Gëzim Prengzi: Flamuri-trofe i aksionistëve tropojanë në Mirditë

951
Sigal

“Flamuri-trofe i aksionistëve tropojanë, gjakoset e kthehet në pasaportë Majemalthi”.

(Me rastin e 45- vjetorit të aksidentit në Shpal të Mirditës, ku humbën jetën tre aksionistë dhe u dëmtuan shumë të tjerë, 31 korrik 1975).

Gëzim Prengzi

Shkolla e mesme bujqësore “16 Tetori”, sot e Mesme e Bashkuar “Ali Ibër Neza” Tropojë, u çel me 01 shtator 1970, sivjet ajo ka 50 -vjetorin e saj. Në harkun e gjysmëshekullit kjo shkollë, pas gjimnazit “Asim Vokshi”, B.Curri, përbën një nga shkollat më të suksesshme në Tropojë e më gjerë. Që në fillim ajo pati një staf pedagogjik të arsimuar, këmbëngulës e të përkushtuar për arsimimin e gjeneratave të nxënësve, të cilët me dijet që fituan, i dhanë Tropojës e kudo jetuan e punuan kuadro të aftë e me bagazh kulturor. Në sajë të punës së kualifikuar të stafeve e angazhimit të nxënësve, kjo shkollë ngriti kabinetet funksionale sipas lëndëve, bazën prodhuese, parcelat eksperimentale, me qëllim përgatitjen cilësore të nxënësve. Në këtë jubile kjo shkollë ka çfarë të thotë për arritjet e saj në vite, por përpara ka një përkujtimore tjetër, 45 -vjetorin e aksidentit automobilistik të nxënësve aksionistë vullnetarë të kësaj shkolle, në Shpal të Mirditës, ku humbën jetën 3 aksionistë, tek po ktheheshin fitues të flamurit të shtabit qendror të aksionit. Mund të jetë nga rastet e rralla që një shkollë të ketë 3 dëshmorë. Ky është objekti i këtij shkrimi. * * * Kushdo që kalon rrugën së vjetër që lidhte Tiranën me rrethet e Veriut, në Shpal të Mirditës, në shkëmbin e quajtur Majemalth, shikon tre fotografi të rinjsh nga Tropoja, tre vullnetarë që humbën jetën pikërisht aty, si rezultat i aksidentit automobilistik të autobusit me 67 nxënës e mësues tek ktheheshin nga Elbasani në Tropojë. Nxënësit që humbën jetën aty ishin Drande Prend Pjetërnikaj, Hasan Syl Qelia, Hatixhe Ram Mulgeci dhe shoferi i autobusit Mehmet Cufi. Po si ndodhi ngjarja e 45- viteve më parë? Vitet ’70-të ishin vite kur mbarë rinia shqiptare, kështu edhe rinia tropojane, ndërmorën aksione vullnetare, sidomos për ndërtimin e hekurudhave të vendit.Nga vitet 1967-1978 në aksionet kombëtare rinia tropojane ka plotësuar 57 brigada rinie me rreth 5800 aksionistë, nga të cilat, 53 brigada kthehen me flamurin e Shtabit Qendror të Aksionit, ku më të spikaturat kanë qenë ato të shkollave të mesme “Asim Vokshi”, B.Curri,  e “16 Tetori” , Tropojë. Në këtë kontekst, dy vitet e treta të shkollës Tropojë, dhe viti i katërt,  sapo mbaroi provimet dhe mbrëmjen e matures, morën inisiativën që muajin korrik 1975 të shkonin në aksionin kombëtar për ndërtimin e hekurudhës brenda Kombinatit Metalurgjik në Elbasan. Mes gëzimit rinor brigada “16 Tetori” e shkollës Tropojë, me 67 aksionistë, me komandant Gani Dizdarin, zv/komandant nëndrejtorin e shkollës Sadri Oruçi, komisar Bedri Haziri, mësuesja Nurie Kortoçi Gjyriqi dhe punonjësi i personelit Isuf Zeneli. Aksionistët tropojanë i kishin vënë vetes objektiv për të fituar Flamurin e Shtabit Qendror të Aksionit, dhe ashtu ndodhi, në sektorin ku ata punuan ishin brigadat e rretheve Berat, Korçë,Vlorë, Pogradec, Krujë. Me 31 dhjetor 1975, brigada nisi të kthehej në vendlindje mes gëzimit të fitores e kthimit në familjet e tyre. Autobusi me 67 vetë dhe disa aksionistë nga Kruja, mbërritën tek “21 Dhjetori”,  në Tiranë, dhe komandanti e zëvendësi  