Hyqmet Zane: Gjeneralët shqiptarë që bënë histori ndër shekuj.

134
Sigal

Historia dhe gjuha shqipe e Çamërisë që nga lashtësia përmes fakteve

Në vend të hyrjes

Çamëria shtrihet sot në pjesën veriperëndimore të Greqisë. Pelasgo-Ilirët ishin banorët e hershëm të Çamërisë, kurse mbret i parë ishte Therporti me prejardhje Pellazge. Fiset ilire ishin Molosët, Dodonët, Kasopianet, Efyrianet etj. Çamëria ishte pjesë e Mbretërisë Ilire. Heroi Pirro ishte gjenerali i shquar dhe i mirënjohur heroi i Çamërisë. Sukseset në luftëra e dërguan atë dhe ushtrinë e tij deri në Itali. Besohet që Pirro të jetë i afërm i Aleksandrit të Madh.

Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh në shekullin e katërt p.e.s., Mbretëria e Epirit filloi të rritej. Epiri përbëhej kryesisht prej fisit Ilir të quajtur Molossi. Molossët ishin një fis i fuqishem i cili kishte marrë pjesë edhe në luftën e Peloponezit. Molossët iu bashkuan mbretërisë Ilire, kundër dy aleancave greke, të ashtuquajtura aleanca Achean dhe aleanca Aetolian. Në këtë kohë grekët po zhvillonin luftëra për thërrime nga perandoria e rrënuar e Aleksandrit. Heredoti, historiani më i besueshëm grek njofton se “Epiri është i banuar nga popuj jo-grekë, të cilët flasin një gjuhë “barbare”. Ai shton se këta popuj në një kohë të lashtë quheshin Pellazgë (domethënë më të hershëm se toka). Këta pellazgë njofton Heredoti si edhe Thuqididi, janë ata, të cilët shpikën panteonin e perëndive, të cilin grekët e adoptuan më vonë.

Të dhëna për Pirron

Kur Mbreti Pirro (Pyrrhus) lindi në familjen mbretërore epirotase, ai u urzupua nga një feud familjar, i cili e përndoqi Pirron nga mbretëria Epirotase. Pirroja u detyrua të gjente mbrojtje në mbretërinë mike të Taulantëve, të cilët në atë kohë zotëronin territoret e Shqipërisë qendrore përreth Durrësit. Pasi arriti një moshë të pjekur, Pirroja i mbështetur nga një forcë taulante, pushtoi Epirin dhe përndoqi urzupuesit e tij. Më pas Pirro vijoi të përforconte pushtetin me lidhje martese. Ai u martua me Brikenën, e cila ishte e bija e mbretit të fuqishëm Dardan Bardhyli. Gjithashtu Pirro përforcoi aleancën e tij me fisin e Taulantëve. Pas këtyre veprimeve, Pirro aneksoi territoret Ilire në veri deri në Shkodër (Scodra), si edhe në lindje duke përvetësuar territore në Maqedoni dhe jug, duke pushtuar Greqinë Veriore. Vëmendja e Pirros më vonë u kthye nga perëndimi dhe veçanërisht nga Republika e re e Romës, e cila sapo kishte filluar të zgjerohej. Pirroja kapërceu detin dhe luftoi dy beteja të rrepta me romakët, të cilat i fitoi, por me humbje të mëdha. Fatkeqësisht duke marshuar në një qytet të pushtuar një grua hodhi një vazo lulesh nga një vend i lartë, e cila e goditi Pirron në kokë dhe e la të vdekur.

