Kujtimet e Vath Korreshit: Futbolli sporti që ndal lëvizjen e rruzullit

193
Sigal

Një ndeshje futbolli jo rrallë bëhet ngjarja që ndal lëvizjen e rruzullit. Nuk ka asnjë aktivitet tjetër njerëzor që, si nën veprimin e një poli  të fuqishëm magnetik, vëmendja e deri një miliard e gjysëm njerëzve, siç ka ndodhur me finalet e mëdha, të përqëndrohet në të njëjtën kohë në të njëjtën pikë. Arësyet janë të pafundëme, por ndoshta mbi të gjitha është dëshira për të sfiduar. Njeriu është në një eksperiment të vazhdueshëm të sfidimit të vetvetes, në përpjekje të përhershme  për të arrituar atë që quhet e paarritshme. Me futbollin ai sikur kërkon të tregojë se çfarë mund të bëjë me anë të një topi dhe me këmbët e tij , duke demonstruar  virtuozitetin e lëvizjes, befasinë e mashtrimit, forcën e krijimit  dhe intuitën për të dalë mbi një kundërshtar të vendosur para tij, i cili kërkon të bëjë gjithashtu të njëjtën gjë në atë sfidë.

Ishte kënaqësi kur miku im Ahmet Shqarri  ma dha ta lexoja librin e tij për futbollin  dhe unë e lexova menjëherë, kryesisht kapitujt që kanë të bëjnë me futbollin, mbasi e kam dashur gjithmonë këtë lojë dhe se personazhet që përshkruhen  aty i kam njohur  e i kam parë në shumë fusha e në shumë ndeshje. Kam qenë pranë tyre, duke nisur me stadiumin  kombëtar “Qemal Stafa” dhe deri tek livadhfushat e Kukësit e të Ersekës, apo të Lushnjes e të Peqinit dhe deri te çerek fushat, si Fusha e Zezë pranë 21 Dhjetorit apo ajo e ish pallatit të Pionierëve, në Tiranë. Kam parë të luajnë shumicën e futbollistëve të këtyre 50 -vjetëve duke nisur nga lojtarë të tillë të mëdhenj e të hershëm si: Loro Boriçi, Xhep Spahiu e Qamil Teliti, kur dy të parët luanin me Partizanin e tjetri me Tiranën, apo Zihni Gjinali e Qemal Vogli, që luanin me Dinamon, të tjerë të shquar si Refik Resmja e Muharrem Karanxha të Partizanit, që kanë arritur të shënojnë deri në 12 gola në një  ndeshje, Bozhori i Gjirokastrës e Bizhiuta i Elbasanit, Dake Sherifi e Roza Hazbiu të Lushnjes etj. Janë me qindra ata që i kam parë nga shkallët e stadiumeve a në buzë të fushave, pothuaj të gjithë sa përshkruhen në këtë libër dhe që doja që t’i përmendja, por nuk ma krijon këtë mundësi përmasa e këtij shënimi. Nuk e di se në çfarë mase është  lidhja e sportistëve  me artistët, por gjithsesi në një farë mënyre ajo është një lidhje kolegësh pasi thellë –thellë sporti dhe arti kanë diçka të përbashkët: artisti ka dhuntinë të shprehë atë që ndjen, por që nuk di ta shprehë shumëkush, por që nuk mund ta bëjë dot. Ju siguroj se artistët i duan sportistët dhe janë ndër dashamirët më të flaktë të talentit të tyre të mrekullueshëm. Unë kam ndër ta shumë miq, duke filluar me Qemal Voglin e madh. Meqë bie fjala për një lidhje të tillë dua të përmend me këtë rast një episod. Shumë vite më parë kam qenë duke pirë kafe me baletmaestrin e shquar Agron Alia dhe pranë tavolinës sonë ishte ulur Panajot Pano me dy miq. Ata nuk e njihnin njëri –tjetrin edhe pse ishin personazhet më të njohur nga të gjithë dhe kjo mosnjohje vinte ngaqë as Agron Alia nuk kishte qenë ndonjëherë në Teatrin e Operas, për të parë se si kërcente Agron Alia në baletin klasik. Ata u njohën për herë të parë pikërisht në atë kafene iu puq ylli aty për aty, bashkuan tavolinat dhe meqë e kishte prurë rasti të ishin bashkë, donin t’i tregonin njëri-tjetrit se çfarë përfaqësonin. Pano, bujar e zemërmadh dhe për kënaqësinë e njohjes pagoi tavolinën dhe i dhuroi Agronit një stilograf të shtrenjtë, kurse Agroni nuk më kujtohet se çfarë, por i dhuroi edhe ai diçka futbollistit të madh, të cilin sapo e kishte takuar. Më interesantja në këtë njohje ishte marrëveshja që bënë: Ishte pragu i një ndeshjeje të skuadrës sonë kombëtare me përfaqësuesen e Gjermanisë dhe Panajoti i tha Agronit se do t’i sillte një biletë që të shkonte ta shihte sesi luante. Kurse Agroni do t’i jepte një biletë që Pano të vinte në Teatër ta shihte se si kërcente. Dhe ashtu u bë: Agroni shkoi në stadium dhe pa një Pano të mahnitshëm në fushën e futbollit dhe Pano erdhi në teatër dhe pa një Agron që e bënte sallën të mbante frymën me kërcimin e tij të mrekullueshëm.

