Albert Habazaj: Dukatasit në Epopenë e Luftës së Vlorës

768
Sigal

FAQE TË NDRITURA, TË PANJOHURA NGA LUFTA E VLORËS

Muhamet Mazja me dukatasit në Epopenë e Njëzetës

Msc. Albert HABAZAJ 

Kujtesë shkrimore

Lufta Kombëtare e Vlorës është organizuar dhe është zhvilluar  si pjesë e së tërës  së popullit shqiptar në kohë dhe në hapësirë. Në krye ishte Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” me kryetar Osman Haxhi Nurin me origjinë nga Armeni, sekretar Halim Xhelon nga Tërbaçi, dhe anëtarë: Sali Bedini nga Armeni, Hamit Selmani nga Dukati, Duro Shaska nga Koculi, Hasbi Cano nga Mavrova, Beqir Sulo Agalliu ose Beqir Sulo Vlora nga Vlora, Alem Mehmet Agai ose Alem Tragjasi, Hysni Shehu nga  Sevasteri, Qazim Kokoshi nga Vlora, Murat Miftari (Habazaj) ose Murat Tërbaçi nga Tërbaçi, Myqerem Hamzaraj nga Kanina, ndërsa majori me përvojë Ahmet Cani (Lepenica) nga Lepenica dhe kapiteni me akademi marine Qazim Koculi ishin komandanët e kësaj lufte legjendare. Drashovica ishte qendra e prefekturës, ku ishte vendosur dhe komanda, gjyqi, policia, xhandarmëria, etj. Kujtojmë që gazeta “Telegraf”, pak kohë më parë, ka botuar Kalendarin Historik të Luftës Kombëtare të Vlorës, kështu që shfletimi i tij në kujtesën vetiake dhe kolektive  është i duhur, pasi shkrimet në nderim të 100 – vjetorit të kësaj lufte ndjekin kronologjinë e ngjarjes, pa mundur të futemi në imtësira, sepse, jo vetëm studimi monografik “Lufta e Vlorës, Historia në Epikën Historike”, nuk do të mjaftonte, por as një kolanë 20-vëllimëshe nuk do të mund t’i përfshinte dot të gjitha elementët realizues të Fitimtarisë gëzimtare e krenare të 3 Shtatorit 1920. Shkas për këtë shkrim u bë një personazh me histori dhe këngë, por pak i njohur, pak i shkruar dhe aspak i vlerësuar.

Dy fjalë për këtë trim të Dukatit

Muhamet Maze Merko, (1878-1920), është një nga bijtë e Dukatit,  që punoi dhe luftoi për Pavarësinë e Shqipërisë. Ai ka qenë pjesëmarrës aktiv në kuvendet e krahinës për mbrojtjen e pavarësisë; i zgjedhur në grupin për pritjen e Çerçiz Topullit në Dukat, më vitin 1909; i zgjedhur me parinë e Dukatit për pritjen e Ismail Qemalit; pjesëmarrës në luftën e Llogorasë (1912-1913); ndër më aktivët për hapjen e shkollës shqipe në Dukat (1913); ndër organizatorët e festës së Flamurit më 28 nëntor 1914 në Dukat. Në vitet 1914-1919, i detyruar nga përndjekjet e pushtuesve italianë, bashkë me patriotë të tjerë, emigron në SHBA, Në Tampa të Florida-s, ku punoi në një fabrikë duhani. Në Florida njihet me atdhetarë dhe bëhet aktivist i shoqërisë “Vatra”.  Në vjeshtën e vitit 1919,  kthehet në Shqipëri, bashkë me patriotë të tjerë dhe vihet në krye të veprimtarive  atdhetare të krahinës. Më 28 nëntor 1919,  është ndër organizatorët e Festës së Flamurit, e cila siç njihet dhe nga historia, përfundoi me përleshje me pushtuesit e huaj. Më 29 maj 1920, merr pjesë në Kuvendin e Barçallasë, ndërsa më 2 qershor, në Kuvendin e Beunit, ku u përcaktua komisioni i luftës së Vlorës dhe Ultimatumi ndaj Italisë pushtuese. Në Luftën e Vlorës, nga data 2-4 qershor u zgjodh zëvendës komandant i Çetës së Dukatit, me rreth 250 luftëtarë me komandant Hodo Zeqirin. Më 4 qershor, pas rënies dëshmor të Hodo Zeqirit, komisioni i luftës e zgjodhi komandant Muhamet Mazen, deri në fund të Luftës së Vlorës. 17 korrik 1920, komandant Muhameti plagoset në betejën e Kalasë  së  Kaninës, por nuk u tërhoq deri në Çlirimin e Vlorës (3 shtator 1920). Në nëntor 1920 shkon në Athinë të mjekohet, por, ndoshta, plaga e rëndë e Kaninës, s’pati shërim dhe vdiq në spitalin e Athinës. Pra, qysh kur u formua Çeta e Dukatit, Muhameti  ishte zëvendës  komandant i Çetës së fshatit në Luftën e Vlorës. Pas vrasjes trimërore në betejën e Gjormit të Komandantit të çetës së Dukatit, Hodo Zeqiri, komandant i kësaj çete, me propozim të Hamit Selmanit “namlartë”, u caktua Muhamet Mazja, moshatar me Hodo Zeqirin. Për të ka këngë, se ka bërë e ka lënë histori, edhe pse iku shumë i ri, pas luftës së Vlorës, në vjeshtë vetëm 42- vjeç. Po, Muhamet Mazes ende s’i dihet varri e u tha se vdiq nga plagët në Greqi, Athinë.

