Agron Dalipaj: Kurtizanet plaka të Akademisë së Shkencave të Tiranës dhe historia e shqiptarëve

413
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në një dalje televizive para dy ditësh, historiani Pëllumb Xhufi foli për presionin që u vjen historianëve nga vulgu i rrjeteve sociale, duke stigmatizuar kështu të gjithë ata që kanë mendim se historia nuk duhet shkruar sërish nga historianët e sistemit komunist. Përpos shijes neveritëse që la deklarata e Xhufit, brenda saj shihet një mendësi totalitare që e ndan një popull në dy shtresa: në “ajkën e tij të patrazuar” dhe në vulgun, ku hyn gjithë populli.

Xhufi, ky historian që studioi me taksat e “vulgut” në Greqi e Itali në periudhën komuniste, ecën ende me mendësinë, “ne shkruajmë, e ju na lexoni” sepse njësoj, si në sistemin totalitar edhe sot, janë siguruar paratë nga taksat e vulgut për të shkruar pa oponencë shkencore historinë e vulgut shqiptar, si ai shprehet.

“Akademia e Shkencave e Tiranës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike janë dy larva serbo-sllave në trungun e kombit shqiptar, e po i lejuam të jetojnë e të shumëzohen, do na gërryejnë si komb”

Xhufi e di se mungesa absolute e oponencës për një vepër që përmbledh historinë e një populli, e sidomos atij shqiptar, që është për nga origjina më e vjetra etni në Evropë, është një krim akademik dhe abuzim me taksat e “vulgut”.

Nëse Xhufi quan vulg profesorët e nderuar: Përparim  Kabo, Elena Kocaqi etj., që kanë shprehur qartësisht në rrjetet sociale ide konstruktive se si duhet të shkruhet e kush duhet ta shkruajë historinë e shqiptarëve, është vetë Xhufi njeriu jashtë kohës ku jeton dhe duhet gjykuar.

Pse vepra “historia e shqiptarëve” është një vepër e paragjykuar nga “vulgu” i Xhufit?

Së pari: veprës “historia e shqiptarëve” do i mungojë morali akademik! Autorët e kësaj vepre do jenë të gjithë ata që e kanë shkruar edhe më herët historinë e shqiptarëve aq shtrembër dhe me mungesa sa, nuk kanë asnjë moral njerëzor (pale akademik!) që ta rishkruajnë.

Më herët se Xhufi, Milo, Ceka, Korkuti, Verli etj. të rishkruajnë historinë e shqiptarëve, duhet të kishin organizuar meshën e pendesës për çka u kanë mohuar, fshehur e shtrembëruar deri më sot shqiptarëve për historinë e tyre. I njëjti grup historianësh, që ka shkruar më herët turpërisht historinë e shqiptarëve e që nuk kanë shprehur kurrë një pendesë publike, nuk ka fijen e moralit të jenë rishkruesit e sotëm.

Së dyti: Biografia e hartuesve të “historisë së shqiptarëve” është tërësisht e paragjykuar me të drejtë nga shqiptarët e sotëm, që kanë qasje të pakufizuara për informacionet e historisë, arkeologjisë e shkencave të tjera. Sot shqiptarët dinë se Paskal Milo është pinjoll i Spiro Spiromilos, që ishte kreu për krijimin e “Himarës Autonome” dhe po ashtu dinë se edhe të parët e familjes së historianit Verli, kanë qenë aktorët kryesorë për shkëputjen e të ashtuquajturit “Vorio Ipiro” dhe bashkangjitjen e tij Greqisë. Ky i fundit, Verli, sot Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, duhet të përgjigjet edhe për vjedhjet e të drejtës së autorit dhe për abuzimet në qindra milona lekë në institucionin që drejton.

Shqiptarët sot, dinë se Xhufi është dhëndërr në familjen e diktatorit Hoxha dhe, dinë edhe se shumica e historianëve dhe akademikëve, që do shkruajnë historinë e shqiptarëve, janë dhëndurrë e pinjollë të ish- byroistëve të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së dhe të nomeklaturës komuniste.

Sot shqiptarët e dinë se Akropolin e Athinës e kanë ndërtuar ilirët dhe dinë edhe se Korinthi ka qenë që nga antikiteti e deri më sot, i banuar nga shqipfolës dhe kuptojnë fare mirë kur arkeologu Neritan Ceka gënjen, duke bërë historianin, se Apolonia e Durrësi janë qytete të themeluar nga grekët!

