Kujtim Stana: “Mitmarrje” në diktaturë ishte një kafe e fërnet në lokalin ku bëhej biseda

104
Sigal

Intervistë me Z. Kujtim Stana, ish-drejtor i disa gjimnazeve shqiptare nga Mati në Tiranë:

– Kureshtja e nxënësve në sistemin monist për ne mësuesit që vinim nga qyteti ishte e madhe
-Respekti ndaj mësuesve dhe përgjegjësia e mësuesve në mësim në monizëm ka qenë e madhe.
– Shkolla e mesme në atë periudhë vlerësohej e fortë, ku nxënësit fitonin dije të mira e të qëndrueshme.
– Lëndët shkencore ishin rigorozisht të sakta, pa gabime dhe të thjeshta në shtjellimin e koncepteve.
– Nga ana e sistemit, mësuesi vlerësohej si ushtar, i cili duhet të shërbente ku të kishte nevojë atdheu.
– Për lëndët shoqërore, vlen të theksohet se ato ishin tejet të politizuara, pasi çdo gjë i atribuohej, të vetmes, mëmës parti.
– Për t`u veçuar është respekti i madh, si në shkollat e qytetit, ashtu dhe në ato të fshatit që nxënësit tregonin për mësuesit e tyre, ku nuk ndodhte kurrë t`u kthehej fjala.
– U mbushën tekstet duke e bërë parajsë tokësore fshatin socialist dhe një nxënës më pyeti: O Zotni mësues, unë në fshat jetoj, po ku ndodhet ky fshati socialist që nuk e shoh kurrkund?
– Për herë të parë, kam dhënë mësim në vitin 1974, në shkollën e mesme të bashkuar, “ Gjergj Kastrioti“ në Baz, të rrethit Mat.

 

 

Albert Z. ZHOLI

Është diplomuar nga UT, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, “Mësues i biologjisë e kimisë, për shkollat e mesme”, në vitin 1974, në moshën njëzet e tre vjeçare.

Ishte një djalosh i ri me ëndrra të mëdha, të bëhej dikushi, i zoti dhe i vlefshëm, për familjen e dhe vëndin e tij. Ka drejtuar duke punuar mësues në gjimaze me emër dhe drejtues i shumë prej tyre si “Qemal Stafa”, “Arben Broci”, “Drita e Diturisë “, “Eqerem Çabej”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Hasan Vogli” ( Nëntë vjeçare)“Hoteleri Turizëm“ dhe së fundi duke e mbyllur në Bashkinë e Tiranës, pranë QEZHEF, si Drejtor i Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve.

 

I sapodiplomuar, 1974

Pas emocioneve të emërimit, sigurisht erdhën dhe ato të ditës së parë si mësues.

Kishte përfunduar shkollën e lartë me rezultate të shkëlqyera, me një mesatare notash, 9.3. Diplomën  e mbrojti me një temë shkencore  që u vlerësua mjaft në atë kohë, e , megjithatë, natën, përpara se të niste misionin fisnik të mësuesisë, pothuaj e gdhiu, pasi nuk vuri gjumë në sy. Vështronte orarin mësimor të ditës së nesërme, përsëriste përgatitjen ditore, me të gjitha etapat për çdo orë mësimi, kontrollonte eksperimentet që do kryente në klasë, mandej aq i preokupuar ndjehej sa bënte dhe prova për mënyrën si do të prezantohej e shpjegonte lëndën e re, përpara nxënësve.

-Në cilat shkolla shqiptare përcolle dijen si mësimdhënës dhe si kanë reaguar fëmijët në shkolla të ndryshme?