Në vitet 1919-1920, kur Shqipëria ishte në kufijtë e ekzistencës së saj

Dëshpërimi por edhe ndërgjegjësimi për një tjetër shpresë ngriti në këmbë shqiptarinë. Përplasja me pushtuesit italianë ishte e dukshme, e pranishme. Familjarët tregojnë, por edhe në historinë lokale të fshatit  nga autorët Sherif Tava e Axhem Çapo, është shkruar që Muhameti  me Merkon, vëllanë e vogël 14 -vjeçar iku në Amerikë, qysh më 1916. Pas 4 -vjetësh emigrim në Amerikë, Muhameti, pasi i vdes edhe vëllai,  kthehet dhe e gjen vendin  përsëri të robëruar. Të varfër dhe të pa shpresë, përsëri në përballje me pushtuesit. Është 28 Nëntori 1919 që mblodhi për të festuar ditën e Flamurit në Dukat, fshatarë të Dukatit, Tragjasit e Radhimës (te hani i Abaz Gegës). Aty ndodhi ai shpërthim i urrejtjes së popullit  në mbrojtje të vlerave kombëtare të cilat deshën  t’i  nëpërkëmbnin  pushtuesit italianë. Llava e urrejtjes popullore  përballi djemtë  dhe burrat e shpresës së shqiptarisë me pushtuesit, që ndoshta kishin harruar se ky vend quhet Shqipëri. Përsëri në këtë revoltë ishin djemtë e zgjedhur të krahinës në përgjithësi, ishte sigurisht mes vëllezërve të idealit edhe njëri prej tyre, Muhameti. Me kthimin ne familje, Muhameti edhe familjen e gjen në dëshpërim.  Nëna e tij Sirma, shkon te familja e patriotit Hamit Selmani, që t’i bëjë nuse të dytë Muhametit, Salie Selman Hamitin, familje e pasur me histori dhe me pasuri. Sirma ishte mbesë e Dervish Ali Dukatit, vajza e djalit të Dervish Ali Ajanit. Arsyeja ishte se kjo martesë do e mbronte nga  hasmëria e një prej pasanikëve  të fshatit (që ishte vëllam me Hamitajt). Dhe ashtu ndodhi. Martesa e dytë u bë dhe nga kjo martesë lindi Dudia, fëmija e tretë e Muhametit. Dudia është e shoqja e Sulejman Kapos, mbesa e Selman Hamitit, stërmbesa e Hamit Selmanit me nam, nëna e Mondës, bujares së shumë informacioneve, dëshmive dhe fotove që kanë të bëjnë me këtë familje atdhetare të Dukatit dhe Labërisë.

