-Perlat e këngës “Himara në breg të detit”, “Erdhi prilli, shkriu bora majave”, “Katina nina-nina”…
– Brukseli, Amsterdami, Parisi, Roma, Varshava, Berlini, Beogradi, Budapesti, Shkupi, Athina, Stambolli, Jerusalemi, janë tronditur nga kënga labe
Fadil Shehu
Një këngëtare që të magjeps. Një këngëtare që ka lënë gjurmë në shumë vende të botës. Specialistët e këngës atë e cilësojnë si një zë brilant, specifik, në këngën labe. Himarjotja Katina Beleri këndon dhe kur e dëgjon, mbetesh gojëhapur. Me këngët e saj herë qesh, herë qan, herë vallzon, herë këndon…herë fluturon nga gëzimi, herë përulesh në tokë në shenjë respekti…
-Pandemia e “mbylli në mure” këngën e bukur himarjote, por këtë verë, ajo u çel si kurrë ndonjëherë?
-E vërtetë. Pandemia na mbylli. Na izoloi nga aktivitetet. Në këtë situatë na ikën shumë njerëz që ishin të shtrenjtë për ne. Na iku i madhi Lefter Çipa. Iku gjeniu i këngës himarjote. Por ne e kujtuam sa erdhi pranvera, me një Festival të këngës. Ky vit duket se erdhi i mbarë. Kënga po merr fluturimin e saj. Himara po gjallërohet dhe kënga i jep jetë.
-Thuhet se rrugën e këngës e keni gjetur të “shtruar”, duke u përkundur mes këngëve himariote që këndonin të parët dhe prindërit tuaj. Është e vërtetë?
-Këngën polifonike himarjote, këtë dhuratë perëndie, bashkë me qumështin e gjirit, ma mëkoi Nëna. Unë jam përkundur që në djep me këngët himarjote, që më magjepsnin kur i dëgjoja nga gyshi im, Koço Çakalli dhe akoma më shumë nga nëna ime, Ksanthipi, si dhe në sofrat tradicionale të fisit Beleri dhe atë të fisit të dajove të mi, Çakalli.
-Si do e kujtonit në këto momente ngjitjen tuaj për herë të parë në skenë, këngën tuaj të pare, kënduar me grupin e Himarës?
-Kur flasim për polifoninë Joniane pa dyshim është një pjesë e ndritur e identitetit himarjot. Ngjitja në skenën hije rëndë të Argjirosë, në Festivalin Folklorik Kombëtar, 1983 në Gjirokastër, me këngën “Llaj çobani” ka ngelur në memorien time e pashlyeshme si kodi hyjnor, i papërsëritshëm, që hap portat parajsore.
-Si ndiheshit kur pranë kishit këngëtarët e famshëm të Bregut?
-Kur isha pranë barba, Dhimitër Varfit, Llambro Gjomemos, Viro Dhimojanit dhe pjestarëve të tjerë të grupit, ndjehesha e privilegjuara e fatit që po lundroja mbi valën ledhatare të flladit homerik të bilbilave himariotë.
-Cilët do të veçonit duke i cilësuar si arkitektë të kësaj magjie, ku kënga himarjote është po aq e hershme, sa vetë historia e kësaj treve?
-Arkitektët e vërtetë të kësaj perle, të cilët kanë mbetur të freskët në kujtesën time, padyshim do të veçoja gjyshin tim, Koço Çakalli, të cilin sa herë e dëgjoja dhe e ridëgjoja në disqet e stampuara në Paris, në vitin 1929, aq më shumë rritej brenda meje si lastar i blertë, kënga himarjote. Kurrësesi nuk do të zbehja interpretimin melodioz të vargjeve feniksiane të Mjeshtrit Neço Muko Himariotit, si dhe zërin brilant, si gurgullimë frymëzimi të Dhimitër Varfit.
-Në cilën periudhë u bindët që kënga do të ishte bashkëudhëtare e denjë në jetën tuaj?
-Në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, kur filluam të organizoheshim në shoqëritë kulturore Labe e Himarjote dhe përjetonim suksese të njëpasnjëshme, në të gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë skena, ku kënga për mua u bë domosdoshmëri.
