Origjina e Enver Hoxhës/ Prof. Dr. Jorgo Dhrami:Historiku i familjes dhe të parëve të Enverit është në fshatin  arvanitas të Korrinthias

2109
Sigal

 

Analizë nga Prof. Dr. Jorgo Dhrami:Historiku i familjes dhe të parëve të Enverit është në fshatin  arvanitas të Korrinthias. Vendlindja e tij, studimet fillestare, liceu francez, bursa nga Zogu, takimi me Papën, angazhimi në LANÇ-in dhe drejtimi i shtetit për 40- vjet

 

Si u rekrutua Hoxha nga shërbimi Inteligjenc Servis dhe shkoi në Romë për të vizituar Papën

 

Të shkruash për figurën e Enver Hoxhës, nuk është e lehtë. Kjo kërkon një analizë shkencore duke pasur në studim një përmbledhje të të gjitha qëndrimeve e problemeve të marra në shqyrtim direkt prej tij.  Por kjo, i takon të ardhmes, mbasi  kërkon e dikton një analizë të thellë e të sinqertë, duke e parë dhe trajtuar në  të gjitha fenomenet e asaj kohe. Por unë, në shkrimin tim, nuk do të përqëndrohem për sa më sipër, mbasi veprimtaria e tij, është e përshkruar me imtësi në shkrimet dhe veprat e tij. Për rrjedhojë, unë do të përqëndrohem vetëm në dy aspekte:

  1. Mbi origjinën e tij, të familjes, dhe të Parëve të tij, si dhe ;
  2. Nëse dinte ose jo, me shkrim dhe këndim, gjuhën greqisht.

Ndonëse, për origjinën e tij, në shqipëri nuk është vënë ndonjëherë në diskutim por, meqënëse këto kohët e fundit, kjo është bërë e debatueshme, sidomos  për periudhën e fëmijërisë së tij, kanë mbetur boshllëqe, të cilat kanë nevojë të ndriçohen,  ose së paku të debatohen.

Në funksion të plotësimit të këtyre boshllëqeve, jam marrë me studimin e tyre për një periudhë disa vjeçare, për të cilat, do të bëj debatim mbi to. Ndërkohë, duke ia bërë  të ditur publikut.

Së pari, do të flas për origjinën e tij dhe të familjes, si dhe të parëve të tij. Sipas dëshmive të tij dhe të disaherëshme, origjina e tij është nga qyteti i Gjirokastrës. Si në kohën kur E.H.ishte në drejtim të shtetit dhe të vendit ashtu dhe mbas vdekjes së tij në vitin 1985, në Albumin përkushtuar jetës së tij e më tej, të përpiluar nga ish Komisioni Redaktues të Institutit të sturdimeve Marksiste – Leniniste pranë ish Komitetit Qëndror të P.P.Sh. nga Profesorët : Foto Çami, Sofokli Lazri, Agim Popa, Spiro Dede etj., origjina e tij, del se Ai, ka lindur në qytetin e Gjirokastrës më 16 tetor të vitit 1908. I ati  i tij ka qënë Halili, kurse e ëma, Gjyloja dhe xhaxhai i tij, Hysen Hoxha, ish Kryetari i Bashkisë Gjirokastër.

Në vitet 1913 – 1919, d.m.th, deri në moshën 11- vjecare, do ta kalonte fëmijërinë e tij nën regjimin e pushtimit të vendit nga shovenistët Grekë dhe më vonë nga imperialistët Italianë. Kurse në vitet 1917 – 1923, E. H. ndoqi mësimet në shkollën qytetase “Drita”  në Gjirokastër, fakt i cili provohet me fletën origjinale të amzës të vitit të pestë të shkollës  së  sipërpërmendur.

Ndërkohë, në vitet 1923 – 1924, figuron nxënës  në Liceun Francez, Gjirokastër.

Në vitet 1926 – 1927, është pjestar i grupit teatral të shoqërisë “Studenti”, Gjirokastër .

E.H. pasi mbaroi shkollën qytetase “Drita” vazhdoi studimet në Liceun Francez, 1923 – 1927 ,d. m.th. për katër vjet. Në vjetët  1927-1930, përfundon studimet e shkollës së mesme, në Korçë në moshën 22- vjeçare.