Për më shumë se katër dekada, nga viti 1974 deri në vitin 2016, në Rrethin e Matit dhe në Tiranë kam dhënë kontributin tim për arësimimin e brezit të ri, duke punuar mësues në gjimaze me emër dhe drejtues i shumë prej tyre si “Qemal Stafa“, “Arben Broci“, “Drita e Diturisë “, “Eqerem Çabej“, “Kostandin Kristoforidhi“, “Hasan Vogli“ ( Nëntë vjeçare)“Hoteleri Turizëm“ dhe së fundi duke e mbyllur në Bashkinë e Tiranës, pranë QEZHEF, si Drejtor i Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve. Për herë të parë, kam dhënë mësim në shkollën e mesme të bashkuar, “ Gjergj Kastrioti“ në Baz, të rrethit Mat. Shkolla ishte një ndërtesë tipike standarde në atë kohë, godinë dykatëshe, me ballkon në katin e dytë, e ndërtuar rreth njëqind metra, pranë rrugës nacionale automobilistike, që lidhte Matin me Dibrën. Shkolla kishte dhe oborr e një fushë të vogël futbolli ku zhvilloheshin lojra të ndryshme. Sipas ngarkesës mësimore unë do jepja mësim në klasat e dhjeta e të njëmbëdhjeta, gjimnaz i përgjithshëm dhe tre klasave me profil  bujqësor. Kureshjta e nxënësve për ne mësuesit që vinim nga qyteti ishte e madhe. Pas rreshtimit të shkollës e fjalimit të Drejtorit dhe Kryetarit të Këshillit Popullor, unë hyra në klasë jo pa droje e emocione. U prezantova e pasi ju thashë nxënësve se së bashku do të zhvillonim lëndën e kimisë, i ftova ato për në kabinetin ku ndodhej laboratori. Nxënësit u gëzuan shumë që mësimin nuk do ta zhvillonim në klasë dhe ashtu fytyrqeshur e hokatarë, më ndoqën pas. Mbaj mend, që për pyetjen time, se çfarë është kimia, vetëm vajzat mundoheshin të formulonin një përgjigje të saktë, ndërsa djemtë, ngacmonin njëri – tjetrin. Për të konkretizuar vetitë, sjelljet e shndërrimet e lëndës. Unë fillova direkt, eksperimentin e veprimit të natriumit me ujë, ku pas një reaksioni të vrullshëm spektakolar, fitohet hidrooksid natriumi e çlirohet hidrogjen. Ngjyrosja e letrës së lakmusit nga rozë në blu si dhe ndezja në flakë lëvizëse e kokrrizës së natriumit, që sosej vazhdimisht gjatë veprimit me ujin, u prit me duartrokitje e pasthirrma habije nga nxënësit.

Më tej mësimi ndoqi rrjedhën normale e kur ra zilja m`u duk sikur njihesha prej kohësh me nxënësit e mi të dashur.

 – Në bazë të kujt eksperience strukturoheshin tekstet shkollore të asaj kohe dhe a ishin tekste bashkëkohore?

Për nga forma, tekstet shkollore të asaj kohe, më shumë ngjanin me dispenca sesa me tekstet e sotme, pra, që në koopertinë nuk ishin tërheqës për nxënësin. Letra dhe lidhja, ishin jo cilësore, dizajni pothuaj mungonte krejtësisht, skemat e ilustrimet ishin të pakta dhe pa ngjyra, pra vetëm bardhë e zi. Në përmbajtje, tekstet, më të shumtën e rasteve ishin përkthime të përshtatura nga autorë rus, duke realizuar programin mësimor, që kishte miratuar Ministria e Arsimit.

Shkolla e mesme në atë periudhë vlerësohej e fortë, ku nxënësit fitonin dije të mira e të qëndrueshme. Lëndët shkencore ishin rigorozisht të sakta, pa gabime dhe të thjeshta në shtjellimin e koncepteve. Nuk parashikoheshin objektivat për temën mësimore siç bëhet sot, detyra – projekte nuk ekzistonin, ndërsa arritjet e të rejat shkencore sfazoheshin me dhjetra vite nga aktualiteti, pasi bota zhvillohej me shpejtësi dhe izolimi total bënte punën e vet.

Për lëndët shoqërore, vlen të theksohet se ato ishin tejet të politizuara, pasi çdo gjë i atribuohej, të vetmes, mëmës parti. Pasi kishte folur ish udhëheqësi i madh i vendit në atë periudhë të monizmit:- Sikur të isha 20 vjeç do të shkoja e të jetoja në fshatin socialist…!-

U mbushën tekstet duke lëvduar e bërë parajsë tokësore fshatin socialist. Një nxënës kur e pyeta se çfarë dinte për fshatin socialist? U përgjigj:

– O Zotni mësues, unë në fshat jetoj, po ku ndodhet ky fshati socialist që nuk e shoh kurrkund? Eja me mua sot pasdite e të shikosh vetë ku jetoj unë në fshat që vetëm socialist siç shkruhet në libra nuk është -.

