Shpendi Topollaj: Gjeneral Rrahman Parllaku njeriu dhe kuadri i vlerave

14
Sigal

Po të nisesh nga vlerat e larta njerëzore, si mençuria, urtësia, thjeshtësia, trimëria, vullneti, dashamirësia, ndershmëria, por sidomos nga dashuria për Atdhe, aftësitë komanduese, takti në marrëdhëniet me vartësit, pjekuria në marrjen e vendimeve, qartësia në të kuptuarit e situatave politike, stoicizmi dhe burrëria në përballimin e ndëshkimeve të pamerituara, mungesa e plotë e ndjenjës së hakmarrjes, apeli për bashkim mes shqiptarëve, duke mos harruar këtu edhe portretin e tij aq të hijshëm, si model i racës tonë të bukur e krenare, do të thoshja pa frikë se jeta dhe vepra e Heroit të Popullit, gjeneral Rrahman Parllakut, do t`i bënte nder penës së paqortueshme të Plutarkut. Kushdo që e ka njohur atë, apo ka luftuar e punuar krah tij, e di mirë se atij do t`i shkonin si pakkujt fjalët e përfaqësuesit të shkollës filozofike të proçesit, Alfred North Whitehead se “Kuraja e vërtetë nuk qëndronte te forca brutale e heronjve vulgar, por vendosmëria sypatrembur e virtytit dhe arsyes”. Rrahman Parllaku me virtyt dhe arsye iu bashkua rezistencës antifashiste dhe mbeti, si kur ngjiti majat e karrierës partiake dhe ushtarake, ashtu edhe deri në fund të jetës mbi një shekullore, ai Gega syëmbël për të cilin më fliste gjithmonë nëna dhe gjyshja ime të cilat i kishin shpëtuar jetën në Vlorë, dhe ai u ishte mirënjohës, gjë që e pashë edhe vetë kur shërbeva si oficer i ri në vartësinë e tij si në FUD ashtu edhe në Korpusin e Katërt që ai drejtonte së bashku me të paharruarin Vaskë Gjino.

Rrahman Parllakunë kuptimin metaforik ishte shtegu ilustrues nga kaloi historia e Luftës tonë të lavdishme Nacional – Çlirimtare dhe rritja e modernizmi i ushtrisë tonë të pasçlirimit. Fakti që vlonjatët të cilëve kurrë nuk u kanë munguar luftëtarët trima,e zgjodhën pikërisht atë, djalin nga Novoseja e Kukësit, për të drejtuar njësitet guerile, flet shumë. Ai ishte rritur e pjekur në aksione të guximshme e demonstrata kundër pushtuesve, deri tek ajo e lirimit të 43 të burgosurve ditën e 30 vjetorit të Pavarësisë. Por edhe ngjitja galopante, pra besimi në aftësitë dhe talentin e tij për kryerjen e detyrave të rëndësishme në drejtimin e formacioneve të mëdha partizane që po krijoheshin, nga ana e Shtabit dhe Komandës së Përgjithshme, është gjithashtu një tregues i cilësive të rralla të tij. Rrahman Parllaku, me pseudonimin Krajli, ende djalë i ri, nuk ishte arsimuar si duhet, dhe sidomos nuk kishte njohuritë e domosdoshme ushtarake, por zgjuarsia, vendosmëria dhe intuita e shpunë drejt sukseseve me efektivat në të gjitha luftimet e zhvilluara, duke nisur qysh nga koha kur u emërua komisar  batalioni në Br. e V – të S, ku forcat partizane përballuan gjithë egërsinë e Operacionit armik të Dimrit 1943 – 1944. Më tej pasuan detyrat si zv. Komisar i grupit të Vlorës, i Brigadës së VIII – S të dislokuar në Zonën e Parë Operative, komisar i Br. XII – të S. I zgjedhur delegat në Kongresin e Përmetit, Rrahmani, ndërkohë i njohur gjërësisht, takon nga afër thuajse të gjithë udhëheqësit e Luftës, duke filluar nga Enver Hoxha, Spiro Moisiu, Nako Spiru, Koçi Xoxe, Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, Ymer Dishnica etj. Tani Rrahmani ishte një kuadër me përvojë e reputacion që kishte dhënë prova të qarta si drejtues i zoti, ndaj dërgohet me Brigadën e tij, ku qe zv, komisar, së bashku me Brigadëne V – të, të marrshonin drejt Kosovës, për të ndihmuar në çlirimin e saj.Kosova ka qënë përherë ëndrra e gjeneral Rrahmanit dhe ai vetë përshkruan me mall e dashuri në kujtimet e tij,mikpritjen dhe gatishmërinë për sakrifica të popullit të atjeshëm, ku prisnin me gëzim bashkimin përfundimtar me Shqipërinë. Pas kryerjes së detyrës si komisar Divizioni, dhe i pranuar si kandidat i K.Q.P. Rrahman Parllaku në majin e 1945 emërohet komisar i Korparmatës së II – të,në Berat, ku komandant ishte Tahir Kadareja. Kryen gjithashtu detyrat si Drejtor i Personelit në M. Mbrojtjes dhe më pas si Drejtor Politik i Ushtrisë dhe dërgohet për studime në Akademinë emërmadhe “Voroshillov” në Moskë, ku bashkë me shokët thyejnë dyshimin  e komandantit të saj, gjeneral leitnantit Kutuzov, se do e kishin të vështirë, pasi nuk kishin arsimin e duhur.

