Berat Luzha: Drashovica – “Porta e Labërisë” që bëri histori

101

Mbi Drashovicë, lart në kodër, mes ullinjëve ndodhen rrënojat e fshatit të vjetër mesjetar, rreth 600-vjeçar.

DRASHOVICA – “PORTA E LABËRISË” QË BËRI HISTORI

Shtegtime nëpër Atdhe (XXVIII)

Nga Berat Luzha

Për të hyrë në Labëri duhet ndjekur rrugën që del nga Vlora dhe të shpie në luginën e Lumit të Vlorës (Shushicës), si porta kryesore e kësaj krahinës heroike. Pak udhëtim në drejtim të kundërt me lumin, paraqitet një fshat i bukur e me nam, me emrin Drashovicë. Shtrihet në hyrje të zonës malore të luginës së Lumit të Vlorës, rreth 15 km nga Vlora dhe 20 km nga Selenica, qendër e bashkisë. Drashovica, fshat kodrinor me rreth 2000 banorë, me sipërfaqe prej 10 km katrorë, me rreth 500 hektarë tokë pjellore (nën ujë), për shkak se ndodhet në kufirin nga ku fillon krahina e Labërisë, ndryshe njihet edhe si “Porta e Labërisë.
Ura mbi Lumin e Vlorës, që të fut në Drashovicë, është një urë që nuk është vetëm urë, po është një urë – kufi. Kjo urë është kufiri verior i Labërisë, është porta e Labërisë (krahina e Labërisë shtrihet mes tri urave të njohura; Urës së Drashovicës, urës së Kalasë, afër Delvinës dhe urës së Tepelenës, mbi lumin Vjosë). Kësaj ure populli i ka kënduar:
Te ura në Drashovicë,
portë e madhe e Labërisë,
ku shkojnë e kthehen stuhitë.

Pos si urë – kufi, ura e Drashovicës dhe në përgjithësi fshati Drashovicë është i njohur edhe në historinë tonë kombëtare. Këtu u zhvilluan dy luftëra të mëdha historike; lufta tremujore e vitit 1920 (5 qershor – 3 shtator) kundër pushtuesve italianë, e njohur si Lufta e Vlorës dhe tjetra, e vitit 1943 (14 shtator – 4 tetor) kundër nazistëve gjermanë. Lufta e Vlorës ishte një kryengritje e madhe popullore e fshatarësisë, e cila përfundoi me çlirimin e Vlorës nga pushtuesit italianë. Lufta e vitit 1943, e njohur si Epopeja e Drashovicës, ishte luftë frontale mes forcave antifashiste shqiptare dhe nazistëve gjermanë.
Në përkujtim të këtyre dy luftërave të lavdishme në Drashovicë, pak metra në dalje të urës, ngritet monumenti madhështor përkujtimor, vepër monumentale, që e hijeshon fshatin dhe i përjetëson të dy luftërat e zhvilluara m’u te kjo urë. Monumenti “Drashovica 1920 – 1943” ka një hark gjigant që lidhë dy faqet e ndritura të historisë në një të vetme. Në të dy anët e këtij monumenti gjenden figura në basoreliev, që përshkruajnë lavdinë e këtyre dy luftërave epokale. Gjithashtu, fshati i ka ngritur një bust plakut të Vlorës, Ismail Qemalit, i cili në korrik të vitit 1913 është takuar me banorët e Drashovicës dhe u bëri thirrje atyre t’i mbrojnë viset jugore të shtetit.
Është hoxha atdhetar nga ky fshat, Xhafer Drashovica (emri i vërtet, Xhafer Kafil Xhenxhe) i cili mori pjesë në të gjitha ngjarjet rreth pavarësimit të Shqipërisë dhe, pos tjerash, ua mësoi gjuhën shqipe fëmijëve të Ismail Qemalit gjatë kohës kur jetonte në shtëpinë e atdhetarit vlonjat në Stamboll. Ky atdhetar është nderuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.
Por, nuk janë vetëm këto dy ngjarje të mëdha që e bëjnë Drashovicën fshat historik. I rëndësisë historike ka qenë edhe Kuvendi i Drashovicës, i mbajtur në korrik 1911, kur u mblodhën burra nga të gjitha krahinat e Jugut, rreth 3000, për ta siguruar pavarësimin e Shqipërisë.
Mbi Drashovicë, lart në kodër, mes ullinjëve ndodhen rrënojat e fshatit të vjetër mesjetar, rreth 600-vjeçar. Atje gjenden rrënojat e shtëpive, të një manastiri dhe të një xhamie, si dhe monumente të mbrojtura natyrore. Mungesa e ujit i detyroi banorët të shpërnguleshin, nga fillimi i shek. XX, poshtë fshatit, në afërsi të lumit.
Drashovica është e pasur me pasuri nëntokësore xehetare, por edhe për gjetje arkeologjike. Kërkimet e para të naftës, d.m.th. shpimi i pusit të parë në Shqipëri, në thellësi 200 metra, është bërë në Drashovicë. Albanologu Johan Hahn, në vitin 1854, e vizitoi Shqipërinë dhe, pos tjerash, shkroi: “Gurët e strallit, më të mirët, nxirren në Drashovicë, një orë e gjysmë në lindje të Vlorës… Edhe në rrugët e Janinës i sheh këta gurëgdhendës tek rrinë përgjatë mureve të kërrusur mbi gurët e tyre dhe që ngrenë kokën vetëm atëherë kur i pyet ndonjë blerës…” Janë gjetur objekte arkeologjike në fshatin e vjetër, që vërtetojnë vjetërsinë e vendbanimit qysh nga periudhat parahistorike, si vegla guri, fragmente qeramike, lëndë ndërtimore, gur varri etj., që i takojnë shekujve V dhe IV p.e.r.
Banorët e këtij fshati janë marrë me blegtori e bujqësi, pasi kanë tokë pjellore e të ujitur. Drashovica ka vlera të larta të trashëgimisë kulturore, është djep i folklorit autentik – polifonisë labe. Në fshat funksionon shoqata kulturore – artistike “Drashovica”, e cila organizon festivalin tradicional folklorik “Buçet kënga labe”.
Pozita gjeografike e fshatit, afërsia me Vlorën dhe vlerat natyrore, kulturore, e historike, veçanërisht pas ndërtimit të rrugës së re përgjat luginës së Lumit të Vlorës, e bën këtë fshat një vend i parapëlqyer për zhvillimin e turizmit fshatar e kulturor. Zhvillimin e turizmit do ta përshpejtojë edhe projekti kombëtar “100 fshatrat”, në të cilën përfshihet edhe Drashovica. Me rrugën e re dhe me këtë projekt ky fshat historik do ta kthejë pamjen dhe bukurinë e tij magjepse, do ta zhvillojë turizmin fshatar dhe kulturor.
Fshati Drashovicë është i njohur për luftën e për besën, për mikpritjen e bujarinë, për dashurinë për vendin, për minierën e strallit, për rrapet shekullore. Prandaj, fshati është i nderuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacion “Për kontributin e shquar në luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me shpalljen e Pavarësisë në Luftën e Vlorës (1920), si dhe në betejën heroike të vitit 1943 kundër pushtuesve nazifashistë”.
Është edhe poema “Drashovica” e poetit të njohur, Fatos Arapi, e botuar në vitin 1961, si njëra nga krijimet më të mira poetike, e cila që lartëson Drashovicën dhe luftën antifashiste të popullit shqiptar.