Në muajin tetor të vitit 1930, Qeveria e Mbretit Zog, i akordoi të drejtën e studimit në Fakultetin e shkencave të natyrës në Universitetin  e Monpeljesë, Francë. Në Nëntor të vitit 1933, i preu të drejtën e përfitimit të bursës. Duke qenë i pa punë, shkoi në Paris për të gjetur punë, si dhe për të vazhduar atje Fakultetin  e Drejtësisë.

Në vitin 1934, me ndihmën e konsullatës shqiptare në Belgjikë, regjistrohet dhe ndjek studimet në Drejtësi, në Universitetin e lirë, Belgjikë. Kurse në vitin 1936, për shkak të ushtrimit të veprimtarisë  së tij politike, pushohet nga puna. Dhe, po në këtë vit, në sezionin e verës kthehet përfundimisht në Shqipëri. Dy muaj më vonë, mban  fjalimin në ceremoninë mbi varrin e  Bajo TOPULLIT  në Shkodër, fjalim i  cili u botua në gazetën “Demokracia” , më datën 1 gusht 1936. Prill 1937.  Emërohet mësues në Liceun e Korçës, me orë speciale. Në vitin 1939, bëhet pjesëtar i grupit komunist  të Korçës. Më 28 nëntor, të vitit 1939, pushohet nga puna. Në vitin 1940, grupi komunist i Korçës e dërgon në Tiranë me punë në Librarinë Flora, me qëllim që, krahas saj të ushtronte  akitivitetin politik.  Më 8 nëntor 1941, themeloi Partinë Komuniste të Shqipërisë. Të tjerat meqënëse janë të konfirmuara publikisht, mendoj se nuk ka pse të rikonfirmohen.  E përmenda veprimtarinë e tij, për faktin se, pak a shumë, debati qëndron pikërisht për këtë periudhë kohe. Për rrjedhojë, si unë ashtu dhe lexuesi ka mundësinë të bëjë ballafaqimin e këtyre dy shpjegimeve në funksion të së vërtetës.

Megjithatë,  në biografinë e mësipërme, sidomos për periudhën e fëmijërisë së tij, dalin disa momente të pa qartësuara, të cilat studiuesin e lënë të hulumtojë mbi të vërtetën. Kështu, në fillimin dhe mbarimin e shkollës qytetase “Drita”  në Gjirokastër, nuk del se në çfarë gjuhe zhvilloheshin  mësimet. Domosdoshmëria e të diturit të përdorimit të gjuhës, është e nevojëshme, pasi zgjidh në themel, nëse Enver Hoxha e ka ditur apo mësuar më vonë gjuhën greqisht. Veç kësaj, kjo do të  ndihmonte studiuesin për të arritur në përfundime të drejta dhe të sakta dhe, jo të hamendësonte.Gjithçka që u përshkua më sipër, është bazë për të përcaktuar  historikisht dhe shkencërisht me prova bindëse në mënyrë të argumentuar, faktin e debatueshëm nëse, Enver Hoxha është  me origjinë  nga të Parët e tij, grekë, apo shqiptar nga Ilirët ?

Sipas disa studiuesve grekë, E.H. është me origjinë Greke. Kjo, sipas tyre, vërtetohet me faktin e  “lindjes dhe banimit të  tyre në një fshat të greqisë i quajtur DUSHIA, dhe i pasemëruar KEFALARI, afër Kiatos të Korinthisë. Familja Kefalohori, shpegojnë ata, është fshat Arvanitas, d. m. th. me origjinë shqiptare por, paraardhësit e Enverit, erdhën në këtë fshat së bashku me familjen e të famëshmit NOTARA, menjëherë pas rënies së BIZANTIT. Fillimisht,  ata  u vendosën në Trikalla  të Korinthisë, dhe më pas për arsye sigurie, ikën të gjithë sëbashku. Nga që, kreu i kësaj familjeje ishte tregëtar drithërash dhe furnizonte zonën me grurë Mavragani,  e quajtën Mavragan “.  Për të krijuar më tepër siguri për vërtetësinë e këtyre shpjegimeve, shpjegojnë  se, “informacionet”  i kanë marrë nga njerëz të rrethit të ngushtë familjar të Enver HOXHËS. Po sipas tyre, pasardhësi i kësaj familjeje “historike”, i quajtur  Apostolos Mavraganis, lindi në fillimet e shekullit  të  XX – të, 4 djem dhe 3 vajza. Djemtë ishin: Jorgo, Aleksandri, Leonidha, dhe Telemaku, kurse vajzat : Eleni, Katerina dhe Vasiliqia.

