Dritëro Agolli: Ndëshkimi

703
Sigal

Lufta ishte e rreptë, Tragjeditë kishin shumë ngjyra…

Vijon nga numri i kaluar

3.
Pas dy-tre ditëve të tre partizanët, Sefer Nezha, Sadiku dhe Aleksandri nuk e panë më Islam Bylykbashin. Nuk ia dëgjuan më kollën e thatë në odën përkrah derës së tyre. Qerim Shagu iu tha se ai iku të kërkojë shtabin e brigadës në Panarit i përcjellë nga Malka, hipur në kalin e të zotit të shtëpisë.
– Atë e kanë egërsuar vuajtjet! – tha Qerim Shagu me vështrim nga dy partizanët e rinj pa ia hedhur sytë Sefer Nezhës.
Sefer Nezha e kuptonte tani ftohtësinë e Qerim Shagut ndaj tij. Edhe ndrojtjen e Sadikut dhe Aleksandrit e kuptonte.Ata nuk i thoshin më “xhaxha”, madje në kuvendim e sipër Sefer Nezhës i bënë veshët sikur njeri prej tyre i tha “xhand…” dhe aty për aty e ndërpreu fjalën.Prandaj ai kthehej vonë në shtëpinë e Qerim Shagut, kur të gjithë kishin ngrënë dhe bëheshin gati të flinin.
Madje i mërzitur i kishte thënë komandantit që ta lejonte të shkonte në një batalion tjetër të një brigade tjetër. Dhe këtu kishte bërë gabimin më të madh, që do t’i kushtonte shumë shtrenjtë. Komandanti e kishte pritur ftohtë dhe nuk e kishte lejuar.Por ai ishte njeri i fortë dhe dinte ta gëlltiste hidhërimin.Vetëm se i vinte inat me keqkuptimin që kishte ndodhur nga fjala e një njeriu të ardhur fare rastësisht në këto anë. Mbase ai vërtet i shembëllente një Nezhës tjetër që edhe ky na paskësh qenë xhandar. Mbase edhe i ardhuri kishte pasur të drejtë, se ashtu i ishte dukur. Megjithatë ky i ardhur duhej të priste dhe duhej të kishte durim që ta qartësonte figurën e Sefer Nezhës… A nuk ishte Sefer Nezha, i veshur xhandar, që i bëri atentat në mes të Korçës spiunit me nam Kurtali Hasit? Këtë të gjithë e dinë. Atëherë ishte ditë pazari. Shumë fshatarë kishin zbritur në Korçë të shisnin fasule dhe misër dhe të blinin ato që u duheshin. Kurtali Hasi me republikë dhe mustaqe të holla ecte nëpër pazar për të nuhatur ndonjë ilegal a ndonjë të dyshimtë të përzjerë me fshatarët. Sefer Nezha xhandar e ndiqte pas. Dhe në një kafene më të dalë të pazarit ata u takuan ballë për ballë.I qetë dhe gjakftohtë, Sefer Nezha bëri sikur nuk e njohu dhe i kërkoi Kurtali Hasit pashaportën. Ai u nxeh dhe aty për aty futi dorën në xhep dhe nxori librezën e spiunit. Sefer Nezha e mori në dorë, e lexoi dhe ia ktheu.
– “E more vesh?” – pyeti Kurtali Hasi.
– “Merre edhe ti vesh!” – i tha Sefer Nezha dhe e qëlloi tri herë me revolver.
Kurtali Hasi ra në pragun e derës së kafenesë i përgjakur, ndërsa Sefer Nezha humbi me vrap nëpër pazarin e fshatarëve i veshur si xhandar. Që prej asaj dite ai nuk mund të rrinte në qytet si xhandar dhe doli malit me partizanët.
Ka njerëz që këtë ngjarje e dinë shumë mirë! – mendoi ai. Ne vërtet jemi larg Korçës, por për këto gjëra mund të pyetet. Si u hedhkan fjalët në erë? Fjalën po e hodhe në erë ecë dhe pa nxirre pastaj! – mendonte Sefer Nezha kur binte të flinte dhe kur ecte i vetmuar mes kopshteve të shkretuar të fshatit të rrahur nga era e vjeshtës së ftohtë.
