Lajm i trishtë për Interin vetëm pak orë para finales, ndahet nga jeta…

Në një moment të rëndësishëm për Interin, vetëm pak orë përpara finales së Ligës së Kampionëve ndaj PSG-së, klubi zikaltër është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të Ernesto Pellegrinit. Ish-presidenti historik i Interit u nda nga jeta mëngjesin e sotëm, në orën 8:00, në moshën 84-vjeçare.

Pellegrini ishte një sipërmarrës i madh milanez dhe qëndroi në krye të klubit nga viti 1984 deri në vitin 1995. Ai do të kujtohet për gjithmonë si presidenti i “skudetos së rekordeve” në sezonin 1988/89, kur Interi, me ‘yje’ si Rummenigge, Matthäus, Klinsmann dhe Brehme, fitoi titullin e 13-të në histori me 58 pikë në 34 ndeshje, një rekord për kohën kur fitorja vlente vetëm dy pikë.

Sigal

Nën drejtimin e tij, Interi fitoi gjithashtu Superkupën Italiane në vitin 1989, si dhe dy herë Kupën UEFA: në vitin 1991 dhe sërish në vitin 1994. Ishte një epokë lavdie për klubin zikaltër, që lidhet ngushtë me emrin e Ernesto Pellegrinit.

Ai ishte gjithashtu president dhe administrator i përgjithshëm i kompanisë “Pellegrini S.p.A.”, e cila operon në sektorin e restoranteve kolektive e komerciale, shërbimeve të mirëqenies në punë, shpërndarjes automatike, shitjes së mishit të freskët dhe produkteve ushqimore, si dhe pastrimit dhe dezinfektimit të ambienteve.

Funerali i Ernesto Pellegrinit do të mbahet të mërkurën, më 4 qershor, në kishën e Shën Ambrozit, në orën 15:00. Ndërkohë, Interi do të zbresë në fushë në finalen e madhe me shirit zie në krah, në nderim të një figure të paharrueshme të historisë zikaltër.

Në një komunikatë zyrtare, klubi shprehu dhimbjen për ndarjen e tij: “Ernesto Pellegrini ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e klubit tonë.”