Pas divorcit: 8 mijë prindër s’paguajnë pensionin ushqimor, 1300 dosje në Përmbarim për “Takim me fëmijët”

32

Reforma në drejtësi solli implementimin e disa akteve ligjore. Megjithatë ligji nuk shprehet për shpenzimet e tjera përmbarimore. Për shembull, në rastin e ekzekutimit të vendimeve me objekt takimin e fëmijëve të mitur nga prindi jokujdestar (pas divorcit bashkëshortor), nevojitet prezenca e një eksperti psikolog që asiston procesin, në zbatim të nenit 523 të Kodit të Procedurës Civile.

Sigal

 

/Telegraf.al/ Përmbarimi Shtetëror përballet me një problem të rëndë, që ka prekur familjet e divorcuara: Prindërit nuk zbatojnë vendimet e gjyqit! Rreth 8 mijë prindër nuk paguajnë pensionin ushqimor, ndërsa 1300 dosje presin në Përmbarim për çështjen “Takim me fëmijët”. Janë vetëm 59 përmbarues në të gjithë vendin që duhet të përballojnë dhe vendosin drejtësi e barazi në këto çështje familjare. Sipas një auditimi të KLSH, Shërbimi Përmbarimor nuk arrin që të zbatojë në afat vendimet, sidomos ato që lidhen me çështjet e divorcit.

Kush e paguan psikologun në “takimet me fëmijët”?

Reforma në drejtësi solli implementimin e disa akteve ligjore, të cilat patën efekt pozitiv për qytetarët. Një ndër këto akte ishte edhe Ligji nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”, i cili ka si qëllim të ofrojë ndihmë juridike falas për të siguruar akses të barabartë të të gjithë individëve në sistemin e drejtësisë. Ndër të tjera, kjo ndihmë konsiston edhe në përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore, shpenzimeve gjyqësore dhe nga detyrimi për parapagim të tarifave të vënies në ekzekutim të Urdhrave të ekzekutimit për individët me të ardhura të pamjaftueshme.

Megjithatë ligji nuk shprehet për shpenzimet e tjera përmbarimore. Për shembull, në rastin e ekzekutimit të vendimeve me objekt takimin e fëmijëve të mitur nga prindi jokujdestar (pas divorcit bashkëshortor), nevojitet prezenca e një eksperti psikolog që asiston procesin, në zbatim të nenit 523 të Kodit të Procedurës Civile.

Nga intervistat e zhvilluara me përmbaruesit është konstatuar që pagesa për psikologun zakonisht është mbuluar nga vetë pala kreditore. Roli i psikologut në procedurat e ekzekutimit është i domosdoshëm, por nuk janë të pakta rastet kur kreditori refuzon të parapaguajë shpenzimet për të, duke vështirësuar realizimin e ekzekutimeve me objekt “takim me fëmijë”. Në rastet e individëve me të ardhura të pamjaftueshme, zyrat e përmbarimit i janë drejtuar për ndihmë pushtetit vendor (Bashkive), të cilët kanë vënë në dispozicion punonjës socialë sipas mundësisë. Duhet mbajtur parasysh që punonjësit socialë nuk janë profesionistë të licencuar për të ushtruar rolin e psikologut, megjithatë është gjetur një zgjidhje e improvizuar për të mos penguar ekzekutimin e vendimeve të kësaj natyre.

Prindërit e ndarë që nuk paguajnë pensionin ushqimor

Shërbimi Përmbarimor Shtetëror ndjek veprimet procedurale për realizimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, brenda afatit ligjor të arsyeshëm, me objekt “pension ushqimor”, “takim me fëmijë”, “kujdestari fëmije”, “urdhër i menjëhershëm i mbrojtjes” dhe “urdhër i mbrojtjes”. Kjo është në kuadrin ligjor për barazi në martesë dhe në jetën familjare, por edhe të përmbushjes së të drejtës së kreditorit (prindit kujdestar).

Referuar të dhënave progresive për vitin 2022 rezulton një total çështjesh prej 9,455 çështjesh, nga të cilat 8,176 janë me objekt “pension ushqimor”, 1,279 çështje me objekt “takim me fëmijë” dhe 14 me objekt “kujdestari fëmije”. Nga këto, 8,117 çështje “pension ushqimor” janë në ekzekutim të vazhdueshëm, nga të cilat në 2,740 nuk shlyhet detyrimi për pamundësi paguese nga ana e debitorit dhe veprimet procedurale përsëriten në mënyrë të vazhdueshme për verifikim të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të tij me qëllim ekzekutimin e detyrimit, për 1,345 çështje detyrimi shlyhet pjesërisht dhe jo i plotë, gjithashtu për paaftësi paguese.

Një tjetër problem i hasur në praktikën përmbarimore rezulton edhe emigrimi i shumë prindërve të divorcuar, të cilët duke qenë larg, nuk paguajnë detyrimin ushqimor dhe nuk u rezulton pasuri e sekuestrueshme. Për rrjedhojë këto tituj ekzekutivë mbeten të pazbatuara, sepse prindi debitor nuk merr pagesë papunësie, pasi është larguar dhe nuk plotëson kushtet e ligjit për ta përfituar atë. Kjo ndikon në mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore brenda një afati të arsyeshëm, duke çuar në mosrealizimin e të drejtës ligjore të palës së interesuar.

Çdo përmbarues ka 839 dosje në vit!

Gjatë vitit 2022, përmbarimi shtetëror ka pasur një total prej 57035 çështjesh, duke përfshirë pensionet ushqimore dhe takimet me fëmijët, të cilat janë në ekzekutim të vazhdueshëm. Në këtë periudhë, 15434 çështje kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale.

Ndërkohë, gjatë vitit 2021 ka pasur një total prej 55 213 çështjesh, por vetëm 172 prej tyre kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale. Gjatë vitit 2020 ka pasur një total prej 50 983 çështjesh, ku 329 prej tyre kanë qenë në tejkalim të afateve procedurale. Numri i çështjeve të ekzekutuara ka qenë i përafërt gjatë viteve në fjalë, por diferencën e bëjnë dosjet e mbartura. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e vështirësive të hasura në vendosjen e pasurive në sekuestro, për shkak të mungesës së bashkëpunimit me institucionet e përfshira.

Duke marrë në konsideratë statistikat e paraqitura më lart, konstatohet se raporti midis dosjeve për ekzekutim dhe numrit faktik të përmbaruesve është jo proporcional. Konkretisht, nëse do të bëhej një pjesëtim i thjeshtë në fund të vitit 2022, rezulton se për çdo përmbarues shtetëror janë afërsisht 839 dosje në ekzekutim. Një ngarkesë e ngjashme konstatohet edhe në vitet e kaluara, ku në vitin 2020 ky raport është afërsisht 809 dosje për përmbarues dhe në vitin 2021 rreth 824 dosje për përmbarues.

Në rend kronologjik vihet re një rritje e lehtë pas çdo viti, e cila rrezikon të thellohet për shkak të dosjeve të mbartura.

Nga praktika ndër vite e shërbimit përmbarimor shtetëror sugjerohet që numri i dosjeve për secilin përmbarues mos të jetë më i madh se 200. Megjithatë, në lidhje me këtë shifër nuk ka një kriter të miratuar zyrtarisht.