Komisioni i Pavarur i Kualifikimit

1262
Sigal

Prokuroria e rrethit gjyqësor në Vlorë, në sitën e Vettingut: 13 persona janë të zhdukur në Vlorë gjatë 2018-s, 23 në tre vite dhe asnjë rast i zbuluar. Tenderimet dhe denoncimet e KLSH

 

Situata e rënduar e krimit, rrëmbimit, vrasjeve, trafiqeve, drogës, korrupsionit dhe abuzimeve në institucionet shtetërore të qytetit bregdetar të Vlorës duket se po i vjen fundi. Janë me dhjetëra raste skandaloze që prokuroria e shkallës së parë Vlorë, këto vepra i ka anashkaluar penale, duke mos u thelluar në hetimin e tyre. Ato janë mbyllur për shkak të lidhjeve nepotike, korrupsionit dhe një pjesë tjetër për paaftësinë profesionale të prokurorëve të veçantë të këtij institucioni. Nga ana tjetër qytetarët mendojnë se ka ardhur koha që qytetit t’i kthehet siguria, rendi, qetësia dhe integriteti i nëpërkëmbur. Një pjesë e mirë e prokurorisë së rrethit gjyqësor Vlorë kanë lidhje të afërta edhe me elementët kriminalë, një pjesë të arratisur, të fshehur dhe disa të tjerë vuajnë dënimet në burgje ose janë zhdukur. Me sa duket, mungesa e hetimeve të specializuara kanë bërë që dosjet të mos hetohen dhe njerëzit t’i lajnë hesapet më mënyra primitive. Në raportin më të fundit të para disa ditëve prokuroria e rrethit Vlorë dhe policia rajonale, pranojnë zyrtarisht faktin se, 13 persona janë të zhdukur në Vlorë gjatë 2018-s, dhe 23 gjithsej në tre vite. Zbulueshmëria zero! Por për çfarë i paguajnë taksat shqiptarët dhe në veçanti qytetarët e Vlorës? Kush janë këta persona që vegjetojnë në këtë institucion, ndërkohë që qytetarët presin zbulimin dhe ndëshkimin e krimit? Duke marrë shkas nga shqetësimet e qytetarëve të Vlorës dhe rrethinave të saj gjatë muajve të fundit, gazetarët kanë investiguar me dhjetëra raste kur prokurorët pushojnë çështjet për drejtues institucionesh dhe trafikantë , dhe pas pak kohësh i hap një tjetër prokuror gjoja pas kërkesave të “qytetarit anonim”, dhe qëllimi kuptohet, të kapim ç’të kapim, pasi vettingu po afron. Tenderët e rrugëve, hipotekës, shëndetësisë, arsimit, përvetësimet, grabitjet, trafiku i lëndëve narkotike, trafiku I automjeteve, makinave të bllokuara me dhe pa arsye, skafeve etj. kërkon vëmendje të veçantë për rishikimin e dosjeve. Qytetarët i kërkojnë institucionit qendror të prokurorisë të ndërhyje dhe nis kontrollin e dosjeve të mbyllura të krimit,zhdukjes dhe ato me abuzime në prokurimet publike dhe tenderët. Me dhjetëra denoncime të bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, çuditërisht janë mbyllur nga prokurorët e Vlorës. Institucioni më i lartë i auditimit shtetëror por edhe auditimet e bëra nga vetë institucionet ndihen të fyera dhe të përçmuara, pasi konkluzionet e ekspertëve dhe specialistëve të ngarkuar nga shteti kalohen në heshtje dhe një pjesë e titullarëve, të denoncuar për abuzime, po pozicionohen si të pastër. Përgjimet pa lejen e gjykatës me justifikimin se është urgjente dhe më pas mbyllja e dosjes janë të tjera objekte të investigimit. Mbyllja e hetimeve për shumë çështje, lëvizja e lirë e personave të shpallur në kërkim, ndërkohë që ata shëtisnin përpara dritareve të institucionit shtetërore apo pinin kafe në lokale ku ishin edhe prokuror të veçantë, (ka fakte nga video-regjistrimet), është një tjetër shkelje e rëndë, provat e së cilës do përdoren si fakte për pastërtinë e figurës përpara anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.