Dhe një ditë e thirrën në shtabin e batalionit. Me ta thirrur, ai e ndjeu se kjo punë do të kishte lidhje me fjalët e Islam Bylykbashit. Në batalion kishte ardhur urdhër me shkrim nga shtabi i brigadës se në bazë të të dhënave të sakta dhe të pakundërshtueshme të Islam Bylykbashit, të Qerim Shagut, të Malko Agos dhe dëshmitarëve të tjerë, Sefer Nezha është spiun në fillim i futur nga italianët dhe tani nga gjermanët. Prandaj t’i bëhej gjyqi dhe të pushkatohej. Këto nuk ia thanë Sefer Nezhës. Dihej vetëm një gjë që komandanti i batalionit, megjithse e thirri Sefer Nezhën dhe e çarmatosi, vendosi me mendjen e tij që të mos e pushkatonin tani për tani. Ai i dërgoi letër shtabit të brigadës, që të niste njerëz te Riza Kodheli për ta pyetur për Sefer Nezhën, pasi vetëm Riza Kodheli, shkruante komandanti në letër, e dinte dhe prandaj duhej gjetur dhe duhej pritur përgjigja e tij. Është e vërtetë se ai nuk dyshonte në ndershmërinë e Islam Bylykbashit, që kishte hequr mbi kurrizin e tij gjithë ato mundime, nuk dyshonte as në çiltërsinë e Qerim Shagut, kryetarit të Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit dhe njeriut me ndikim të madh në gjithë krahinën, por sidoqoftë duhej marrë edhe mendimi i Riza Kodhelit. Në letrën e komandantit ishin edhe këto fjalë: “Unë nuk e pushkatoj Sefer Nezhën pa një urdhër të dytë”.
Sefer Nezhën e çarmatosur e mbajtën në arrest, duke e lënë të shoqëruar me dy partizanë, me Sadikun dhe Aleksandrin, në odën e Qerim Shagut. Dhe ai rrinte i mbyllur brenda katër mureve me dy roje, që para pak kohëve i kishte si dy djemt e tij më të dashur. Dera e odës hapej dhe mbyllej, kur ai kishte nevoja vetiake dhe kur e shoqja e Qerim Shagut me dhembje dhe duke psherëtirë i shpinte të hante.
Për disa ditë e disa net tek priste i mbyllur të dilte para gjyqit partizan, Sefer Nezha u thinj i tëri.Faqet i hynë në gropat e kockave dhe hunda prej shqiponje dukej sikur i ishte zmadhuar pa masë. Ai i shikonte të dy djemtë e rinj partizanë në heshtje, duke psherëtirë plot pikëllim. Kishte dëshirë të ndjente prej tyre fjalën “xhaxha”, por ky emër nuk do të dëgjohej kurrë. Të dy djemtë, Sadiku dhe Aleksandri qëndronin kokëulur dhe nuk guxonin ta vështronin në sy. Që në fytyrat e tyre ndjehej hija e mosbesimit. Nuk ishte e mundur që Sefer Nezha, njeriu i urtë, që i ruante këta të dy, si dy sytë e ballit, nga plumbi, që i mësonte se si duhej luftuar, të ishte një spiun. Kjo punë duhet të jetë ngatërruar! mendonin ata, duke shikuar këpucët e tyre në dyshemenë e korridorit para odës, ku mbyllej Sefer Nezha.
Ata, që nga koha e çarmatosjes së Sefer Nezhës, edhe të zotin e shtëpisë, Qerim Shagun, mezi e takonin. Iu dukej i ftohtë dhe i largët. Këtë e ndjente edhe Qerim Shagu, që ecte me sy përdhe i zymtë. Edhe atij tani i ishte rënduar shtëpia, se kishte marrë një hije tjetër. Brenda saj rrinte një i burgosur, siç rri brenda gjoksit një brengë dhe një ankth. Por ai kishte bindje të plotë që Sefer Nezha ishte spiun, se e kishte parë me sytë e tij, kur me italianët e mori Islam Bylykbashin dhe e kalbi nëpër burgje. Për këtë nuk kishte asnjë dyshim dhe mund ta thoshte kudo dhe kurdoherë që t’i vinte radha. Megjithatë, ai nuk do ta dëshironte që ngjarja e Sefer Nezhës të ndodhte në shtëpinë e tij, se e kuptonte që kjo nuk ishte një gjë e thjeshtë. Ishte një gjë e dhimbshme…

