushën kombëtare, merituan emrin e lartë të veteranit të Rilindjes: aty mësuan mësimin shqip Aleks Stavre Drenova, i cili nënë pseudonim do bëhej vjershëtori kombëtar Asdren; aty Mihal Gramenua, kryengritësi i pavdekur, i cili i-u la bashkëkombasve të tij për trashëgim një copë të ngrohtë nga zemra e tij, këngën kombëtare Për mëmëdhenë; dhe aty një varg i tërë shqiptarësh veteranë, të cilët do të dinin t’a nderojnë shkollën dhe shoqërinë dhe Kolloninë, ku kishin pirë sisën e ëmbël të vendlindjes.

Atë kujdes pra që kishin patur anëtarët e parë të Kollonisë për të fuqizuar prestigjin e saj me korifenjtë e kulturës rumune, atë vazhduan tashi t’a përmbajnë bërësit e Korit Kishëtar shqiptar. Këta zgjothnë dhe pajtuan si profesor dhe drejtor të korit muzikantin rumun më të math, të bujëshmin Kiriak, profesor në Konservatorin e muzikës dhe të artit dramatik të Bukureshtit.

Kiriak-u ish Kryetar i Shoqërisë Korale të këngëve popullore rumune Karmen, të cilat i kish harmonizuar për kor me një art dhe me një stil origjinal të pakaluar. Kur jipte Kiriak-u çfaqjet e korit të tij në sallën e madhe të koncerteve në Ateneumin Rumun, biletat s’gjindeshin dot- ato parabliheshin me një etje të madhe. Ishte kor i famshëm ky: zërat e ndara me një koncept teknike së paimituarshme në të parë, të dytë, ettj., me baset dhe kundërbaset dhe veçanërisht me solistët e habitshëm në virtuozëri, e mbanin veshin e dëgjonjësve të mvarur si prej një fije së stërhollë mëndafshi. Virtuozërija e ekzekutonjësve nuk ish thjeshtësisht teknike, ajo i përshtatej drejt-për-drejt rithmit të përbrëndshëm shumë origjinal të këngëve popullore rumune. Këtu qëndronte fama e Kiriak-ut, i cili korin prej njëqind vetash e kish zgjedhur vetëm nga nxënësit e tij, dhe vetëm pas përsëritjesh (repeticionesh) së panëmëruara çfaqej botërisht. Një nxënës i Kiriak-ut është dhe profesor Sotir Kozmua në Korçë, i shumëvlefshëm e i palodhur dhe krejt i painteresuar lëndërisht në organizim koresh dhe çfaqjesh artistike shqiptare. Kiriak-u vdiq aty përpara nj’a dhjetë vjeteve, shpirti kombëtar i-a ka përjetësuar mirënjohjen e vet me bustin prej bronzi të ngrehur në kopsht përpara Ateneumit Rumun, i cili u ndërtua më 1880 me leu-n e popullit dyke u bërë mbledhja nënë kryefjalën: jipni leu-n- për Ateneu-n!. Ka dhënë aty dhe famëmadhi shqiptar nga Labova e Gjirokastrës Vangjel Zhapa, emëri i tij është skalitur mi pllakën e mermertë me shkronja floriri që përmban dhuronjësit e mbëdhenj me sumëra më të rëndësishme. Zhapa figuron si dhuronjës me-një-sesë pas mbretit Karol të Irë të Rumanisë. Ay i pat kushtuar Akademisë Rumune dhe një sumë, që jipet mot-për-mot si çmim për letrësinë rumune nënë titullin Fondi Vangjel Zhapa.

Kjo pat qënë pra me vija kryesore fytyra e lartë e profesorit Kiriak, prestigji i të cilit thirrej tashi të hedhë dritën e tij mi Korin Kishëtar shqiptar të Kollonisë së Bukureshtit.

Nesër do lexoni:

Paravajtja e Himnit: Marshi atdhesor në dorëshkrim “Ejani sot, o Shqipëtarë

– Ç’ishin këta, cilën ishin këta anëtarë kaq idealistë të Korit shqiptar të Bukureshtit?

-Tridhjet veta të vendosur për ritjen e emrit të atdheut, si vëllezërit Dhimitër Zografi dhe Grigor Zografi, Llambi Cicimiçe, Dhimitër Kalakuçi (Dhimitër Konea), Ilia Teodoru (Ilia Shupelka) dhe Pandel Durmishi

– Andrea Alilozi, Pandel Durmishi, Alilozi dhe Durmishi mirrnin pjesë pa asnjë përjashtim nër ushtërimet e korit