Komisioni shqiptaro-grek për arsimin nuk duhet t’i nënshtrohet trysnisë së palës greke që të hiqet nga kurrikula dhe tekstet tona studimi i Rajonit të Çamërisë. Deri në ditët tona shteti grek nuk njeh minoritetin shqiptarë në Çamëri, ndërsa njihet minoriteti turk dhe maqedon në Greqi. Qeveritë shqiptare kurrë nuk kanë shtruar në bisedime zyrtare dypalëshe problemin e njohjes së minoritetit shqiptar në Greqi.
Selman Sheme ka mbajtur kumtesën në seancën e Këshillit Shqipëtar të Paqes, në kuadër të Konferencës së Lidershipit Ballkanik me temë: “Paqja, Siguria dhe Zhvillimi Ekonomik në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga “Klubi i Podgoricës” dhe “Federata e Paqes Universale” , në dt 1-2 prill 2022 në Tiranë. Pengesat për ripërtëritjen e njoshmërisë së identitetit Çam. Pas 30 viteve të tranzicionit demokratik kur janë krijuar kushtet për organizimin politik e shoqëror të komunitetit çam, shtrohet me një forcë të veçantë teza e konceptimit dhe parashtrimit historik, politik dhe diplomatik të çështjes Çame. Megjithëse janë mbajtur tubime shkencore, janë botuar monografi e artikuj rreth problemit Çam, ato në përgjithësi kanë patur inkoherencë dhe karakter diskriptiv, larg parametrave shkencor që kërkon koha dhe konceptet moderne të shkrimit akademik për historinë dhe politiologjinë. Lidhur me këtë problem jo vetëm të huajt, por edhe vetë shqiptarët kanë një informacion tepër anemik (të kufizuar) për Çamërinë dhe të kaluarën historike të saj. Për më tepër propaganda dhe botimet e qarqeve shoviniste greke kanë synuar të shtrembërojnë e të tjetërsojnë historinë e Çamërisë duke i paraqitur çamët herë si turq e herë si bashkëpunëtorë të fashizmit. Kohët e fundit Akademia e Shkencave e Athinës ka botuar librin: “Epiri – 4000 vjet histori dhe kulturë helene”, ku fallsifikohet historia e Çamerisë.

Ka ardhur koha që të bëhet objekt i analizave të thelluara, të argumentuara dhe të faktuara, çështje të tilla si: autoktonia iliro-epirote dhe vazhdimësia arbëroro-shqiptare e popullsisë në Çamëri. Kontributi i popullsisë çame në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, gjendjen politike, ekonomike e shoqërore në vitet 1912-1940, lufta antifashiste e viteve 1941-1944, gjenocidi shovinist grek, situata 1945-1949, eksodi i popullsisë myslimane çame në Shqipëri etj. Për të realizuar studime të tilla kërkohet një punë me pasion e përkushtim patriotik e profesional, botimi i dokumenteve shqiptare e të huaja, komunikimi me ambiente politike e akademike të huaja, me institucione studimore amerikane e europiane, të cilat kanë ndikim të shumëanshëm në administratat shtetërore dhe politikat kombëtare. Para së gjithash, institucionet shkencore të shtetit shqiptar si Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Akademia e Studimeve Alabanologjike, profesorë e studiues në Universitete, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut, të programojnë me përparësi dhe të organizojnë studime të mirëfillta në fushën e historisë, gjeopolitikës, trashëgimisë kulturore të Çamërisë, etj. Në kurrikulat, (plan-programet) e tekstet mësimor të arsimit parauniversitar duhet të trajtohet trashgimia historike e kulturore e Çamërise në mënyrë që gjeneratat e reja të njohin këtë Regjion të populluar historikisht nga shqiptarët ne skajin më jugor të trojeve shqiptare në Ballkanin Perëndimorë. Komisioni shqiptaro-grek për arsimin nuk duhet t’i nënshtrohet trysnisë së palës greke që të hiqet nga kurrikula dhe tekstet tona studimi i Rajonit të Çamërisë. Deri në ditët tona shteti grek nuk njeh minoritetin shqiptarë në Çamëri, ndërsa njihet minoriteti turk dhe maqedon në Greqi. Qeveritë shqiptare kurrë nuk kanë shtruar në bisedime zyrtare dypalëshe problemin e njohjes së minoritetit shqiptar në Greqi. Kjo e ka bërë më të lehtë mohimin dhe mosnjohjen e këtij minoriteti nga pala greke. Kjo është arsyja që në botën diplomatike në ditët tona flitet për minoritetet turke e maqedonase në Greqi por nuk flitet për minoritetet shqiptar. Në periudhën midis dy luftrave botërore qeveritë greke kanë pranuar zyrtarisht ekzistencën e minoritetit shqiptar në Çamëri, madje e kanë deklaruar edhe në Lidhjen e Kombeve. Por si rezultat i represionit të jashtëzakonshëm të qeverive greke ndaj popullsisë çame në Greqi dhe spastrimit etnik nëpërmjet genoncidit të popullsisë shqiptare të besimit musliman më 1944-1945 shteti grek këmbëngul që mos të hapë dosjen e çështjes çame. Sot në Çamëri jeton një popullsi shqiptare prej rreth 100.000 banorësh të besimit të krishterë. Kjo popullsi i është nënshtruar asimilimit nëpërmjet administratës shkollës dhe kishës. Është tragjike për minoritetin çam në Greqi që Shqipëria, shteti amë, nuk arrin të ngrihet në nivelin e Maqedonisë së Veriut, në përpjekjet për njohjen e statusit të minoritetit çam në Greqi dhe realizimin e të drejtave të tyre të humbura.

