E gjithë Vlora në një libër të vetëm. Gazetari vlonjat Ergys Alushi, vjen me botimin e tij të dhjetë

756
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

 “Vlora, rrugëtim përmes natyrës dhe historisë”, natyrë dhe histori së bashku

Gazetari vlonjat Ergys Alushi ka promovuar në një nga lokalet e njohura të qytetit, librin “Vlora, rrugëtim përmes natyrës dhe historisë”.
Ishin të ftuarit e gazetarit miq e dashamirës të krijimtarisë së tij, emra të njohur në qytet si, artistë, shkrimtarë, historianë, arkitektë, gazetarë, pedagogë e deputetë të parlamentit shqiptar, Ilir Metaj, Vullnet Sina e Vilma Bello.

Folësit kanë vlerësuar punën kërkuese studimore të gazetarit, i cili botim pas botimi po sjell libra që kanë një rëndësi të madhe për historinë e Vlorës dhe personazhet historike të saj, në fusha të ndryshme të jetës. Ky është libri i tij i dhjetë që botohet në një periudhë më shumë se 10- vjeçare, ku përfshihen zhanre të ndryshme si romani (“Prostitucion në lidhjen e shkrimtarëve”), publicistika (“Monica, të keqen”), histori (Përse në Vlorë?), monografi (“Numri 7” e “Legjenda 50000 tonë”) e të tjera.

Libri “Vlora, rrugëtim përmes natyrës dhe historisë”është më shumë se një guidë e thjeshtë, ku janë gërshetuar në një libër të vetëm natyra e bukur e bashkisë Vlorë, zonat turistike, monumentet e natyrës e të kulturës si dhe historia e qytetit të Vlorës, që nga koha kur qyteti është përmendur për herë të parë, e deri në ditët e sotme ku, tregohet për qendrën historike të qytetit dhe shëtitoren përgjatë bregdetit.
Libri ka 336 faqe, me më shumë se 110 kapituj të ndryshëm, të përkthyer të gjithë në anglisht e të ilustruar me rreth 280 foto, të vjetra e të reja nga qyteti.

Kushtim

Ky libër është kushtesë për historianin, arkeologun, studiuesin dhe njeriun e mirë, Novruz Barjamaj. Një libër i tillë ishte ideja e tij, vetëm pak muaj para se të ndërronte jetë. Pra, siç ma shpjegoi, një përpjekje për të rikthyer kujtesën për Qendrën Historike të Vlorës, për ngjarjet, ndërtesat, njerëzit e shquar të qytetit.

Eshtë një mirënjohje për të gjithë arkeologët, historianët, studiuesit, të cilët ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për zbulimin, evidentimin dhe pasqyrimin në botime të ndryshme të historisë së Vlorës, mbitokës, nëntokës e nëndetit. Botimet e shumta të këtyre njerëzve me vlera, në gazeta, revista shkencore, studimore dhe libra, si dhe të arkeologëve dhe historianëve jashtë Vlorës, vendas e të huaj, janë shfrytëzuar për të përgatitur për botim, bashkë me burime të tjera, udhërrëfyesin “Vlora – Qendra Turistike dhe Historike e Shqipërisë”.

Shaban Demiraj, Llambi Durrolli, Vasil Bereti, Neil Shehu, Novruz Barjamaj, Damian Komata, Ruzhdi Begaj, Nasip Xhelili, Lefter Kasneci, Viron Koka, Hasan Ceka, Neritan Ceka, Apollon Baçe, Ilir Gjipali, Niko Pano, Irakli Mitro, Carl Patsch, Leon Rey, Luigi Ugolini, Agim Hametaj,

Kanë thënë për Vlorën:

Sulejman Delvina (ish-kryeministër) -“Dua të më varrosni nën ullinjtë
e Vlorës…”

Mitrush Kuteli (shkrimtar) – “Vlora- Skënderbejada e tretë e kombit
shqiptar…”

Ismail Kadare (shkrimtar) –   “Vlora- kryekështjellë e popullit shqiptar…”

Ali Asllani (ish- kryetar i Bashkisë) – “E kudo që isha e kudo që jam te
këng’ në buz’ të kishja, lot në sy të kamte!”

Lasgush Poradeci (poet) -“Mun në Vlorën e lirisë, N’atë thelb të
Shqipërisë”.

Edit Durham (shkrimtare britanike) – “Pamje më magjike nuk kam parë
kurrë…”

Andrea Varfi (shkrimtar) -“Vlorë, o ylli ynë i rrallë, dhe në heshtje, ti
s’hesht kurrë, ti sërish do jesh në ballë, do të ngresh dhe gurë dhe drurë!”

Alain Ducellier (historian francez) – “Vlora hap detin e madh, dhe sa herë hapet
deti, Shqipëria merr frymë e zhvillohet, mbyllja e detit e tkurr faktorin e detit në
Ballkan”.

