Hyqmet Zane: Identiteti i dasmës në Çamëri si mrekulli e papërsëritshme

62
Sigal

Një këndvështrim real i një rituali shqiptar në Çamëri.

Një mik që kishte qenë në Çamëri si turist në këto ditë vere më tregoi se kishte marrë pjesë në njëfestë dhe gjithçka më tha ai ishte dhe bëhej çamërishte. Pyeta, – më tha miku im, – se si bëhen dasmat këtu në Çamëri dhe m’u përgjigjën se janë të bukura dhe me plot ngjyra dhe ritëm, tipike shqiptare si edhe këngët dhe vallet. Menjëherë më erdhi në kujtesë një material që është shkruar nga një person anonim, që ka të shënuar inicialet M. S. Dhe që mendohet të jetë një nxënëse- klasa VII në vitet 1936 – 1937 e Institutit Femnor “Nana Mbretëreshë”. Por më shumë se kaq e rëndësishme është formatimi i këtij shkrimi që flet për “Dasmën në Çamëri” si një ritual si tani në muajin gusht e shtator kur dasmat janë të shpeshta. Duket se është një përjetim nga ndonjë banor i Çamërisë ose nga ndonjë vizitor, që ka rastisur të shohë një dasëm çame.

Pasqyrimi i detajuar i Dasmës në Çamëri

Përfaqësonjësit e të dy palëve mblidhen dhe presin javën. Që të hënën e kësaj jave në shtëpinë e nuses mblidhen fqinjët dhe farë e fisi për t’i vendosur kënanë në kokë vajzës. Kjo punë bëhet në një heshtje të madhe. Dëgjohen vetëm ushtimat dhe ngashërimet e vajzës; por edhe nënës s’i mbahen lotët kur sheh se u mblodhën ditët dhe do të ndahet nga e bija. Plakat e tjera, kur e shohin të përlotur, mundohen t’ia heqin dëshpërimin me fjalë si këto: Ja shih, ja shih, Nikoqirja qan:- U, mos bën ashtu se është gjunah nga Perëndija. Nuk thua shyqyr që ka arritur kësaj dite, po rri e na vajton? Hesht, hesht se nuk është mirë ta nisim vajzën me të qara!

Këto fjalë e ngushullojnë nënën dhe e trimërojnë ta përmbajë veten, por vetëm sa për sy e faqe të botës, se zemra e saj, shpirti i saj, do të ndahet e do ta lërë!

Në këtë kohë shtëpija e dhëndërit gjëmon nga këngët e nga vallet. Atje mblidhen gra e vajza, të cilat mundohen t’ia shkojnë shoqja shoqes në të kërcyer e të kënduar. Burrat e kanë mbas darke gëzimin, se ditën ata janë të zënë me punë. Vëndi ku këta luajnë caktohet në një shesh të ndriçuar me shumë fenerë. Ata kanë pastaj edhe muzikën ase “dhiolitë” siç i quajnë vetë; është një punë e madhe të dëgjosh “hopat” dhe “hisat” e tyre në ato net të bukura vere, kur edhe bretkocat, që rrijnë nëpër pellgjet pranë bërtasin më këndshëm, ndofta të magjepsura nga ato ushëtima hareje.

Kafet, që janë me shumicë, u jipen miqve për t’i nxitur më tepër; ka edhe raki, por kjo u jipet vetëm terjaqijve, pse kush ia del në këto ditë me të pira për një javë të tërë që vazhdon dasma!

Kur burrat kërcejnë, këndojnë, gratë i bëjnë seir nga dritaret. Dhe, siç e kanë zakon, s’pushojnë së kritikuari: uh, desh të luajë edhe aj barkaleç! Nuk rri mbë dhe të shohë e të dëgjojë, po del në shesh që të bëhet turp’ i botës. Por nuk mungojnë të lavdërojnë kur u pëlqen vallja e ndonjërit. “Pah, pah ç’ valle: Kësaj i thonë valle. Lojti sa u këput!”

