Orhan Frashëri: Rrugë e mbuluar me heroizëm dhe lavdi

600
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kujtime dhënë për gazetën “Telegraf” në mars 2017, për aktivitetin e Brigadës VII-Sulmuese

77- vjet më parë, më 17 mars 1944 në fshatin Vëlushë e vogël atje midis kodrave dhe maleve të larta të Skraparit u mblodhën miq të shumtë nga e gjithë Shqipëria. Erdhën ish partizanët e Brigadës së 7-të Sulmuese. Në gjirin e saj hynë bij e bija të popullit të ardhur nga batalione të rretheve të Beratit, Skraparit, Lushnjës, Fierit, Gjirokastrës, dhe Devollit të Korçës. Vinin nga betejat, nga zjarri i përpjekjeve me armiqtë për të ndërmarrë të tjera beteja më të ashpra më të guximshme, vinin me besim të patundur në fitore dhe ishin gati të jepnin jetën për të fituar lirinë e ëndërruar e për t’i dhënë popullit jetën e re e të lumtur. Në Vëlushë të Skraparit Brigada e 7-të Sulmuese hodhi hapin e parë të 3000 kilometrave që do të përshkonte gjatë rrugëtimit të saj të lavdishme luftarake. Zërin e partizanëve trima të kësaj brigade, krismën e pushkës së saj u ndje që pas dy ditëve të inaugurimit të saj. Brigada e 7-të Sulmuese e tregoi forcën e saj qysh në betejat e para me armiqtë. Menjëherë, pas inaugurimit, ajo u hodh në sulm për të zbatuar detyrën që i caktonte Shtabi i Përgjithshëm. “Brigada e 7-të Sulmuese, me veprimet e saj luftarake, të bëjë që armiku të detyrohet të mbyllet në Berat, të çlirohet Sulova të sulmohet dendur armiku deri sa të çlirohet qyteti i Beratit. Mbështetur në këto detyra të afërta e të largëta dhe në datën 19 mars u godit qyteti i Beratit, duke u zhvilluar luftime të përgjakshme me forcat armike të cilat u vunë në panik dhe prisnin ndihmë nga qeveria. Në njoftimet e shumta zyrtare që Komanda e xhandarmërisë u drejtonte organeve qeveritare informonte: “… Lufta me komunistët partizanë ka arritur të bëhet në portat dhe lagjet e këtij qyteti shumë e ashpër”. “Ndërkohë Komandanti i Përgjithshëm për Shqipërinë e Jugut të Ballit Kombëtar Kadri Cakrani i drejtonte Ministrisë së Punëve të Brendshme:

“Po luftojmë brenda në qytet. Jemi të rrethuar, kërkojmë ndihmë të shpejtë të Qeverisë dhe të çdo shqiptari”. Më pas veprimet e saj Brigada e 7-të u hodh në sulm për të goditur forcat naziste-balliste në Myzeqe, Sulovë, Kuçovë, Ura e Hasan Beut, në Kapinovë, Lybesh, Vërtop, Zhitom e Drobonik në zonën e Shpiragut, Roskovecit e të Fierit duke e detyruar armikun të strukej në qytet. Krahas luftimeve të përgjakshme partizanët kudo që shkuan bënë një punë të madhe sqaruese me popullin, ndihmuan në ngritjen forcimin e Këshillave Nacional-çlirimtare konfiskimin e drithërave të bukës nga depot e çifligarëve. Pushtuesit nazifashit dhe bashkëpunëtorët e tyre ballist-zogist, mbështetën shpresa të mëdha tek operacioni i tyre i Dimrit (1943-1944) për të shuar luftën çlirimtare të popullit shqiptar, për të likuiduar ushtrinë e tij partizane. Por, armiku mbolli erën korri stuhinë. Ushtria NÇ doli më e fortë nga ky operacion dhe lufta jonë e drejtë mori përmasa të gjera të pandalshme duke dëshmuar vendosmëri dhe heroizëm për të mposhtur armikun e për ta çuar epopenë e lavdishme të luftës në kurorëzimin e saj të plotë. Dhe luftimet e Brigadës së 7-të dhe të formacioneve të tjera u manifestuan në luftimet e zhvilluara kundër nazistëve gjermane forcave qeveritare dhe ato të Ballit Kombëtar në muajin maj Qershor 1944. Në muajin Maj 1944, Shqipëria partizane pas fitoreve të njëpasnjëshme pas operacionit të Dimrit (1943-1944) niste bijtë e saj drejt Përmetit, ku do të mblidhej Kongresi historik. Brigadës së 7-të iu ngarkua misioni për të qëndruar në roje të Kongresit të Përmetit e për të bërë të pakalueshme kalimin e forcave naziste-balliste drejt Qafës së Kiçokut. Forcat gjermane përbëheshin nga 2600 nazistë dhe po kaq nga forcat qeveritare të xhandarmërisë si dhe të forcave balliste-zogiste të shoqëruar nga tanke e autoblinda, sulmuan pozicionet e partizanëve për të çarë me çdo kusht pozicionet e tyre dhe për të marshuar drejt Përmetit. Luftime u bënë në Qafë e Shkozës, në Ujë të Zi, Paraspuar e në Tërpan që mbrohej nga forcat e batalionit të 3-të, të Brigadës së 7-të Sulmuese. Partizanët vendosën të vinin barrikadë trupat e tyre që armiqtë të mos kalonin. Përleshje në shumë raste u zhvilluan vetëm me bomba dore. Batalionet e tjera të Brigadës së 7-të Sulmuese pas shumë luftimesh u gjendën përkrah shokëve të tyre. Në ndihmë erdhi ato ditë edhe Brigada e 12-të Sulmuese që sapo ishte organizuar. Në kulmin e luftimeve të përgjakshme Shtabit të Brigadës i erdhi fonogrami i firmosur nga Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional Çlirimtare shoku Enver Hoxha ku thuhej: “ Lavdi luftëtarëve të Brigadës së 7-të që luftojnë me heroizëm”. Kjo i bëri me krahë partizanët. Prej 25 Majit deri në ditët e para të muajit Qershor, partizanët u ndeshën me forcat armike të armatosura rëndë dhe me guxim e devocion të lartë e dërmuan atë. U vranë dhjetëra nazistë u shkatërruan 2 tanke e 2 autoblinda u vra gjithashtu një kolonel nazist. Natyrisht kjo e detyroi komandën gjermane jo vetëm të mendonte për vazhdimin e mësymjes por në të njëjtën kohë të merrte masa mbrojtëse ose për t’u tërhequr nga luftimi, duke parë se partizanët po përballonin me sukses sulmin e nazistëve dhe të ballistëve e forcave qeveritare. Ja se si autoritetet qeveritare informojnë organet e tyre. Më datën 12 qershor 1944 janë zhvilluar luftime të përgjakshme midis forcave ballisto-naziste e ato komuniste. Komanda e përgjithshme e xhandarmërisë njofton Këshillin e Lartë të Regjencës me shkresë datë 23.06.1944 komandës së zonës së operacionit Berat se: “Fuqitë vullnetare balliste të Kadri Cakranit dhe të Besim Belishovës janë thyer, duke u tërhequr një pjesë në Berat, e një pjesë në Fier. Batalioni “Rrunja” gjysma u kthye i shpartalluar në Berat dhe për gjysmën tjetër nuk dihet fati i tyre. Mos suksesi i luftimeve ka qenë një humbje mjaft e madhe dhe ka shkaktuar demoralizime. Është krijuar një atmosferë e keqe nga aksionet e vazhdueshme për sulme të suksesshme nga ana e partizanëve dhe një propagandë e tyre e tmerrshme. Fuqitë qeveritare dhe ato ballosto-zogiste po bëjnë dy vjet në luftë e në vend që të shihet një përmirësim situate shohim një situatë të rënduar. Mbi 300 ushtarë dhe vullnetarë ballistë kanë dezertuar ndër komunistët..” Ndërkohë komandanti i Përgjithshëm i forcave vullnetare për Shqipërinë e Jugut Kadri Cakrani informonte:

Më datat 3-4 qershor 1944 është zhvilluar një luftë e rreptë në Qafën e Shkozës, dhe në fshatrat Paraspuar- Terpan dhe nuk ka qenë e mundur thyerja e partizanëve. Në këto luftime humbjet tona kanë qenë të konsiderueshme 9 të vrarë, 15 të humbur dhe 27 të plagosur ndërsa humbjet e trupave gjermane ende nuk na janë njoftue”.

