1.Po shfletoja periodikun letrar javor:”Drita” të viteve 1967. Aty ndesha në shumë reportazhe, shkrimtarin Petro Marko.Te botimi tij :”Retë dhe gurët” P.Marko e thotë shkoqur: Botime kishte, por jo për Petron. Dritën ja bllokonin si gardianët të burgosurve. Ishte një lloj vegimi, që sapo shfaqej, sërish zhdukej. Pra ai merrte valixhen, ku fuste rrobat, makinën e shkrimit dhe plot hare, vraponte. Zinte kamionët, që shkonin nëpër artere dhe kantiere apo diçka më thellë. Në Valbonë, në Dibër diku më tej ku tërmeti kishte vithisur qindra banesa. Mirëpo sapo kthehej në kryeqendër, hija e zezë , nga pas e ndiqte.
-Ah Petro, nuk zure mend, pëshpëriste sa herë, në vend të dritës , errësira ishte prezentë.
Mirëpo po çukis vitet, dhe aty nga viti 2014 , një botim kushtuar shkrimtarit Shevqet Musaraj. Befasisht i përpiva, dy rrëfime interesante; shkruar me një kulturë të habitshme nga dy personazhe, që e përshkruanin vajtjen e tij dhe Sh.Musaraj në Matogjinë të Smokthinës. Rrëfimi i Edison Musarajt. Ky një smokthiniot i heshtur dhe tepër me kulturë, më tërhoqi çfarë kishte shkruar. E kisha ndjekur edhe kur shkruante te gazeta lokale dhe i kisha botuar. Ja çfarë shkruante ai:
“Matogjini nderohet me poetin, publicistin dhe romancierin e mirënjohur të letërsisë sonë Shevqet Musaraj. Mendim urtë e fjalë ëmbël, kishte një shpirt te madh atdhetar. Si pushoi pena/,Këmba si pushoi/,Buburickë e malit/. Me forcë fajkoi.”
Shevqet Musaraj vinte vazhdimisht në Matogjin. Vinte ç’mallej me njerëzit, me vendlindjen nga ku merrte dhe frymëzimin. Në dasmën e Hysen Rukës erdhi familjarisht. Shevqet Musaraj shpesh vinte dhe me miq e shokë të tij si me piktorin Foto Stamo, me shkrimtarin Petro Marko etj. Në gusht të vitit 1958 , erdhi Shevqeti me Petro Markon në Matogjin.
Këtë radhë kishin ardhur për të mbledhur të dhëna për Halim Xhelon, që kishte qenë mësues në Matogjinë më 1913 dhe që më vonë Petroja shkroi romanin “Halimi”. Ndenjën tri ditë dhe flinin në shtëpinë tonë. Unë kisha mbaruar vitin e parë të gjimnazit duke vazhduar i jashtëm. Një dite Petroja (duke biseduar) i thotë Shevqetit:
– Pse nuk e çojmë në konvikt këtë djalë ku ka kushte më të mira për të studiuar?
Shevqeti e mirëpriti këtë mendim, u tregua i gatshëm. I thanë mamasë sime Ervehese, që të rrija në konvikt me gjysmë burse, por ajo kundërshtoi për arsye ekonomike. Atëherë Shevqeti i tha: – Do t’ia paguaj unë gjysmën e bursës.
Kështu, mbas bisedimesh ranë dakord. Petroja më dha letër e më porositi për Milo Dumin, profesor në gjimnaz dhe ky nga Dhërmiu. Pasi profesori më dha informacionin dhe më ndihmoi për plotësimin e dokumentacionit të duhur, u sistemova dhe i çova në Seksionin e Arsimit, ku shef ishte Eqrem Kallfa. Kështu vitin e dytë e fillova në konvikt. Gjatë tre vjetëve lekët e konviktit m’i pagoi Shevqeti. Ishin nëntë muaj shkollë, ndërsa ai më dërgonte për dhjetë muaj. Nga tetori i vitit 1959 e takova rastësisht Petro Markon, para “Sazanit” dhe më ftoi, të pimë kafe vetëm për vetëm. Aq sa i madh ishte ai burrë shteti, aq i thjeshtë, i “vogël” e njerëzor ishte ai në bisedë…
Një radhë piktori Foto Stamo, që vinte me Shevqetin pikturoi shtëpitë tona në fshat.
2.
