Autori Qemal Lame sjell “Miq dhe armiq”

334
Sigal

Libri i autorit Qemal Lame “ENVER HOXHA – MEHMET SHEHU – RAMIZ ALIA

MIQ DHE ARMIQ”

Në historinë moderne të shtetit shqiptar dallohet qëndrimi në Luftën e Dytë Botërore, ku Shqipëria u radhit me Aleancën e madhe Antifashiste dhe u realizua me forcat tona çlirimi nga pushtuesit nazifashistë. Vendi do të rindërtohej, do të kapërcehej prapambetja e trashëguar dhe do të zhvillohej me ritme të shpejta. Sistemi i ri politik mendohej i përjetshëm. Vdekja dihej, por nuk mund të mendohej rënia e socializmit e komunizmit. Lufta e klasave, ndërprerja e lidhjeve me bashkëkombësit në shtetet e tjera e në migracion, mbyllja e kufijve e izolimi ekstrem, ekonomia jorentable e vendit të vogël të ndërtuar mbi parimet e një shteti të madh, frika nga pushteti dhe propaganda për indoktrinim si vendi me popull të lumtur nuk lejonin të njihej qytetërimi perëndimor dhe nuk kuptohej se ishim të fundit dhe më të varfwrit në Evropë. Enver Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij kryesorë Mehmet Shehu e Ramiz Alia, që drejtuan vendin, fajësohen për pushtetin autoritar të maskuar me luftën e klasave.

Gjendja politike do të tronditej me vdekjen e papritur të kryeministrit Mehmet Shehu në mesnatën ndërmjet datës 17 dhe duke aguar 18 dhjetor 1981. Ngjarja u publikua nga udhëheqja një ditë me vonesë, me motivin se: “vrau veten si pasojë e krizës nervore!”. Por nuk ishte bindëse. Populli dyshonte, akuzonte sa mundej për eliminimin e mikut të ngushtë të udhëheqësit. Linçimi dhe ndëshkimi si armik, tradhtar e si poliagjent i Perëndimit dhe i Lindjes përforcoi dyshimet për krimin e organizuar shtetëror të kryer në Bllok, në territorin më të fortifikuar e të mbrojtur me potencialin ushtarak, përdorimin e teknikës bashkëkohore dhe zbatimin e metodave të fshehta agjenturore të ruajtjes së pushtetit të diktaturës. Ndihej rënia e mitit të udhëheqësit, e sukseseve të trumbetura në Kongresin e 8-të të PPSH-së, tronditja e situatës politike e ekonomike, rëndimi i nivelit të jetesës, mungesa e mallrave e ushqimeve ditore.

Motivi i “vetëvrasjes” nuk u mirëprit, siç ishte menduar dhe kërkohej nga udhëheqësi, me solidarizim entuziast nga populli, me unanimitetin dhe besimin te Partia e tek autoriteti i Enver Hoxhës. Bindja, mbështetja dhe duartrokitjet ishin bërë në atë kohë norma morale të indoktrinimit nga propaganda dhe të imponuara me frikën e dënimit e internimit politik. U

forcua bindja se udhëheqësi impononte vullnetin e tij me anë të forcës së pushtetit, detyronte popullin të mbyllte gojën, nxiste mitizimin, legjendizimin e ngjarjeve e personave të viktimizuar. Dyshimet drejtonin vëmendjen në majën e piramidës së partisë-shtet dhe qartësonin siluetën e vërtetë të fantazmës së autorit; të zhdukjes dhe eliminimit të kundërshtarëve politikë, të dëshirës për pushtet të përjetshëm, shkakun e dramave shoqërore e familjare.

Propaganda zyrtare, britmat e ulërimat kërcënuese të udhëheqësit e të militantëve, si dhe dhuna shtetërore nuk patën ndikimin e tyre të njohur si më parë. Në bisedat, komentet, diskutimet dhe analizat intime midis të besuarve ngjarja cilësohej si krimi i radhës për eliminimin e kundërshtarëve politikë. Qëndrimet dhe reagimet akuzuese të papritura e masive, me anë të diskutimeve në mirëbesim, të cilat ligjërisht cilësoheshin dhe dënoheshin si agjitacion dhe propagandë kundër shtetit, nuk bëheshin vetëm në radhët e kundërshtarëve politikë. Në këtë rast ato përfshinë pjesën më të madhe të popullit e të komunistëve me ideale parimore e ndjenja të sinqerta, megjithëse ata ishin baza kryesore e mbështetjes së sistemit politik. U thye frika nga pushteti autoritar. U shfrynë pakënaqësitë për pasojat e luftës ekstreme të klasave, që kishte prekur shumicën e popullsisë me dënimet masive, paralizimin e ekonomisë e financave, si dhe vështirësitë sociale pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën etj.