Shtjefën Gjeçovi (frat françeskan) – “Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë
kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht
shqiptar”.

Justin Godard (politikan francez) – “Vlora është qytet patriot, një qendër e
veprimit demokratik”.

Halim Xhelo (mësues) – “Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë,
Shqipëria e re, ka një Labëri e Qafat e Koçiut”

Petro Marko (shkrimtar) – “…se n’atë tokë fle një fis, q’u ngrit në shekuj valë,
për nderin e Lirisë…”

Dritëro Agolli (poet) – “Pa atje në Vlorë mes ullinjve m’u fanit një qiell i madh
i gjelbër, qiell të tillë, ndritur prej florinjve, kurrë s’kisha parë herë tjetër”

Përmbajtja e librit

Libri përmban mbi 110 kapituj duke filluar me vendndodhjen e qytetit të Vlorës në hartën e Shqipërisë, pozitën e saj gjeografike, për të vazhduar me Vlora ndër shekuj, Muret e Aulonës antike (Sheshi i Flamurit), Vajza aulonase, Kur Republika e Venedikut dhe Perandoria Osmane luftonin për marrjen e Vlorës, Vlora, qytet i ndërtuar përgjatë një lumi, Kur Cezari e Pompeu luftuan në Shqipëri për pushtetin e Romës, Tempulli i Dioskurëve në Grammata, Lufta Kombëtare e Vlorës e vitit 1920, Presidentit amerikan Wilson tregon interes për Vlorën,  Shoqëria ”Dora e Zezë për shpëtim”, Drama “Vdekja e Pirros”, Vrasja e aktorit berber Llukë Papajorgji, 4 topat, Banka Kombëtare Tregtare, Drejtori Italian i bankës i arrestuar nga komunistët, Dekovili i Vlorës, Aeroplanët në Shqipëri, Kur Duçe vizitonte Vlorën, për t’u mbyllur me histori për sportin, kinemanë, piktorët, fotografët e veshjet karakteristike.

Libri i kushton një vëmendje të veçantë historisë së qytetit, duke  shkruar e treguar me foto për lagjet më të vjetra të saj, sheshet, godinat e personazhet që kanë jetuar në to, si dhe për ngjarjet që kanë patur jo vetëm karakter lokal por edhe kombëtar.
Lagjia “Karabash”, “Tophana”, “Muradie”, “Vrenez”, “Çerekçi – Varroshi” “Lagjia e Re – Partizani” dhe “Shesh Pashai”, janë lagjet e vjetra të qytetit të Vlorës.
Lagjia “Vrenez” është quajtur e tillë në kujtim të Evrenozit, që në verën e vitit 1417 hyri në Vlorë dhe bashkë me ushtrinë e tij u vendos në këtë zonë të qytetit.
Lagjia “Muradie” e ka marrë këtë emër në kujtim të sulltan Muradit.
Lagjia “Varrosh” do të thotë vendi hapur
Lagjia “Tophana” është quajtur kështu nga vendi ku vendoseshin topat.
Lagjia “Karabash” do të thotë “kokë zi”
Lagjia “sheshi i Pashait” e ka marrë emrin në kujtim të një Pashai turk që administroi Vlorës prej më shumë se dy dekadash.

Aso kohe lagjet i ndante një përrua, që vinte nga kodra e qytetit e kalonte mes për mes, aty ku ndodhet sot sahati i vjetër i qytetit dhe merkato.
Jeta e qytetit  të Vlorës, tre a katër shekuj më parë, zhvillohej pikërisht në shtëpitë e rrugicat e ngushta, të shtruara me kalldrëm të këtyre  lagjeve ku ishin vendosur dhe të gjitha institucionet e pushtetit, që i përkisnin Perandorisë turke.
Banesat  e vjetra të qytetit janë ndërtuar me një dhe dy kate, me gur natyral dhe në vende të spikatura kanë qenë me gur të gdhendur, të punuara me mjeshtëri. Çatitë janë me trarë druri dhe të mbuluara me tjegulla.

Sot, shumë pak vlonjatë, dinë për historinë, emrat e tyre, godinat, ngjarjet e personazhet e Vlorës së vjetër. Pak dinë për qytetërimin e vjetër të Vlorës, si një “..skelë e parë n’Evropë”, që modelin e jetesës e të zakoneve të Perandorisë Osmane e ka përvetësuar pas vitit 1417, kur u pushtua nga Perandoria më e madhe e kohës, duke ndryshuar stilin e veshjes, të punës e, deri në mënyrën e të menduarit. Elementët perëndimorë të qytetërimit, kanë hyrë në qytet, me pushtimin e Vlorës nga Italia në vitin 1914, e në vazhdim, duke sjellë në jetën e qytetarëve të Vlorës, të tjera realitete të të jetuarit.