Çlirim Hoxha: Përse Historia e Shqipërisë nuk duhet ta përmendë Çamërinë, Janinën, andartët grek, osmanët e serbët?!

450
Sigal

Të rishkruhet historia e Shqipërisë si nevojë e pasurimit me fakte të reja, apo si kërkesë e fqinjëve për pastrimin e të vërtetave në raport me ta?!

  • -Si i kërkova kryemnistrit Rama në  “Lulishten e Shkrimtarëve”  në Skelë reformimin e Akademisë së Shkencave
  • – Përse teksti i historisë së Shqipërisë nuk duhet ta përmendë fare Çamërinë, Janinën, andartët grek të 1914-tës, Osmanët, Serbët?!
  • – Teksti i leximit të klasës së katërt në Gjermani thekson se themeluesit e Romës ishin shqiptarët me princin Enea, historia jonë nuk e përmend
  • – Akademikët, profesorët,  doktorët, në Shqipëri gjatë tranzicionit kanë braktisur studimet dhe botimet e tyre dhe kanë krijuar parti politike
  • – Në Akademinë e Shkencave tema e Trojës është tabu dhe kapak i mbyllur nga frika e përballjes me fqinjët jugor
  • -Historia e Shqipërisë ka nevojë për fakte të reja mbështetur në referenca, arkiva të huaja, duke ngritur  hipoteza dhe debat shkencor
  • – Grekët kishin frikë nga e vërteta, sepse deshifrimi i mbishkrimeve pellazge, që gjenden në bodrumet e Akropulit të Athinës do t’u dilnin në gjuhën iliro-shqipe

Çlirim Hoxha

Kam vite që në shtypin kombëtar kam kërkuar reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Madje, në korrik të vitit 2017, vetëm disa ditë pasi Kryeministri Rama fitoi mandatin e dytë në zgjedhjet politike, gjeta rastin dhe shfrytëzova një takim publik që ai zhvilloi me qytetarët e Vlorës në “Lulishten e Shkrimtarëve” në Skelë, fare pranë Universitetit “Ismail Qemali” dhe i bëra një kërkesë. Ndonëse Rama nuk e priste, pasi po priste të dëgjonte ankesat e qytetarëve për Aluizmin dhe Hipotekën, unë e delegova shqetësimin  i pari. “Zoti Kryeministër, kërkojmë reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë…për këto e për ato arsye”. Rama uli kokën pasi ajo që po kërkoja ishte jashtë temës së takimit që po zhvillohej, por gjithsesi, shqetësimi u mbajt shënim dhe në fund të shtatorit të po atij viti, pasi Qeveria Socialiste nisi punën për mandatin e dytë, Kryeministri Rama kërkoi publikisht reformimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sot Akademia e Shkencave ka një fytyrë të re, paçka se ka rënë në duart e politikanëve, si në krye ashtu edhe në brendësi, gjë që e bënë të diskutueshëm të vërtetën e reformimit të saj të plotë. E them këtë duke u bazuar te angazhimet politike të disa akademikëve, profesorëve e doktorëve, të cilët gjatë viteve të tranzicionit kanë braktisur studimet dhe botimet e tyre dhe kanë krijuar parti politike. Pastaj kanë ikur nga ato parti dhe janë hedhur në parti të tjera, kanë hyrë e kanë dalë sipas konjukturave dhe interesave, pastaj një ditë janë kujtuar se janë historianë, arkeologë, gjuhëtarë e kanë braktisur politikën dhe yxhym te Akademia e Shkencave për ca tituj më shumë e për ndonjë lekë te projekti i madh. Pra, këta që ishin deri dje duke filluar nga para ’90-tës, po këta janë edhe sot, sepse vetëm këta e kanë në dorë monopolin e të vërtetave historike e gjuhësore të shqiptarëve?!

Gjatë 30 viteve të fundit Shqipëria u hap ndaj botës.