Rrëfimi i dytë i përket Agim Pipa. Ky është një rrëfim interesant. “Ishte muaji korrik i vitit 1957, shkruan ai. Shevqet Musaraj e miku i tij Petro Marko, shkrimtarë të shquar të vendit, vendosën të vizitonin vendlindjen e Shevqetit – Smokthinën. Në Matogjin, Shevqeti kishte vëllain e tij, Kason. Petroja kishte shfaqur dëshirën ta shihte nga afër, këtë krahinë të bukur malore, e cila lidhej aq shumë me historinë e epopeve si: të 847-tës, të njëzetës, të 1944-ës.
Sipas kujtimeve të Nazif Boro Pipës, në Vlore ata i kishin hipur një makine të Memaliajt e kishin zbritur në fshatin Vajzë. Dielli sapo kishte ndriçuar fshatin. Për të shkuar në Matogjin, do të ndiqnin rrugën e Beunit, në Gjimocice (lagje rrëzë Tartarit) e pastaj do të zbrisnin në Matogjin. Rruga zgjaste 2-3 orë, malit, në këmbë. Nga ora dhjete mbërritën në Gjimogice. Aty, rastësisht, takuan matogjinasin Nazif Boro, i cili ishte duke kullotur dhentë e do t’i çonte për vapë në tendë. U përshëndetën e u ulën për t’u çlodhur. Nazifi nuk e njihte Petro Markon, por Shevqetin e kishte shok të fëmijërisë, ishin rritur bashkë. Pasi u llafosën e u çlodhën, u ngritën për rrugë. Nazifi i ftoi në shtëpinë e tij, në Gjimogice.
Miqtë u kthyen aty. U ulën në sofatet e gjatë prej guri të mbuluara me qylyma e shilte. Pinë nga një gotë dhallë e pastaj kafe. Një bisedë të gjatë e të gëzuar bënë aty rreze Tartarit, prej nga hapej një panoramë e mahnitshme përpara, nga jugu. Ata deshën të iknin, por Nazifi u shprehu dëshirën të qëndronin aty atë natë. Ata qëndruan. Nazifi ishte njeri me shkollë. Kishte mbaruar Plotoren në Himarë, para çlirimit dhe e llafoste Petron me nostalgji për fshatrat e Bregut. Ai mbante libra atje në Gjimogicë dhe lexonte herë pas here. I vinin gjithashtu edhe gazeta. Dy shkrimtarëve u bëri përshtypje ky njeri që lexonte edhe atje, në Tartarin e lartë, libra e gazeta. Ai kishte dije nga historia e traditat. Nazifi ruante fotografi te hershme të luftëtarëve e patriotëve të zonës. Unë isha i ri e më kujtohet se fotografitë e dy shkrimtarët i shikonin me lente zmadhuese.
Atë natë Nazifi thirri aty edhe vëllain e Shevqetit -Kason. Ai erdhi nga stani i tij, në gurrat e Tartarit. Erdhi edhe Avdul Ruka, Sabri Curri, Sheref Dalani, Hasan Brahimi (mësues) e Jace Mahili. U bë një muhabet i këndshëm, plot dolli e këngë. Mirësitë më të shumta merreshin për Petron, si bregas, se Shevqetin të pranishmit e kishin njeri të tyre. Petroja kallëzonte për luftën e Spanjës e kjo i kënaqte të pranishmit. Biseda ishte aq tërheqëse, saqë burrat shpesh harronin të pinin. Petroja pinte duhan me të dredhur, i ndizte cigaret njërin pas tjetrit. Në këtë atmosferë të hareshme biseduan, kënduan e pinë deri në mesin e natës, kur yjet shndrisnin në qiell e dukeshin sikur i mbante Tartari mbi supe.Të nesërmen Nazifi i shoqëroi dy shkrimtarët për në stanin e Kasos në rrethin e Karavelit. Në momentin që do të ndaheshin Petroja i tha Shevqetit: Të falënderoj që më solle në këtë familje bujare. M’u krijua një respekt i thellë për Nazifin, të cilit sa të kthehem në Tiranë do t’i dërgoj një kopje të romanit “Hasta la Vista”.
Dhe vërtet librin ia dërgoi Nazifit duke e shoqëruar edhe me një letër falënderimi. Nazifi e lexoi me kënaqësi librin e famshëm. Pas shtatë vitesh Nazifi vdiq. Miku i tij i madh, Petro Marko, erdhi në varrimin e tij në Gjimogice. Në Smokthine gjatë kohërave kanë ardhur shumë njerëz të shquar të vendit e një ndër këta ishte tani edhe i madhi Petro Marko.