4.
Më në fund u kthye nga shtabi i brigadës Islam Bylykbashi, tani i veshur partizan me kapele me yll dhe me rrip të trashë mesit, ku varej një revolver i vogël. Fytyra e tij, megjithse e dobët, kishte marrë pakëz ngjyrën e kuqërremtë dhe balli nuk i dukej si një kafkë. Me ardhjen e tij shtabi i batalionit ia bëri gjyqin Sefer Nezhës, duke e dënuar me pushkatim. Në gjyq përveç tij morën pjesë edhe Qerim Shagu me Malkë Agon. Sefer Nezha e mohoi që kishte qenë spiun dhe tha se Islam Bylykbashin as e kishte njohur kurrë. Ai më në fund kërkoi që para se të merrej vendimi, të dërgohej një njeri te Riza Kodheli andej nga Gora dhe Opari për ta pyetur se si qëndronte puna e Sefer Nezhës. Riza Kodheli nuk do ta kishte harruar. Por në gjyq iu tha se kishin kërkuar të dhëna nga Riza Kodheli dhe nuk kishin marrë ndonjë përgjigje. Me sa duket punën e Sefer Nezhës, Riza Kodheli nuk e dinte. Partizanit që kishte dërguar brigada tek ai, i kishin thënë: “E ku e ka mendjen Riza Kodheli tek një njeri që paska qenë xhandar. Riza Kodheli çdo ditë është sa nëpër prita me gjermanët, sa duke pirë raki, sa me shoqërimin e Shtabit të Përgjithshëm. Ehu! Këtej bëhet kërdia, ju na u merrkeni me ca xhandarë! Ama llaf!”Dhe në brigadë e kishin humbur shpresën. Pastaj ishte e palogjikshme të mos i besoje Islam Bylykbashit që ishte ndeshur sy ndër sy me këtë Nezhën dhe që kishte provuar mbi kurrizin e tij drurin dhe kamxhikun, çizmen me gozhdë dhe spicat në thonjtë e duarve dhe këmbëve.
Atëherë u caktuan shtatë partizanë nën komandën e Islam Bylykbashit për ta shpënë për pushkatim të gjykuarin Sefer Nezha. Në këta të shtatë bënin pjesë edhe Sadiku me Aleksandrin.Tre shkonin përpara me Islam Bylykbashin në krye dhe katër vinin pas. Sefer Nezha ecte mes tyre. Frynte një erë e ftohtë dhe e lagësht dhe vërshëllenin degët e kumbullave të zhveshura.