Shumë studiues të rinj u afirmuan e shumë intelektualë emigruan në Europë e botë, ku gjurmuan në arkivat, muzeumet e biblioteka fakte, harta e dokumente të tjera mbi shqiptarët e për shqiptarët që nga koha e pellazgëve, ilirëve e deri në ditët tona. Këto fakte janë me rëndësi jetike për shkencën historike, albanologjike e gjuhësore të shqiptarëve dhe duhet të merren në konsideratë nga autoritetet në Akademinë e Shkencave dhe institutet e historisë dhe gjuhësisë. Akademia e Shkencave ka ngritur një komision për hartimin e historisë së re të shqiptarëve nga antikiteti deri në ditët tona. Kjo është një iniciativë e mirë e Zotit Skënder Gjinushi si kryetar i kësaj Akademie dhe duhet përshëndetur, po të kemi parasysh shumë fakte e dokumente e botime të gjetura jashtë Shqipërisë në këto vitet e fundit, të cilat duhet ta pasurojnë tekstin e Historisë së Shqipërisë me krenari të ligjshme. Por ka edhe një indice tjetër që e ka bërë Akademinë e Shkencave të lëvizë. Sipas Akademikut, Prof.Dr. Pëllumb Xhufi, shkak për hartimin e një teksti të ri të Historisë së Shqipërisë, veç nevojave të kohës janë bërë edhe presionet nga vulgu. Kuptohet, e ka fjalën për ne entuziastët që jemi turrur në gjithë këto vite për të zgjuar nga gjumi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe që me studimet tona të pavarura dhe me botimet tona studimore-historike apo gjuhësore mbi pellazgët, ilirët dhe shqiptarët dhe gjuhën shqipe, të sjellim fakte të reja mbështetur në referenca, të ngremë hipoteza dhe të nxisim një debat shkencor, që duhet të merret në konsideratë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë për të saktësuar të vërtetat mbi shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Një tjetër arsye e rishkrimit të Historisë së Shqipërisë nga antikiteti deri në ditët tona, qofsha i gabuar, por këtu është dëgjuar që grekët dhe turqit i kërkojnë Qeverisë Shqiptare të pastrojë historinë nga pretendimet territoriale të shqiptarëve ndaj vendeve fqinje, të pastrojë historinë nga pretendimet historike në raport me ta, sepse këto na nxisin ndjenjën e konflikteve nacionale etj si këto?! Pra sipas kësaj logjike teksti i historisë së Shqipërisë nuk duhet ta përmend fare Çamërinë, Janinën, andartët grek të 1914-tës, Osmanët, Serbët etje?! Po të futemi më thellë akoma dhe të prekim epokën e lashtësisë, Historia e Shqipërisë nuk duhet të tregojë se Lufta e Trojës zhvillohej midis fiseve pellazgo-ilire me njeri tjetrin dhe nuk kishte të bënte fare me grekët, që ende nuk njiheshin dhe ende nuk ishin formatuar si entitet. Apo se Iliada dhe Odisea e Homerit ishin poema pellazgo-ilire të letërsisë historike shqiptare dhe asaj Europiane. Apo akoma më tej, se themeluesit e Romës ishin shqiptarët me princin trojan Enea në krye. Këtë fakt na e dokumenton edhe teksti i leximit të klasës së katërt në Gjermani. Ja se çfarë thuhet aty:

“Një nga pasardhësit mbretërorë të fisit të Eneas ishte mbreti shqiptar Prokaz, i cili kur vdiq kishte lenë pas dy djem Numitorin dhe Amuliusin. Rrallë dikush ka parë një ndryshim kaq të madh midis dy vëllezërve; Numitori, plaku, ishte i butë dhe me zemër të mirë, ndërsa Amuliusi  ishte me temperament të shpejtë dhe sundues. Ambicia dhe epshi për pushtet e shtynë Amuliusin të rrëzojë vëllanë e tij nga froni dhe ta dëbojë atë nga vendi. Nga frika e ndëshkimit, ai e donte djalin e vëllait të tij për të vrarë, ndërsa gjuante. Vajzën e Numitorit, Rhea Silvia, ai e bëri priftëreshën e Vestës, në shërbimin e së cilës ajo duhej të mbetej e pamartuar. Kështu që çdo kërcënim për fronin e tij dukej i hequr. Pastaj ndodhi që zoti i luftës Marsi pa vajzën e bukur në Vestal dhe u martua fshehurazi me të. Kur Rhea Silvia lindi binjakët Remin dhe Romulin, Amuliusi i hodhi ata në lum nga frika se kur të rriteshin mund të hakmerreshin dhe ta rrëzonin nga froni. Atje i gjeti një ujkonjë, e cila i ushqeu me qumësht. Kur Romuli dhe Remi u rritën ata vendosën të themelonin një qytet. Secili donte që t’i vendoste qytetit emrin e tij dhe për këtë ata u grindën me njëri-tjetrin në një dyluftim, ku Romuli vrau Remin dhe e ndërtoi vet qytetin duke i vendosur emrin e tij Roma”.

Djaloshi emigrant Enea na dërgon një dokument sinjifikativ. Nxënësit e klasave të katërta të ciklit të ulët në Gjermani mësojnë të vërtetat historike të heronjve pellazgo-ilir që themeluan Romën. Po nxënësit tanë a i mësojnë këto të vërteta historike??!!

Historia e antikitetit

Historia e antikitetit është gjenealogjia e fisit tonë pellazgo-iliro-shqiptar, prandaj duhet mbledhur me shumë kujdes dhe pa inferioritet. Kush merret me gjenealogjinë e fisit, ai merret me gjenealogjinë e botës ndaj meriton lavdinë, thoshte Perandori i Romës Jul Çesari. Me Trojën do merrem pak më gjatë, sepse ajo është histori e fisit tonë që në antikitet dominonte Mesdheun dhe i dha dritë Europës që po lindte. E keqja është që në Akademinë e Shkencave kjo temë është tabu dhe kapak i mbyllur nga frika e përballjes me fqinjët jugor. Në maj të vitit 2004 gjatë një konference shkencore mbi turizmin kulturor mbajtur në Hotel “Neë York” në Ujin e Ftohtë Vlorë, arkeologu i njohur Neritan Ceka, pasi tha se Aulona e lashtë u themelua rreth 2500 vjet më parë, tha edhe këtë tjetrën: “Banorët e Plloçës së sotme në rrethin e Vlorës, (Amantia) pretendojnë edhe sot e kësaj dite se janë diasporë e trojanëve”. Zbulimet e fundit në Amantia nga DRTK Vlorë dhe IKTK tregojnë autoktoninë e padiskutueshme të shqiptarëve që nga pellazgët, ilirët e deri në ditët tona.

Në një tjetër takim me arkeologun Neritan Ceka në vitin 2012 në Simpoziumin Ndërkombëtar “10 mijë vjet histori nga pellazgët te shqiptarët”, organizuar në Muzeun Historik Kombëtar nga Qendra e Studimeve Pellazgjike drejtuar nga Prof. Dr. Luftulla Peza, Prof. Ceka përshëndeti i pari simpoziumin. Ai na dha një këshillë para se të largohej, duke parë ngazëllimin dhe dëshirën tonë për të studiuar dhe zbuluar fakte të reja mbi etnogjenezën e shqiptarëve në shekuj. “Kujdes nga ju entuziastët. Megjithatë një gjë duhet ta dini. Shumë zbulime dhe shpikje në botë janë bërë nga entuziastët dhe jo nga shkencëtarët e vërtetë”. Kështu ka ndodhur. Unë po i kthehem Trojës dhe vendndodhjes së saj. Një punim që e nisa me indicien e një miku të rinisë për lumin Kir  më bëri t’i kthehem Iliadës dhe Odisesë së Homerit. Këtë radhë jo si leximi i një poeme epike për kënaqësi, por me lupë zmadhuese në dorë për ditë të tëra, aq sa përfundova te okulisti. Ato që zbulova nëpër këngë e vargje ishin mahnitëse. Konkluzioni ishte se Troja nuk gjendet në Azinë e Vogël, por në zonën midis Shkodrës e Lezhës, në bregun e detit dhe fushat, kodrat e lumenjtë Buna, Kiri, Drini e deri lartë në malet e bjeshkëve e në Dardani-Kosovë.

