Idhomene Bratko, miku i Fan Nolit, alfabetit dhe çlirimit të Korçës

783
Sigal

Idhomene Bratko, ithtar i Fan Nolit – Pjesëmarrës në mitingun e shkronjave shqipe dhe Luftën Nacionalçlirimtare

Maksim Bratko: Im atë, njeriu që përgatiti flamurët për çlirimin e Korçës, vdiq si patriot


Nga Vepror Hasani

“Babai im, Idhomene Bratko ishte njeri i heshtur, nuk i pëlqente lavdia, më shumë se çdo gjë tjetër dëshironte të vdiste si patriot, pa asnjë privilegj, dhe i tillë vdiq, më 10 dhjetor 1974, kur ishte 78 vjeç.” rrëfen Maksim Bratko. “Korça e përcolli me nderim dhe respekt. Dhe kaq mjafton për çdo njeri që largohet nga kjo botë. Edhe sot e kësaj dite mbahet mend për atdhedashurinë dhe sinqeritetin e tij. Çlirimin e Korçës e priti me ngazëllim të madh. Në atë kohë ishte kryetar i Komitetit Nacionalçlirimtar. Kur çlirimtarët hynë në qytet, më 24 tetor 1944, ai kishte bërë gati qindra flamurë për festën e lirisë. Gjithçka u përgatit në shtypshkronjën ‘Pepo’. Flamurët u qëndisën nga vajzat dhe gratë e Korçës. Gjithashtu u bënë gati edhe 5.500 shami të kuqe për tri brigadat që morën pjesë në çlirimin e Korçës. Atë ditë gjithçka ishte kuq e zi. Nuk kishte më bukur. “Im atë ishte biri i një furrxhiu, Ligor Bratkos, patriot edhe ai, bashkëpunëtor i Themistokli Gërmenjit, Goni Katundit, Sotir Pecit, Nasi Themelit, Kristaq Zografit etj; dëshironin një Korçë të lirë, larg ndikimeve turke dhe greke. Kur u çlirua Shqipëria, babait i thanë të bëhej anëtar partie, por ai nuk pranoi. I dukej si privilegj. Dëshironte të ishte si gjithë të tjerët. Sot më duket shumë i çuditshëm shpjegimi i tij, por askush nuk e keqkuptoi, askush nuk ia mori si shenjë që s’e donte partinë. Për një refuzim të tillë mund të të arrestonin, por me tim atë të gjithë ishin të mirëkuptuar. Megjithatë nuk e kaloi aq lehtë.”

Babai, pjesëmarrës në mitingun e shkronjave shqipe

“Mirëkuptimi kundrejt babait ishte i mirëqenë, sepse banorët e qytetit të Korçës e njihnin jetën e tim eti, ndaj besonin te fjala e tij. Më 14 shkurt 1910, kur ishte 14 vjeç, im atë, mori pjesë në mitingun e shkronjave shqipe. Thirrja e tyre ishte: “Shkronjat tona do t’i mbrojmë me gjakun tonë!” Për këtë arsye shkolla qytetëse greke e përjashtoi nga shkolla. Im atë u regjistrua në mësonjëtoren shqipe të Korçës. Po atë vit u bë pjesë e “Bandës Liria”, luante në instrumentin Alto N. L; jepnin koncerte falas për qytetin, organizonin festa, shkonin nëpër dasma etj. Kur mësonjëtorja shqipe u mbyll, punoi si furrxhi bashkë me të atin, pasi nuk i përballonin dot nevojat ekonomike. Në vitin 1912 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për 7 vjet punoi në fabrika dhe dyqane. Aty u njoh me patriotët shqiptarë. U bë anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Bashkë me ta ishte i pranishëm në çdo veprimtari që organizohej në të mirë të Shqipërisë. Atdhetarizmi i tij ra në sy të të gjithëve. E zgjodhën sekretar të degës për disa qytete të Amerikës dhe arkëtar të shoqatës. Ndërkohë ishte edhe anëtar i shoqërisë korçare “Arsimi”. Në vitin 1914 u bë pjesë e nismëtarëve për krijimin e grupit vullnetar ushtarak në Natick Mass. Falë përkushtimit të tij e zgjodhën sekretar të këtij grupimi. Krijimi i grupeve vullnetare ishte nismë e shoqërisë “Vatra”. Ata do të vinin në Shqipëri për të ndihmuar ngritjen e shtetit shqiptar me princ Vidin. Edhe gjatë kësaj kohe, ai punoi kokulur, pa kërkuar ndonjë privilegj nga askush. Ishte i vërtetë në gjithçka bënte.

