Ibrahim Hamza: 70-vjet nga krijimi I “Ndërmarrjes së Dritës”

1476
Sigal

Ndriçojnë në këtë jubile tre akademikët; Petrit Radovicka, Farudin Hoxha dhe Edmond Pinguli

70-vjet nga krijimi i NDËRMARRJES SË DRITËS

-Në Fierzë punuan rreth 50 mijë vetë, me afate nga gjashtë muaj

-Ky hidrocentral vështirë se bëhet sot edhe me mjete moderne

U mbushën 70 vjet nga krijimi i ndërmarrjes Hidro- Energjetike. Ky kolektiv, që nga krijimi i tij e deri në fund të jetës, në vitet 90, ka një histori të lavdishme, si rrallë kush në vendin tonë. Punonjësit e saj kaluan nga një vepër në tjetrën për disa dekada. Ata ngritën të gjithë hidrocentralet e kësaj periudhe,që nga Selita, Bistrica e deri te Kaskada e Drinit. Kjo ndërmarrje ka qenë një universitet i fuqishëm, ku nëpërmjet punës dhe zgjidhjes së problemeve të vazhdueshme, janë përgatitur drejtues e shkencëtarë të zotët dhe janë kthyer në personalitete të fushës së ndërtimit. Ndër këta,tre janë akademikë: Petrit Radovicka, Farudin Hoxha dhe Edmond Pinguli. Ky i fundit është edhe anëtar i Akademisë së Shkencave të Evropës. Nga ky kolektiv kanë dalë edhe shumë profesorë. Të gjithë këta kanë dhënë një kontribut të veçantë në fushën shkencore për ndërtimin me sukses të veprave hidro- energjetike, si dhe në fushën studimore.

Kjo ndërmarrje, nëpër vite, ka pasur punonjës të përhershëm, që kanë punuar në të gjitha hidrocentralet e ndërtuara në vendin tonë. Numri i këtyre punonjësve gjatë viteve ka shkuar në rritje. Në funksion të ndërtimit të veprave kanë ardhur dhe kanë ikur edhe shumë të tjerë. Këta kanë qenë nga qytetet dhe nga fshatrat, nga auditorët e universiteti dhe nga shkollat profesionale. E gjithë kjo lëvizje punonjësish ka bërë që ajo, veç punës, të kthehet edhe në një qendër, ndoshta më e madhja në Shqipëri, ku janë kualifikuar e përgatitur me mijëra specialistë, që edhe ne ditët e sotme punojnë në të gjitha anët e Shqipërisë.

 Po marr një shembull nga Fierza

Në Fierzë, bërthama e përhershme, që erdhi nga Vau i Dejës, ishte rreth 3 mijë punonjës. Por për ndërtimin e kësaj vepre punuan rreth 40 mijë vetë, me afate nga gjashtë muaj, një e dy vjet dhe deri në përfundim të veprës. Nga të gjithë këta, u kualifikuan, nëpërmjet shkollës profesionale dhe kurseve, 23 mijë veta në 45 profesione. Kishte disa profesione që janë kualifikuar aty të gjithë punonjësit që nevojiteshin për ndërtimin e veprës. Numri i punonjësve në total, që u kualifikuan në Fierzë, që morën zanate dhe u rriten në kategori, ka qenë shtatë herë më i lartë se ai i punonjësve të vjetër, që kishte të përhershëm kjo ndërmarrje.

Me kalimin e viteve, numri i këtyre ndërtuesve ka ardhur duke u zvogëluar

Një pjesë e madhe e tyre janë ndarë nga jeta. Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur ndryshime të thella politike. Por, puna e këtyre Heronjve të Dritës nuk është zbehur dhe as nuk mund zbehet. Përkundrazi, sa më shumë kalojnë vite, aq më shumë rriten, dalin në dukje dhe shkëlqejnë vlerat që ngritën. Dhe kjo ka shumë arsye, dy nga te cilat po i shpjegoj shkurtazi, duke i u referuar kryesisht Fierzës, jo se veprat e tjera kanë qenë të lehta për t’u ndërtuar, por se Fierza që është vepra më e madhe, ndërtimi i saj kishte disa specifika.