Është e papranueshme që në vitin 2017 qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë pranuan që qeveria greke të mos lejonte përfshirjen e çështjes çame në të ashtuquajturën “paketë të çështjeve të pazgjidhura”, në bisedimet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ky qëndrim i papranueshëm shqiptar ishte në kundërshtim me programin zyrtar të qeverisë socialiste të miratura në Kuvendin e Shtatorit të vitit 2013, ku çështja çame trajtohej si një çështje politike e dosjes së bisedimeve midis dy vendeve. Qeveritë shqiptare duhet të zbatojnë reciprocitetin dhe të kërkojnë njohjen e minoritetit shqiptar në Epir (Çamëri) e rajonin e Maqedonisë Perëndimore. Gjatë këtyre 30 viteve të pos -komunizmit, asnjë kryeministër apo ministër i jashtëm i Shqipërisë në vizitat zyrtare protokollare në Greqi, nuk kanë shkuar për t’i hedhur një sy Rajoneve minoritare shqiptare nga Preveza në Follorinë. Ora e historisë ecën ngadalë, por nuk ndalet kurrë në përpjekjet për të nxjerrë nga dheu të vërtetat e groposura, që dëshmojnë nevojën e korigjimeve dhe të vendosjes të së drejtës. Në kushtet e zhvillimeve të sotme botërore, globalizmit dhe integrimeve, ndarjes ndërkombëtare të punës, duhet të ofrohen rrugë (opsione) e alternativa për zgjidhjen e çështjes Çame. Zgjidhja e problemit të Tartarëve të Krimesë, problemit të Istrias midis Italisë e Kroacisë, problemit të Tirolit Jugor (Trento Aldo Adixha), midis Austrisë e Italisë, janë shembuj që duhen konsideruar. Sfida e zhvillimit rajonal dhe subrajonal, funksionimi i ekonomisë së tregut dhe integrimi Europian e bëjnë të domosdoshme bashkëpunimin ndërkufitar veçanërisht në vendet e Ballkanit Perëndimor. Forma më e njohur e më e suksesshme e institucionalizimit të bashkëpunimit ndërkufitar është Eurorajoni. Eurorajoni është një nga tipat e zonave kufitarë të Bashkimit Europian në të cilat barrierat kufitare nuk pengojnë flukset e bashkëpunimit ndërkufitar dhe integrimin social -ekonomik e kulturor të zonave ndërkufitare. Strategjia e përbashkët e zhvillimit territorial shprehet në organizimin e një strukture legale të bashkëpunimit të bizneseve, bashkëpunimit midis universiteteve, sektorit të kulturës etj. Në kushtet e bashkëpunimit ndërkufitar në një mjedis me kufij të hapur në kushtet e integrimeve e liberalizimit e krijimit të Eurorajoneve për vetëqeverisje janë e duhet të jenë të interesuar si ulqinakët, ashtu edhe preshevarët, tetovarët, sarandiotët e filaqotët. Duke njohur kufijtë e shteteve dhe traktatet bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare ne na duhet të parashtrojmë dhe artikulojmë kërkesat dhe të drejtat tona. Sipas modeleve të njohura në Europën Lindore dhe Juglindore të bazuara në formimin e “zonave të gjelbra” ndërkufitare shteti shqiptar duhet t’i parashtrojë palës greke nevojën e bashkëpunimit ndërkufitar e krijimit të Eurorajonit të Detit Jon. Rajoni i Epirit (Çamërisë) në 78 vjetët e fundit është shpopulluar seriozisht si rezultat i shpërnguljes së dhunshme të popullsisë shqiptare myslimane dhe eksodit rural nga fshati në qytetet e mëdha dhe në botën e jashtme.