Më bëri shumë përshtypje përgjigja e nxënësit tim. E mendoja të varfër fshatin po gjer në atë shkallë s`më shkonte kurrë në mendje,  ndaj pas mësimit u nisa për në fshat bashkë me të. Pasi ecëm në këmbë një orë e ca, arritëm në një shtëpi kasolle. U futëm brenda dhe të them të drejtën m’u kujtuan poezitë e Migjenit për mjerimin. Në mes të dhomës tymonte një vatër zjarri, mbi të cilën nga trarët e nxirë të tavanit zgjatej çengeli ku varej një gjym me ujë. Rreth vatrës, shtriheshin rrogozat e ngrëna nga përdorimi, ku në mbrëmje flinin familja dhe nxënësi im, nën jastëkët trungjedruri të zbutur me kashtë të thatë gruri.

Tekstet në atë periudhë ishin joalternative, pra unikë për të gjithë vendin dhe miratoheshin nga Ministria e Arsimit.

-Nxënësit a ishin të dëgjueshëm dhe të interesuar për mësimin?

Krahasuar me të sotmit, nxënësit ishin më të druajtur, të urtë, më të dëgjueshëm. Ineresimi për mësimin përfshinte pjesën më të madhe të klasës. Sigurisht, kishte dhe nga ata nxënës, që nuk kishin pretendime e vinin në shkollë, sa për të kaluar klasën. Disa vinin të lodhur nga punët e shumta që ju ngarkonin prindërit në shtëpi, si ruajtja e bagëtive, punët bujqësore, prerja e druve për ngrohje etj. sa që në mësim  rrinin si të tulatur. Në shkollat e qytetit ndryshonte situata. Nxënësit ishin më aktivë, preferonin lojrat e ndryshme si futboll, volejboll e basketboll, të cilat organizoheshin e ndiqeshin me tifozeri të shumtë në pushimin e gjatë, apo pas orës së fundit të mësimit. Për t`u veçuar është respekti i madh, si në shkollat e qytetit, ashtu dhe në ato të fshatit që nxënësit tregonin për mësuesit e tyre, ku nuk ndodhte kurrë t`u kthehej fjala.

-Si ishte vlerësimi për mësuesit në atë sistem nga nxënësit dhe nga populli?

Nga ana e sistemit, mësuesi vlerësohej si ushtar, i cili duhet të shërbente ku të kishte nevojë atdheu. Në shkollat e zonave veriore të vendit, vinin të punonin djem e vajza që nga skaji më jugor i Shqipërisë, Gjirokastra. Shumë mësuese vajza, ia falën rininë e tyre për 15 – 20 vjet, krahinave malore veriore, sa nuk mundën as të krijonin familje, duke jetuar në kushte mjerane, në dhoma përdhese, të siguruara nga fshatarët, pa ujë të pishëm brenda e rrjete higjeno – sanitare. Këto mësuese, siç i përshkruan dhe shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, qenë“ të urta gjer në dhembje, të thjeshta gjer në madhështi.

Ato shkolluan breza të tërë fëmijësh duke i ndriçuar me dijet që përcollën. Nuk harroj sa fyese ishte për mësuesit, kur na rreshtonin para shkollës për të kontrolluar ditaret, jo Drejtori i shkollës apo një specialist i seksioneve të arsimit të atëhershëm, por Kryetari i Këshillit Popullor, apo Sekretari i Byrosë së Partisë, që mund të ishin dhe me katër klasë fillore.

Krejt ndryshe ishte vlerësimi i popullit për mësuesit, kudo që punonin, në fshat dhe qytet. Ata gjenin te mësuesi, vërtet prindin e dytë të fëmijëve të tyre. Ndanin çdo gjë që kishin me ta, ju lironin dhomën e tyre për të banuar, ju jepnin falas produkte nga bagëtitë e kopshtet e veta, i thërrisnin e i nderonin në të gjitha gëzimet e festat që bënin.

-Kur e ke ndjerë veten më keq si mësues?

Në kohështrirjen time dhjetravjeçare në Arsim, përveç sukseseve, të cilat duke punuar me gjimnazistët, i kam matur me numrin e nxënësve që kanë vijuar shkollat e larta e sot i gjen si kuadro e specialistë të nderuar në të gjitha fushat e jetës, brenda e jashtë vendit. Gjatë punës si mësues e Drejtues në arsim, kam kaluar dhe çaste të vështira, që më kanë shqetësuar shumë, por që më së fundmi kanë patur përfundim të mirë.