Këtu Rrahmani, i zgjedhur anëtar i K.Q. kryente dhe detyrën e atasheut ushtarak në B.S. dhe ata ja dolën ta kryenin më së miri Akademinë. Pas kthimit në Atdhe, Rrahmanit, të graduar gjeneral në 10 korrik 1952, i ngarkohet detyra e zv. Ministrit të Mbrojtjes dhe drejtorit të Prapavijave dhe më tej ajo e drejtorit të Organizim – Mobilizimit. Dihet qëndrimi burrëror i tij dhe kolegëve të tijnë kohën e daljes nga Traktati i Varshavës, por pasi kreu me nder detyra të tjera si komandant dhe komisar i F.U.D e Korpusit të Katërt, dhe drejtues kryesor në Ministri, erdhën pasojat e atyre konfabulacioneve paranojake të Enver Hoxhës që shkoi në plumb, mbylli në burgje, internoi shumicën e drejtuesve të Luftës Nacional – Çlirimtare, pa kursyer edhe familjet dhe të afërmit e tyre. Ju i kini të freskëta ato ngjarje, ku gjeneral Rrahmani vuajti gjatë në Alcatrazin shqiptar të Burrelit, ku nga torturat kishin vdekur disa nga shokët e tij, dikur udhëheqësa të asaj lufte heroike dhe ku e ruajti si gjithmonë të paprekur karakterin e malësorit besnik ndaj vendit të vet, për çka mjafton të lexosh letrën akuzë të datës 18 Janar 1988 që i drejtone ish kolegut të tij Ramiz Alisë dhe ku thotë: “…nuk do të hesht edhe në të ardhmen, edhe sikur pasojat të rëndohen edhe më shumëmbi mua, mbasi edhe në këtë rast mendoj se bëj një punë të mirë për popullin dhe vendin tim”. Ne, mijra kuadro të ushtrisë që kemi dalë nga bangat e shkollës ushtarake “Skënderbej” e kemi ndierë nga afër kujdesin atëror që tregonte gjeneral Parllaku me ne.

Ai kishte mbetur po ai komisari i dikurshëm i sheshit të Teqesë së Sukës, që nuk donte t`i dërgonte në vijën e parë partizanët ende fëmijë. Por mbi të gjitha, ai mbeti në kujtesën tonë, kuadri i papërkulur e dinjitoz që kur ministri i Mbrojtjes e këshilloi pa të keq, me rastin e marrjes së detyrës së zv. Ministrit, të ndryshonte sjelljen dhe të tregohej më i rreptë, ju përgjigj: “Nuk mund ta ndërroj karakterin sa herë të ndërroj detyrën, por të keni besim se pa bërtitur do ta plotësoj detyrën”. Dhe Rrahman Parllakut i mjaftonin vlerat e larta dhe të papërsëritshme njerëzore, që i kishte aq harmonike, të cilat, sepse më kujtojnë atë thënien e Virgjilit se “Virtyti është më i çmuar nëse shkëlqen në një trup të bukur”.Dhe ai shkëlqeu se ishte i bukur si nga trupi, si nga shpirti.