Hyqmet Zane: Nga çlirimi i Shqipërisë deri në rilindjen e diktaturës, 75-vjet

566
Sigal

Fasada e qeverisjes me femra dhe të rinj, duket si fasada e pallateve që suvatohen dhe nuk ua ndryshon dot vjetërsinë 

Nga çlirimi i Shqipërisë deri në rilindjen e diktaturës, 75-vjet

Nga Hyqmet Zane

Edhe pse kanë kaluar 75 vjet pas çlirimit të Shqipërisë, gjendemi në një pikë kritike me sjellje jo dinjitoze për një vend që ka shumë halle të mëdha. Kush nuk e ndjeu dhe nuk e gëzoi çlirimin e Shqipërisë në atë nëntor të lavdishëm. Kontributet e heronjve dhe dëshmorëve dhe mijëra luftëtarëve që rrokën armët kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, janë themele mbi të cilën u mendua se do të ngrihej “Shqipëria e lirë dhe demokratike” siç ishte parulla e kësaj lufte shumë e drejtë dhe e përqafuar nga populli atdhedashës. Të gjithë luftëtarë dhe popull u kthyen me shpresën e ndërtimit të vendit, siç bënë edhe populli gjerman më të dëmtuarit materialisht dhe psikologjikisht, me humbje njerëzore dhe të dëmtuar moralisht nga ajo luftë vrastare. Fryma e shpresës për të ardhmen u manifestua kudo në ndërtimin e urave dhe rrugëve, në hapjen e tuneleve dhe shtrimin e hekurudhave, në hapjen e tokave të reja dhe kooperativizimin e bujqësisë, në ringritjen e fabrikave dhe stabilizimin e jetës në çdo shtëpi shqiptare. Këndohej në atë kohë : “Hajt të punojmë, / djersën ta kullojmë, / se ndërtojmë / Shqipërinë e re”. Dhe përfundimi ? U ndërtuan vërtet, edhe hidrocentrale që edhe sot i shfrytëzojmë me sukses, u thanë këneta dhe u mbollën shumë plantacione, u shtuan hekurudha dhe rrugët, qytetet u rindërtuan dhe u ndërtuan edhe qytete të rinj, u tha që “t’i qepemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si edhe fushat”, edhe pse u bë prishje e ekosistemit natyror të njohur shkencërisht. Por gjithsesi pati një jetë të dukshme që njerëzit e përjetonin dhe popullsia u rrit, mirëqenia filloi të mirëkuptohej. Megjithëkëtë, ana e dukshme e medaljes, kishte edhe të padukshmen që fshihej nga sistemi dhe që pati një ndikim të konsiderueshëm në vijimësinë e të ashtuquajturave “me fitore nga pesëvjeçari në pesëvjeçar”. Tanimë ajo kohë kishte ligjet e veta të cilësuara staliniste që, përkundër shteteve të tjera të Europës Lindore që gjithashtu dolën me pasoja nga lufta, Shqipëria u zhyt në një batak të paparë deri tek tollonat, arrëzat e tufëzat që çuan në falimentimin e ekonomisë.

Sot pas 75 vjetësh….

Pikërisht sot në këto ditë të pushtetit të ashtuquajtur të “rilindjes” si ide  dhe praktikë e kryeministrit Edi Rama, me vepra po tregohet se jo që nuk po ndërtojmë demokracinë, por po rivendosim diktaturën, ku anarshia në çdo sektor jetik dhe sidomos në politikën e vendit, është bërë bashkudhëtar i pandalshëm 30-vjeçar. Duket e rëndë ta mendosh dhe ta shprehësh kështu, por “nuk ka se farë të bëjë shkrimtari, kur faktet flasin vetë”, ka thënë Balzaku. Në gati 7 vjet kemi një risjellje në skenën e politikës të njerëzve të vjetër në drejtimin e shtetit ku vetëm në Parlament ka nga ata që bënë diktaturën dhe i qëndruan besnik asaj që nga kreu i Kuvendit e deri tek baba Taku, që nga ish pionierët e Enverit e deri tek nipat e mbesat e “bllokut” që qeverisin me mendësi diktatoriale që ka kapur drejtuesit e qeverisjes dhe nomenklaturën e PS me fshatarizimin e gjithçkaje dhe pushtimin e çdo institucioni. Nga ana tjetër fasada e qeverisjes me femra dhe të rinj, po duket si fasada e pallateve që suvatohen dhe nuk ua ndryshon dot vjetërsinë  e ndërtimit dhe që mbeten gjithnjë potencialisht të rrezikuar të shemben nga “tërmetet” e një mendimi që kërkon zhvillim e jo donkishotizëm.

