“Qeveria e asaj kohe, ministër i Arsimit të së cilës ishte intelektuali Ernest Koliqi (20 maj 1903 – Romë, 15 janar 1975), nxori një vendim shumë domethënës, madje nga më të rëndësishmit e kohrave, për arsimimin e shqiptarëve, që ndodheshin jashtë kufijve shtetërorë si në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në shtatorin e vitit 1941 u nisën mbi 200 arsimtarë normalistë drejt trojeve tona ku jetonin shqiptarë. Në qytetet e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, të cilët ishin përfshirë në Prefekturën e Dibrës dhanë mësim rreth 95 mësues që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit. Eshtë rasti të sjellim faktin se në një nga shkollat e qytetit të Gostivarit dha mësim edhe mendjendrituri Kahreman Ylli. Mësues Pertef Thereplinë e caktuan në shkollën e fshatit Jagoll, komuna e Kërçovës.”

Disa njerëz vijnë në jetë, lënë gjurmët e tyre të çmuara në zemrat e disa brezave, e pastaj mbeten në kujtimet e tyre si të ishin hyjnorë, paksa qiellorë të përjetshëm. Me këtë çka them kam parasysh mësuesin Pertef Therpelin, i cili, nëse kemi parasysh “udhëtimin” e tij si misionar, bëri një jetë shumë ndryshe nga ne të tjerët, madje paksa të pozicionuar midis hyjnores dhe tokësores. Nuk është fjala as për ndonjë shenjt, e as për ndonjë çudibërës, por thjesht për një mësues shqiptar, i cili ashtu si qiriri, u tret e u shua për të ndriçuar jetën e brezave të tërë në një nga shkollat e fshatit Jagoll në zonën e Kërçovës, në Maqedoninë e Veriut.
Pertef Therepeli është skraparas. Lindi më 25 dhjetor të vitit 1909 në fshatin Blanë, i konsideruar në të gjitha kohrat si lagje e Therepelit. Origjinën e herëshme të prindërve, babait Abaz e nënës Nazike, e kishte nga fisi Hoxhajve të fshatit tjetër aty pranë, Cerovës, por të larguar nga që andej për shkaqe hasmërie. Ndoshta për të “humbur gjurmët” nga kishin ardhur morën edhe për mbiemër, jo më Hoxha, por Therepeli, të fshatit ku kishin bujtur. Madje, për shumë kohë ata mbajtën për mbiemër Blana, por me kalimin e kohës e kthyen Therepeli.
Ka njerëz që nuk gëzojnë margaritarë, apo gjëra të tjera të çmuara, por ata kanë privilegjin të kenë pasion mësimin, të jenë adhurues të librave dhe diturisë. Një nga këta “të uruar” ishte edhe Pertef Therepeli. Ashtu si shumë të rinj, një pjesë e konsiderueshme edhe nga Skrapari, ai mbaroi shkollën profesionale për mësuesi, atë të Normales së famëshme të Elbasanit, me rezultate shumë të mira. Ka qënë viti 1921. Pertefi ishte ndër ata të rinj, i cili e dinte, sepse e kish provuar, që ishte krejt e mundur për të ndryshuar jetën e njerëzve vetëm nëpërmjet arsimimit dhe shkollimit të tyre. Sipas tij varfëria e brendshme, ajo e formimit arsimor, ishte shkaku i mjerimit. Nga viti 1922-1923 atij iu dha rasti të punonte me shumë dashuri e përkushtim për ringritjen e arsimit në shkollën e Vëndreshës e të Spatharës. Më pas u caktua si mësues në shkollën e Zaloshnjes, ku midis të tjerëve kishte si nxënës edhe luftëtarin dhe shkrimtarin e ardhshëm Moisi Zaloshnja.
