Flet inxhinieri dhe poeti Martin Cukalla: Poezinë e parë e lexoi Drita Siliqi dhe ma botoi Drago Siliqi tek “Zëri Rinisë”

170
Sigal

-Si u trondita kur hyra në zyrën e Kadaresë pasi nuk e dija kush ishte brenda saj

-Si më botoi poezitë e para Ismail Kadare në gazetën “Drita”!

-Shkolla “Petro Nini Luarasi” ka nxjerrë personalitete në çdo fushë

-Sterjo Spasse gjithmonë më nxiste të shkruaja poezi

-Kadareja me një stolpas nënvizonte se cilat poezi do botoheshin dhe cilat jo

– Me honoraret e gazetës “Drita” bleva një palë këpucë dhe një këmishë fanellatë

-U befasova kur Kadare më tha se në pyjet e Francës gjen qetësi këtu janë mbushur me bunker.

-“Afërdita përsëri në fshat” një roman i shkruar nga Sterjo Spasse më ngjizi dashurinë për letërsinë

Albert Z. ZHOLI

Martin Cukalla është një inxhinier i industrisë minerare, i cili për mëse 35 vjet ka drejtuar sektorët më të vështirë të minierave shqiptare nga jugu në veri të vendit. Ka një eksperiencë të madhe në fushën e shfrytëzimit të minierave, por edhe të drejtimit të tyre, ku punën e filloi në Memaliaj. Ishte vitit 1966. Atëherë në minierë punonin afro 550 vetë drejtpërdrejt nën tokë dhe jepnin diku tek 160 mijë ton/vit qymyr. Në këtë minierë ka bërë dhe një takim tepër të ashpër me minatorët ish-kryeministri Mehmet Shehu. Në disa intervista që kam zhvilluar me të ai sqaron se problemet e sotme të minierave dhe aksidentet brenda tyre kanë të bëjnë me shfrytëzimin pa kriter, por edhe me mos hapjen e minierave të reja, sikundër edhe me mospasjes së kurseve speciale për minatorët, të literaturës së duhur, të statusit, si dhe një dinamikë e madhe e punimeve në miniera. Por Martini është dhe një poet prodhimtar dhe me talent në letërsi. Megjithëse është modest. Madje doja të thosha që ai ka shkruar që në moshën rinore 16-17 vjeç në dy nga gazetat më prestigjioze shqiptare të sistemit monist në gazetën “Zëri Rinisë” dhe “Drita”. Duhet thksuar se në gazetën “Drita” në atë periudhë punonin korifejtë e letrave shqipe si Agolli, Kadare, Spahiu, etj…

Jeni një nga inxhinierët gjeolog me emër në Shqipëri që keni lëvizur në veprat më të dëgjuara shqiptare në periudhën e socialzimit. Por vitet e fundit ju dalloheni dhe keni bërë emër si poet, por edhe si publicist. Si lindi dëshira për letërsinë. Kur keni shkruar për herë të parë dhe çfarë keni shkruar? Si i kujton sot botimet e para?

Unë jam nga Progonati i bilbilenjve, një fshat me histori të madhe dhe me njerëz të kënduar. Pra ky fshat nuk është dalluar vetëm për trimëri, por edhe për penë. Nga ai fshat kanë dalë shumë emra të njohur të letërsisë shqiptare prej të cilëve kam marrë edhe frymëzim. Pra është uji, pemët, legjendat, historitë, malet, përrenjtë, bagëtitë, njerëzit e këtij fshati që më kanë ngjizur padashur dëshirën për të shkruar..