E para: Hidrocentrali i Fierzës ishte një vepër shumë e vështirë për ta ndërtuar, gjë që ishte e njohur dhe e pranuar nga të gjitha organizmat e kohës. Ose më mirë te themi, se është vepra më e vështirë e ndërtuar në vendin tonë. Diga me atë teknologji, me lartësi 167 metër,që në kohën e ndërtimit të saj ishte me e madhja në Evropë në llojin e vet, dhe tunelet e shkarkimit, me përmasa në seksion të pa betonuar me lartësi 18 metër e me gjerësi 12 metër, ndërtoheshin për herë të parë në vendin tonë. Aq të mëdha ishin këto vështirësi, sa që edhe pasi kishin filluar punimet, vihej në diskutim vet ndërtimi i tij. Kjo lidhej me konjukturat dhe zhvillimet politike të kohës, me vendin ku ndërtohej, me formacionet e tokës ku do të ngriheshin objektet dhe në përgjithësi me dyshime të forta, nëse po ndërtonim një vepër plotësisht të sigurt.

Ishin këta inxhinierë dhe punonjës të kësaj ndërmarrje dhe të tjerë që erdhën të punonin në këtë kolektiv, që përballuan të gjitha vështirësitë, përballuan presione të mëdha, i vunë gjoksin dhe u dolën përballë zgjidhjes se çdo njërit problem. Dhe që nga vënia në shfrytëzim e Fierzës, më 12 tetor të këtij viti, mbushen 41 vjet. Gjatë të gjithë kësaj kohe nuk ka pasur asnjë shqetësim që lidhet me cilësinë e punës së atëhershme. Pra, gati një gjysmë shekulli, që ka kaluar qysh atëherë janë kohë prove e madhe, se me çfarë përgjegjshmërie të jashtëzakonshme është punuar për ndërtimin plotësisht të garantuar të kësaj vepre. Dhe, sigurisht kjo garanci është edhe për veprat e tjera. Jo vetëm e kaluara ka qenë plotësisht e garantuar, por edhe në të ardhmen do të ketë po këtë garanci. Sigurisht, ata që e shfrytëzojnë, duhet të kenë në funksion të plotë e të përhershëm portat e tuneleve e mekanizmat ngritës dhe të mbahet në kuotat e caktuara uji në liqen, sipas muajve të vitit. Pra, të zbatohet me korrektësi absolute rregullorja e mirëmbajtjes, shërbimit dhe e shfrytëzimit të hidrocentralit.

E dyta: Ky hidrocentral, me dy të tjerët, të Vaut të Dejës dhe të Komanit, që të gjithë bashkë formojnë Kaskadën e Drinit, janë pasuria më e madhe prodhuese që ka populli shqiptar. Për të gjitha këto vite, që nga ndërtimi i tyre, ato kanë shlyer shumë shpejt shpenzimet e ndërtimit dhe kanë sjellë për vendin të ardhura shumë të mëdha. Pa hyrë thellë në kohë, sipas evidencave që janë publikuar, vetëm nga eksporti i energjisë elektrike të prodhuar në 6 mujorin e parë të vitit të kaluar, kur reshjet ishin të bollshme, janë fituar 11 miliardë lekë të reja, pa llogaritur furnizimin e brendshëm, i cili është shumë herë më i madh, duke qenë zëri i parë në rritjen ekonomike të vendit. Edhe këtë vit, megjithëse deri tani ka pasur mungesë reshjesh, KESH renditet në vendin e parë në të ardhurat e buxhetit të kësaj periudhe.

Pra, janë këto arsye dhe shumë të tjera, që kjo punë e bërë në vite nga ata punonjës, që sot janë thinjur e plakur e që shumë prej e tyre nuk jetojnë më, nuk mund të zhbëhet e të harrohet dhe, aq më pak, nuk mund të nëpërkëmbët dhe të mos vlerësohet.