Pas Pirros erdhën grekët

Vdekja e Pirros ishte një fatkeqësi e paimagjinueshme për botën Ilire. Ai u varros me madhështi si një hero i Epirit dhe si një Aleksandër i dytë. Menjëherë pas vdekjes së tij, Perandoria epirotase u shemb. Shumë grekë, përpiqen ta helenizojnë figurën e Pirros, por kjo gënjeshtër është e kotë, sepse ai kurrë nuk iu bashkua çështjes greke, por gjithmonë luftoi kundër tyre duke pushtuar Greqinë. Pas vdekjes së Pirros, një forcë e re u shfaq në veri të Epirit. kësaj rradhe ishte mbreti Ilir Agron, i cili ngriti flamurin mbi kryeqytetin e mbretërisë së vet, Shkodrës. Agroni e deklaroi mbretërinë e vet dhe shfaqi dëshirën për të vazhduar rrugën e Pirros. Pasi përforcoi lidhjen me Dardanët, Agroni e ktheu vëmendjen drejt jugut. Ai aneksoi territoret e Molossëve, të cilët i kërkuan ndihmë Agronit kundrejt aleancave greke, të cilat u përpoqën të përfitonin nga vdekja e Pirros për të pushtuar territor në Epir. Agroni dërgoi flotën e vet, e cila zmbrapsi dhe shkatërroi forcat greke. Suksesi i arritur në Epir i dha Agronit zemër për të zhvilluar pushtimet në Greqi. Pas disa fitoresh të shpejta të flotës, Agroni dërgoi ushtrinë tokësore nën komandën e Skerdilaidit, e cila mposhti keqazi forcën më të madhe greke të dërguar kundrejt tyre. Grekët filluan t’i trembeshin jo vetëm humbjes së kolonive të tyre si ato të Apollonisë dhe Durrësit të cilat ishin tashmë në duart e Ilirëve, por gjithashtu humbjen përfundimtare të Greqisë. Ata dërguan një seri ankesash drejtuar senatit Romak, duke u ankuar se Ilirët po kërcënonin tregtinë greko-romake, Mirëpo romakët nuk shfaqën interes për fatin e Greqisë pasi ishin të zënë me luftrat e tyre kundër Kartagjenës. Ndërkohë lajmi i fitores së madhe arriti. Agronin, i cili u gëzua aq shumë sa shtroi një banket të madh në të cilin piu aq shumë verë sa pas tri ditësh vdiq.

Pas Agronit vjen Tetuta

Vdekja e mbretit Agron ishte humbja e dytë e njëpasnjëshme pas vdekjes së Pirros, e cila edhe njëherë paralizoi fuqizimin e rrufeshëm të Ilirëve. Por kjo humbje ishte më e madhe se sa ajo e Pirros pasi Agroni nuk kishte asnjë mashkull, i cili mund të merrte frenat e mbretërisë. Pushteti i kaloi automatikisht gruas së tij, mbretëreshës Teuta. Fitoret e njëpasnjëshme të ushtrisë ilire vazhduan në Greqi nën mbretëreshën Teuta e emërtuar mbretëresha e detrave. Flota ilire paralizoi çdo lëvizje të çdo force që përpiqej të kalonte Adriatikun. Tregëtia greko-romake filloi të paralizohej. Në këto rrethana romakët, të cilët ishin duke përfunduar kapitullimin e Kartagjenës ndjenë një detyrim të dërgonin një delegacion tek mbreteresha ilire për t’i kërkuar asaj të ndalonte piraterinë ilire ndaj anijeve romake. Dy konsuj u dërguan në Shkodër me detyrën që të transferonin këtë mesazh. Por Teuta u tregua një diplomate e pazote për të shmangur një konflikt me Romën, e cila ishte gjithashtu një forcë në rritje duke u fuqizuar çdo ditë e më tepër. Qëndrimi i matur i mbretërve të mëparshëm ilirë, të cilët preferuan një aleancë me Romën, nuk u mor parasysh nga Teuta, e cila ishte e fryrë nga fitoret e njëpasnjëshme, fitore të cilat ishin merita e mbretit të vdekur Agron. Por Agroni nuk mund të ngrihej nga varri për të kërkuar llogari. Konsujt romakë kërkuan prej Teutës vetëm që ajo të ndalonte piraterinë ilire ndaj anijeve romake. Kjo në çdo rrethanë ishte një kërkesë e arsyeshme. Teuta pa fshehur ironinë u përgjigj se ajo do të bënte çmos të ndalonte flotën perandorake që të plackiste anijet romake, por ajo nuk kishte mundësi që t’i jepte fund traditës pirate të ilirëve. Kjo përgjigje shkaktoi një nervozizëm nga ana e romakëve, të cilët premtuan se mbretët ilirë do të mësonin që të përmirësonin marëdhëniet me shtetasit e tyre. Pas kësaj përgjigje Teuta dhe oborrtarët e saj fyen dhe nxorrën jashtë konsujt romakë. Ky gabim fatal diplomatik i Teutës u përforcua nga dërgimi i saj i dy anijeve, të cilat interceptuan anijet e konsujve romake duke i mbytur ato dhe duke vrarë të gjithë romakët. Kështu pas këtij veprimi Senati Romak unanimisht deklaroi luftë kundrejt Perandorisë Ilire. Megjithëqë deri këtu sjellja e Teutës mund të admirohej disi duke u cilësuar si një shprehje krenarie, sjellja e saj e mëpasme nuk mund të vlerësohet në asnjë pikëpamje. Roma dërgoi flotën e saj drejt e në Durrës, Teuta nuk mori asnjë masë për t’u përgatitur dhe për të përballuar sulmin romak. Përkundrazi, sapo mësoi për ardhjen e romakëve, ajo menjëherë braktisi Shkodrën dhe u fsheh në mbretërine fqinje Dardane sëbashku me motrën e saj Triteuta.