Kanë pretenduar edhe të tjerë studiues për Trojën në Shkodër, siç është serbi Milutin Jaçimoviç, titulluar me librin e tij “Troja-kryeqyteti Shkodër i serbëve”, çka unë nuk e kam lexuar, veçse dëgjuar. Përveç shpërfaqjes nacionaliste për ta nxjerrë Shkodrën si kryeqyteti i Serbisë fantazmë të antikitetit, mbi kurrizin e shqiptarëve autokton doemos, unë nuk e di se ku është mbështetur dhe cilat janë faktet shkencore që Jaçimoiviç ka paraqitur, me të cilën është pranuar në Akademinë e Shkencave në Kongresin e Shën Peterburgut në vitin 2009. Politizimi i një teme shkencore për qëllime nacionaliste hedh në erë çdo përpjekje studimore e gjurmuese për t’i dhënë botës fakte historikë që kundërshtojnë argumentet e mëparshme të autorëve të tjerë. Hulumtimi im mbi këngët dhe vargjet e Iliadës dhe Odisesë e deri te Eneida e Virgjilit për udhëtimin e Eneas, më nxorën në Shkodër si vendbazimi i Luftës së famshme të Trojës dardane. Mos u çuditni, Troja gjendet në zonën në jug të Kalasë së Skutarit-Shkodrës dhe betejat e akejve me trojanët janë zhvilluar aty rrotull mes lumenjve e poshtë fushës deri në bregdet, në malet e kodrat aty pranë. Sa fakte kam gjetur, të cilat i kam përfshirë në plotësimin e librit tim, “Traktati i origjinës së shqiptarëve”, kapitulli; “Ku gjendet Troja”. Por, edhe vet përkthyesi emblematik i Iliadës së Homerit, i papërsëritshmi dhe i ndritshmi Gjon Shllaku ka pohuar vet që gjatë përkthimit të Iliadës ka ndeshur në 170 fjalë shqipe që fliten akoma sot. Kjo tregon se Homeri, që për mua ka qenë dëshmitar i Luftës së Trojës dhe jo një rapsod i zakonshëm që e këndoi Iliadën rreth 400 vjet pas Luftës së Trojës, e ka shkruar Iliadën në gjuhën shqipe fillimisht dhe pastaj kjo vepër është përkthyer në greqisht etj. Kjo për faktin se kur është zhvilluar Lufta e Trojës nuk ka pasur grek apo helen, nuk ka pasur një entitet të tillë rreth 3250 vjet më parë. Pastaj këtë gjë na e përforcon edhe Enciklopedia e Madhe Greke Vol. XIX viti 1932, fq.873 ku ndër të tjera thuhet:

Stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, kanë banuar qysh në kohët parahistorike në pjesën më të madhe të botës që njihej asokohe, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm dhe duke ngritur vepra me vlera kolosale, që ia lanë trashëgim njerëzimit”.

Gjatë leximit të një letërkëmbimi midis Spiro Kolekës dhe Enver Hoxhës në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar, lidhur me punën e madhe që po bënte studiuesi helenist Spiro Konda, vola këtë paragraf ku Spiro Konda bisedonte me profesorin e tij Haxhidhaqit lidhur me deshifrimin e mbishkrimeve pellazge në bodrumet e Akropulit në Athinë.