Për njeriun, për çdo profesion që ai ka, gjëja e rëndësishme është që ai të jetë i gatshëm në çdo kohë për të punuar e sakrifikuar për atë që mund të bëjë. Kjo provë gatishmërie dhe karakteri njëherësh, iu dha, krejt pa pritur, mësuesit Pertef Therepeli. Qeveria e asaj kohe, ministër i Arsimit të së cilës ishte intelektuali Ernest Koliqi (20 maj 1903 – Romë, 15 janar 1975), nxori një vendim shumë domethënës, madje nga më të rëndësishmit e kohrave, për arsimimin e shqiptarëve që ndodheshin jashtë kufijve shtetërorë si në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Në shtatorin e vitit 1941 u nisën mbi 200 arsimtarë normalistë drejt trojeve tona ku jetonin shqiptarë. Në qytetet e Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, të cilët ishin përfshirë në Prefekturën e Dibrës dhanë mësim rreth 95 mësues, që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit. Eshtë rasti të sjellim faktin se në një nga shkollat e qytetit të Gostivarit dha mësim edhe mendjendrituri Kahreman Ylli. Mësues Pertef Thereplin e caktuan në shkollën e fshatit Jagoll, komuna e Kërçovës.
Dashuria për shkrim e këndim, por edhe për tokën amë, siç ishte Shqipëria, të gjitha shkollat që ndodheshin në trojet jashtë kufirit, mbanin emra të mëdhenj, luftëtarësh e patriotësh si: “Skënderbej”, “Drita”, “Oso Kuka”, “Naim Frashëri”, “Sami Frashëri”, “Bajram Curri”, “Mati Logoreci”, “Lidhja e Prizrenit”, “Jani Vreto”, “Zgjimi”, “Atdheu”, “Ilirija”, “Kristoforidhi” “Agimi”, “Lirija”, “Ismail Qemali”, “Avni Rustemi”, “Bashkimi”, “Gjergj Fishta”, “Isa Boletini”, “Kastrioti”, “28 Nëntori”, “Hasan Prishtina”, “Lekë Dukagjini” etj. Shkolla e Jagollit të Kërçovës, e para e gjuhës shqipe në ato anë e çelur në vitin 1942, ku dha mësim për dhjetra vite mësues Pertef Therepeli, mbante emrin e bilbilit të gjuhës shqipe, Naim Frashërit të madh.
Jeta nuk është e lehtë për asnjë, por për një mësues si Pertef Therepeli, i cili mori përsipër të largohej nga familja për një mision të madh, të guxonte të përhapte dhe të mësonte gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në një vend aspak miqësor, do të thoshte se ai kishte marrë përsipër t’i rrezikohej jeta, në mos ta mbyllte atë pa lavdi. Dhe ata që nuk ishin miqësorë me njerëzit që kishin për mision përhapjen dhe mësimin shqip, siç ishte Pertef Therepeli, vinin gurë në rrota që kjo gjë të sabotohej. E pse?! Faji i tyre ishte se ushtronin profesionin e shenjtë të mësuesit, përhapnin diturinë dhe arsimin në popullsinë që pushtuesit e ndryshëm, me çdo formë, donin ta linin analfabet.
Në të vërtetë mësuesit të gjuhës shqipe, përhapësit të dritës e diturisë, në një vend të zhuritur për gjuhën e nënës, siç ishin trevat shqiptare në Maqedoni, iu gjendën pranë që të gjithë, prindër e nxënës, i gjithë ai komunitet nga ku prisnin që Pertef Therepeli t’u çelte hapësirat galaktike të të mësuarit shqip. Dhe kur e njohën mirë, kur zbuluan se ky djalë i ri i ardhur nga një vend i largët, nga Skrapari i Toskërisë, dinte të ishte mësues jo vetëm nga librat, por edhe nga zemra, i dhanë besën për ta mbajtur e ruajtur si të ish pasuri e rrallë që u ra nga qielli.