Dalë nga dalë afron mes’ i natës. Në këtë kohë një tufë miqsh nga ata që kanë shtëpinë me larg, ngrihen të shkojnë. Daleni more burra! Ku veni kaq shpejt? Që me pula do flini?”- Nuk është shpejt!-i përgjigjen ata: edhe pak këndojnë gjelat; nuk është herët. Pastaj duam të vemi në shtëpira se jemi të lodhur e të këputur. Mos u tremb pa nesër e tërë këtë javë këtu na ké!

Jo, për perëndi nuk do të bëni as këmbë që tani. Si të hedhim nga një valle edhe na pleqt, atëhere po. Po jo kaq shpejt sikur u bëmë çilimij”. Duan s’duan, ata kthehen. “tani”.

Rrapo, merrjani një herë burri, burrë, ore Metzhot” se duam të kërcejmë na burrat e shkuar nga mosha, që të shohin këta të rinjtë.” Evgjiti si mundohet nj’ a pak herë për t’ia gjetur avazin kësaj kënge së harruar, e fillon. Pleqtë e përcjellin me zërat e tyre të ngjirura e të çjera. Të rinjtë shikojnë:

Burrë, burrë ore Metzhot,

dita jote është sot.

Prit asqer dhe Ibrahimnë,

Të të shoh në trimërinë.

 

Passi këndohen edhe nj’a dy tri këngë të vjetra të njëhershme, dasma prishet për atë mbrëmje. Të nesërmen ndonjë nga burrat e lagjes që takon të kétë rënë andej pari, qëndron e dëgjon këngët e kënduara me ato zëra të holla, të përcjellura me të përpjekurat e duarve – muzika e grave. Të shfren zemra të jesh mbrënda në këtë rreth të gëzuar. Këngët e ndryshme që kanë të gjitha vallet shqiptare s’kanë mbarim. Dhe secila zonjë a vajzë ka këngën e vet, atë që e luan më mirë, por mbi të gjitha, ajo që këndohet më mirë është kënga e ujdisur posaçërisht për këtë rast dhe për këtë nuse prej këngëtores (bejtexhijes) së famshme të vëndit. Zonja e shtëpisë, e ëma e djalit, pllaks punën dhe vjen shpesh në pragu i derës për të dëgjuar kur këndohet:

Shyqyr o i madh i Zot,

q’erdhi kjo ditë sot!

Që gëzoi këtë shtëpi,

nënën dhe babën e ti!

Kur e shohin shoqet ashtu, ngrihen dhe e marrin për krahu dhe e shtrëngojnë të kërcejë. Kjo s’do, jo për tjetër, por vetëm pse i vjen turp ta shohi bota aq të gëzuar. Mirë po ku të ndahen gratë? Cilën do luajsh Lame, Shamen apo derën me bublece ?”. Jo, jo merrjani më mirë: Fluturoi një fluturollë. Pas këtyre fjalëve qoshqi ushton nga përpjekja e duarve dhe nga kënga e kënduar prej të gjithave. Luan zonja e shtëpisë:

Fluturoi një fluturollë

Mbi penxhere e mbi parmakë

I u qep.. një marke…

Pas kësaj kënge ato më plakat ia marrin:

Thuaja, moj, thuaja,

thuaja se t’u rrit djali!

Kur kërcejnë vashat, gratë e martuara e sidomos ato që kanë djem i hapin sytë e i bëjnë katër, që thonë, se vetëm në këso rastesh i shohin vajzat e huaja. Dhe kështu shumë herë njëra dasmë ndjell tjetrën.

Këto këngë e këto valle vazhdojnë të paprera deri në mbrëmjen e së Djelës. Por të Shtunën e të Dielën bëhet kërcehan’ i madh, shtronet mirazi, dasma. Të Shtunën nga shtëpia e djalit nisen edhe dhuratat (sinitë) e nuses. Në dy sepete të mira hidhen arra, bajame, fiq, sheqerka etj. Mbi këto vihen rrobat q’i dërgohen nuses. Këto i ngarkohen një kali dhe përcjellur prej dy dadave nisen për në shtëpinë e vajzës.