Retë ngjyrë plumbi vraponin ulët nëpër qiell, herë duke u mbledhur pranë njëra-tjetrës dhe herë duke u larguar. Pas mezhdës së arës me bar të lagur ecnin të shtatë dhe Sefer Nezha tetë, ecnin shoku pas shokut të kërrusur, me fytyra të futura në jakat e palltove të vjetra. Tre të fundit, përveç pushkëve, kishin edhe dy lopata dhe një kazmë. Sefer Nezha nuk e fuste fytyrën në jakën e palltos dhe nuk mbrohej nga era. Ai ecte dhe shikonte herë retë që vraponin mbi kokën e tij dhe herë barin e lagësht që gërvishte këpucët dhe i spërkaste me ujë të ftohtë.
Mezhda e arës të shpinte në bregun e përroit, ku ngriheshin tri gorica të vogla me degë plot gjemba të murrmë, që vërshëllenin nga era. Sefer Nezha tek vështronte të tre goricat buzë përroit, iu kujtua pa dashur, aty për aty, një këngë që e këndonin nga ana e Korçës:

Te gorica plakë
Po ta bëjnë varrë, Pleqtë po punojnë, Beqarët po qajnë…

Dhe ai psherëtiu. Këtë psherëtimë e mori era dhe e shpuri larg në grykën e përroit të thellë, duke e shtyrë nëpër gjembat e goricave.
– Këtu! – tha Islam Bylykbashi dhe të shtatë partizanët me Sefer Nezhën tetë qëndruan në mes të tri goricave.
Ata e vunë Sefer Nezhën të qëndrojë katër hapa larg goricave dhe të shtatë i dolën përballë. I dënuari e mbante kokën lart dhe qëndronte me jakë të zbërthyer pa asnjë shenjë urrejtjeje në fytyrë, bile me një buzëqeshje të lehtë, që mezi i dukej.
– Ç’ke për të thënë, Sefer Nezha? – pyeti Islam Bylykbashi, që komandonte të shtatë partizanët.
Sefer Nezha i vështroi të shtatë njerin pas tjetrit tek ua merrte cepat e kapotave era dhe u përgjigj:
– Më lejoni t’ju përqafoj të gjithëve para se të vdes! Për një çast asnjë s’u përgjigj. Islam Bylykbashi u vrenjt dhe duke i rënë me pëllëmbë revolverit që kishte në brez tha:- Do të përqafohesh me këtë…
Sadiku me Aleksandrin thanë me vete për Islam Bylykbashin: “Sa i poshtër”! Pastaj thirrën njëzëri:
– Le të na përqafojë!
Islam Bylykbashi u lëkund, por nuk tha asnjë fjalë. Sefer Nezha u çapit me hapa të gjata me pallto gjer në fund të këmbëve, me jakë të zbërthyer, dhe filloi t’i përqafojë me radhë të shtatë partizanët. Kur shkoi tek Aleksandri dhe Sadiku, ai u përlot dhe tha nëpër buzë diçka të pakuptueshme. Edhe ata të dy filluan të qajnë me ngashërimë.
Pastaj ai iu afrua Islam Bylykbashit, që qëndronte i zbehtë dhe i hollë, i futur në pallton e gjerë si një kërthi.
– Edhe ty do të përqafoj, megjithëse nuk të kam njohur! – tha ai dhe shtriu krahët.
Islam Bylykbashi i thatë dhe i rreptë u zbraps dhe Sefer Nezha e kuptoi që ai nuk donte të përqafohej. E vështroi për një çast drejt në sy, u kthye dhe shkoi në mes të tri goricave në vendin e pushkatimit.
– Gati! – urdhëroi partizanët Islam Bylykbashi me revolver në dorë.
Të gjashtë ngritën pushkët drejt Sefer Nezhës.
– Zjarr! – Komandoi Islam Bylykbashi.
Dhe asnjeri nuk e zbrazi. Islam Bylykbashi i vështroi me rreptësi.
– Ç’janë këto? Nuk dëgjoni? – thirri ai. Nga radha e partizanëve u hodh Sadiku:
– Unë do ta mbaj për krahu Seferin, që kur ta marrë plumbi të mos bjerë menjëherë për tokë. Do ta mbaj dhe pastaj do ta lëshoj ngadalë që të mos i dhëmbë!… – tha ai me një zë dhe me një vështrim si prej fëmije.
Pa pritur që ta lejonin, ai shkoi dhe ia vuri dorën nën krah Sefer Nezhës duke e larguar pakëz trupin. Islam Bylykbashi nuk e kundërshtoi, vetëm e vështroi me habi.
– Zjarr! – thirri ai dhe pesë plumba ranë në gjoksin e Sefer Nezhës.
Atij iu morën këmbët, por Sadiku e shtrëngoi për krahu dhe e shtriu ngadalë për tokë në mes të tri goricave që vërshëllenin nga kamxhiku i erës së vjeshtës.