Lufta e Vlorës. Qershor-Shtator  1920

Muhameti 1920, në Bari

Ngjarjet po rridhnin me shpejtësi dhe tronditshëm. Atdhetarët bashkuan idealin dhe organizuan ato kuvende bese dhe nderi, ku Muhameti është në krah të burrave të Dukatit në Barçalla, në krahë të Selman Hamitit, Hodo Zeqirit, Sheme Sadikut, etj. Në 2 qershor 1920 u mblodhën qindra luftëtarë në Beun nga ku u dërgua Ultimatumi Gjeneral Piacentinit, për t’u tërhequr nga Vlora deri më 4 qershor, ndryshe “Ja do mbetet Vlora Jona,/ ja do bëhet shkrumb e hi…” Përgjigja përbuzëse e Gjeneralit, bëri që mobilizimi i popullit të ishte i lartë. Në 3 qershor në mbrëmje, në shtëpinë e Hamit Selmanit mblidhen paria e Dukatit për këtë zhvillim.  Hamit Selmani dhe paria, betohen për Shqipëri – për Lirinë e Vlorës.  Në këtë takim të rëndësishëm  është dhe Muhameti, njëri prej trimave  të zgjedhur. E përmend  Muço Delo në librin e tij: “Mbrëmje vere me Muço Delon” (f. 60); Gani Abazi në librin “Lufta e Vlorës në Kujtimet e mija” (f. 23,38,40); Gani Abazi edhe te “Studime Historike” Nr. 2 viti 1974, përmenden Muhameti me Sheme Sadikun,  Pilo Andonin me një pallë të argjendë hedhur në krah, në takimin në sheshin e Llustrës për të kuvenduar mes çetave të Dukatit, Tragjasit, Rradhimës e Tërbaçit…etj. Kujtimet e bisedave nga veteranë të asaj kohe të bëra në rrethin familjar janë të shumta. Veterani Islam Harizi, mik i familjes dhe kushëri i nënë Mezes tregonte: “Muhametin e mbaj mend që ish me gjithë dukatasit në ballë dhe më bënte përshtypje që lufton në këmbë, me një revole dhjetëshe si dhe një palë dylbi prurë nga Amerika”, në të cilat shkruhej anglisht “for day and at night”, (për të parë ditën dhe natën). Në historikun e Dukatit, Muhameti përmendet mes 314 luftëtarëve në vitet 1912-1914. Mbas Kongresit të Lushnjës, Osman Haxhiu e Qazim Koculi, bën takime në Dukat me Hamit Selmanin, Hodo Zeqirin, Muhamet Mazen, etj… Çeta e Dukatit përbehej nga rreth 250 luftëtarë dhe  caktuan komandant Hodo Zeqirin, zëvendës komandant Muhamet Mazen. Ditën e parë të luftës në Gjorm, duke u gdhirë 5 qershori, në orën 6 të mëngjesit, vritet Komandant Hodo Zeqiri, dhe në orën 7 të mëngjesit në një luftë të rrufeshme kundër forcave italiane, Gjormi ra në duart e luftëtareve tanë. Beteja e Gjormit u fitua dhe dëshmorët e parë të saj hapën faqen e nderit në atë Histori.

Pas vrasjes së Hodo Zeqirit, komandant u vu Muhamet Mazja.

Sulmi i dytë mbi Vlorë u bë sipas planit që hartoi Komiteti i Mbrojtjes Kombëtare. Në majë të Vreshtave të Mëdha u vendos Sali Murati me çetën e tij dhe nga krahu tjetër çeta e Dukatit me Muhamet Mazen. Forcat e Dukat-Tragjas-Radhimës do të drejtoheshin për në Kaninë. U dha sinjali dhe filloi sulmi. U kapërcyen tri palë tela me gjemba dhe luftëtarët dolën në Majë, por nuk qëndruan gjatë. Në këtë sulm, Muhamet Mazja u hodh i pari dhe zuri pozicionin e armikut. Në atë pozicion u ndesh ballë për ballë me një oficer që shtinte me mitraloz. E qëlloi dhe e vrau. Italianët u hodhën në kundërsulm të mbështetur nga artileria e detit, aeroplanët dhe autoblindat që dolën nga Qafa e Koçiut dhe forcat tona u detyruan të tërhiqeshin në pozicionet e mëparshme. Lufta vazhdoi e ashpër dhe e pa prerë deri në mesditë. Pas mesit të ditës filloi tërheqja me shumë vështirësi, se vendi ishte i zhveshur. Muhamet Mazja me dukatasit u tërhoqën duke rrëshqitur deri në fund të ullinjve. Ishte një tërheqje shumë e vështirë që mund ta bënin vetëm trimat. Kishin për detyrë të shkatërronin Fushën e Aeroplanëve  në  Ujë të Ftohtë. I thyen italianët e rreshtave të para dhe iu afrua Sheshit të Balonave, por u ndeshën me një gardh të dendur telash me gjemba dhe breshërinë e paprerë të mitralozave që ruanin avionët. Kështu u detyruan të tërhiqeshin me të rënë të diellit. Që nga fillimi deri në fund, lufta qe shumë e ashpër. Në fillim të ditës, u plagos Hasan Aliçka, kurse afër mbrëmjes edhe komandanti i çetës Muhamet Mazja… Kjo ndodhi në 17 korrik 1920 në orën 19. Muhameti i plagosur nuk u tërhoq, vazhdoi luftën deri në çlirimin e Vlorës kur marshuan  fitimtarë në 3 Shtator 1920.