Në vitin 1941, Jorgon e arrestuan gjermanët, e torturuan, i hoqën dhëmbët si  agjent i Inteligjencë  Service dhe më pas e lanë të lirë. Ndërsa vëllai tjetër, Aleksandros, mbaroi studimet për drejtësi në Athinë. U përndoq nga regjimi i Metaksait, si i majtë.

Aleksandrosit, më vonë i ndryshuan emrin dhe besimin fetar nga i krishterë në musliman duke e quajtur : Enver  HOXHA. Për të bindur lexuesin, për vërtetësinë  e emërit të vërtetë të E.H., këshillojnë  ata, “personat që nuk binden mbi këtë të vërtetë, le të shkojnë në fshatin Kefalari dhe të pyesin   cilindo banor të atij fshati, dhe nëse nuk binden për këto që thuhen, të pyesin se shtëpia në mes të fshatit e kujt është ?. Banorët e atij fshati do t’u përgjigjeshin, është shtëpia e Enver Hoxhës! Sipas tyre,  “E.H. u rekrutua nga  shërbimi Inteligjenc Servis dhe  shkoi në Romë për të vizituar Papën, ku morri  mësimet e para të gjuhës  shqipe,  të luftës partizane dhe administrimin  dhe funksionimin e shërbimeve sekrete. Më pas e dërguan në Paris për të përfunduar  edukimin  komunist dhe luftën guerile, e martuan me një muslimane që dinte shqip dhe e dërguan me gruan e tij  në Këshillin e Kosovës për organizimin e Partisë Komuniste Shqiptare.”

Më pas, “me financimin e shërbimeve sekrete Angleze, u ngjit shpejt në shtabet e partisë komuniste shqiptare, erdhi në Tiranë dhe botoi gazetën “Vatra” dhe të përjavshmen “Java” shfronësoi mbretin Zog. Në vitin 1943 i veshur me uniformë gjermane, udhëtoi me tren dhe shkoi në Kiato për të parë babain dhe familjen e tij. U rikthye përsëri me tren në Shqipëri”.  Si përsa  u  tha më sipër, për E.H. ashtu dhe për aludime të tjera, sipas meje, me aq sa kam dijeni, nuk qëndrojnë,  mbasi unë, Enver  HOXHËN e njoh si burrë shteti dhe një patriot po kaq të madh. Një akuzë e tillë kaq e rëndë, është e zhveshur, pa asnjë provë fajësie dhe që bie në kundërshtim me të gjitha faktet e rrethanat jetësore të E. H. –së, prandaj ajo, kursesi nuk mund të krijojë  asnjë lloj bindjeje. Qëndrimi i tij, në veçanti me ish- udhëheqjen Sovjetike, në atë kohë kur ajo ishte Superfuqi,  është unikal. Nëse  Ai, do të ishte i tillë, për demaskimin publik që i bëri ish – udhëheqësit Sovjetik, HRUSHOVIT, në mbledhjen e 81 partive komuniste të të gjithë botës në Moskë, ky i fundit nuk do t’ja falte “pa i kthyer reston!”.  Shtoj gjithashtu dy fakte të ditura botërisht që  rëzojnë “epitetin ndaj tij si agjent”. Në vitin 1959,  kur në Shqipëri erdhi Hrushovi me suitën e tij ushtarake për vizitë shtetërore, kur pa gjirin e Vlorës dhe liqenin e Butrintit të Sarandës, u pataks jo vetëm nga bukuria e tyre e jashtëzakonëshme, por edhe nga përshtatshmëria e tyre ushtarake si rallë vend tjetër për të sunduar  MESDHEUN.  Por, Enver Hoxha, nuk pranoi që në këto dy vende të ngriheshin dy bazat më të fuqishme të Mesdheut, dhe që të nënshtroheshin: Greqia dhe vendet e tjera që lageshin nga deti Mesdhe. Llogjika  ta do të mendosh se, nëse Ai do të ishte i vënë në shërbim agjenturor, kërkesa e Hrushovit do të ishte pranuar nga ana e tij pa asnjë hezitim, pasi këtu nuk bëhej fjalë për diçka të zakonshme por, për të siguruar mjetin më efikas për të mposhtur kundërshtarin politik dhe ushtarak, Superfuqinë tjetër, AMERIKËN !. Ndërkohë kur, K.G.B.- ja  Sovjetike, besoj se nuk e kishte të vështirë të zbulonte nëse E.H. ishte ose jo agjent dhe i kujt shteti.  Mirëpo ai, sikundër dëshmon historia, nuk pranoi atë që kërkonte Hrushovi me gjeneralët e tij që e shoqëronin dhe që i  servirën  atë kërkesë. Veç sa sipër, dokumentet arkivore të asaj kohe,  të  përcjella midis të tjerave  nga autoritete të larta shkencore dhe objektivë, Prof. Dr. akademiku Arben Puto, në librin e tij “ Shqipëria Politike” fq, 713, shkruan se :“Gjenerali Deivis në mesazhin e tij të datës 17 dhjetor 1943, pasi ve në dukje meritat e  L.N.ÇL. të udhëhequr nga E. H. –ja, si dhe tradhëtitë e Ballit Kombëtar etj. në favor të pushtuesit Gjerman, i Rekomandon Qendrës Aleate që, “ të bëhet një deklaratë e hapur në favor të L.N.ÇL dhe me porosi të Eden – it,  në tetor të vitit 1944 Enver Hoxha ftohet për bisedime në Itali.”