Më kujtohet një rast i vështitë për t’u trajtuar e administruar, në një gjimnaz ku isha dhe Drejtor. Mes dy maturantësh, pati një grindje në orën e fundit të mësimit, mandej qenë shkëmbyer dhe grushte. Pas ndërhyrjes së mësuesit kujdestar gjakrat ishin ftohur dhe për këtë incident nuk pata informacion pasi ndodhesha në një mbledhje në Drejtorinë Arsimore.

Të nesërmen, pas mbarimit të orës së parë të mësimit, më informojnë se njëri nga nxënësit e konfliktuar një ditë më parë, kishte ardhur në shkollë me një pistoletë, të cilën e mbante në xhepin e xhupit. Nxënësi nuk futej në klasë për mësim, por sillej rrotull nëpër shkollë e herë pas here u tregonte dhe armën shokëve. U krijua një situatë e tensionuar dhe paniku në shkollë. Pa kaluar pesë minuta, prindër të ndryshëm filluan të më mirrnin në telefon të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve të tyre. Mësuesit ndjeheshin të frikësuar dhe të pafuqishëm të ndikonin te nxënësi i armatosur. Dikush sugjeroi të njoftonin policinë, por për momentin nuk e gjykova të arsyeshme. Mendova ardhjen e disa policëve në shkollë, kontrollet për gjetjen e armës pasi nxënësi do ta fshihte atë patjetër, imazhin e reputacionin e shkollës.

E njihja prindin e nxënësit, një oficer i nderuar dhe menjëherë e mora në telefon duke ja treguar situatën.

Ai e kishte të pamundur të vinte në shkollë pasi ndodhej larg me shërbim. Atëherë vendosa të veproja vetë. Pyeta ku ndodhej nxënësi dhe për dy minuta u ndodha para tij. Nuk i rashë fare në sy se dija gjë, por ju drejtova se kisha shumë nevojë të më shoqëronte diku në një servis jashtë shkollës për të marrë një kompjuter.

Nxënësi u bind dhe dolëm së bashku nga shkolla. Vërtetë shkuam te servisi ku formatonim kompjuterat, por tekniku na tha se kishin akoma punë.

I propozova nxënësit të futeshim në një lokal, sikur po më pihej një kafe. Djaloshin e qerasa me një akullore e në përfundim të saj arrita ta bind të ma jepte pistoletën. Ai u habit shumë, se nga e kisha marrë vesh, por së fundi, arma kaloi nga xhepi i xhupit të nxënësit te kasaforta ku mbaja dokumentat e rëndësishme të shkollës dhe vulën e drejtorisë e prej andej pas disa orësh, te prindi, të cilit i takonte.

 – Cilat janë parimet e mësuesisë ku ju jeni udhëhequr në jetë?

Të qënit mësues, ka të bëjë me një mision sa të vështirë po aq dhe të nderuar e fisnik. Këtë e bën më të rëndësishëm fakti se dhënia e dijeve dhe edukimi i brezave të rinj është një investim afatgjatë, frytet e të cilit kanë të bëjnë me ardhmërinë e kombit.

Në këtë kontekst, parimet e mija si mësimdhënës kanë qënë të qarta e të padiskutueshme për zbatim. Po rendis disa nga më kryesoret:

-Të jem sa më njerëzor dhe vërtetë një prind i dytë për nxënësit.

-Të jem gjithnjë i përgatitur seriozisht nga ana shkencore e didaktike, i përditësuar me aktualitetin.

-Të jem i drejtë si me nxënësit ashtu dhe me kolegët e prindërit.

-Të mos abuzoj në asnjë gjë e për asnjë rast.

-Të rrezatoj mirësi e dashuri në punën me nxënësit e njerëzit e tjerë.

-A njihej korrupsioni dhe mitmarrja në atë sistem?

Në periudhën e shtetit monist, fjalët mitmarrje, korrupsion etj. as që përdoreshin ndonjëherë. Në atë kohë nuk njihej, puna private, nuk kryheshin tendera, nuk qarkullonin zarfat me para për të arritur një qëllim siç ndodh rëndom sot. Masa e gjërë e njerëzve të vetmen pasuri kishin krahun e punës dhe mendjen. Të dyja këto shpërbleheshin kolektivisht sipas punës që kryhej po kolektivisht. Bëhej një propogandë e madhe kundër bakshishit në çdo shërbim e konsiderohej si turp kur ndodhte. Në arsim, mësuesit kishin një pagë të caktuar, nuk bënin mësime private as jashtë orarit të punës. Pasdite, vullnetarisht, organizoheshin në shkollë, orë konsultimi pa pagesë me nxënësit që kishin nevojë. Në atë periudhë, nëse mund të konsiderohet “mitmarrje“, kryeje punë me një kafe e fërnet në lokalin ku bëhej biseda.