5.
Batalioni përgatitej të nisej dhe ta linte krahinën, i rënduar nga pesha e vrasjes së një njeriu, të mbetur atje ku era i bie fyellit të tri goricave. Partizanëve kjo u dukej si një ëndërr në mesin e natës, që do të kalonte dhe përsëri gjendja do të ishte si më parë. Por kur batalioni ishte gati për t’u nisur erdhën dy partizanë nga larg me një burrë të gjatë me pallto të murrme, me një fytyrë në formën e trekëndëshit dhe me një hundë si të shqiponjës. Burri vështronte herë djathtas dhe herë majtas, duke i lëvizur sytë horizontalisht. Ai ndjehej i shqetësuar dhe i trembur. Partizanët u mblodhën rreth tij. E vështronin dhe nuk iu besonin syve të tyre. Ky burrë i shembëllente një për një Sefer Nezhës. Dukej sikur Seferi ishte nisur për rrugë të largët dhe tani ishte kthyer. Vetëm se ky i kthyer ishte më i dobët në trup dhe në fytyrë.
– Ç’bëhet kështu?! Ç’bëhet kështu, ju them! – thirri komandanti kur e pa këtë Sefer të dytë.
Këto fjalë nuk i drejtoheshin askujt. Ato vetëm oshëtinin nëpër batalion. Por ato gjëmuan në veshët e Islam Bylykbashit se ai i pranoi, se atij i takonin më shumë se çdo njeriu. E largoi turmën e partizanëve dhe shkoi e qëndroi ballë për ballë me burrin ashtu si në tri goricat ballë për ballë me Sefer Nezhën. Ia hodhi sytë të ardhurit, i përqëndroi në fytyrën e tij dhe pyeti me zërin e tij të trashë, por të dridhur:
– Lefter Nezha?
– Unë jam Lefter Nezha! – tha ai pa u dridhur, ashtu si Sefer Nezha.
Islam Bylykbashi pështyu. Komandanti nuk u përmbajt:
– Pështy edhe veten tënde! – dhe ktheu krahët i egër dhe i ftohtë si era e dimrit.
Dy partizanët e ardhur i dhanë komandantit një letër, që e dërgonte shtabi i brigadës. Në letër thuhej që të hiqej dorë nga pushkatimi i Sefer Nezhës, se kishte ndodhur një gabim i rëndë. Shtabi i brigadës i kishte kërkuar Riza Kodhelit, komandantit të famshëm të batalionit “Tomorri” që të dërgonte të dhëna për Sefer Nezhën dhe të thoshte mendimin e tij nëse e njihte. Riza Kodheli ishte shumë larg me batalionin e tij dhe përgjigja ishte vonuar: Vonesa kishte ndodhur edhe për arsye se komandant Kodheli kishte dërguar njerëz për ta kërkuar dhe për t’ia sjellë Nezhën e vërtetë, spiunin me damkë. Pasi e kishte gjetur, e kishte nisur në brigadën që bënte kërkesën, bashkë me një letër, ku shpjegonte për Sefer Nezhën që e njihte mirë. Aty nga fundi i letrës Riza Kodheli shkruante se “nuk ka më trim se Sefer Nezha, që ia hodhi zorrët përpjetë mu në kafenenë e pazarit të Korçës spiunit surrat pekmez Kurtali Hasit”. Shtabi i brigadës e mori Lefter Nezhën që dërgoi Riza Kodheli, dhe e përcolli në batalionin, ku ishte Islam Bylykbashi, për ta pushkatuar në vend Sefer Nezhës. Por ishte vonë. Komandanti shfryu mbi letrën e shtabit të brigadës, e mblodhi shuk dhe e futi në xhep i mërzitur. Pastaj ai dha urdhër që të hiqet nga të tri goricat trupi i Sefer Nezhës dhe para atij varri të varet në njerën prej goricave spiuni Lefter Nezha. Trupi i Sefer Nezhës të shpihet në varrezat e fshatit me nderim të madh dhe me të shtëna pushkësh dhe mortajash. Kjo do të bëhej të nesërmen.
Islam Bylykbashi ishte krejt i humbur. Fytyra i ishte bërë si dhe i murrmë. Ishte mbështetur në një kumbull dhe i binte kokës me të dy grushtat. Torturat që kishte hequr në burgje nuk ishin asgjë përpara këtyre të fundit. Ai mallkonte veten që u arratis nga burgu. Të kishte vdekur atje!
Qerim Shagu dhe Malkë Agua nuk guxonin të vështronin në sy partizanët. Kur iu dolën përpara Sadiku dhe Aleksandri, djemtë e rinj që rrinin me Sefer Nezhën, ulën kokat dhe një drithmë iu kaloi nëpër trup. Të dy partizanët, që provuan të parën tragjedi në jetën e tyre, u ndalën para Qerim Shagut dhe Malkë Agos, iu hodhën një vështrim nga koka gjer në këmbë dhe thanë:
– Për herë të parë ju na i dërmuat shpirtin! – dhe ikën të pikëlluar dhe të mbushur plot zemërim.
Të nesërmen, para se të bëhej varrimi me nderim i Sefer Nezhës, komandanti i batalionit me tre partizanët dhe me Qerim Shagun, kryetarin e Këshillit Nacional- Çlirimtar të fshatit, shkuan në tri goricat. Ata çapiteshin nëpër erën e vjeshtës, duke mbajtur në gjokse brengën e fajësisë së madhe. Kur arritën në tri goricat buzë përroit ndalën përnjëherësh të shtangur dhe bënë sikur të kishin të pesë një gojë të vetme: “Breh!”… Krah varrit të lagur të Sefer Nezhës e gjetën të shtrirë Islam Bylykbashin, mësuesin e dërmuar nëpër burgje. Ai shtrihej me sy të hapur drejt qiellit me re me gjurmët e dhembjes në fytyrën e dobësuar. Kishte vrarë veten…
Mbi varrin e Sefer Nezhës kishte vënë një tufë me degë pishe dhe me fije bari. Ishte vjeshtë dhe nuk kishte lule.
Komandanti i batalionit dhe Qerim Shagu hoqën kapelet dhe qëndruan në heshtje.

Botim I vitit 1963