– Rreth viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar – më tregonte në njërin nga takimet tona – iu drejtova një herë profesorit tim të dëgjuar Haxhidhaqit me këto fjalë : “Zoti profesor, si është e mundur që për deshifrimin e mbishkrimeve të pellazgëve ju keni përdorur sa e sa gjuhë e për gjuhën shqipe nuk menduat asnjëherë? Pse nuk keni bërë asnjë përpjekje për deshifrimin e mbishkrimeve që keni në bodrumet e Akropolis-it’? Pyetjes së parë Haxhidhaqi – vazhdoi Konda – i bëri bisht, për të dytën m’u gjegj kështu : Ah, more Spiro (Konda kishte qënë student i tij dhe në atë kohë kishte pak vjet që kishte mbaruar) për mbishkrimet e Akropolis-it u krijua nga lart disa vjet më parë një komision i posaçëm, por çështja prapë u la në heshtje. Nuk e lëmë këtë muhabet?”.

Grekët kishin frikë nga e vërteta

Kuptohet lehtë, grekët kishin frikë nga e vërteta, sepse deshifrimi i mbishkrimeve pellazge që gjenden në bodrumet e Akropulit të Athinës do t’u dilnin në gjuhën iliro-shqipe dhe do të merrej vesh se kush ishin ndërtuesit e vërtetë të asaj ngrehine monumentale të antikitetit.  Fakte ka sa të duash mjafton dëshira për të nxjerrë në pah të vërtetat mbi shqiptarët dhe gjuhën e tyre si dhe origjinën e tyre nga pellazgët dhe ilirët. Nëse Akademia e Shkencave e ka seriozisht rishkrimin e Historisë së Shqipërisë, ajo duhet të hapet ndaj mendimit shkencor alternativ. Këtë e kam për Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të kësaj Akademie. Nuk ka asgjë të keqe që të thirren të gjithë të interesuarit e kësaj fushe për të dhënë kontributin e tyre. Faktet e reja që ka gjithsecili t’i hedh mbi tavolinë dhe le të diskutojmë kush qëndron dhe kush jo, pa pasur frikë se si do na gjykojë bota apo fqinjët më konkretisht. Sepse është e çuditshme, studiuesit e Greqisë e të Serbisë  kanë shkruar e botuar të pa vërteta mbi origjinën e tyre, heronjtë, perënditë, luftërat e gjithçka që lidhet me qenien e tyre, shumicën dërrmuese të fabrikuara në kurriz të shqiptarëve dhe identitetit të tyre kombëtar, por në Tiranë heshtet prej vitesh. Heshtet nga frika dhe inferioriteti, apo heshtet nga pagesat që u bëhen për të heshtur, këtë nuk e dimë, por e mendojmë. E mendojmë kur shohim se si përpiqen të na sfidojnë këta tanët këtu, duke na quajtur edhe vulg. Vulg një shtresë e ulët e popullit, apo amator që duan të maten me dinozaurët. Vulg, bërsi rrushi, apo bërsi ulliri që nuk merret në konsideratë nga kokrrat e mëdhaja të kombit. Por këta harrojnë se nga ferra e vogël del lepuri i madh. Të rishkruash historinë e Shqipërisë pa marrë në konsideratë faktet e reja të zbuluara në këto 30 vjet në arkivat, muzeumet dhe bibliotekat e Europës më së paku, është frikë për të hedhur poshtë librat e shkruara në këto 40 vitet e fundit. Të pranosh se Aleksandri i Madh i përkiste etnitetit grek apo maqedonas, kjo është tradhti, jo vetëm ndaj të vërtetës, por edhe ndaj interesit kombëtar. Të pranosh që Lufta e Trojës është bërë nga grekët, kjo është çmenduri. Rishkrimi i Historisë së Shqipërisë, kapitulli mbi lashtësinë do shumë kujdes. Ky kapitull është themeli i një kombi, i identitetit të tij. Nëse Akademia e Shkencave çedon duke mos pranuar faktet e reja të