Vijon zjarri në Malin e Tomorrit, zjarrfikësit dhe banorët ‘në luftë’ me flakët

214
Sigal

Vijon prej nëntë ditësh zjarri në Malin e Tomorrit.

Temperaturat e larta dhe era kanë bërë që zjarri të përhapet, duke krijuar vatra të reja, ndërkohë që në shumë zona raportohet se shumë vatra zjarri janë drejt neutralizimit të plotë dhe po monitorohen me kujdes që të mos riaktivizohen.

Në ndihmë të punonjësve të ADZM-së janë prej 1-javë rreth 25 forca të ushtrisë dhe banorë të fshatrave përreth Tomorrit, ndërkohë që janë kryer edhe hedhje uji me helikopter nga ajri.

Duke qenë se terreni është i vështirë dhe mjetet e kanë të pamundur futjen në zonë, zjarri është duke u fikur vetëm me forca njerëzore dhe mjete rrethanore. Burimet zyrtare nga ADZM Berat konfirmojnë se deri më tani janë djegur rreth 23 hektar pyll me pisha si dhe janë djegur disa vendbanime të kafshëve të egra dhe shumë fole zogjsh.

Në lidhje me situatën në ditën e nëntë të zjarrit në Malin e Tomorrit flet Drejtori i ADZM Berat, Fatos Nako.

“Në zonën jugore ku kishte vatra të shumta zjarri, falë punës së punonjësve të ADZM-së Berat, forcave të ushtrisë dhe banorëve të zonës është punuar për eliminimin e kësaj vatre që është pothuajse në fazën e izolimit.

Kjo vatër që po shkon drejt izolimit do të jetë në monitorim të vazhdueshëm edhe në ditët në vijim derisa të kryhet shuarja e plotë e saj.

Zona veriore dhe perëndimore, që kanë qenë prej dy ditësh të izoluara, janë nën monitorim nga forcat e ADZM-së pasi dihet që terreni i vështirë, temperaturat e larta, era e fortë dhe mungesa e reshjeve krijon premisa që në çdo moment zjarri të riaktivizohet.

Puna për shuarjen e plotë të zjarrit në Malin e Tomorrit do të vijojë edhe për shumë ditë të tjera, deri në izolimin e plotë të rrezikut të riaktivizimit”, -tha Fatos Nako