Për sa i përket të vërtetës nëse E.H. e dinte gjuhën greke si epirotas, apo e mësoi atë në shkollë, mendoj se kam të drejtë  të bëj komentet e mia.

E.H., megjithëse ka qënë i rezervuar për t’u shprehur në këtë drejtim, në raste tepër të ralla dhe të veçanta, kur sipas meje ja kërkonte dhe diktonte politika  Ai, tërthorazi  nuk nguronte të shprehej. Kështu, mund të marrim si argument disa fjalime të mbajtura përpara popullit minoritar të Dropullit. Si të tillë mund të përmëndim fjalën e tij të mbajtur në mitingun në fshatin Grapsh me popullin e Krahinës së Dropullit më datën 22 mars 1978. Ai u shpreh në gjuhën  greqisht : “ Efkaristo poli !. Ego, o Enveris, dhen ksero elenika!”.(Faleminderit shumë. Unë, Enveri, nuk di greqisht). Duke e parë këtë shprehje nga pikëpamja gramatikore, do të konstatojmë faktin  që, mënyra e të shprehurit është mjaft e saktë. Një greqishte e pastër. Po në këtë rast, duke folur në gjuhën tonë, shqip, ka folur përsëri në gjuhën greqisht.  “Kur na vinte në shtëpi Xha Mihoja për të  na sjellë me gomar misër, më thoshte : “-Ella dho pedhi mu ”,…..dhen ehome, tipota dhen ehome “ / Hajde këtu djali im, nuk kemi, asgjë nuk kemi.”

Më tej ai, duke folur në gjuhën shqipe, shprehet se: “Më vjen keq që nuk e mësova gjuhën e bukur greke kur isha në shkollë. Kur them se nuk e mësova dot greqishten, kam parasysh se nuk arrita të lexoj në gjuhën e tyre Homerin, Sofokliun, Aristotelin, Demokritin, këta dijetarë dhe filzofë të mëdhenj të kulturës së pavdekshme greke, që më kanë  tërhequr shumë kur i kam lexuar në gjuhën Frënge dhe Shqip.”  Mendoj se në këtë rast,  del që E.H. së pari ka qenë duke mësuar në një shkollë që mësimi bëhej në gjuhën greqisht, dhe së dyti, Ai, kur thotë  se  nuk e mësoi dot gjuhën greke, e ka fjalën në pikëpamje cilësore, të të diturit të kësaj gjuhe. Shkalla e të diturit greqisht prej tij, nuk ishte e atij niveli që të mësonte  në original  personalitetet e  mëdhenj grekë, në fushën e dijes. Që  E.H. dinte me shkrim dhe këndim gjuhën greke, del edhe nga një qëndrim që ka mbajtur Ai, kur u ndodh i pranishëm në një mbledhje të organizatës bazë të partisë  në zonën e Dropullit kur, u pyet se në çfarë gjuhe do të zhvillohej mbledhja e partisë, Ai u përgjigj : “Le të zhvillohet  greqisht, nuk ka asnjë problem.”  Po sipas ish Nënkryetares së Parlamentit shqiptar, Znj. Vitori Curi, E.H. jo vetëm që dinte greqisht, por Ai e dinte atë, përsosmërisht.