-Po sot cilat janë problemet e arsimit?

Arsimi i sotëm ka pësuar ndryshime të shumta e thelbësore që i përgjigjen, zhvillimit ekonomik e social – kulturor të vendit, rendit shoqëror, koncepteve të reja në mendësi e rregulla të tjera të krijuara nga lëvizja e lirë dhe hapja me botën. Ndryshime thelbësore janë kryer dhe në kurrikulat e niveleve përkatëse të arsimit parauniversitar, metodat e mësimdhënies e mësim nxënies, që realizohen nga mësues që kanë kryer kualifikimet e duhura.

-Sot arsimi përballet me lëvizje të mëdha demografike, nga zonat rurale në ato urbane.

-Emigracioni po vijon si një fenomen që largon elitën intelektuale dhe atë më aktive të shkollimit e të punës drejt vendeve më të zhvilluara të Europës e Botës.

-Dendësia e nxënësve në kryeqytet sa vjen e rritet, si rezultat i ardhjeve nga të gjitha rrethet e Shqipërisë, të gjithë atyre që nuk mund të emigrojnë jashtë vendit. Kjo mund të zbutet e normalizohet në standardet e kërkuara, me hapjen e shkollave të reja.

-Me zhvillimin e teknologjive të informacionit, vihet re një zbehje e interesit të nxënësit për orën e mësimit. Përdorimi i telefonave gjatë orës së mësimit sidomos në arsimin e mesëm është një dukuri e zakonshme me të cilën përballen mësuesit e sotëm. Sado thuhet verbalisht e me rregullore, përdorimi i telefonave është një sëmundje që lëngon në çdo klasë të shkollës.

Duhanpirja dhe hashashi një problem shqetësues, a mendoheshin dje në shkolla? Si mund të parandalohet sot?

Sigurisht që as mund të mendoheshin dje këto vese të këqia që po e “vrasin” gradualisht rininë tonë.

-Duhanpirja është rritur shumë në këto dy dekadat e fundit, megjithëse nuk është masive, shpesh merr përmasa të frikshme herë – herë, sidomos kur shoqërohet dhe me hashash. Kjo bimë tashmë ka zënë sipërfaqet e mbjella me grurë e misër në gjithë vendin.

Nuk ka shkollë, që nuk ndeshet me këtë fenomen, ku më shumë e ku më pak.

Shkolla dhe shoqëria do të fitojnë vetëm atëherë kur kjo sëmundje e çmenduri, nuk do të ekzistojë më. Për shërimin e saj kërkohet:

-Ndërgjegjësim, mësues- prindër – shoqëri.

-Ndërveprim mes tyre.

-Luftë frontale me të gjithë aktorët dhe shërbimet psiko – sociale.

-Plotësimin e vakumit që do krijohet me veprimtari gjithëpërfshirëse të  pëlqyeshme për masën e nxënësve.

-Eleminimin lidhjeve e burimeve që e favorizojnë feno\menin.

– A duhet uniforma për nxënësit e shkollës 9-vjeçare?

Jam i mendimit se duhet patjetër. Jo vetëm për shkollën 9 vjeçare, por dhe për shkollat e mesme dhe stafet pedagogjike të tyre.

Uniforma është e domosdoshme në shkollë se ajo shmang, sfilatat ditore të nxënësve me modele e stile ekstravagante, shpesh të pa hijshme dhe jo funksionale në procesin mësimor. Uniforma tregon seriozitet, identitet, respekt, shije dhe mundësi të njëjta në startimin e ditës së mësimit. Imagjinoni si do të realizohej një orë e edukimit fizik pa uniformën përkatëse.

Jeni një krijues i poezisë, keni botuar shumë libra, a ka vlerësimin e duhur letërsia sot?

Krijimtaria ime letrare ka nisur në vitet 1969-1973, ku publikova cikle me poezi, tregime e reportazhe në shtypin e kohës, si “Zëri i Rinisë“, “ Drita” etj.