“ Për t’i shpëtuar rrethimit të partizanëve, fuqitë gjermane, batalioni “Rrunja” dhe fuqitë vullnetare të Ballit Kombëtar janë tërhequr. Nga burimet gjermane Ernstgort Kable mësojmë se: “ Mësymja e ndërmarra dy herë nga njësitë ushtarake gjermane kundër UNÇSH ishin njëlloj të pasuksesshme. Formacionet e organizuara të Ballit Kombëtar me ndihmën dhe të gjermanëve kanë dështuar në përpjekje kundër Frontit Nacional-çlirimtar dhe kundër partizanëve”. Luftimet në Qafën e Shkozës dhe në Tërpan u bënë shkas frymëzimi për të thurur këngën:

Ç’po lufton Brigada e 7-të

Qafë e Shkozës ulërinë

Partizanët si Petrita

Mbi nazistët bëjnë kërdinë.

Gjatë këtyre luftimeve Brigada e 7-të humbi 15 partizanë midis tyre komandantin e batalionit të III-të partizan trimin Gani Nivica, mitraljerin hero Ferit Leshnja e të tjerë. Nazistët gjermanë e paguan shtrenjtë duke lënë 200 të vrarë e shumë materiale luftarake të shkatërruara. Ju zoti Uran Butka, Adriatik Alimadhi e të tjerë vazhdoni me gënjeshtra dhe me mashtrime të shkruani: se partizanët nuk kanë luftuar, se “kanë vrarë zero italian, zero gjerman, kanë luftuar e vrarë “nacionalistët! Gjithmonë duke akuzuar e shpifur për luftëtarët e lirisë ju dhe gjithë ata që u mbështetën nuk keni turp kur gjatë këtyre 26 viteve, mohoni LANÇ e doni të nxirrni të larë prindërit tuaj duke deklaruar se ata janë hedhur në luftë me kohë kundër okupatorit italian, dhe sot po bëjnë polemika të panevojshme.

Të gjitha forcat tona kanë marrë urdhër që t’u bien gjermanëve!? Ç’janë këto broçkulla që ju servirni luftëtarëve dhe mbarë popullit shqiptar.

Si veteran i LANÇ dhe dëshmitar okular në këtë shkrim kushtuar Brigadës të 7-të Sulmuese jo vetëm sjell kujtimet e mija, të sakta për rrugën luftarake të mbuluar me lavdi, për Brigadën gjatë operacioneve të pushtuesve nazifashistë si dhe të bashkëpunimit të forcave balliste zogiste, duke i shoqëruar me dokumente arkivore të organeve të larta shtetërore. Dua të nënvizoj se ju zoti Uran Butka në asnjë rast nuk u jeni referuar dokumenteve në Arkivën e Shtetit prandaj shkoni atje i studioni dhe pastaj shkruani se si gjoja na paskan luftuar prindërit tuaj dhe mos na shisni gënjeshtra me letra dhe kujtime që koloboracionalistët kanë lënë, ato nuk janë të vërteta dhe të besueshme për lexuesit. Në një letër që Abaz Ermenji komandant i fuqive kombëtare të Ballit Kombëtar i shkruante Këshillit Nacional çlirimtar të katundit Zheban Skrapar në prag të operacionit të Dimrit shkruante: “… Ju lajmërojmë se fuqitë tona Kombëtare po bëjnë një shëtitje të gjithë katundeve të Skraparit duke përzënë të gjithë këtej italianët dhe kriminelët terroristë që e hedhin popullin tonë në vëllavrasje… Populli i Skraparit ndau nga aventurierët komunist që duan të përgatisin varrin e Shqipërisë. Ne vijmë me fjalën e vëllazërimit dhe duam të bëjmë bashkimin e gjithë popullit të Skraparit. Ai katund që hedh një pushkë kundër ushtrisë sonë do të jetë përgjegjës. Është një popull i tërë dëshmitar i asaj periudhe historike se kush luftoi kundër pushtuesve nazifashist dhe kush bashkëpunoi me armiqtë dhe luftoi kundër luftëtarëve dhe popullit. A nuk ishin baballarët tuaj si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Ali Këlcyra, Kadri Cakrani, Safet Butka, Hysni Lepalani, Muharem Bajraktari etj. që kanë udhëhequr operacionet famëkeqe nazifashiste të cilat dogjën shkatërruan shtëpi e fshatra të tëra që u masakruan qytetarë të pafajshëm. Pjesë nga Urdhri i operacionit të kryetarit të organizatës Ballit Kombëtar Mit’hat Frashëri. “…Që të ketë sukses operacioni duhet të lëvizin edhe fuqitë e juaj i shkruante Abaz Ermenjit, në drejtim të Skraparit, pasi Kalaja e komunizmit është ai blloku i Malësisë që përfshin komunën e Potomit(Skrapar) Opar e Vithkuq. Të shtypet një herë e përgjithmonë Lëvizja Antifashiste Nacional çlirimtare. Shqipëria e Shqiptarëve Vdekje tradhtarëve. Balli Kombëtar-Komiteti Qendror. Ndërkohë Abaz Ermenji në krye të forcave balliste në Skrapar megjithëse deklaroj se ne vijmë për të luftuar italianët dhe territoret kombëtare në fakt ai bashke me nazistët dhe Ballistët marshuan ne këto fshatra të Skraparit dhe masakruan e vranë 104 vetë. Vetëm në fshatin Vëlushë u vranë 23 vetë. Populli i fshatit këndon:

Ç’bëri Balli këtë radhë

Në Skrapar solli gjermanë

Në Vëllushë sapo vanë

23 burra vranë.

Gjatë gjithë viteve të LANÇ, nuk është vetëm Skrapari por janë me dhjetëra fshatra të tjera që janë vrarë e masakruar nga nazifashistët e krerët e Ballit Kombëtar dhe këto krime makabre nuk mund të mbulohen, ato janë kryer dhe sot për të shpëtuar prindërit e tyre pinjollët e Ballit si Uran Butka etj. mundohen që ti nxjerrin të larë. Por, kjo nuk mund të ndodh as sot as mot sepse historia ata i ka dënuar si humbës e tradhtarë dhe partizanët si luftëtar dhe fitimtar.

Komandat gjermane pohojnë pjesëmarrjen e forcave balliste në operacionet e tyre, por ndërkohë theksojnë se ata “janë në gjendje inferioriteti kundrejt partizanëve, si në pikëpamje ushtarake ashtu edhe në pikëpamje organizative. Dhe ajo që është paradoksale qëndron se Presidenti i Republikës zoti Bujar Nishani duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet e shtetit, ka mbajtur qëndrim armiqësor e të pa pranueshëm ndaj LANÇ e vlerave historike të saj duke dekoruar e vlerësuar gjoja meritat që paskan Krerët e Ballit Kombëtar kur mbarë populli shqiptar e di fare mirë se ata janë tradhtarë. Se kush është ky kontribut i pamohueshëm me vlera atdhetare për Mit’hat Frashërin, Abaz Ermenji, Kadri Cakrani e koloboracionistë e tjerë të cilët bashkëpunuan me nazifashistët dhe u vunë në shërbim me pushtuesit kundër aspiratave të popullit për liri populli e di fare mirë se ata janë tradhtare. Ja pra ky dekorim i kriminelëve është vepër e politikës e Presidentit i cila i kundërvihet popullit. Ai do të marrë jo vetëm mallkimin e urrejtjen por edhe goditjen e popullit qoftë ky edhe President. Presidentët venë e vijnë janë të përkohshëm, populli është i përhershëm. Ai gjykon dhe u jep hakun që i takon secilit. Pas çlirimit të Beratit, me gjakun e rreth 50 shokëve efektivë Brigadës ju ngarkua detyra të tjera më rëndësi.