Atëhere të vijmë te libri i parë që keni lexuar…

Po. Unë dhe pse nga Progonati, thuajse jam rritur në Tiranë. Pas çlirimit të vendit  xhaxhai im një partizan dhe njeri i dashuruar me librin, duke ditur dëshirën time për të mësuar, më mori në Tiranë. Xhaxhai ishte plagosur në luftë dhe gjithmonë në shtëpi sillte libra. Biblioteka e tij ishte shumë e pasur, por çuditërisht ai nuk më impononte të lexoja. Në shtëpinë tonë asgjë nuk imponohej, por secili bënte atë që dëshironte dhe dinte të bënte më mirë. Një ditë xhaxhai duke ditur që unë dhe pse rrija me të në kryqytet, kisha shumë lidhje shpirtërore me fshatin. Sa herë kisha mundësi vrapoja në fshat. Për këtë arsye një ditë ai vjen me një libër në dorë. Ishte romani “Afërdita përsëri në fshat” një roman i shkruar nga Sterjo Spasse.  Xhaxhai më afrohet dhe më thotë:- urdhëro, mere këtë libër, nëse ke kohë apo të pëlqen lexoje! Sa pashë titullin më intrigoi. I thashë faleminderit xhaxhait dhe shkova menjëherë për ta lexuar pasi fliste për fshatin. Libri më rrëmbeu. Thuajse e lexova brenda natës. Sa më kënaqi. Oh, sa mirë u ndjeva! Brenda dy ditësh lashë çdo gjë dhe e lexova dy herë romanin. Ishte brenda shijeve të mia. Lexova shumë për këtë libër. Në vitin 1938, Spasse e përfundoi së shkruari romanin e dytë “Afërdita” që doli nga botimi në vitin 1943. Romani u përkthye edhe në rusisht e bullgarisht. Afërdita Skënderaj është një mësuese që punon në një fshat malor. Afërdita punoi me vullnet dhe dëshirë të madhe për të përmirësuar gjendjen intelektuale të fshatarëve. Në fund ajo ia del të shuajë mosmarrëveshjet ndërmjet dy fshatrave. Kjo ishte sinteza e këtij romani që mua më rrëmbeu. Pas këtij romani unë fillova të lexoja gjithmonë romane. Madje jo vetëm romane pasi libraria ime në shtëpinë e xhaxhait ishte shumë e pasur. Aty gjeta gjithë shkrimtarët më të mëdhenj të Rusisë, por edhe të Francës, Gjermanisë etj…

Ndoshta ishte fillimi i leximeve të romaneve që bëri që të kap penën për të shkruar? Pra ishte si shtysë ky roman?