-Përse të mbërthejnë, të pushtojnë, të veshin me emocion, këngët që ju interpretoni, për të cilat e madhja “Nderi i Kombit” Tinka Kurti, shprehet se: “Polifonia e jugut, kënga himarjote, janë pasuri që s’e ka bota, çdo i huaj mahnitet, si ka mundësi që këto këngë vijnë nga Shqipëria”?
-Këngët polifonike himarjote të cilat hipnotizojnë jo vetëm dëgjuesin, por madje dhe interpretuesit, ka fuqinë e fosforit të Akrokeraunës dhe jodin kurues të Jonit. Ajo mbart magjinë e shpirtit lirik e liridashës të banorëve të kësaj treve të transmetuar brez pas brezi, që sa fëmija nis të belbëzojë, deri sa fryma e fundit të na pushojë. Këngët himarjote, burojnë nga zemra dhe u flasin me dashuri e pasion të zjarrtë zemrave. Kështu ato ruajnë orgjinalitetin e vetë të papërsëritshëm.
-Ku qëndron sekreti i suksesit të zërit tuaj në këngët që interpretoni?
-Mendoj që, këmbëngulja e familjes time, e bashkëshortit tim, që ka patur vëmendjen në çdo moment dhe çast njëkohësisht, dhe përkushtimi im, ku në disa raste më duhej të sakrifikoja për të arritur të pamundurën, si dhe origjina e tradita e të parëve të mi, kanë bërë atë që, unë sot, të ndodhem në këtë lartësi.
-Gjerdani i artit të këngëve të Bregut, mban si perla këngët “Himara në breg të detit”, “Vajzë e Valëve”, “Erdhi prilli, shkriu bora majave”, “Katina nina-nina”…por si “qershizë mbi tortë” ju vendosni “Vajzë e valëve”. Përse?
-Këto këngë që ju sapo përmendët dhe qindra këngë të tjera të kënduara dhe të pareklamuara, padyshim, përbëjnë gurët e kështjellës folklorike tradicionale himarjote. Mund të them se kënga “Vajzë e valëve” mbetet kryevlerë, pasi tematika që ajo përcjell, vazhdon të jetë aktuale dhe e prekshme nga brezat të tjerë.
-Ju ndodh shpesh që, ndonjë këngë të preferuar tuajën, e cila qëndron shpesh si trëndafil i çelur në buzë, e këndoni në shtëpi, buzë detit apo gjatë punës?
-Të gjitha këngët unë i këndoj dhe i dua, sepse secila prej tyre mbart të veçantën e saj dhe bukurinë e saj, por ndonjëherë më mbetet në buzë trëndafil aromë shumë, kënga “Vogëlushe ane, ane” ose “Hyri prilli, ç’u shkri bora majave”, të cilën e kam shumë për zemër. Ato burojnë vetëvetiu, si vetë flladet bregdetare Joniane, që ledhatojnë lastarët e portokalleve apo limonave aromëkuruese. Këngët himarjote burojnë nga zemra dhe u flasin me dashuri e pasion të zjarrtë zemrave.Vetëm kështu ato e ruajnë orgjinalitetin e vet të papërsëritshëm.
-E konsideroni veten me fat, që në prehërin e Himarës në qerpik deti, jeton e krijon vargje autori i qindra këngëve polifonike të jugut, poeti “Mjeshtër i madh”, Lefter Çipa?