Ndër vite kam botuar librat:

1.Gojëdhënë për Skënderbeun: poemë për fëmijë, ( 1996 )

2.Guri i Vashës : poemë për fëmijë, ( 1996 )

3.Zambakët e Lurës : poemë për fëmijë, ( 1996 )

4.Magjia e shtatave : poemë për fëmijë, ( 1997 )  fitues i çmimit “Mitrush Kuteli“

5.Përtacukët në Burrel : poemë për fëmijë, ( 1999 )

6.Shuarja e Shpirtit: vëllim me poezi, ( 1998 )

7.Flokë të pakrehura : vëllim me poezi, ( 1999 )

8.Kush i zemëroi ngjyrat? : poemë për fëmijë, ( 2003 )

9.Miss Karnavalja : poemë për fëmijë, ( 2005 )

10.Aisberg ëndrrash : vëllim me poezi, ( 2006 )

11.Shkenca 12: tekst i gjimnazit B.Salianji, Kujtim Stana, A. Tamburi. 2011

12.Shkenca 12: libri i mësuesit, B.Salianji, K. Stana, A.Tamburi 2011

13.I rrëmbyer nga Alienët, tregim, Antologjia “Lule për Lulet“, 2014

14.Kostumi i dhive, tregim, nga vëllimi, tregime të zgjedhura lirike `Pena e Vjeshtës së artë `, 2015.

15.Cikle me poezi, tregime, artikuj të ndryshëm, në revista e gazeta, brenda e jashtë vendit.

16.Vëllimi me poezi për të rritur , “Trëndafilat e Janarit” 2016.

Në veçanti librat për fëmijë janë pritur shumë mirë nga lexuesit e vegjël dhe kritika. Ndër vëllimet me poezi për të rritur, veçohen “Aisberg ëndrrash” dhe “Trëndafilat e Janarit”.

Nga Revista Emathia, Mat, jam vlerësuar me çmimin “ Pena Budi 2013“ për kontributin tim letrar e publicistik.

Letërsia e sotme shqipe e shkruar në letër, megjithë konkurencën që i bëhet nga teknologjitë e reja elektronike, mendoj se dominon, është e pranishme kudo, e pëlqyer dhe e kërkuar nga lexuesit.

Dua të nënvizoj se letërsia, nuk gëzon vendin e duhur, si institucion vlerash kulturore, estetike, shpirtërore, për njerëzit. Kjo duket qartë, në mungesën e lehtësimit, apo mbështetjes shtetërore, të botimeve e promovimeve të vlefshme për shoqërinë, mënyrën e shpërndarjes te lexuesit, tregtimit në rrugë e trotuare, organizimit të konkurseve, etj. Të vjen të çuditesh se si dhe në ndonjë shtet fqinj që mezi mbahet në këmbë si Maqedonia, ministria përkatëse, planifikon e shpërndan fonde , për botimin e librave të rinj. Kjo nuk ndodh te ne.

– Po kritika e letërsisë për poezinë a ka vendin e duhur, a egziston?

Aktualisht në vendin tonë ndonëse vihet re një volum i madh përkthimesh nga autorë të huaj, të cilat janë dhe më të kërkuarat nga lexuesit, mjaft libra botohen dhe nga shkrimtarët shqiptar.

Këto libra botohen pa ndonjë kriter vlerash. Mjafton të paraqitesh në një shtëpi botuese, të paguash tarifat e saj dhe libri del nga shtypshkronja. Në fillimet e pluralizmit, shtëpitë botuese private, kishin në përbërje të tyre një redaksi me kritikë e shkrimtarë të mirënjohur, që vlerësonin  prurjet për botim.

Sot, mbase dhe nga kostot financiare që mbartin me vete, pothuaj këto redaksi janë shuar.

Kryesisht, kritika për poezinë, kufizohet me ato reçenca që bëhen gjatë ceremonive festive promovuese, ku më së shumti flitet me superlativë, por dhe kur bën ndonjë vërejtje shikohesh shtrembër apo s`të flitet me gojë.

Kritika të mirëfillta, analitike, me vlera të mirëqena apo mangësi e dobësi, nuk bëhen. Më së shumti, gjithçka i lihet, vlerësimit të lexuesit, kërkesave të tij, nëse një libër mbijeton ose harrohet në pluhurin e dështimit.