Megjithëse, fakti i të qenurit të tij, me origjinë greke apo shqiptare, sipas mendimit tim, nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, pasi edhe nëse e ka origjinën e të parëve të tij nga Greqia, kjo, nuk e dëmton atë, pasi në botë  ka patur dhe ka raste të tilla. Kështu fjala vjen, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Donald Trump, është me origjinë gjermane, pasi i ati , apo gjyshi i tij, ka qenë gjerman,  Ai mbetet njeri tepër i respektuar dhe drejton Amerikën!

Por, për hir të së vërtetës, kam mendimin se origjina e tij, mendoj se mund të jetë nga Greqia ose së paku, nga minoriteti grek, Dropulli. Kjo, midis të tjerave, rezulton edhe nga një fakt tjetër. Kështu, kur Shqipëria u çlirua nga  pushtimi nazifashist  dhe  Enver Hoxha u bë udhëheqësi i Shqipërisë, në prani të të Atit të tij, të ndjerit Halil, dogji dokumentet e pronësisë së tokës që kishin në Dropull,  “duke i thënë të Atit se, “nuk na duhen më, pasi sot e tutje, në Shqipëri nuk do të ketë më pronë private.” Kështu ai, qetësoi të Atin.

Fakti që Ai, që në vegjëlinë e herëshme dinte gjuhën greke, mua më duket se origjina e tij, është greke por, për mua, sikundër përmënda edhe pak më sipër, kjo nuk i shton apo i heq asgjë,  personit të tij. Të folurit e tij në fëmijëri  në gjuhën greqisht, duhet të jetë rrjedhojë e të folurit në këtë gjuhë në familjen e tij, ku E.H. e përvetësoi këtë gjuhë. Por, këtë fakt, profesorët e mësipërm,  e mënjanuan nga albumi i sipërfolur. Unë, kam të dhëna verbale, se E.H. shkollën fillore e ka bërë në Ishullin e Korfuzit por nuk kam mundur dot ta evidentoj atë, si dhe po kështu  që  ai ka mbaruar të mesmen në Zosimea në Janinë, Greqi. Por, këto, mbeten për t’u verifikuar dhe saktësuar. Verbalisht më është thënë nga fëmija e L.GJ. bashkëfshatari dhe njeriu im ndërkohë se, “I ati i tij, ka qënë së bashku me E.H., në shkollën Zosimea Janinë, ku  ky i fundit i zhvillonte mësimet në katin e tretë të ndërtesës së shkollës, kurse i Ati i tij, L.Gj. – ja, në katin e dytë të saj, pasi i pari ishte në vit të dytë dhe i dyti në vit të pare.” Ndonëse e pavërtetuar akoma  kjo me dokumentet përkatëse, duhet thënë se, megjithëse L.Gj. u bë xhandar në mbretërinë e Zogut si dhe mbaruar Akademinë ushtarake në Itali, mbas çlirimit të vendit ai nuk u prek, përkundrazi punoi në administratë si person zyrtar.

Edhe dokumentet që i përkasin vitit 1946 nga gazetarë të huaj, të administruara në arkivin e shtetit,  për origjinën e E.H. si dhe fëmijërinë e tij, shprehen se megjithëse  janë të interesuar për ta mësuar këtë, nuk flitet për origjinën e tij,  ndonëse për  figurën e tij shprehen se Ai,  “është  më tepër se origjinal se sa një burrë shteti makiavelan. I paisur me një fuqi të jashtëzakonshme dhe me një memorie të pagabueshme, (di përmendësh vargjet  e  Kuranit )”.

Mendova të shkruaj për sa më sipër, për faktin se, kur një, dy a më shumë fakte ndonëse bëjnë fjalë për probleme serioze dhe delikate, ekziston mundësia sado e vogël  qoftë ajo, për të ndihmuar  në zbulimin e së vërtetës ose, për ndriçimin e saj. Studiuesi, sipas meje, nuk duhet “të qëndrojë indifferent”  por, të marrë pjesë gjallërisht për zbardhjen e së vërtetës.