Ndihmoi financiarisht nismat atdhetare

Falë përkushtimit të tij në punë, mundi të sigurojë të ardhura të mjaftueshme. Asnjëherë nuk u tregua dorështrënguar kur bëhej fjalë për atdheun. Financoi nismat e atdhetarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte koha kur fqinjët kërkonin copëtimin e Shqipërisë. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore (1914-1918), në korrik të vitit 1919, kur udhët u bënë të kalueshme, u kthye në Shqipëri bashkë më një grup vullnetarësh të armatosur. Armët i kishin siguruar në Itali. Në kapelat e tyre shkruhej: “Ja vdekje, ja liri”. Me të mbërritur në Korçë, bashkë me patriotë të tjerë të Korçës, u vunë në mbrojtje të rrugëve Ersekë, Gorë, Opar dhe Pogradec., pasi ende ekzistonte frika nga ndonjë sulm i papritur i grekëve, të cilët kërkonin Korçën dhe krahinën e saj. Megjithatë, Shqipëria kishte nisur të stabilizohej. Gjatë viteve 1919-1924 punoi si sekretar i Policisë së Tregut në Korçë, më pas ndihmës llogaritar i Financës dhe gjetkë.”

Babai im ishte ithtar i Fan Nolit

“Babai im, Idhomene Bratko, ishte ithtar i Fan Nolit. Kjo ishte dhe arsyeja që në vitin 1924 u rendit me nismëtarët e tjerë për formimin e degës së shoqërisë “Bashkimi” në Korçë. E zgjodhën arkëtar të kësaj shoqërie. Në dhjetor të këtij viti, si një nga drejtuesit e shoqërisë “Bashkimi”, bashkë me anëtarët e shoqatës dhe pjesëtarë të bandës “Vatra”, (rreth 50 veta), krijuan trupën vullnetare të armatosur dhe shkuan në Vlorë në mbrojtje të revolucionit demokratik të Fan Nolit, por i sulmuar nga forcat e Ahmet Zogut, më 24 dhjetor qeveria e Nolit ra. Babai im nisi të shihej me sy jo të mirë nga përkrahësit e Zogut, dhe gjetja e një pune u bë e vështirë. Megjithatë, im atë që nga viti 1920 deri 1930 qëndroi pranë shtypshkronjës së Dhori Kotit, sepse Dhorin e kishte kunat. Gjatë viteve 1924-1928, kur Zogu ishte president dhe më pas mbret, pati mundësinë të shkruajë vjersha, artikuj satirikë për qeverisjen e Zogut, përkthime nga letërsia përparimtare e kohës dhe pjesë nga romani “Nëna” e Maksim Gorkit, si “Kurbatka e bukur” etj. Ai ishte njohës i mirë i gjuhëve anglisht, frëngjisht, italisht dhe greqisht. Nuk u pajtua kurrë me mbretërinë, adhuronte republikën. Im atë mbahet mend si pjesë e të gjitha shoqatave sportive dhe kulturore. Ai ishte edhe një nga themeluesit dhe sekretar i shoqërisë “Vëllazëria”, dhe një nga nismëtarët për dërgimin e një peticioni në adresë të mbretit Zog, për mosnjohjen e rezultatit të ndeshjes së futbollit Korça-Tirana, për të cilën pati shumë kontestime.”