-Shumë prej këngëve të mia mbajnë vulën e tij si, “Lundroj në lundrën e këngës”, “Ç’më fluturoi syri”, “Himarë e bukur, Himarë”, të cilat janë pritur dhe dëgjuar me shumë dashuri nga publiku artdashës shqiptar dhe ai i huaj. Ne dhe brezat që do vijnë, i jemi mirënjohës talentit të paarritshëm të mjeshtrit Çipa. Por në kemi qenë fatlumë që kur Neço Muko e Koço Çakalli, krijuan dhe themeluan pavdeksinë e polifonisë himarjote. Ndërsa Koço Çakalli si krijues dhe interpretues i të gjitha teksteve të Feniksit të Himarës, Neço Muko, i dha kuptim vargjeve të florinjta. Të pazëvendësueshme mbeten tekstet e Nase Benit, kënga “Kush është lule e vilajetit” që ne himarjotët, e konsiderojmë Hymnin e Himarës. Si të mos e quaj veten me fat kur për mua, idhulli im, ishte zëri i titanit Dhimitër Varfi, mësuesi im, shembulli, modeli një këngëtari të talentuar dhe të palodhur. Pesëmbëdhjetë vjet rresht, kam punuar me profesorin dhe dajon tim Spiro Çakallin, si udhëheqës artistik pranë pallatit të Kulturës Himarë, që në momentet e para të performimit tim në skenë, në moshën gjashtë vjeçare. Poeti dhe shkrimtari himariot Odhise Goro, me tekste të papërsëritëshme dhe të krijuara me kaq mall për vendlindjen e tij, ku me grupin kemi qenë pjesëmarrës në disa festivale. Kënga “Thëllëza që shkel mbi vesë”, “Moj e vogla brezare”, “Ç’e lëvdon nëna të birin”, “E zeza për djemtë tanë, gurët e bregut i lanë”, “More rrugën e kurbetit, djalë i ri”, “Vitet Rivierës kur zbresin”, “Moj Himarë, magji e Jonit” e shumë tekste të poetit dhe shkrimtarit himariot Odhise Goro. Por pa dyshim që “Mjeshtri i madh” Lefter Çipa, mbetet ikona e vargut dhe melodive të grupeve të Rivierës dhe arkitekti i famshëm i këngës Piluriote.
-Cili publik ju ka dhuruar më shumë duartrokitje, kënaqësi?
-Publiku i zjarrtë i Iliriadës, në veçanti ai i trojeve jashtë vendit ku kemi performuar.
-Në sa vende ka jehuar kënga himarjote dhe si është mirëprtitur dhe vlerësuar ajo. Ju kujtohet ndonjë mbresë?
-Kënga himarjote ka jetuar në skena prestigjoze që nga Brukseli, Amsterdami, Parisi, Roma, Varshava, Berlini, Beogradi, Budapesti, Prishtina, Shkupi, Athina, Stambolli, Jerusalemi, e kudo ku na është dhënë mundësia kemi dhënë maksimumin tonë. E pashlyeshme mbetet skena e Mitrovicës, ku me këngën “Aman, trimat kapedanë”, u duk sikur lumi i Ibrit, ndaloi një moment të na dëgjonte.
-Keni bashkëpunuar dhe kënduar me grupe të tjera polifonike. Sa frytdhënëse i konsideroni këto bashkëpunime?
-Bashkëpunimet kanë qenë të vazhdueshëm dhe të suksesshme, po më frytdhënëse mendoj që, kanë qenë me Ansamblin Folklorik Çipini “Mjeshtër i madh” ku aderojnë mbartësit me të spikatur të trevave Labe dhe performancat e realizuara, mbeten brilante.
-Mendoni se duhet bërë ende punë, që këngët e popullit, në veçanti ato Polifonike të ngjiten në podin që ato meritojnë?
-Duhet ende shumë mund e përkushtim sidomos nga strukturat përgjegjëse, për ta ngritur në stadin e merituar këngën Polifonike, tashmë vlerë e trashëgimisë gojore botërore, mbrojtur nga UNESCO. Folku popullor himarjot, mbetet ende thesar i pazbuluar dhe i palëvruar, ashtu si ai e meriton.
-A keni dhënë ndonjë koncert recital si grup polifonik dhe nëse po, si janë vlerësuar ato?
-Pa diskutim koncertet recitale brenda trevës sonë, dhe të trevave përreth bashkisë si dhe brenda vendit tonë, ne kemi performuar në një sërë recitalesh, por edhe jashtë vendit si në Gjermani, Hungari, Kroaci, si dhe në Greqi, që janë pandërprerje duke marrë kudo vlerësimin maksimal.
