Görkem Yeltan: Pas filmit, bota e librave për fëmijë është dritarja ku më pëlqen të eksplorojë. Të ndërtojmë ura të reja bashkëpunimi kulturor dhe artistik midis Turqisë dhe Shqipërisë

178
Sigal

 

Intervistoi për “Telegraf” Biora VOJKA

 

Çmimi për filmin më gëzoi pa masë, sepse edhe vetë filmi “Lidhëset e këpucëve” është tepër i veçantë  për disa arsye të mia personale. Është një film që në një farë mënyre i dedikohet babait tim

Görkem Yeltan është diplomuar në degën e teatrit në Konservatorin Shtetëror në Universitetin e Stambollit. Ajo ka interpretuar në 18 serialë, 12 filma (në disa prej të cilëve ka qenë edhe regjistore dhe skenariste) dhe pjesë teatrore. Ka fituar çmime si aktorja më e mirë në filmat “Mundësia e largët” dhe “Shtatori” në Turqi, dhe si skenaristja më e mirë në Festivale Ndërkombëtarë në Romë dhe Roterdam. Gjithashtu ka botuar 19 libra për fëmijë, si dhe është autore e artikujve në median e shkruar dhe programeve televizive për letërsinë për fëmijë. Libri i saj “Meles Trimi” është përkthyer në gjuhën shqipe dhe është botuar nga Shtëpia Botuese ‘Dritan’ në vitin 2021. Ka qenë anëtare jurie në disa festivale filmi brenda dhe jashtë Turqisë.

Në dy muajt e fundit ajo erdhi dy herë në Shqipëri. Në fund të qershorit mori pjesë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe të Kulinarisë në Pogradec ku filmi i saj fitoi Çmimin e Jurisë. Në fillim të korrikut, si pjesë e delegacionit kulturor të Ministrisë së Kulturës të Turqisë, u paraqit si shkrimtare për fëmijë në veprimtaritë e organizuara gjatë Javës Kulturore Turke në qytete të ndryshme të vendit tonë.

Për lexuesit e gazetës “Telegraf” ajo dha këtë intervistë:

  Zonja Yeltan, ju jeni bërë e njohur në Shqipëri me librin tuaj për fëmijë “Meles Trimi”, botim i Shtëpisë Botuese ‘Dritan’. Fillimisht mund të na flisni pak për angazhimin tuaj në letërsinë për fëmijë?

 

Fillimisht dua t’ju falënderoj për këtë intervistë. Bota e librave për fëmijë është një botë nga e cila nuk kam mundur të shkëputem asnjëherë. Teksa vazhdoj të krijoj në gjini të ndryshme, letërsia për fëmijë është një ndër strehët e mia më intime. Njëra nga gjinitë e artit që ruan të shëndetshme lidhjen time me jetën, që e dua më shumë dhe më emocionon përherë. Ndiej një kënaqësi të madhe dhe mësoj shumë gjëra nga prania ime mes fëmijëve, nga bota e tyre. Forca e madhe e fantazisë që ekziston te fëmijët, te bota e tyre, më siguron një mbështetje të fuqishme në çdo gjini artistike që krijoj.

        Duke ruajtur kujtimet dhe përshtypjet më të mira nga dy vizitat në Shqipëri, dëshiroj të theksoj se jam tepër e lumtur nëse kam kontribuar sado pak në ndërtimin e urave të reja në fushën e bashkëpunimit kulturor dhe artistik midis Turqisë dhe Shqipërisë   

Ju jeni diplomuar për aktrim. Si ndodhi procesi i kalimit nga aktore në shkrimtare?