shkojnë në KQ të Rinisë dhe parkun e autobusëve për të kërkuar edhe një autobus tjetër, por pa rezultat,biles ju dhanë një shofer tjetër që kishte qenë në punë gjatë natës dhe e caktuan të ecte me autobusin tjetër dhe jo të vetin. Nisja në Tiranë për Tropojë u bë në orën 14.00, vajzat u ulën në gjysmën e parë të autobusit, ndërsa djemtë dhe mësuesit në gjysmën  prapa. Autobusi i mbingarkuar me 57 vetë,  në orën 15.50 në Majemalth të Shpalit në Mirditë, le rrugën dhe bie në humnerë. Kënga dhe ngazëllimi rinor kthehen në vaj e gjak. Këtu humbin jetën tre aksionistë, Drande Pjetërnikaj, Hasan Qelia , Hatixhe Mulgeci dhe shoferi Mehmet Cufi dhe u dëmtuan rëndë  Zyra Ahmetaj, Hasime Mërturi e Lumturi Hoxha, por edhe të tjerët i vuajnë pasojat edhe sot. Ndihma e parë ishin makinat e rastit aty, sekretari i parë i rrethit Tropojë, Hysen Papa e Llesh Gjoni, por shpejt u përhap lajmi në Rrëshen-Mirditë,Tropojë, ushtri, rend dhe në pushtet. Një mobilizim i jashtëzakonshëm i popullit të Mirditës, nuk gjendet një fjalë që ta shprehë mirënjohjen për banorët e këtij rrethi, spitali i Rrëshenit u boshatis dhe u lirua për të dëmtuarit, gjithë populli i Rrëshenit ishte mbledhur para spitalit duke ndihmuar të lënduarit. Helikopterët nga Tirana morën të sëmurët rëndë dhe i çuan në Tiranë,  bile Zyra Ahmetaj u dërgua në Rumani. E nesërmja 1 gusht ishte e mbushur me hidhërim e lot, do niseshin për Tropojë tre kufomat e të vdekurve dhe ata që ishin lënduar më pak të shoqeruar nga 30 makina. Dhimbje e lot kudo. Nga Tropoja ishin nisur pushtetarë, mësues, familjarë. Bajram Nezaj, Vogël Ademi, drejtori i shkollës Selim Berisha, Osman Islami e shumë të tjerë të cilët u takuan në Qafë Mali… Në Bajram Curri i gjithë populli i Tropojes po priste me ankth e lot bijtë e bijat e vdekur e të dëmtuar.Në sheshin para muzeut ku ishin mbledhur njerëzit folën Tofik Deda e prindi i Drande Pjetërnikës,Prendi.Pastaj u zhvilluan ceremonitë e varrimit të të vdekurve dhe nxënësit e tjerë u dërguan në spitalin e Bajram Currit… * * * Kjo ngjarje jetoi gjatë në memorien e popullit dhe vazhdon të jetojë.Me inisiativën e mësuesit të tyre Sadri Oruçi dhe mbështetjen e ish nxënësve Zyra Ahmeti,Bedri Haziri etj.me 2005 u organizua Përkujtimore në nderim të tyre,gjithashtu në vendngjarje u vendos një memorial dhe veprimtari e përbashkët në Shpal nga Tropoja e Mirdita dhe Organizata Kombëtare e Dëshmorëve dhe ato të rrethe Tropojë e Mirditë.Si përjetësim e nderim për këtë ngjarje e personazhet e saj,poeti e publicisti Asllan Osmanaj ka botuar librin “Pasaporta e Majemalthit” e cila ka patur dy përurime madhështore në Tropojë e Rrëshen.Tani po përgatitet nga Sadri Oruçi e ish nxënësit Përkujtimore në 45 vjetorin e ngjarjes.Përveç atyre që ranë 45 vite më parë,do ti mungojnë këtij takimi edhe të tjerë që u nga jeta gjatë viteve si,Bedri Haziri,Ismet Tahiri,Man Gjoni,Zenun Lushaj,Bajram Bardhi,Hajri Malaj,Bajram Hoxha,Ahmet Alia,mësuesiHazir Berisha,Isuf Zeneli e Avdyl Motina.Shumë këngë e vargje dhimbjeje u janë kushtuar atyre që dhanë jetën e u dëmtuan,ja një poezi nga Asllan Osmanaj: ” O Majemalthi i pamëshirshëm! Kaq shumë ishe zhuritur Sa pive aq gjaj rinie; Në atë fund korriku.

Shumë fjalë kanë vdekur buza pa I thënë, Veç kjo rini,duhet të jetë krenare, Për gjakun e mundin e dhënë.

Mertojnë të nderohen pa vetmi, Se flijuan gjithshka nga shpirti, Gjithshka dhanë nga e bukura rini”.