historisë së lashtë të shqiptarëve nga pellazgët dhe të gjuhës shqipe nga pellazgjishtja, i gjithë libri rrëzohet që në nisje. Duhet hequr dorë nga teoria që rilindësit tanë të mëdhenj ia paskan futur kot kur kanë folur e shkruar për origjinën pellazge të shqiptarëve dhe të gjuhës shqipe. Kemi në dorë fakte sa të doni për ta vërtetuar këtë gjë. Kush nga Akademia e shkencave është marrë me studimin e Etruskëve dhe lidhjet e tyre me shqiptarët? Askush, por nuk mund të lihet pa u marrë në konsideratë studimi madhor i Nermin Vlora Falaskit, “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”, si dhe librat e Zef Krispit, Jeronim De Radës, Sami Frashërit, Naim Frashërit, Benardo Bilota, Dhimitër Kamarda, Xhuzepe Katapano, Niko Stillos, Zaharia Majanit, George von Hahn, Spiro Konda, Dhimitër Pilika, Petro Zheji, Shaban Demiraj, Enco Gati, Aristidh Kola e deri te Arsim Spahiu, Luftulla&Liljan Peza, Musa Ahmeti, Shpresa Demi, Asqeri Boçi, Agron Dalipaj, Elena Kocaqi, Aleksandër Hasanas, Fredi Balaj, Edmond Pinguli, etj studiues të historisë dhe gjuhës së lashtë shqipe, gjuhë që rrjedh nga pellazgjishtja, ilirishtja dhe në mënyrë të pandërprerë flitet te shqiptarët e sotëm. Nëse shkrimi i Historisë së Shqipërisë në pjesën e antikitetit do t’u lihet në dorë të djeshmëve që nuk pranojnë të rejat e fundit mbi shqiptarët dhe gjuhën e tyre nxjerrë nga arkivat e botës, do të jetë një punë e shkuar dëm dhe e paragjykuar ende pa nisur mirë. Do të jetë mirë dhe me shumë vlerë për brezat që të studiohet me vërtetësi dhe dashuri për këtë vend dhe këtë popull, për trashëgiminë e  tij  duke përfshirë të gjitha sferat në rendin filologjik, korologjik, etnografik, arkeologjik, historik dhe ezoterik. Që të shkruash historinë e antikitetit të shqiptarëve duhet të shkosh në Egjipt, në Athinë, në Shën Peterburg, në Vjenë, në Londër, në Stamboll, në Romë, Venezia e Napoli, në Vatikan, në Zagreb, në Firenze dhe të studiosh e analizosh përmes gjuhës shqipe perëndit, sarkofagët, piramidat, akropolin, gurët pellazgjik, mbishkrimet kudo te Hititët në Turqi, te Shumerët midis lumenjve Tigër dhe Eufrat, në Tunizi te kartagjenasit, në Kretë, Lemnos e Qipro, te Baskët në Spanjë, në Sofie e Bukuresht e deri në malet midis Pakistanit, Afganistanit, Taxhikistanit dhe Kinës ku jetojnë hundzakët ngelur maleve që nga koha e Aleksandrit të Madh. Të gjithë studiuesit e përmendur më lartë kanë studiuar, nxjerrë e botuar sa kanë mundur dhe Akademia e Shkencave duhet ti marrë në konsideratë. Të gjithë këta nuk kërkojnë lekë në këmbim të kontributit të tyre, por respekt dhe dinjitet, sepse bëhet fjalë për etnogjenezën e popullit tonë në shekuj. Rreth hartimit të Historisë së Popullit Shqiptar, nga antikiteti e deri në ditët tona, një punë kolosale disa vjeçare duhet bërë për Enciklopedinë e Madhe Shqiptare. Shembuj ka plotë në Bibliotekën Kombëtare, ashtu edhe në bibliotekat e tjera të vendit. Hartimi i Historisë së Shqipërisë duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe t’i nënshtrohet një debati studiuesish të interesuar, qofshin të varur apo të pa varur. Është nder i madh të japësh kontributin tënd në dokumentimin e historisë së shqiptarëve.

Çlirim Hoxha

Studiues.