Se si mundet, që akademikët e mësipërm me gjithë këto pleksje gjaku e farefisnie me aktorët e historisë komuniste, të shkruajnë saktë historinë e periudhës së komunizmit në Shqipëri, një djall e merr vesh! Se si mundet, që akademikët që kanë patur qasje të shtrembëta, nihiliste, tjetërsuese e të gabuara ndaj antikitetit të kombit tonë, të dalin mbi veten e tyre, e tashmë “të shkruajnë me vërtetësi”, historinë e shqiptarëve pa pranuar më parë kufizimet e tyre, dreqi e merr vesh!

Së treti: qartësisht Akademia e Shkencave e Shqipërisë është kujdesur që në grupin e hartuesve të “historisë së shqiptarëve” të mos jetë prezente fryma e re e historianëve korrektë e bashkëkohorë, që guxojnë të jenë të paanshëm në qasjen ndaj akteve e të vërtetave historike. Afrimi dhe pranimi i historianes së afirmuar Elena Kocaqi dhe të tjerëve si ajo në grupin e hartuesve të “historisë së shqiptarëve”, do i rriste besueshmërinë veprës. Injorimi i frymës së re, që sjellin historianët si Kocaqi, vetëm sa tregon se ASH nuk preferon debatin dhe se historia e shqiptarëve do shkruhet prapë me privime e nën presionin që ushtrojnë serbët, turqit e grekët për të mos dalë kurrë historia e plotë dhe e qartë e shqiptarëve.

“Veprës “historia e shqiptarëve” do i mungojë morali akademik! Autorët e kësaj vepre do jenë të gjithë ata që e kanë shkruar edhe më herët historinë e shqiptarëve aq shtrembër dhe me mungesa sa, nuk kanë asnjë moral njerëzor (pale akademik!) që ta rishkruajnë”

Së katërti: të gjithë historianët e antikitetit e përcaktojnë Epirin si Epiri Pellazg. Në hartat e shtetit të ri grek të formësuar më 1830, Epiri deri në vitin 1912 etiketohej si Kato Alvania (Shqipëria e Poshtme) dhe mbas gjenocidit grek mbi popullsinë e Epirit (1920 – 1922) u përzunë 2.8 milonë banorë nga Shqipëria e Poshtme (Epiri) dhe në vend të tyre u sollën 1.5 milonë grekë nga Turqia. Ky gjenocid u pranua nga Evropa si këmbim popullsish! Ndërkaq është e njohur thënia në greqishten e vjetër: “mi is elinas, is varvaros”, që do të thotë: “kush nuk është helen, është barbar” dhe kjo do të thotë se, Athina qe e mbushur me ata që mësuan greqishten e vjetër (helenët) dhe barbarët (μπαρμπαρι = m’par-m’par-ët = banorët para helen) e që shkruajmë autorë (si Niko Stilo) deklarojnë se, në Athinën antike gjuha administrative qe gr. e vjetër dhe gjuha publike, qe shqipja. Pra pellazgët kanë qenë popullsia që duhej helenizuar e megjithatë, pellazgët (arvanitët) arritën ta ruajnë identitetin e tyre deri sot. ASH e Shqipërisë nuk ka shkruar kurrë për këto ngjarje. Pse?! Tashmë janë i njëjti grup historianësh të tredhur qysh moti që kanë heshtur për ngjarjen e mësipërme dhe rimarrin të drejtën për të na rishkruar historinë!

Mohimi i prejardhjes së shqiptarëve nga pellazgët është cungimi më i madh i të vërtetës dhe së drejtës historike dhe dhurata e përjetshme që Akademia e Shkencave e Shqipërisë i bën Greqisë duke heshtur, për të mohuar Epirin pellazgo -shqiptar dhe për të përligjur gjenocidin grek mbi Epirin (Shqipërinë e Poshtme) dhe popullsinë e tij.

Një nga detyrat kryesore që duhet të kish zbatuar prej kohësh ASH dhe historianët e saj ishte studimi mbi vendet ku gjendet popullsia shqiptare sot dhe numurin e saj. Por ky studim i pakryer do nxirrte një të vërtetë drithëruese, sepse numuri më i madh i popullsisë shqiptare në botë, jeton në Turqi dhe studimi do nxirrte shkakun, pse shumica e shqiptarëve ndodhen në Turqi. Një prej shkaqeve që shumica e shqiptarëve janë në Turqi, është gjenocidi grek e serb mbi ta. Ndaj ASH nuk ka iniciuar kurrë një të tillë studim. Ndaj akademikët e ASH së Tiranës janë kurtizane që lëpijnë allatet e Serbisë, Turqisë e Greqisë.

Ndaj shqiptarët nuk besojnë se ASH e sotme do nxjerrë një produkt historik të pakontestueshëm, të drejtë dhe konform së vërtetës historike për shqiptarët.

ASH e Tiranës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, janë dy larva serbo-sllave në trungun e kombit shqiptar e, po i lejuam të jetojnë e të shumëzohen, do na gërryejnë si komb.