Pjesëmarrës në Luftën Nacionalçlirimtare

“Në vitin 1942 mori pjesë në Luftën kundër pushtuesve. U zgjodh anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar që nga dita e parë e krijimit të tij, kurse në gusht të vitit 1944, e zgjodhën kryetar. Edhe gjatë kësaj kohe nuk ishte anëtar partie. Pas çlirimit u zgjodh kryetar i Këshillit të Luftës Nacionalçlirimtare të qytetit. Megjithatë, 3-4 vjet pas çlirimit, më 1947-1948, nisën të thuren intriga, pati nga ata që shfrytëzuan mospranimin e babait për të hyrë në parti dhe, me qenë se detyra e kryetarit të Këshillit Nacionalçlirimtar e kërkonte drejtuesin e saj anëtar partie, e hoqën nga ky post. E emëruan përgjegjës të seksionit financiar të rrethit, por pas dy vjetësh, më 5 mars 1950, e hoqën edhe nga kjo punë. Mbaj mend që babai nuk u trishtua, ai kishte vendosur të vdiste si patriot. E çuan si drejtor të Muzeut të Korçës. Pasi punoi disa vjet atje, kërkoi daljen në pension të parakohshëm si patriot i Rilindjes dhe Luftës Nacionalçlirimtare. Ndoshta i druhej ndonjë largimi tjetër nga puna. Kërkesa iu pranua. Më 17 maj 1952, me vendim nr 278 të Këshililt Ministror iu lidh pension me titullin “Pension për merita shërbimi me motivacion për shërbimet e jashtëzakonshme që i ka sjellë shoqërisë dhe pushtetit si patriot i Rilindjes Kombëtare dhe Revolucionit Popullor (i njëjti pension iu dha atë ditë edhe për patriotët korçarë Emin Kaçani dhe Muharrem Butka).”

Iku nga kjo jetë si patriot

“Kur mbushi moshën për të dalë në pension, megjithëse pensioni i punës ishte dyfish më i lartë se pensioni patriotik, përfshi këtu edhe 120 lekë të reja të Luftës, nuk pranoi ta ndërronte. Preferoi të mbante deri në fund të jetës së tij pensionin e patriotit. Jeta e tij edhe sot e kësaj dite mbetet e nderuar dhe e respektuar nga bashkëqytetarët dhe miqtë e tij U largua nga kjo jetë si patriot i vërtetë.”, përfundoi rrëfimin e tij, Maksim Bratko, biri i patriotit Idhomene Bratko.

Veprimtaria e Idhomene Bratkos:
 
Më 15 gusht 1943 mori pjesë në formimin e Brigadës I në Makërz të Vithkuqit si

përfaqësues i rrethit të Korçës dhe Këshillit Nacionalçlirimtar të qytetit dhe i dorëzoi komandantit të Brigadës I-, flamurin e qëndisur nga Ollga Treska

  • Sipas intervistës së Naxhie Dumes, ka marrë pjesë në Konferencën e Pezës
  • Në mjaft legjislatura ka qenë anëtar i Këshillit të rrethit të Korçës
  • Mori pjesë në Komisionin për përgatitjen e Konferencës së parë të Veteranëve të Luftës

Nacionalçlirimtare të Shqipërisë

  • U zgjodh anëtar i Komitetit të Përgjithshëm të Veteranëve të Shqipërisë nga Konferenca

e parë deri në ditën e vdekjes, më 10 dhjetor 1974.

  • Mori pjesë si patriot i Rilindjes në festimet e 50-vjetorit të Pavarësisë, në Vlorë 1962, duke

përfaqësuar veteranët e rrethit Korçë.

I dekoruar me urdhra dhe medalje:

Urdhri i Flamurit, 9 gusht 1945

Medalje e kujtimit 7.6. 1951

Medalje e Trimërisë 5.2. 1953

Medalje çlirimit 4.10.1954

Urdhri për merita të veçanta 14.12 1965

Urdhri i Lirisë 27.11 1957