Kisha lidhje me krijimin letrar shumë vite para se të zgjidhja aktrimin si profesion. Ndërsa aktrimi e forcoi më shumë këtë lidhje. Duke medituar për tiparet e personazheve dhe për ndikimin që do të ngjallë atmosfera e historisë, që trajtohet në skenë mbi personazhin që interpreton. Shkrimtari siguron mundësi të mëdha për të zhvilluar më tej veprën që është duke krijuar. Në vend të kalimit nga aktrimi te shkrimi i një vepre letrare do të ishte më e saktë që ky proces të përkufizohet si një udhëtim mes disiplinave, ku secila disiplinë ecën më vete dhe ushqen njëra-tjetrën. Këtu dua të shtoj se asnjëherë nuk e kam braktisur aktrimin në teatër dhe në filma.

Shkruani libra që prej vitit 2002. Si ju lindi ideja për të shkruar libra për fëmijë?

Gjithçka lindi nga një lojë që krijoi im atë për mua, përherë argëtoheshim me atë lojë. Nuk e braktisa kurrë, vazhdova të luaj me të dhe të ndieja kënaqësi. Në vitet e rinisë nuk isha ende e ndërgjegjësuar sa shkrimet e mia ishin të orientuara drejt fëmijëve. Pastaj më vonë dallova se nuk isha shkëputur nga librat për fëmijë, ndërsa moshatarët e mi – ata që mendonin se ishin rritur – i kishin ndërprerë marrëdhëniet me këtë letërsi. Unë vazhdoja të ndiqja letërsinë për fëmijë, botën e fëmijëve, nuk mund të shkëputesha nga loja ime, nga leximet për ta pasuruar atë lojë. Nuk largohesha dot nga bota e mrekullueshme që më ofronin romanet me figura, filmat dhe librat, përherë i ndiqja me një kureshtje dhe emocion të madh, e ndieja deri në fund se ato botë ishin të bukura. Njeriu dëshiron të mos e braktisë atë që do, të vazhdojë të jetë pranë saj. Me kalimin e kohës fillova të ndjek edhe librat ende të papërkthyer në turqisht, të isha kureshtare për panairet e librave për fëmijë në botë, për librashitësit e librave për fëmijë, të soditja botën nga dritarja gjigande e letërsisë për fëmijë, të vëzhgoja se çfarë ndodhte përreth meje, të botoja shkrimet e mia dhe më vonë të shkruaja artikuj dhe të përgatitja programe televizivë për letërsinë për fëmijë. Ideja për të shkruar libra për fëmijë ishte një proces që e gjeti burimin te loja jonë familjare e sajuar dhe më pas u zhvillua vetvetiu.

 Sipas jush cili është sekreti i një libri të mirë për fëmijë?

Një libër i mirë për fëmijë, një pikturë e mirë, një pjesë teatrore e mirë, një film i mirë, një muzikë e mirë… Sekreti në qenien e tyre të mirë qëndron në vlerësimin të mirë sipas personit që e shijon atë vepër. Diçka e mirë për dikë mund të jetë e keqe për një tjetër. E rëndësishme është që qenien të mirë ta thotë, të mund të thotë krijuesi i veprës dhe personi që kontakton me të. Pa dyshim që ajo që sot është e mirë, nesër mund të jetë e keqe; ajo që sot nuk mund të kuptohet, nesër mund të jetë më e mira. Sipas meje, ka në një numër të konsiderueshëm “libra të mirë për fëmijë”. Janë ata libra që më çojnë në botë të tjera, që më lumturojnë, që ndikojnë tek unë me ngjarjet e librit ose me mënyrën e rrëfimit të tyre, që me thjeshtësinë apo me fantazinë jo të zakonshme më bëjnë të ndihem sikur marr frymë pa bombol oksigjeni në fund të detit. Disa prej këtyre librave nuk do të mund t’i harroj kurrë, disa të tjerë më shkaktojnë buzëqeshje, sikur takohem sërish me një mikun tim të mirë.

Cili është mesazhi më i rëndësishëm që dëshironi t’u jepni fëmijëve në librat tuaj?

Nuk kam një mesazh që dëshiroj t’u jap fëmijëve. Nuk kam një mesazh që dëshiroj t’ia jap dikujt. Secili të marrë mesazhin që dëshiron ai vetë. Çdo vepër artistike mund të mbajë kuptime të ndryshme, madje mesazhe të ndryshme, gjithmonë në varësi me personin me të cilin është takuar. Dhe ky është një ndër aspektet e artit që më ngjall emocione.