Pasoja të  pushtimit Bizantin dhe Osman dhe gjuha çamërishte.

Gjatë pushtimit Bizantin, fise të reja erdhën në Çamëri, siç ishin Gothët, Ostrët, Sarakenët dhe Norsët. Më 1449 Çamëria u pushtua nga Perandoria Osmane. Populli Çam luftoi kundër ushtrisë Osmane në vitet 1611 dhe 1803, ku në betejën e fundit u shqua regjioni i Sulit (qendra e Sulit ishte Paramithia, me shqiponjën dy krerëshe). N. P. Elefteridhi pohon se greqishtja në pjesën më të madhe u formua gati e tëra nga gjuha pellasgjike. Jakov Thomopullo dëshmon se ka lexuar mbishkrimet eteo-krete nëpërmjet gjuhës shqipe.  Enzo Gatti shkruan : “Gjeografia e lashtë e Evropës Mesdhetare është pothuaj e gjitha ilire …Emrat gjeografikë të Kretës, Korfuzit, Qipros, Sicilisë, Sardenjës, Baleareve… ”. Historiani francez Kantu shkruan : “…Në përgjithësi është pranuar se shqiptarët i përkasin racës pellasgjike… Ata përbëjnë një racë mitike, si titanët dhe ciklopët… Faktet dëshmojnë se pellazgët sollën në Greqi, jo vetëm disa arte, por një sistem të tërë besimi, artesh dhe germash. Ajo ishte një racë po aq sa bujare, edhe e pafat. Gjuha e tyre, më e ngjashme me latinishten se sa me greqishten, u ruajt në dialektin eolian dhe në atë epirot, që helenët i cilësonin si barbarë”. George Fred Uilliams, studiues amerikan, që në vitin 1914 shprehej se “po të kthehemi në parahistori, para se rapsodët homerikë t’i këndonin hyjnive dhe heronjve mitologjikë, para se të shkruhej gjuha greke, jetonte një popull i njohur me emrin Pellazg. Shqipja ka qenë gjuha e vërtetë e Homerit, e Aleksandërit të Madh dhe e Pirros së Epirit”.

Robert d’Angely shkruan: ”…Shqiptarët janë më të vjetër se grekët, kjo s’ka dyshim, tingulli monosilabik është provë për këtë. Origjina e shqipes dhe e greqishtes nxjerr në pah në mënyrë të padiskutueshme raportin e vërtetë mes tyre, atë të prejardhjes së greqishtes nga gjuha shqipe: nëna e saj”. Eqerem Çabej vërente me mprehtësi se kontributi i shqipes për gjuhët e tjera ballkanike do studiuar më gjerë. Pyetja trashëgim a huazime shtrohet sot e gjithë ditën për një sërë fjalësh. Ka emra visesh me një pamje mjaft të moçme, fjalë që s’u dihet kuptimi. Nisur nga gjendja e njohurive të atëhershme, Çabej shprehej se ka një kundërvënie mes historisë dhe gjuhësisë përsa i përket vendit dhe kohës së formimit të gjuhës.

Janë këto realitete që bënë që poeti ynë i Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri të shkruante “Eni vjen prej Çamërie, me at’ gluhë Perëndie”?

***

(Shënim – për realizimin e këtij shkrimi jam mbështetur në studimet e historianit Rasim Bebo, në Çikago të SHBA, ish ushtarak i dënuar nga diktatura.)