Në ata vite, në trevat shqiptare jashtë kufijve shtetrorë, prania e mësuesit dukej si një ëndërr. Prapambetja kishte hedhur rrënjë në shekuj. Atëherë dinim vetëm “elham dylelah”, tregojnë banorët tashmë të formuar dhe të arsimuar nga e bekuara gjuha shqipe. Në këtë transformim të madh, të paktën për shkollën të Jagoll-Dolencës, komuna e Osllomesë, pranë Kërçovës, mësues Pertef Therepeli ka meritën të konsiderohet babai i mësimit shqip. Janë me qindra, me dhjetra gjenerata nxënësish, të cilët ABC-në e mësuan nga shënjtori Pertef. Falë kontributit dhe vendosmërisë të këtij mësimdhënësi pasionant u mundësua të dalin nga kjo zonë inxhinierë, mjekë, specialistë të bujqësisë, ekonomistë, nga të gjitha fushat e shkencës dhe të teknikës. Nuk bëjmë gabim që të gjithë këta kuadro e specialistë të mbajnë firmën dhe vulën “Made in Pertef Therepeli”. Dhe e di pse e them këtë me kaq forcë? Sepse Pertef Therepeli në atë çka bëri si mësues i pati shokët të rrallë. Ai besonte tek forca e të mësuarit shqip dhe kishte dhuntinë t’i futej nxënësit në zemër. Por ai udhëhiqej edhe nga diçka tjetër si mësues profesionist. Ne, thoshte ai në mjedise burrash, “duhet të besojmë se jemi të aftë për të përgatitur njerëz, dhe se kjo gjë, me çfarëdo lloj kostoje, duhet të arrihet”.
“Jeta nuk është e lehtë për asnjë, por për një mësues si Pertef Therepeli, i cili mori përsipër të largohej nga familja për një mision të madh, të guxonte të përhapte dhe të mësonte gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në një vend aspak miqësor, do të thoshte se ai kishte marrë përsipër t’i rrezikohej jeta, në mos ta mbyllte atë pa lavdi. Dhe ata që nuk ishin miqësorë me njerëzit që kishin për mision përhapjen dhe mësimin shqip, siç ishte Pertef Therepeli, vinin gurë në rrota që kjo gjë të sabotohej. E pse?! Faji i tyre ishte se ushtronin profesionin e shenjtë të mësuesit, përhapnin diturinë dhe arsimin në popullsinë që pushtuesit e ndryshëm, me çdo formë, donin ta linin analfabet.”
Të jetuarit thjeshtë, me një modesti të spikatur, që nuk dallonte nga të tjerët në fshat, ndoshta edhe më keq nga ata, e bënte edhe më hyjnor e më të madhërishëm personalitetin e mësues Pertef Therepelit. Ai, siç thonë vendasit, pra banorët e fshatit Jagoll, jetonte në një “kasolle”, në një mjedis që për më së shumti tregonte dhe shpaloste bindjen e tij se njeriu i pasur së jashtmi, por mjeran përbrenda, përpiqet më kot të zëvëndësojë mjerimin e brendshëm me pasurinë e tij. Madje ajo shtëpi-kasolle ishte plot e përplot me libra, kryesisht vëllime me poezi të autorëve të ndryshëm, për të cilët mësuesi shpaloste dashuri e pasion të veçantë. Ai shkruante edhe poezi, pra ishte krijues, një poet kalibri. Materialet krijuese mësues Pertefi i mbante në një dosje të veçantë e cila, për fat të keq, pas ndarjes së tij nga jeta, u zhduk në mënyrë të misterëshme. Kjo, sipas meje, është një humbje e madhe. Pyetja që na del nga shpirti është: cila ishte tematika e poezisë së tij dhe nga ana tjetër, cili ishte niveli artistik e professional i tij si krijues? Sigurisht, atë cikël me poezi dikush ia vodhi ligësisht mësuesit të urtë e të virtytshëm, por një ditë, ashtu si vepron i ligu, ato mund të botohen diku, por jo me emrin e tij, por të vjedhësit të poezive, të nxerra e të shkruara nga shpirti i mësuesit idealist, atdhetar e të ndershëm.
Mësues Pertef Therepeli vajti fare i ri në fshatin Jagoll të Kërçovës, vetëm 31 vjeç dhe mbeti atje deri sa ndërroi jetë, më 25 dhjetor të vitit 1973. Vendlindjen, për fatin e tij të keq, nuk e pa kurrë. As me motrën e tij të vetme nuk arriti të komunikonte, për t’i thënë asaj zemërthyere sesi jetonte i vëllai, se në ç’kushte punonte dhe më në fund t’i tregonte, qoftë edhe me fjalë, sesa ndjehej mirë nga dashuria e respekti, që i kishin dhuruar shqiptarët e Jagollit dhe rrethinave të Kërçovës për të gjithë ata vite që jetonte bashkë me ta. Jo, këtë ëndërr nuk e realizoi dot. Jo për faj të tij, por të rrethanave që ishin krijuar midis dy shteteve, të cilët kufizoheshin me njëri-tjetrin vetëm me shqiptarë.