Kur arrin në porta, del t’i presë nëna me t’afërmet e tjera. Nusen e merr të qarët kur dëgjon ardhjen e dadavet. Por kur hyjnë këto mbrënda, e mban vehten. Më e vjetra nga këto ka një letër me llokum në dorë. Merr një copë dhe ia vë në gojë nuses. E ëmbëlson. Ç’mbetet e zbrazët, u jipet të tjerave, që të ëmbëlsohen të gjitha sa janë në dhomë. Pastaj nusen e veshin me rrobat q’i ka dërguar dhëndëri. Dadat, passi e shofin të veshur edhe me këto rroba, që i suallnë vetë, ngrihen e ikin.

Të nesërmen, pastaj, ësht dita që të merret nusja. Në të dy shtëpitë kà drekë. Por meqë në shtëpinë e dhëndërit gëzimi është edhe më i madh, gratë që pregatisin gjellën, këndojnë shpesh:

-Ku verove verën dallandyshe?

-Në oda të dhëndërit dallandyshe.

-Thuajna se ç’bëjnë dallandyshe.

-Kanë dasmë, kanë haré dallandyshe,

marrin nuse të ré dallandyshe.

-Zurmurët e çelurë dallandyshe,

kazanet e ngrehurë dallandyshe.

-Po atje te krushku ynë dallandyshe?

-Janë të helmuar, dallandyshe

-Zurmuret të shuar, dallandyshe

kazanet përmbysur, dallandyshe,

poçet rrukullisur dallandyshe.

Kur shtrohet dreka per grátë, dy-tri shakaxhesha, që bëjnë shërbimin, këndojnë në mes të të tjerave:

Hani bukë e turp mos kini,

thele xhepave mos vini.

Mbas dreke në shtëpia e nuses bëhen pregatitje për të pritur krushqit. Shtrohet sheshi m’i mirë pranë shtëpisë me qylyme e shilte, dhe pregatiten ênë të mëdha me sherbete. Krushqit kur nisen nga shtëpia e dhëndërit, hedhin pushkë. Gjëma e tyre i lajmëron ata të shtëpisë së vajzës të shpejtohen në pregatitjet. Dhe më në fund ja ku duken krushqit. Ata të shtëpisë dalin dhe i presin. Pasi të jenë ulur në vëndin e shtruar për ta, fillon ndarja e sherbetit dhe e cigareve. Shërbetin e japin disa djelm të rinj. Disa nga këta mbajnë shamija të kuqe, të tjerët ibrikët e ndritur me sherbet dhe gotat. Gota e mbushur i jepet krushkut prej dorës së djalit. Ai e gëlltit pa e prekur me dorë fare. Si ta kétë pirë shërbetin, djali tjetër me shaminë e kuqe i fshin buzët. Ky zakon tregon nderin e madh q’u bëjnë krushqvet.

Në këtë kohë, në gratë ku ndodhet dhe nusja e stolisur, është një dalladi tjetër. Një djalë i vogël vete t’i mbathi petkat (këpucët me qafa nuses). Pastaj ata më t’afërmit e shtëpis nxjerrin e shtrojnë përjashta pajën, duke palosur nga ana e qindisur ato jorganet n’ar. Krushqit vështrojnë dhe i numërojnë me kujdes për të parë nëse paja është nga 7 nga 5 a nga 9. Dhe kur është nga shumë, fytyrat u qeshen. Më në fund paja ngarkohet në kuaj dhe këta nisen përpara. Në portë të shtëpisë, nganjëherë edhe mbrënda fare, hyn një kal i bardhë, kali i nuses. Pas pak ja ku na del ay i mbuluar prej kurtines (rrobe e kuqe në formë thesi). Krushqit e anës së dhëndërit ngrihen atëhere dhe ua hypin kuajve në qoftë se kanë. Si të kenë kaluar këta nja 500-600 metra, nisen dhe përcjellësit e nuses. Nusja e hypur në kalë përpara dhe pas asaj të tjerët. Pranë saj rri i vëllai ose i ungji, që e mban dhe e këshillon ta pushojë vajin. Me gjithë atë vajzës s’i mbahen psherëtimat. Është punë e rëndë për të ndarja nga sytë e nënës!