 

A do të vazhdoni të shkruani libra për fëmijë?

Gjithmonë do të vazhdoj të shkruaj dhe të punoj në këtë gjini. Më pëlqen shumë të jetoj në botën e librave për fëmijë. E di që nuk do të mund t’i rri larg kësaj lumturie.

 

Jeni larguar plotësisht nga aktrimi apo keni projekte të reja?

Aktrimi për mua sigurisht që nuk ka përfunduar. Ndoshta mund të them se në këto trembëdhjetë vjetët e fundit kam rrëshqitur nga serialët te filmat artistikë. Aktrimi tashmë është një gjini ku kam fituar të drejtën të jem përzgjedhëse, meqenëse për sa kohë që ka projekte të mira, xhiroj filma me metrazh të gjatë, shkruaj skenarë dhe jam producente për to, shkruaj tekste këngësh dhe libra për fëmijë, domethënë kam edhe punë të tjera. Sapo ndodhem përballë një roli që do të emocionojë, ndihem si para një deti ku ve në gjumë aty për aty gjinitë e tjera ku jam duke punuar, kridhem në ujë dhe filloj të notoj në të.

 

Si ndiheni kur krijoni në gjini të ndryshme të artit?

Në fillim nuk e dija se kisha nisur një udhëtim ndërdisiplinor. E vështroja jetën me sytë e shkëlqyer të fatlumëve që dashurojnë artin. Edhe nëse nuk mund të shikoja atë shkëlqim ngaqë nuk kisha pasqyrë përpara, e dalloja se diçka më shpërthente nga përbrenda. Libri për fëmijë, shkrimi i një teksti kënge, artikulli apo skenari, aktrimi, regjia e filmave… Të gjitha këto i shtoheshin njëra-tjetrës. Gjithçka që më dilte nga përbrenda kishte një forcë që, edhe sikur të mos ekzistoja unë, do të shpërthente jashtë vetvetiu. Në atë çast as unë nuk mund të përcaktoja se cila do të kishte rolin kryesor, çdo gjë më ndodhte vetvetiu.

 

Të kalojmë tani te vizitat tuaja në Shqipëri. Brenda dy javëve erdhët dy herë në vendin tonë. A mund të na tregoni arsyet e vizitave tuaja të njëpasnjëshme dhe përshtypjet me të cilat u kthyet në atdheun tuaj?  

Në pranverën e këtij viti nga Stefan Vuçani, përkthyesi në gjuhën shqipe i librit tim “Meles Trimi”, mësova për Festivalin e përvitshëm Ndërkombëtar të Filmit dhe Kulinarisë në Pogradec. Aplikova me filmin me metrazh të gjatë “Lidhëset e këpucëve”, ku isha regjisore. Sapo u vura në dijeni se filmi kishte fituar të drejtën për t’u shfaqur në Festival, menjëherë njoftova Presidentin e Festivalit, z. Eno Milkani se do të vija edhe vetë personalisht. Nuk  mund të harroj ditën kur mbërrita në Pogradec. Ishte me të vërtetë një qytet i bukur, i mrekullueshëm, si një parajsë, buzë Liqenit. Gjatë qëndrimit treditor pata fatin të njihem me Eno Milkanin dhe Alketa Bashën, me kolegë të rinj kineastë nga vende të ndryshme të Ballkanit, të shijoj mikpritjen e pogradecareve, organizimin e përsosur, fjalët e mira të shikuesve dhe të kolegëve gjatë shfaqjes së filmit tim dhe u lumturova së tepërmi kur filmi fitoi Çmimin e Jurisë. Pasi u ktheva në Turqi, gjeta mundësinë të shikoj edhe disa filma të tjerë të pjesëmarrësve në Festival. E them me bindje të plotë dhe të sinqertë se Festivali i Pogradecit ishte një përvojë e veçantë dhe shumë mbresëlënëse për mua.