Ndoshta ishte. Ndoshta… Por si ditë shënohet që fillova të shkruaj kur isha në vit të tretë gjimnaz te “Petro Nini Luarasi”. Në një pushim ne filluam të krijojmë vjersha humori me njeri tjetrin. Mësuese letërsie kishim të talentuarën Drita Siliqi.  Vjershat që bënim ja kalonim njëri tjetrit. Edhe unë bëra një poezi. Në këtë kohë vjen mësuesja. Ne u  cuam në këmbë dhe kur na tha ajo uluni zumë vendet. Ajo na pa që qeshnim nënë zë dhe na pyeti çfarë keni. Ne për një moment nuk folëm. Në këtë kohë një shoku im që kishte poezin time çohet dhe ja çon poezinë mësueses. Ajo e mori në duar copën e letrës dhe filloi ta lexojë. Ndenji ashtu rreth 5 minuta. Pasi e lexoi ngriti kokën dhe na u drejtua neve/ Kush e ka bërë këtë poezi? Unë u tremba. U tkurra. Me ndroje u çova në këmbë. Nuk e ngrija dot kokën nga turpi se mendoja se ishte ndonjë poezi pa vlerë dhe do më fliste rëndë. Por për çudi mësuesja më thotë: Bukur Martin. Ke bërë poezi të bukur. Uë nuk u besoja veshëve. Ajo më përgëzoi dhe filli mësimin. Pas ca ditësh marr vesh se poeiza ime ishte botuar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Aty mësova se mësuesja ja kishte dhënë poezinë burrit të saj Drago Siliqit ei cili e kishte redaktuar dhe e kishte botuar. Atë kohë Drago ishte me emër dhe punonte te “Zëri i Rinisë”. U gëzova shumë. Më dha shumë zemër ai botim. Pra isha në moshë të re sapo kisha mbushur 16 vjeç. Kështu u interesova më shumë për mësuesen Drita Siliqi. Babai i saj ishte Athanas Shundi, i cili ka qenë mësues në shkollën e parë shqipe të Tiranës dhe pas përfundimit të studimeve universitare për kimi dhe farmaci në Napoli, hapi farmacinë e tij në Tiranë. Ai ishte delegat i Tiranës në Kongresin e Kishës Autoqefale që u mbajt në Berat në shtator të vitit 1922 dhe që vendosi që gjuha e liturgjisë në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare të ishte gjuha shqipe. Nëna e Dritës, Kaliroi Spiru Shundi ishte nga një familje tregtare nga Durrësi, që pati nxjerrë njerëz të njohur si Nako Spiru, por që u persekutua nga regjimi komunist. Shumë pjesëtare të familjes se saj vuajtën shtetëzimet, madje edhe burgjet e komunizmit. Ndërsa ishte studente në Tiranë, Drita u njoh me poetin e ri Drago Siliqi, me të cilin do të lidhte më pas jetën e saj. Pas përfundimit shkëlqyeshëm të studimeve universitare për letërsi, ajo punoi për shumë vite me radhë si arsimtare, fillimisht në Institutin Bujqësor të Kamzës e në Gjimnazin e Shkodrës, në shkollat e mesme “Petro Nini Luarasi” dhe “Sami Frashëri” të Tiranës dhe me pas si pedagoge në Fakultetin e Histori Filologjisë, Katedra e Letërsisë. Më vonë, ajo do të punonte për disa vjet si kryeredaktore në revistën “Shqiptarja e Re”. Në vitin 1957, Drita u bë bashkëshortja e intelektualit të njohur Drago Siliqi, poet, kritik letrar dhe publicist, i cili vdiq në një aksident ajror më 13 korrik të vitit 1963, duke e lënë pas Dritën me dy vajzat, Darinën dhe Laurën.

Po më vonë si vazhdoi krijimtaria juaj? Çfarë botuat më vonë dhe ku?

-Pas disa muajsh unë bëra një poezi tjetër dhe shkova vetë tek “Zëri Rinisë”. Por tashmë nuk gjeta Dragon, por Vath Koreshin. Kur ju prezantova ai më pa me buzqëeshje dhe më tha përse ksiha ardhë. I thashë kam sjellë një poezi. Ai e mori dhe më tha do ta shikoj kur të kem kohë dhe do kemi bashkëpunim. Në fakt poezia u botua pas një jave dhe u ndjeva sërish mirë.

Nga shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” çfarë kujtimesh ruan?

Ruaj kujtimet më të bukura të jetës. Aty njoha mësues pasionantë. Njoha këkresën e llogarisë. Respektin për mësuesit, prindërit, familjen, për librin. Ishte një brez mësuesish, që bënin më të mirën për edukimin tonë. Kur i shihnim në rrrugë mësuesit ne ndëronim rrugë për respektin që  kishim pasi për ne ishin barazuar me zotin. Ata nuk kurseheshin edhe pas shkollës të na mësonin dhe të na edukonin. Ishte një shkollë që sot nuk e gjen. Edhe ne nxënësit ishim shumë të edukuar. Lotoj sa herë e kujtoj atë shkollë.

Me kë lidhe miqësi më shumë në shkollë të mesme?

