Akademia e Shkencave, Shoqata “Tomorri” dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane nderojnë poetin Xhevahir Spahiu

Ditën e martë, më 4 mars 2025, ora 11.00, në sallën “Aleks Buda”, në Akademinë e Shkencave e Shqipërisë u zhvillua një veprimtari shkencore jubilare në 80-vjetorin e lindjes së poetit akademik Xhevahir Spahiu. Veprimtaria u zhvillua në sallën “Aleks Buda” me pjesëmarrjen e Kryesisë së Akademisë së Shkencave, akademikëve, studiuesve e kritikëve të letërsisë e të artit, kryesisë së Shoqatës “ Tomorri”, kolegëve dhe miqve të poetit. Në këtë aktivitet në fillim përshëndeti në emër të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane shoku i fëminisë së poetit Spahiu z. Nuri Çuni. Ai i dorëzoi një certifikatë Mirënjohje si më poshtë:
KRYEGJYSHATA BOTËRORE BEKTASHIANE -SELIA E SHENJTË
MIRËNJOHJE

Poetit Xhevahir Spahiut me motivacion: Për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të bektashizmit me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane. Ndihmesa e tij në pelegrinazhin kombëtar dhe ndërkombëtar në malin e Tomorit dhe trevat rreth saj.Ndërsa kryetari i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri” z. Engjëll Musai i dhuroi poetit një fotografi të veçantë të viteve të Rinisë me shkrimtarin e shquar vlonajt Petro Marko, të cilin Spahiu e kishte për zemër. Më pas për jetën dhe veprimtarinë e akademik Xhevahir Spahiu diskutuan prof. Bashkim Kuçuku, Dr. Viola Isufaj, Prof. Aristotel Spiro, etj…Në fund poeti i shquar falënderoi organizatorët për veprimtarinë duke u ndalur tek vëmendja që i ka kushtuar Shoqata Atdhetare Kulturore “Tomorri jetës dhe punës së tij.
Fjala
I thanë fjalës: tani je e lirë.
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më
duhet.
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhet?
Kam mbetur pa krahë,
kam mbetur pa qiell,
jam jetë pa ëndërr,
jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë.
Vështirë, tha fjala, sa vështirë
të besosh se je e lirë;
pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
pasi ke mbetur cung
dhe liria bëhet burg.
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu:
S’jam si Kostandini që pas vdekjes udhë
ton.
I thanë fjalës: ti je liria.
Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak.
Ajo e besoi,
ajo hapi gojën,
po në vend të tingujve
prej saj
doli gjak.
21 shkurt 1986
Poeti
Më veshët raso, rason ua grisa,
më lypët këngë, këngët s’ua dhashë;
ju prisnit trëndafilë, u hodha hithra,
me thikat e sarkazmave ju rashë.
Kur patë se goditja keq u theri,
ju shpikët heshtjen, si një mur të ftohtë;
një ditë gjithëçka mund të ma merrni,
po penën kurrë nuk ma merrni dot!
gusht 197






