Megjithëse janë mbajtur tubime shkencore, janë botuar monografi e artikuj rreth problemit Çam, ato në përgjithësi kanë patur inkoherencë dhe karakter diskriptiv, larg parametrave shkencor që kërkon koha dhe konceptet moderne të shkrimit akademik për historinë dhe politiologjinë. Lidhur me këtë problem jo vetëm të huajt, por edhe vetë shqiptarët
Sipërfaqe të mëdha toke, pronë të shqiptarëve, që dikur kanë qenë të kultivuara apo kullota për blegtorinë janë degraduar e dezertifikuar. Riatdhesimi i popullsisë çame në trojet e veta në Thesproti dhe në rajone të tjera të Epirit të Jugut, pra në Çamëri, kthimi i pronave, etj. do ta përmirësonte në mënyrë të ndjeshme situatën demografike dhe ekonomike të kësaj krahine. Shqiptarët e riatdhesuar do të ishin shumë të interesuar për zhvillimin dhe prosperitetin e krahinës dhe do të kishin vullnetin për të arritur këto qëllime. Ata do të integroheshin shumë shpejt në proceset e ndarjes shoqërore gjeografike të punës dhe do të kontribuonin në zhvillimin e prosperitetin e Rajonit. Krahina e Çamërisë përbën një nga zonat më të rëndësishme gjeografike të monumenteve historike dhe arkeologjike të kulturës autoktone pellazgo- iliro-arbërore, por edhe romake, veneciane, osmane etj. Çështja came është një problem i madh politik, juridik, ekonomik, por edhe kulturor albanologjik. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, sikundër edhe nga pikëpamja pragmatiste, dimensioni i mbrojtjes kulturore albanologjike të Çamërisë, do të duhej të ishte në avangardë të sensibilizimit ndërkombëtar. Kjo për faktin se trashëgimia kulturore e popujve, madje edhe atyre indigjenë dhe shumë periferik, në regjionet fluide të botës, çmohen si thesare kulturore të mbarë njerëzimit. Kjo është arsyeja që shumë studiues , brenda dhe jashtë vendit po sensibilizojnë opinionin dhe organizmat vendimmarrëse se me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore çame në Greqi, albanologjia do të humbasë vlerat e një regjioni kulturor shqiptar dhe Europa, vlerat e mëdha të qytetërimit iliro-epirot, romak, osman, venecian etj. Kultura është thelbi i Paqes dhe i Zhvillimit të Qëndrueshëm, është baza e demokracisë. Hapësirat kulturore janë krijuar mijëra vjet përpara shteteve moderne, pra para lindjes së nacionalizmave dhe shtetformimit (shek XIX-të). Kufijtë politik të shteteve nuk përputhen asnjëherë me ato kulturorë. E njëjta sfidë ndeshet edhe me hapësirën kulturore të Çamërisë që është një prej vlerave të mëdha të albanologjisë. Strategjia e qeverisë greke në këto 76 vitet e fundit ka qenë lejimi i procesit të ngadalshëm të degradimit të tyre dhe zëvendësimi i trashëgimisë kulturore çame me “modernizmin” grek. Gjendja e turpshme e ruajtjes së shumicës së kësaj trashëgimie shqiptare duhet të bëhet një çështje e shqetësim ndërkombëtar. Një rrugë e mundshme për ruajtjen e kësaj trashëgimie është përfshirja e institucioneve ndërkombëtare si “UNESKO”, “Monumentet në Rrezik”apo organizata britanike “Shpëtoni Trashëgiminë e Europës”, për ta detyruar Greqinë të njohë problemin dhe të marrë hapat e duhura për ta zgjidhur atë. Institucionet kërkimore-shkencore duhet të bëjnë një inventar të hollësishëm të monumenteve dhe trashëgimisë kulturore çame në tërësi. Në këtë kuadër një regjistër kadastral mbi pronësinë e shtëpive, para masakrës së vitit 1944, duhet bërë me urgjencë. Mbi bazën e këtij regjistri duhet hartuar e prodhuar harta e detajuar demografike dhe arkeologjike e Çamërisë, ku të evidentohen emrat e vendbanimeve shqiptare dhe paralelisht me to emrat, e konvertuar grek, të këtyre vendbanimeve.




