Rrëmuja institucionale, emërimet sipas modelit “Balla” që interesohet të dijë për çdo vend pune që mund të hapet se ka militantët e vet për t’i punësuar, pa pyetur për shkollimin apo nivelin, pa pyetur për aftësitë dhe kur ndodh tërmeti real, ai shemb gjithçka dhe ua nxjerr lakrat e punëve me paaftësi dhe me idiotësi. I thonë një fjale të urtë “çfarë të të kujtoj moj hudhër, të djegurën apo të qelburën”. Kështu do e krahasoja qeverisjen e sotme, që jo vetëm nuk ke se çfarë t’i përmendësh, por më keq akoma që rruga e së keqes që po gjeneron në këtë vend po kap çdo institucion, qoftë të drejtësisë po e epo sa bën muuuu fakti që njerëzit e ish sigurimit apo hetues të diktaturës po vendosen në krye të institucioneve që pretendohet se janë të reformuara. Apo të flasësh për koncesionaret me PPP (Partneriteti Publik Privat) që po i zhvat shqiptarët dita ditës. Apo mos duhet të flasim për pushtetin e drogës, të trafikantëve të plantacioneve, të kokainave apo të laboratorëve që kapen nga të huajt dhe që mbulohen nga drejtësia e kapur e rilindjes qeveritare.

Modeli i shprehjes “gënje, gënje se diçka do  mbesë” duket sheshit që nga kreu i qeverisë që jo vetëm gënjen, por në emër të gënjeshtrave që bën do të duhet të besojmë se kemi hyrë në Bashkimin Europian, do të duhet të besojmë se nuk ka eksod të rinisë dhe boshatisjes së vendit nga e keqja që i ndjek këmba këmbës ?! Do të duhet të besojmë se papunësia është ulur dhe niveli i jetesës është rritur ?! Do te duhet të besojmë se krimi është ulur me statistika dhe kriminelet nga rruga nuk janë futur në parlament ?! Do të duhet të besojmë se paratë e solidaritetit popullor nuk po vidhen, edhe pse nuk po ndërtohet asgjë dhe të mjerët njerëz i “gëzohen” pranisë së kryeministrit si xhol dhe nuk i gëzohen dot një ndihme që nuk dihet nga do u vijë ?! Duket se të vetmit që e besojnë kryeministrin tonë janë armiqtë tanë të vjetër e të rinj, janë Vuçiçët e politikës së vjetër që dinë ta përpunojnë mendjen e një paranojaku dhe të bëjnë me të si tu dojë qejfi, edhe pse Europa habitet me Shengenin ballkanik, edhe pse Kosova nuk merr pjesë se e quan tradhti, edhe pse protestohet dhe policia i rreh protestuesit.

Në vend të epilogut

Do të doja të kujtoja se këtë vit jubilar të 75 vjetorit të çlirimit ne u pushtuam nga një e keqe prej Zotit më shumë si dënim për ti nxjerrë të palarët e ndërtimeve dhe punëve të paudha të vangjushëve me shokë që kryeministri ynë jo vetëm nuk po i dënon, por bën lojëra fjalësh me mbrojtje personale të Gjushit sot, ashtu si të Sajes dje, si të Ahmetajt sot, ashtu si edhe të ish kryebashkiakut socialist të Kavajës dje, që është hedhur në sulm të justifikojë ligjin antimedia, ashtu si dikur neni 55. Përkundër të tjerave, del sheshit se inatin kryeministri ynë i rilindjes së diktaturës e ka me Arben Malajn që thotë të vërtetën me bankat dhe kërkon të mbulojë se gjobat e mëdha që i ka dhënë Strasburgu kohë pas kohe janë shuplakat e drejtësisë që e para si sëpatë duhet të bjerë mbi shkatërruesit e shtetit me tipa lapangjozësh dhe lakenjsh, servilësh dhe të poshtërsive të të gjitha kategorive dhe mundësive që u jepen të bëjnë bijtë bastard të etërve dinakë që nga çlirimi i Shqipërisë e deri në 75-vjetorin e tij, ka një kurb degjenerimi të pushtetit që ka vrarë dhe vjedhur gjithçka që ka vlerë në këtë vend.