Miqësi lidha me Ilinden Spasse  djali I shkrimtarit Sterjo Spasse  prejt të cilir kasha lexuar romanin e parë “Afërdita përsëri në fshat”. Ndoshta ishte vetë romani që më nxiti për këtë lidhje, apo tipi I tij por u bëmë shumë miq. Ai erdhi në gjimnazin tonë kur ishte në vit të tretë. Pra dy vite I bëmë bashke. Me Ilndenin shkonim shumë herë në shtëpinë e tij pasi ai kishte shumë hurma në oborr. Ilindeni më prezantoi te babai duke i thënë që Martini ka botuar poezi te “Zëri i Rinisë”. Ai pas atij momenti sa herë shkoja më ftonte në studion e tij. Në studio kishte një tavolinë të ulët ku kishte vendosur makinën e shkrimit dhe rreth e rrotull bibliotekë të mbushur me libra. Më kërkoi disa herë t’i çoja krijime ku më bënte dhe kritikat e rastit. Ruaj kujtime shumë të bukura me të pasi gjithmonë më thoshte mos e le të shkruarin, sa herë ke kohë shkruaj se ke talent.

Dhe ju e ndoqët këtë porosi, vazhduat të shkruani?

Me thënë të drejtën isha pak dembel në këtë drejtim. Nuk isha i mirorganizuar. Shkruaja shumë rrallë për një mijë e një arsye. Por erdhi një moment që kur do kaloja në vit të katërt më duheshin një palë këpucë dhe një këmishë.  Ishim të varfër. Për të blerë librat dhe një palë pantallona apo veshje të brendshme babai shiti një dele dhe me ato lekë më nisi për Tiranë. Por do isha maturant dhe doja të kisha diçka ndryshe. Duke folur me Ilindenin i them që kam ëndërr të blej një palë këpucë dhe një këmishë të re. Po shumë mirë më tha. Shkruaj disa poezi dhe me honoraret merr ato që të duhen. Pse paguhen e pyeta? Posi jo më tha. Psh. Nëse shkruan te gazeta “Drita” aty ka honorare më të mëdha. Po si paguhen honoraret e pyeta? Po ja tha nëse hyn në poezitë më të mira për botim është 13 lekë rreshti, nëse hyn në peozitë e kategorisë së dytë 12 lekë rreshti e të tretën me 11 lekë. Mora lapsin dhe bëra llogaritë. Një palë këpucë bënin 80 lekë dhe një këshimë 40 lekë pra rreth 120 lekë. Pastaj me Ilindenin bëmë llogatitë sa poezi dhe sa reshta duheshin. Afërisht 3 poezi me nga 5 strofa. Pastaj thamë që po i blemë duhej të pinim dhe nga një birrë me qofte, pra dhe 20 lekë. Që në darkë fillva të shkruaja. I bëra 3 poezi dhe thashë që janë bërë mirë. Pastaj bëra dhe një të katërt për mbushje që të ishte. Të nesërmen u takova me Ilindenin dhe i thashë që i bëra poezitë po tani çfarë do bëjmë? Do i çosh tek gazeta “Drita”- më tha. Po unë nuk njoh njeri i thashë. Po shko në sekretari më tha. Aty do të orientojnë. U vura në siklet. Ç’të bëja? Mora inatin e labit dhe u nisa. Shkoj te godina ku ishte Lidhja e Shkrimtarëve. Aty trokas te sekretarja. Ajo më priti mirë dhe më pyeti se çfarë kisha. I thashë kam sjellë disa poezi për botim. Më tha do shkosh në fund të korridorit. Dera majtas dhe trokit aty. Tek ajo zyrë miren materialet. Mora pak guxim u krekosa dhe u nisa. Ndaloj para derës dhe trokas. Hyr!-dëgjoj një zë nga brenda. Ende isha ashtu i krekosur, pasi mendoja se do më prisnin kudo si sekretarja. Hap derën dhe shikoj me kërshëri. Përballë meje ishte Ismail Kadareja. Shtanga!

Çfarë emocionesh ndjeve para Kadaresë? A fole lirshëm? Si të priti?