Banorët e Jagollit, të vjetër e të rinj, mësuesin Pertef Therepelin, çuditërisht e thërrisnin “baba”. Këtë e konfirmon edhe ish-nxënësi i tij, Prof. Nazif Selimi. Duhet të ketë qënë vlerësim maksimal, në mos i jashtëzakonshëm, për mësuesin e tyre të dashur. Por, për ta përforcuar këtë çka po them po sjell disa fjalë zemre të Kryetarit të Komunës Kërçovë, Fatmir Dehari, i cili, edhe ky, ka qenë nxënës i tij. Ato janë publikuar në një takim në bashkinë e Skraparit (Janar, 2019), ditën kur Pertef Therepeli u nderua njëherësh nga bashkia e Kërçovës dhe ajo e Skraparit.
“Jam këtu mes jush si një mik që vij nga larg, por me një mision të veçantë, atë të nderimit të një figure atdhetare, të Mësuesit të Popullit Pertef Therepeli. Në ato vite të vështira që po kalonte pjesa përmatanë kufirit, në trojet tona tashmë të ndarë prej vitesh, mes nesh vjen një mësues që qeveria e atëhershme e dërgoi për të përhapur dhe skalitur në mendje ndritur shqiptare gjuhën e mëmës sonë shqipe. Ky njeri vjen nga një trevë miqësore, atdhedashëse e patriotike, që ka lindur mes burrave të penës e të pushkës. Këtë misionar të kombit, që fati e desh ta sjellë atje në pjesën tjetër, për të dhënë kontributin më të çmuar që mundet të japë njeriu siç është, hapja e shkollave shqipe, ka dalë nga kjo trevë, nga fshati Therepel. Pikërisht jemi këtu për t’i shprehur mirënjohje të përjetshme birit të popullit tonë e birit tuaj, i cili përhapi dritën e shkronjave shqipe në krahinën e Kërçovës.”
Siç edhe dihet, familja është shkolla e dhembshurisë, është streha ku njeriu sheh dritë edhe nëse gjithandej është terr. Mësues Pertef Therepeli nuk arriti dot të krijonte familjen e tij. Jetonte “i vetëm”, por asnjëherë nuk e ndjeu veten të ishte vërtet “i vetëm” sepse ai ndjehej të ish mes njerëzve që i dhuronin me tepri dashuri e mirësi. Por në një farë mënyre askush nuk fle vetëm. Çdokush diçka përqafon gjatë natës. Mësues Pertefi e pati për fat të ngrysej e të gdhihej, duke përqafuar, duke qëndruar orë e çast në krahët e dinjitetit. Dhe duke qenë i tillë, ai sa qe gjallë, meritoi respekt dhe mirënjohje nga shumë breza shqiptarësh të Kërçovës e më gjërë në Maqedoni. Ndërkohë, ai nga këshillat bashkiakë respektive, të komunës Kërçovë e bashkisë Skrapar, i janë akorduar dy Çertifikata mirënjohjeje. Komuna Kërçovë i ka akorduar edhe titullin e lartë, (pas vdekjes), “Qytetar Nderi” i qytetit të Kërçovës me motivacionin shumë domethënës: “Personalitet i shquar në arsim, patriot i kombit shqiptar, i cili me punën e tij të pa lodhur ka dhënë kontribut të spikatur, duke mbetur pishtar i pashuar në ndërgjegjen kombëtare shqiptare në përgjithësi dhe asaj kërçovare në veçanti.”
Eshtë vendi për të bërë këtë pyetje: Po ne këtu në vedlindjen e tij, këtu ku ai u arsimua dhe kontribuoi si mësues në disa fshatra në Skrapar, si mund ta nderojmë e ta përjetësojmë emrin e tij?
