Ky libër meqë synon të na sjellë qindra shembuj të tillë sportistësh të shquar e njerëzish që e kanë lidhur jetën e tyre me futbollin, duke qenë se nëpër faqet e tij  përmenden qindra e qindra emra nga masa e madhe nga kanë dalë yjet e sportit shqiptar, na kujton njëherazi, se nuk duhet të  harrojmë t’i kthejmë sytë nga ky “qiell” e të  shohin ata “yje”, pasi, pa vëmendje e të lënë në harresë, edhe yjet, sado shkëlqim të fortë të kenë, zënë e shuhen, ashtu siç mund të ndodhë  edhe me  emrat, që sado të mëdhenj e të skalitur qofshin, zënë e zhduken e i mbulon pluhuri. Duke iu kthyer argumentit  të epiqendrës së vëmendjes, për shkak të tërheqjes që ka futbolli, radiokronisti i kësaj loje ka privilegjin të komunikojë si askush tjetër, me një auditor gjigand të përbërë nga dhjetëra e qindra e mijëra njerëz, herë herë nga miliona të mbërthyer pranë aparateve të radios. Ky njeri bëhet epiqendra e asaj pafundësie njerëzore, duke u çuar atyre si të ishin edhe ata atje, drithërimat , thirrjet e gjithshka, që ndodh në një ndeshje futbolli. Ai i mbërthen e i bën që ta kenë mendjen në një pikë, duke lënë mënjanë e duke harruar gjithshka tjetër. Kjo na ka ndodhur dhe na ndodh shpesh. Futbolli është i tillë që na bën të heshtim e të mbajmë frymën dhe të dëgjojmë historinë e transmetimeve tona futbollistike, nis me Anton Mazrekun e Ismet Bellovën, me Skifter Këlliçin e Aleko Gjergon, për të ardhur tek dhjetëra radiokronistë në të katër anët e Shqipërisë, kolegë të vjetër e të rinj që Ahmet Shqarri i cili ka mëse tre dekada që e ka lidhur jetën me mikrofonin e sportit, ka ditur t’i respektojë nëpërmjet këtij libri. Nuk e mbaj mend se në cilin vit, por kam qenë në Pogradec dhe doja të dëgjoja transmetimin e ndeshjes së futbollit midis Barcelonës dhe Flamurtarit tonë. Njeriu që do të dëgjohej për 90 minuta me radhë atë natë në Shqipëri ishte Ahmet Shqarri, që kishte shkuar për të transmetuar atë në qytetin Katalanas. Por Pogradeci kishte një difekt të madh: valët e Radio –Tiranës nuk kapeshin. Në asnjë vend nuk mund të lidheshe me Tiranën, mer përjashtim të disa pikave të rralla, të cilat mund të dëgjoje njëfarë zëri. Si dështova me radiot e Hotel Turizmit ku as e dhomës dhe as e sallës nuk lidheshin me Tiranën, përfundova te një dezhurn i elektrikut, në një kthinë diku thellë rrugicave të Pogradecit. Atje e dëgjova të transmetuar atë ndeshje, ndërsa ndenja i futur në një kthinë të humbur në ato rrugica të errëta, zërin e Ahmet Shqarrit, që përhapej në perandorinë e pafundme të ankthit të futbollit dhe për 90 minuta rresht dëgjohej në të gjithë Shqipërinë. E uroj autorin për këtë libër, i cili në të hershmëve na kujton shumë ngjarje e njerëz të paharruar të futbollit tone, por dhe të sporteve të tjera, kurse brezat e rinj i ndihmon ta mësojnë historinë e tij, histori që ua bën  edhe më të bukur futbollin e sotëm.