Kujtesa

 

Në këtë 70-vjetor të këtij kolektivi punonjësish, kujtojmë dhe nderojmë inxhinieret, teknikët dhe punëtoret që ndërtuan të gjitha veprat hidro- energjetike, që nga ato shumë të voglat, në fillimet e punës, me kapacitet prodhues 5 mgw dhe deri te ato me të mëdhatë, me kapacitet prodhues 500-600 mgw. Në veçanti, në përvjetorin e vënies në shfrytëzim, unë kujtoj dhe nderoj më respekt të thellë ata që ngritën gjigantin e energjetikes, rregullatorin e gjithë sistemit energjetik shqiptar hidrocentralin e Fierzës. Duke qenë gjatë të gjithë kohës pjesë e këtij kolektivi të madh, kam jetuar nga afër çdo gjë që është bërë në këtë vepër. Kemi kaluar se bashku gëzime dhe hidhërime, kemi pasur arritje e shqetësime. Aty, në luginën e Drinit, nën Gropat e Poravit, në vitet ’70, filloi çdo gjë nga asgjëja dhe për rreth 10 vjet u ngrit gjithçka. Gjatë të gjithë këtyre viteve, në ngricat e janarit dhe në vapën e gushtit, në borë e në shi, në ditë festash e në ditë pushimi, për Vit të Ri dhe gjatë të gjithë vitit, ditë e net, e gjatë të gjithë kohës, njeri turn i lëshonte vendin turnit tjetër, deri sa përfundoi plotësisht ndërtimi i çdo objekti. Për ndërtimin e Fierzës, bashkë me punonjësit e shërbimeve, kanë punuar rreth 50 mijë veta me afate të ndryshme, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, nga të cilët 260 kanë qenë inxhinierë të profileve të ndryshme, shumica e tyre të rinj. Nder ta ka pasur inxhinierë të shquar, drejtues të niveleve të ndryshme që nga ndërmarrja e deri në kantiere: Emin Musliu, organizator me autoritet dhe njohës shumë i mirë i punëve, drejtoi Fierzën gjate viteve 1976-1979, në kulmin e punimeve. Ismail Ahmeti, kryeinxhinier për shumë kohë dhe vitin e fundit drejtor i ndërmarrjes, mbajti një peshë të rëndësishme. Me mbarimin e Fierzës shkoi në Koman, po më ketë detyrë.