 

Më falni që po ju ndërpres, mund të na flisni pak për filmin tuaj fitues?

Ky Çmim më gëzoi pa masë, sepse edhe vetë filmi “Lidhëset e këpucëve” është tepër i veçantë  për disa arsye të mia personale. Është një film që në një farë mënyre i dedikohet babait tim, i cili shumë vite të jetës së tij i kaloi në gjendje paralize. Dëshiroja t’i thosha se në jetën tonë ka gjëra të bukur, të mira, se pavarësisht disa momenteve jo të këndshme, jeta është plot me shpresë. Në këtë film kam shprehur preferencën time në këndvështrimin që kam për jetën. Im atë e pa këtë film kur ia shfaqëm në shtëpi, por nuk mundi të mësojë për çmimet që fitoi në Romë dhe në Pogradec. Por fakti se ai mundi ta shikojë filmin dhe të jetë në disa sekuenca të filmit bashkë me nënën time është një ndër çmimet më të mëdha në jetën time

 

Le të vazhdojmë me vizitat tuaja në Shqipëri.

Vetëm pak ditë pas kthimit në Turqi, në fillim të korrikut u nisa përsëri për në Shqipëri. Këtë herë si anëtare e delegacionit të Ministrisë së Kulturës të Turqisë që do të merrte pjesë në Javën Kulturore Turke. Gjatë ceremonisë në Bibliotekën Kombëtare me rastin e përurimit të ekspozitës me libra të letërsisë turke të botuara në Shqipëri, u njoha me botueset Manushaqe Bako dhe Ajsela Koka të Shtëpisë Botuese ‘Dritan’ që u ka sjellë lexuesve të vegjël shqiptarë librin tim “Meles Trimi”. Shtrëngova duart me dy zonja fytyrëqeshura. Të dyja po i takoja për herë të parë dhe menjëherë krijuam një marrëdhënie sikur njiheshim prej kohësh. Kur rreth para një viti më kishin dërguar disa kopje të librit “Meles Trimi” në shqip, më ngjalli një përshtypje të veçantë cilësia e botimit dhe përjetova një ndjenjë të pazakontë kur i vështroja në duart e mia. Të nesërmen të gjithë së bashku morëm pjesë në promovimin e librit në qendrën e Institutit të Kulturës Turke Jusuf Emre në qytetin e Shkodrës. Ishte një takim i organizuar mjaft mirë dhe me një pjesëmarrje të gjerë të fëmijëve, të cilët ishin mjaft aktivë dhe shprehen lirshëm mendimet e tyre të çiltra, madje së bashku krijuan edhe histori mjaft interesante. Bashkë me botuesen dhe përkthyesin ndamë kënaqësinë e dhënies së autografeve në librat që iu dhuruam të gjithë pjesëmarrësve. Gjatë qëndrimit në Tiranë Eno Milkani më krijoi mundësinë të ndjek një shfaqje teatrore, provim i vitit të tretë të degës së aktrimit në Universitetin e Arteve dhe një vizitë në Bunk’art. Gjithashtu me të diskutuam edhe për projektet që mund të realizojmë në të ardhmen e afërt. Duke ruajtur kujtimet dhe përshtypjet më të mira nga dy vizitat në Shqipëri, dëshiroj të theksoj se jam tepër e lumtur nëse kam kontribuar sado pak në ndërtimin e urave të reja në fushën e bashkëpunimit kulturor dhe artistik midis Turqisë dhe Shqipërisë. Duke ju falënderuar, uroj që krahas librave dhe filmave tuaj, edhe vetë ju të vini sa më shpesh në Shqipëri.

Faleminderit për urimin, edhe unë dëshiroj të vij përsëri në vendin tuaj të bukur, nga i cili u ndava me përshtypjet e mia më të mira.

Gjithashtu ju falënderoj për intervistën dhe përfitoj nga rasti të përshëndes të gjithë lexuesit e gazetës “Telegraf”.