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm për të kaluar në veri, Brigada çau përmes luftimesh për një muaj rresht, nëpër Sulovë, Belsh, Çermenikë, Malëshovë të Tiranës të Matit, të Mirditës, duke inkuadruar Divizionin e dytë sulmues. Shkroi faqe të tjera heroizmi në luftimet në ShënPal, Gëziq e Mirditë. Rreth 300 të vrarë e të plagosur nga forca gjermane dhe shpartallimi i plotë i forcave reaksionare, ky ishte fundi i armiqve në këto beteja. Nga ne ranë heroikisht 60 luftëtarë trima, të vrarë e të plagosur në ballë të sulmit. Gjaku i derdhur fjala e zjarrtë e partizanëve, hodhën dritë në mendjen e njerëzve të varfër dhe i lidhën ata më fortë me LANÇ. Partizanët e Brigadës së 7-të i shkaktuan humbje të rëndë armikut që tërhiqej nga Tirana drejt Shkodrës. Veç të tjerave i shkatërroi 100 automjete. Çliruan Lezhën, spastruan Zadrimën nga forcat mercenare dhe më 29 nëntor 1944 Brigada e 7-të mori pjesë në çlirimin e Shkodrës duke kontribuar kështu në fitoren historike të popullit tonë. Luftime të ashpra e të përgjakshme bëri Brigada e 7-të në shtator 1944 për çlirimin e qytetit të Beratit sulmi shpërtheu i fuqishëm nga gjithë periferia dhe i tërë qyteti u ndezën flakë e zjarr. I ndodhur përballë rrezikut të asgjësimit armiku kërkoi ndihmë. Forca të konsiderueshme erdhën nga Kuçova, Ura Vajgurore dhe Fusha e Aviacionit të mbështetur nga artileria e aviacioni dhe të shoqëruara me tanke e autoblinda. Armiku kishte vendosur të rezistonte me çdo kusht, por asgjë nuk i qëndroi dot dhe sulmit partizan. Luftohej lagje më lagje e rrugicë më rrugicë. Qytetarët beratas u dhanë partizanëve një ndihmë të madhe, u treguan ku ishin strehuar armiqtë, i udhëhoqën nëpër rrugët e rrugicat e qytetit, tërhiqnin partizanët e plagosur dhe i futnin nëpër shtëpitë e tyre. Armikut po i shtrëngohej gjithnjë e më shumë laku i zjarrit. Ai u detyrua të tërhiqej duke lënë në fushën e betejës shumë të vrarë e të plagosur dhe duke i vënë zjarrin qytetit i cili shpëtoi nga shkatërrimi vetëm në sajë të përpjekjeve të përbashkëta të partizanëve e të popullit. Kapituj të tjerë heroikë, shkroi Brigada e 7-të Sulmuese krahas formacioneve të tjera partizane ku me urdhër të shokut Enver Hoxha e ndoqi armikun këmba këmbës për të kontribuar në çlirimin e vëllezërve të nja gjaku në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi si dhe për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë.

Në këtë marshim përmes dimrit të egër, me frymë të lartë revolucionare, partizanët e Brigadës së 7-të treguan edhe një herë forcën e idealeve partizane dhe të frymës së solidaritetit .

Krah për krah me vëllezërit tanë shqiptarë dhe partizanët jugosllavë, ata i dhanë grushte dërmuese nazizmit dhe reaksionit. Nga 12 dhjetori i vitit 1944 deri më 7 shkurt 1945 Brigada e 7-të Sulmuese me Brigadën e 6-të e të 22-të realizuan një serë betejash të përgjakshme edhe trup me trup me armikun siç ndodhi në kodrat e Suhagorës. Ato e ndoqën armikun gjer në çlirimin e Vishegradit duke lënë në fushën e nderit 104 dëshmorë. Kudo që kalonin në Mal të Zi, në Bosnje e Sanxhak, në Kosovë e Maqedoni partizanët heroik shqiptar fituan dashurinë dhe respektin e madh të vëllezërve të tyre shqiptarë e të vetë popullit Jugosllav. Në këtë vit jubilar të 77 vjetorit të formimit të Brigadës së 7-të Sulmuese ne kujtojmë e festojmë me madhështi rrugën luftarake që kjo brigadë ndoqi për çlirimin Kombëtar dhe njëkohësisht të ndihmës vëllezërve kosovarë dhe të popujve të Jugosllavisë. Atje me gjakun e derdhur, janë rrënjë e lirisë e të përparimit shoqërore. Vitet do të kalojnë por kujtimi i heroizmit e i trimërisë partizane do të mbetet i pavdekshëm e do të na frymëzojë në rrugën tonë.