Dr. Vladimir Mici : “Rrënimi i naftës shqiptare”  

259
Sigal

 

  • – Naftëtarët, rreth dyzetmijë, pa llogaritur familjet e mëdha të tyre, janë lënë në mëshirë të marrëveshjeve skllavëruese.
  • – Sot, nuk merret askush me naftën dhe gazin ajo është lënë në “rënie të lirë”.

Prof. Dr. Gjergji Foto

Ky ishte “përfundimi” i një letre që një punonjës i naftës, i dërgoi Sekretarit të Komitetit Qëndror të Partisë së Punës së Shqipërisë, sh. Enver Hoxha, e që u bë prologu i  analizave të hollësishme në tërë veprimtarinë e industrisë së naftës e që rezultoi me epilog të frikshëm; dënimin me burg të të ashtuquajturve sabotatorë e që për disa, u lidh edhe me veprimtari armiqësore, të cilët u dënuan me pushkatim. Unë, i kam jetuar ato vite dhe ato ngjarje, disa drejtpërdrejtë dhe disa jo, por i kam të paharrueshme, jo vetëm përmbajtjen e letrës së dërguar në udhëheqjen më të lartë të partisë, e cila ishte e vërtetë, por sidomos për pasojat që patën të implikuarit në ato ngjarje dhe sidomos shtrirjen e analizave deri te organizuesit e atij “çorganizimi”. Në atë analizë u përfshinë jo vetëm  specialistët e projektues të puseve dhe kantiereve që zbatonin projektet, por edhe ata të institucioneve qëndrore që hartonin planet e fryra të prodhimit të naftës që nëpërmjet dhunës verbale, kontrollit dhe pranisë së drejtpërdrejtë të tyre në vendin e punës, i jepnin asaj pamjen e një pune të mirëorganizuar. Në rastin e kësaj përmbledhje, për meritën e autorit Dr. Vladimir Mici, një veprimtar i rrallë, serioz dhe i përgjegjshëm, një njohës i përkryer i gjithë veprimtarisë së drejtpërdrejtë financiare dhe ekonomike, pothuaj në tërë  hierarkinë e industrisë së naftës, pati një përvojë për të pasur zili. Ajo, filloi me “kulmin” e piramidës, që përfshinte punën për vlerësimin e perspektivës naftëgazmbajtëse të territorit shqiptar, zgjedhjen e sheshit të studimeve të detajuara komplekse për kërkimin e naftës, punën përgjithësuese dhe projektuese të puseve të kërkimit, vlerësimin e kostos së atyre punimeve, ose krejt punën e Institutit Gjeologjik të Naftës dhe Gazit. Duke zbritur më poshtë, drejt bazës së hierarkisë, vazhdoi pastaj me njësitë që siguronin prodhimin e naftës së zbuluar dhe Albpetrolin, transportin e saj në stacionet grumbulluese, por edhe atje ku prodhoheshin karburantet dhe produktet e përpunimit të thellë të saj dhe deri në bazën e hierarkisë, tregëtimin e tyre. Ky autor i rrallë, i katërti dhe i vetmi sot, në historinë e gjatë të naftës, që filloi me Prof. Tomorr Cerova, Prof. Ahmet Bajo, Ramadan Hoxha, autori ekonomist Dr. Vladimir Mici, i profilizuar për industrinë e naftës, e jetoi përvojën e ekonomisë së centralizuar në pushtetin popullor por për fatin e mirë të tij, por sidomos të lexuesve të sotëm,  përvojën më të gjatë e pati duke punuar dhe vrojtuar  industrinë e naftës në ekonominë e tregut të lirë të pas vitit 1990, madje, duke punuar edhe në institucionin qëndror që ka drejtuar industrinë e naftës. Një veprimtari e tillë, kaq e gjerë, rrallë ka ndodhur, por pikërisht kjo, i ka dhënë autorit përparësinë për të realizuar analiza dhe të nxjerrë përfundime me shumë vlerë. Natyrisht, për të arritur këtu, ka qenë domosdoshmëri edhe guximi i autorit si cilësi karakteri, e që dëshmon vlerat e plota intelektuale të tij. Këto vlera intelektuale të Dr. Vladimir Micit, janë ato që i mungojnë elitës politike të demokracisë që duket sikur komandohet nga vullneti dhe “liria e individit” nga që lirinë e tyre e shfaqin hapur si liri për të përfituar për vete dhe jo për popullin që i voton dhe përparimin e vendit.