Katër djelm i mbajnë të katër kallamat e kurtinës. Në majë të kallamavet si katër bajrakë, fluturojnë katër shamitë, që janë peshqesh për kalin. Me të parë krushqit që sjellin nusen, gratë që janë mbledhur në shtëpinë e dhëndërit, dalin në krye të shkallës duke kënduar:

– Pse měnove more kal?

– Pse vjen nusja duke qarë?

– Me sapun t’ia lash xhevzeně!

– Ç’ke nuse që qan me lot?

– Kam nënën e s’e le dot,

nënën pllaksë mbë dhé.

– Ti nuse hajde me né,

se do Agai kahave,

me sapun t’ia lash xhezvenë,

se të ka rritur beinë,

atë bei timisurinë

fishekllëk qindisurinë.

Te pragu i portës i vëllaj a ndonjë tjetër i afërm e merr më krahë nusen. Kur ay ngjit shkallët, e ëma e dhëndrit e pret me këto fjalë: Miserdhe, miserdhe, miserdhe i feksur” (emri i atij që e sjell nusen). Ky e vë nusen n’oxhak dhe del menjëherë.

Me gjithë njerëzit e tij, ai kthehet në shtëpi. Ndërsa përcjellësit e nuses kthehen kokë – ulur, njerëzit e anës së dhëndërit zënë prap këngën dhe vallen. Në këtë kohë, brënda në qoshkun ku është vendosur nusja, dy djelm të vegjël i afrohen asaj. Njëri vihet t’i nxjerrë potinën e djathtë, ku nëna e vajzës ka hedhur nonjë pare, dhe tjetri i nxjerr nga gjiri shaminë. Këto zakone bëhen që t’i vejë mbarë. Pastaj grátë tundin vendin me këngët edhe vallet: Që të çlodhet e të qetësohet nusja, futet një perde në cep të shtëpisë, se nuk bën ta shohën të huajt ulur e me sy hapur. Kur vjen ndonjë për ta pamun, dy dadat e saj që i kanë dhënë prindërit e i rrinë pranë, e lajmërojnë me njëherë t’ujdiset e të ngrihet në këmbë. Në këtë kohë, në një shtëpi tjetër aty pranë, vjen berberi të ruajë dhëndërin. Grátë, me t’u lajmëruar për këtë punë, ia nisin këngës:

Nxiri e veshi duke qarë

nxir rrobat e djelmërisë,

edhe vish të dhëndërisë.

Se më kurrë s’bënesh djalë,

se hyre në tjetër rradhë,

Do rrish me pleq, me dajallarë.

Pasi hanë darkën, dhëndëri i veshur e i rregulluar sillet përpara hoxhës. Ulet mbë gjunjë përpara efendiut, dhe me kokë ulur rri sa t’i këndojë ay pjesë nga të Kuranit. Me t’u mbaruar kjo lutje, të gjithë me hoxhën në krye, nisën për të shpurë dhëndërin të shohi nusen. Dhëndëri, si e shikon nusen, merr limbat me bakllava, dhe ua nxjerr shokëvet. Pas pak del dhe vetë jashtë. Me këtë rast të gjithë krushqit e afërm kthehen në shtëpira të tyre, ndërsa ata të largëtit flenë atë mbrëma në dyshekët dhe jorganët e rinj të nuses. Dhëndëri vete dhe dehet me shokët në shtëpinë e ndonjë tjetri. Kështu merr fund dasma për t’ua lënë vëndin temenarave dhe puthjevet të duarve, që bëhen nga ana e nuses për gjithë ata që venë ta shohin, cilado qoftë mosha a shkalla e tyre.

  1. S.

(Një nxënëse klasa VII në vitet 1936 – 1937 e Institutit Femnor “Nana Mbretëreshë”).

  1. Kurtina është një rrobë e kuqe, në formë të një thesi të madh, në katër cepat e së cilës janë ngulur katër kallama. Me nji fjalë është një tendë që ta fshehin nusen.
  2. Emri atij që e sjell nusen.