Kanë qenë drejtues në kohë dhe në nivele të ndryshme, inxhinieret e njohur: Kiço Negovani, Muhedin Muça, Miço Veshi, Besnik Bekteshi. Edmond Pinguli ka qenë kryeinxhinier i prodhimit të betoneve, të prodhimit të gurit nëpërmjet plasjeve masive dhe të përgatitjes se hekurit, ndërsa Genc Ajazi, ka qenë kryeinxhinier gjatë te gjithë kohës i tuneleve të shkarkimit dhe i digës, që ishin objektet më të rëndësishme. Në kantiere kanë punuar dhe drejtuar inxhinieret Kristaq Thanasi, Faik Dedja, Sotiraq Selenica, Leandro Zoto, Sokrat Kalidhopulli, Kujtim Damnori, Nuro Dhima, Ibrahim Shkreli, Lili Dhamo, Luigj Pjetri e Miftar Musa te shfrytëzimit e të tjerë. Inxhinierët Kujtim Bejtja, Gjergji Note, Ylli Treska, Kastriot Shtylla, Savo Kondi, Ylli Mezini, Andrea Panazaqi, Vladimir Zëri, Shpëtim Kalaja, Shaban Bitri e shumë të tjerë ishin përfaqësues të një brezi të tërë inxhinierësh të rinj, që rininë e tyre e kaluan brigjeve të Drinit dhe u rriten në këto vepra. Krahas këtyre, kanë qenë me dhjetëra punonjës dhe aktivistë shoqërorë si Sefer Paja, Ramazan Kaziu, Jashar Brukaj, Jonuz Vejuka, Isak Cenaj e të tjerë, të cilët kanë dhënë ndihmesën e tyre për probleme të rëndësishme. Kryeinxhinieri i projektit Petrit Radovicka ndiqte nga afër zbatimin e projektit dhe ka ardhur më dhjetëra herë në Fierzë për të parë nga afër zbatimin e projektit. Ndërsa projektuesit Farudin Hoxha, Egon Gjadri, Gëzim Struga, Adnan Qatipi dhe i gjithë grupi i projektimit ishin bërë pjesë e veprës. Ata qëndronin në Fierzë, gjendeshin në çdo objekt, njëlloj si dhe inxhinieret e zbatimit. Shikonin në vend çdo gjë, duke bërë ndryshimet e nevojshme në punë e sipër. Për ndërtimin e Fierzës kanë punuar më mijëra punëtorë, që të organizuar në brigada më brigadierë Ashim Zyberi, Xhafer Meli, Dali Lika, Xhem Peca, Shaban Gjoka, Xhelil Tanushi e dhjetëra të tjera, treguan heroizëm të pashembullt në çdo front të ndërtimit të veprës. Ato kanë kaluar vështirësi të jashtëzakonshme dhe bënë sakrifica të panumërta. Shumica e këtyre brigadave u krijuan në Fierzë, punuan aty dhe vazhduan në Koman e më tej. Ishin një numër i madh punonjësish, si Lefter Margariti, Haxhi Billa, Ibrahim Xhamaj, qindra shoferë e specialistë të çdo profili, që erdhën në Fierzë si aksionistë apo si stazhierë për një periudhë të shkurtër dhe iu përgjigjen thirrjes për të qëndruar me vite e disa deri në përfundim te veprës. Ata vunë vite të tëra të jetës se tyre në shërbim të atdheut dhe punuan më përkushtim të lartë larg familjeve për një kohë të gjatë. Këta janë një pjesë e vogël e kolektivit të madh e të fuqishëm që ndërtuan hidrocentralin e Fierzës. I gjithë ky kolektiv, i bashkuar,punoi më një qellim të vetëm; të ndërtojmë veprën në kohën e caktuar dhe më cilësi të lartë. Dhe pasi bënë shkollën e madhe të Fierzës, një pjesë e tyre vazhdoi në veprën e radhës që ishte Komani.

 

Heroizmi

 

Në 70 vjetorin e krijimit të ndërmarrjes Elektro -Energjetike, kujtojmë punët që ka bërë ajo në vite, pjesë e së cilës ose më rëndësishmja është ajo ne Fierzë. Në përvjetorin e vënies në shfrytëzim të kësaj vepre, duke u kthyer prapa në kohë, vinë në kujtesë mijëra episode: Drejtues dhe inxhinierë me çizme e peliçe, si dhe punëtorët, ditë e natë pranë objekteve dhe në ballin e tuneleve, ku rreziku ishte i madh. Punëtorë, në mes të natës duke hedhur betone në tapën e digës, kur temperaturat ishin nën zero dhe era ftohtë të grinte në luginën e Drinit apo në galeritë e ngushta të gurores duke përgatitur plasjet masive. Shoferë të mjeteve të rënda, duke u ngjitur mbi akullin e trashë në të përpjetën e digës, të ngarkuar më 40 ton gurë, në mesin e acarit të janarit. Shfaqen inxhinieret e shqetësuar pa masë, si do të përballoheshin prurjet e lumit prej 5700 m3 ujë në sekondë, që të mos shkatërrohej gjithçka që ishte ngritur, kur diga ishte në një kuotë fare të ultë dhe shkarkimi i ujit bëhej vetëm nga tuneli numër 3, sepse tuneli katër nuk kishte mbaruar.

Të gjitha këto e shumë të tjera nuk duhet të harrohen. Brezi i sotëm duhet të mësojë se ndërtimi i këtyre veprave u bë duke kaluar vështirësi të mëdha dhe ishte një ndër faktorët kryesorë të emancipimit të shoqërisë shqiptare, tejet e prapambetur. Ky brez duhet të dijë të respektojë punën dhe sakrificat e baballarëve e të vëllezërve të tyre, që për shumë dhjetëvjeçarë punuan më përkushtim të lartë, që drita të shkoje në çdo vatër e të fuqizohej atdheut ynë. Kjo punë gjithmonë duhet të shërbejë si shembull për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.

Ibrahim Hamza