-A duhet që një këngëtare të kujdeset, të zotërojë regjim të veçantë për të mbajtur në formë zërin?
-Natyrisht. Kujdesi duhet të jetë i vazhdueshëm dhe i pakursyer, por cilësitë vitale mbeten genetike.
-Ju keni dy fëmijë. Cili prej tyre ka marrë diçka nga nektari i këngëve të mamasë së tyre këngëtare?
-Pasuria ime më e madhe që kemi me bashkëshortin tim, janë dy fëmijët që kemi sjellë në jetë, Irini dhe Angjelo, të cilët i duam pa kufi dhe natyrisht ndihemi krenar për ta, ashtu si edhe ata për ne, prindërit e tyre dhe patjetër, për zërin dhe talentin tim. Mundohen që të kultivojnë nga pak për qejfin e tyre, sidomos kur mblidhen me shoqërinë e tyre ose nëpër festa familjare. Tashmë të dy janë studentë në fakultetet e Athinës, pasi ishte dëshira e tyre, për t’u shkolluar dhe për të marrë diplomat e tyre në këtë vend.
-Cila është dita më e lumtur e juaja, që troket më shpesh në kujtesë dhe ju e kujtoni atë me nostalgji?
-Kjo është një pyetje që mua me të vërtetë më prek shumë. Po. Është dita kur gjyshi im Koço Çakalli mori vlerësimin e merituar “Mjeshtër i madh” nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Mbetet e pashlyeshme dhe e përcjellë me lot gëzimi pasi, sistemi i monizmit ja kishte mohuar kontributin aq të madh dhe të pashlyeshëm të tij, në pasurimin e vlerave të folklorit himarjot.
-Tridhjetë e pesë vite, dashuruar me magjinë e këngës. A keni menduar ndonjëherë me veten tuaj, për t’u ‘divorcuar’ me këtë dashuri të hershme?
-Dashuria në fakt nuk njeh kufi, dhe unë me princeshën, “Polifoni Himarjote” do të shkoj deri në përjetësi, do jemi në çdo event, ashtu si është parashikuar në agjendën time, dhe nuk do egzistojë kurrë ‘divorc’ midis nesh.
-Cili motiv ju mban “peng” për të mos u shkëputur nga Himara e detit, natyrës brilante, Himara e këngës?
-Motivi i parë mbetet trashëgimia, prindërit e mi, familja ime, si dhe Polifonia. Por Hirushja është Himara, që poetët tanë i kanë thurur kaq e kaq këngë me krahasime nga më të bukurat. Himarjotët ndjehen lisa me rrënjë e degë evropiane, brez pas brezi, së pari i kanë kënduar Himarës, kësaj parajse të vërtetë, të stolisur nga fryma dhe dora e shenjtë e Perëndisë. Në çdo tekst kënge, në çdo melodi e interpretimi mjeshtëror, kanë gurgulluar si kroje me ujra të argjenda thesaret e shpirtit të paepur himarjot, me dashurinë e pa mbaruar, për lirinë dhe jetën, për të drejtën dhe të vërtetën.
-Jeni vlerësuar me çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit, jeni “Qytetare Nderi” e qytetit Himarë, madje dekoruar me titullin e lartë “Mjeshtre e madhe”. Ç’do të thonë këto vlerësime për ju?
-Falënderoj në rradhë të parë mbështetjen e bashkëshortit tim, familjes time, prindërve të mi për mbështetjen e pakursyer që më kanë dhënë, për dashurinë që më kanë ushqyer ndaj vendlindjes time dhe këngës si dhe, bekimin e zotit, për zërin që më fali. Vlerësimet mbeten motivuese, burim force, për ta transmetuar stafetën me dinjitet dhe vyrtytshmëri, brezit që po rritet në jetët tona.
-Çfarë është Himara për ju?
-Këtë pyetje do të doja ta ilustroj me vargje:
Himara për mua është oksigjen,
Isua e këngës jatri dhe melhem,
Himara për mua është Perëndia,
E shkuara, e sotmja dhe ardhmëria.