Spanja e kuotuar si një prej pretendenteve kryesore për të fituar Euro U21 u eleminua në gjysmë finale nga Portugali falë një autogoli.
Derbi iberik i të rinjve u vendos në minutën e 80-të, atëherë kur Cuenca shtyu gabimisht në rrjetën e tij një top.
Takimi ishte i luftuar dhe thuajse i barabartë sa u takon rasteve të pastra për gol. Por në qarkullim topi dhe volum loje, spanjollët patën një epërsi të lehtë.
Në ndeshjen tjetër, Gjermania mposhti Holandën 2-1. Tulipanët e vegjël u trullosën shpejt pas golit që në minutën e parë nga Wirtz, që 7 minuta më vonë do të gjente edhe të dytin.
Holanda u përpoq të reagojë duke qarkulluar më shumë topin, por rastet e rrezikshme krijoheshin gjithmonë nga gjermanët. Në minutën e 67 Schuurs rihapi ndeshjen, por pavarësisht përpjekjeve, bileta e dytë për në finale shkoi për gjermanët.
Finalja e Euro U21 mes Gjermanisë dhe Portugalisë do të luhet ditën e diel në Ljubjanë.






