 

Autori i kësaj përmbledhje tregon qartë me fakte se, interesi i analizave të tij janë kapitali njerëzor, ai i naftëtarëve të përçarë, që sot e tridhjetë vjetët e fundit, kanë braktisur solidaritetin emblemë të tyre për shkak të kësaj politike të mbrapshtë të trajtimit për qëllime përfitimi. Objektivi i dytë i kësaj analize, është braktisja që i është bërë proçesit të përpunimit kimik të naftës për prodhimin e karburanteve, këtyre lëndëve që përcaktojnë pavarësinë e zhvillimit të vendit dhe që shkakton edhe bllokimin e prodhimit të naftës dhe dëmtimin teknologjik të shfrytëzimit. Objektivi i tretë dhe shumë i rëndësishëm që vë në dukje autori është indiferenca e grupimeve qeverisëse ndaj pasurive natyrore nëntokësore. Ata, shfaqen të interesuar për rritjen e taksave si burim të ardhurash pa punë, por thjesht nëpërmjet rritjes së çmimeve që në fund të fundit, rëndojnë mbi konsumatorin, rritin papunësinë dhe varfërinë në vend.

E gjithë kjo situatë ekonomike, vjen nga mungesa e një strategjie për zhvillimin e vendit, që duhej të bazohej mbi prodhimin, midis tyre, të vlerësimit të potencialeve natyrore e sidomos për lëndët me rëndësi strategjike që sigurojnë pavarësinë e vendit, siç është nafta dhe gazi. Deri tani, rritja ekonomike që deklarohet, vjen nga bumi në ndërtime dhe nga një ekonomi shërbimesh, që po e shfaq ndikimin e vet negativ edhe në sistemin arsimor me humbjen e interesit të të rinjve për arsimim.

Do të përcillja një periudhë frazash të autorit për të kuptuar dëshirën dhe aftësinë e tij për t’iu futur në thelb problemeve të qeverisjes, në rastin e industrisë së naftës: “Në artikujt e mi, e kam vënë theksin në përgjegjësinë shtetërore për kalimin e punonjësve në një gjendje mashtrimi, kur ata, nuk paguhen për një kohë të gjatë, ku firmat fantazmë marrin me qira asetet e kësaj kompanie…… ku shteti sheh dhe nuk flet e nuk ka kontroll mbi pagat, mbi numrin e punonjësve, mungesën e pagesës së sigurimeve shoqërore, për punonjësit e pushuar pa të drejtë dhe ku kompania nuk u jep paratë e rrogës dhe vjetërsinë në punë”. Nga këto parregullsi, thotë autori, punonjësit sigurojnë  pensione të cunguara, ulet numri i lindjeve nga që gratë në punë nuk fitojnë dot lejen e lindjes, fëmijët e tyre nuk mund të arsimohen, duke shënuar drama sociale të punonjësve të naftës. Autori shkruan se “Demokracia u kërkua për të respektuar dhe vënë në binarë lirinë e individit  duke i garantuar mbrojtjen sociale, prosperitetin dhe lirinë e gëzimit të fruteve të punës së vet.”

 

Në periudhën e pushtetit popullor dhe diktaturës proletare, prania e drejtuesve kryesorë në vendet e punës së specialistëve, krijonte përshtypjen se gjithçka ishte në kontroll, ata drejtonin drejtpërdrejt, pra edhe “e organizuar më së miri” pa ç’ka që dëmi ishte i madh me investime të fryra, që tregonte për një “çorganizim të organizuar”. Sot, nuk merret askush me naftën dhe gazin. Ajo është lënë në “rënie të lirë”.  Naftëtarët, rreth dyzetmijë, pa llogaritur familjet e mëdha të tyre, janë lënë në mëshirë të marrëveshjeve skllavëruese, që i kanë hequr nga “kasaforta popullore” asetin më të rëndësishëm të vendit lëndën strategjike naftën dhe gazin ose “ARIN e ZI” “Gjakun në trupin e njeriut”.

Kjo përmbledhje problematike e autorit Dr. Vladimir Mici, është një thirrje ndërgjegjësuese jo vetëm për naftëtarët, por për tërë popullin që përveç vetes, ka përgjegjësinë për brezat që vijnë. Kjo përmbledhje, është një thirrje për elitën politike të vendit që duhet të lërë “idetë e mëdha, e të zbresë në nivelin e kërkesave të popullit nëse do të duan të quhen intelektualë”!