Kur e pashë me vëmendje dhe bëra lidhjen kush ishte Kadareja i madhm, u çarmatosa. Krenaria iku, Vetbesimi u largu, për disa momente nuk dola. Ngela si i nemitur. Letrat me poezi gati sa s’më ranë në tokë. Ai më pyeti sërish me atë të folmen e tij pa shumë llafe. Përse keni ardhur djalosh? Po ja kam katër poezi dhe doja t’i botoja tek gazeta “Drita”. Mirë m’i jep më tha. Ishte ditë e premte. M’i mori letrat dhe i futi në sirtar. Do komunikojmë më tha. Kur doli gazeta nuk e pashë emrin tim. Prita një javë numrin e dytë. I thashë Ilindenit si duket nuk i kanë pëlqyer. Shko pyete më tha, shko se ai ka shumë punë. Mora zemër dhe shkova. Trokita sërish me më shumë emocion. Hyr u dëgjua zëri nga brenda. Hapa me ndroje derën dhe u gjenda përballë Kadaresë. Ai më pa me vëmëndje dhe menjëherë më tha. Ah po, ti je ai djali që ke sjellë poezitë. Po – i thashë. Hapi sirtarin dhe nxori poezitë. Filloi t’i lexojë. Kaloi të parën dhe me stilolaps i vuri një plus. Kaloi të dytën sërish plus. Kaloi të tretën sërish plus. Te e katërta ndaloi dhe më tha kjo nuk vlen për botim. Unë rrija si i ngrirë. Shikoja stilolapsin dhe më dukej sikur ishte një vare që do më binte në kokë. Thuajse nuk egzistoja. Pasi i vuri kryq të katërtës më tha merri dhe çoji në redaksi  nga fundi. Aty është një daktilografiste  jepja t’i shtypi. I mora me duar që dridheshin dhe duke i thënë ditën e mirë u largova. Sa dola nga zyra  u lehtësova. Një ohhhhh më doli nga gjoksi. Dukej se shpëtova nga një nakth i madh. I çova letrat ku më tha Kadareja dhe u largova. Ika me nxitim se kisha frikë mos i kthehej mendja dhe më thoshte grisi. Tashmë prisja të shtunën kur dilte gazeta “Drita”.

A u botuan poezitë? Çfarë vendi kishin zënë ato në gazetën më të bukur dhe më të madhe të krijuesve shqiptarë?

Eh ajo ditë. Ajo ditë mbetet si një dritare e madhe drite në krijimtarinë time. Poezitë e mia ishin si kryeartikull në faqen e parë. Po, po në faqen e parë krahas shumë shkrimtarëve të mëdhenj. Nuk u besoja syve kur e pashë. Emocion I paparë. Ilindeni qeshte i tëri nga gëzimi. Më përqafoi dhe gëzonte po aq sa unë. Në shkollë filluan të më thoshin Martin poeti. Por unë prap përtoja të shkruaja pasi tani kisha filluar të lexoja. Lexoja romane sapo të kisha pak kohë të lirë.

-Nuk çove më poezi te gazeta “Drita”?

Çova dhe njëherë. Kur ja çova Kadareja më kushtoi disa minuta kohë. Duke lexuar poezitë e mia ai më tha e ke lexuar Hajnin? Nuk dija çfarë t’i thosha preferoja të heshtja. Si duket ai mendonte se poezia ime kishte  frymën e tij, kishte stilin e tij të të bërit poezi.  Më foli për të dhe poezinë e tij dhe u ndamë…

-Nesër do lexoni:

-Si e njoha Dritëro Agollin dhe përshtypjet e para

— Takimi me Agollin, Kadarenë, Shapllon në Memaliaj dhe dënimi i Ibrahim Uruçit.

-Si i kryqësuan Kadarenë dhe Agollin për takimin në Memaliaj me Ibrahim Uruçin

-U befasova kur Kadare më tha se në pyjet e Francës gjen qetësi këtu janë mbushur me bunker