Mustafa Bakiasi: Skrapari në Luftën e Vlorës 1920

1036
Sigal

Lufta e Vlorës pati karakter thellësisht kombëtar

Mustafa Bakiasi, veteran

Lufta e Vlorës nuk ishte vetëm luftë e popullit të Vlorës dhe Kurveleshit, nuk ishte lokale e për interesa rajonale të çastit. Ajo që në fillim mori dimension kombëtar nga synimet që i vuri vetës dhe nga platforma që e udhëhoqi atë, nga pjesëmarrja e shqiptarëve nga të gjitha trevat e vendit, por edhe nga prania e përfaqësuesve të diasporës, nga angazhimi i Qeverisë së Tiranës (në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjës) dhe institucioneve të shtetit që ishin në procesin e rimëkëmbjes.

Për të gjitha këto arsye, Lufta e Vlorës ka një vend nderi në historinë tonë kombëtare. Për rolin që ajo ruajti në përcaktimin e fateve të kombit tone, duke ju thënë ndal komploteve të armiqve fqinje dhe të brendshëm në atë kohë në shërbim të të huajve.

Për Luftën e Vlorës kanë shkruar edhe shtypi i kohës, si Gazeta e Korçës, Shqipëria e Re, etj. Janë shkruar dhe lënë kujtime edhe nga luftëtarë e drejtues pjesëmarrës, janë prodhuar poezi e krijimtari popullore e sidomos pas Luftës së Dytë Botërore.

Tani me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës janë botuar mjaft shkrime në gazeta me kujtime lokale sidomos ne krahinën e Vlorës, që i përshëndes të gjithë duke veçuar shkrimin e profesor Paskal Milos me përmbajtje historike dhe politike shumë mbresëlënëse. Edhe unë dëshiroj të shkruaj për kontributin e krahinës së Skraparit në Luftën e Vlorës, mbështetur në dokumente dhe kujtime të luftëtarëve pjesëmarrës në Luftën e Vlorës. Në Luftën e Vlorës në 1920 kundër imparialisteve italiane kanë marrë pjesë disa çeta nga Skrapari të udhëhequr nga patriotet Riza Cerova, Muço Kapinova, Ali Koprencka, Riza Kodheli, etj (të gjithë këta kanë qenë ish pjesmarrës në Sigurimin e Kongresit të Lushnjes).

Ja si e ka përjetuar në vargje populli i Skraparit nisjen e luftëtarëve në Luftën e Vlorës:

Bucet Ostrovica/ Po tundet Tomorri/ U ngrit Tomorrica/ Dhe Skrapari doli/ Rradhitur në çeta

Mbushur 3 taborre,/ Me manxerrat ngjeshur/ U derdhën në Vlorë/

Dhe më tej vazhdon:

Skrapar sa të kish lezet / Kur nise për Vlorë djemtë/ Doli Vlora po i prêt/

Si “Plaku” në dymbëdhjetë.

Çetat e Skraparit fillimisht goditen forcat e ushtrisë italiane, në Leskovik, në Këlcyrë e në Tepelenë. Duke u bashkuar me çetat e Tepelenës luftuan trimërisht kundër garnizonit italian, i dislokuar në Kalanë e Tepelenës.

Kjo betejë përshkruhet edhe me vargun:

Në Këlcyrë e Tepelenë/ Trimat me yxhym po venë,/ Italianit ujin ja prenë,/ I zunë të gjallë sa qenë.

Pas një udhëtimi të gjatë çetat e Skraparit mbërritën në Vlorë, ku u bashkuan me shtabin drejtues të kësaj lufte. Me urdhër të shtabit drejtues, forcave të Skraparit ju dha sektori i Qafës së Kociut. Në këtë sektor italianët kishin dislokuar forca të shumta në pozicione fortifikuese dhe mjete të tjera xheniere e sinjalizuese, të mbrojtur edhe nga avionë vëzhgues.

Sipas kujtimeve të Shaqir Kapinoves, luftëtar pjesëmarrës, shtabi drejtues ngarkoi Muco Kapinovën, ushtarak me përvojë që në çetën e tij kishte dhe ushtarake të tjerë me përvoje. Sulmi  u bë 2 ditë me radhë, natën dhe në orët e para të mëngjesit. Beteja qe shumë e ashpër, me pushkë, mitraloza e bomba dore. Sulmi mbështetej edhe nga forcat rezervë me mitraloza të rëndë. Në grupin tonë pati edhe të vrarë e të plagosur, u plagos lehtë edhe Muco. Ne të njëjtën kohë sulmuan në sektorë të tjerë edhe çetat e Vlorës dhe Tepelenës.

Këtë betejë shtypi i kohës e përshkruan:

Gazeta e Korçës, Viti III-te, Nr. 14, e mërkurë me 4 gusht 1920:

“Ushtria e Korçës në luftërat e fundit në Vlorë rrëfen një trimëri të madhe duke zënë një mijë robër dhe një mitraloz. Ushtaraku Muço Kapinova rrëzoi me mitraloz një aeroplan italian”. Të njëjtin lajm boton edhe Gazeta Shqiperia e Re (Organi i shqiptarëve të Rumanisë, Kostancë më 1 nëntor 1920). Fitorja e Vlorës u festua në të gjithë vendin kur vullnetarët u kthyen në rrethet e tyre. Shtypi i kohës i bën jehonë kësaj fitore. Kështu p.sh: Gazeta e Korçës në 8 shtator 1920 shkruante: Në datën 3 shtator 1920 në Korçë u festua fitorja për Luftën e Vlorës. Ushtria e Korçës, pjesëmarrëse në Luftën e Vlorës nën Komandën e Ferit Frashërit parakalon triumfalisht përpara popullit të qytetit.  Natyrisht edhe në Skrapar u organizua një ceremoni e tillë e fitores duke ngushëlluar edhe familjet e 30 të rënëve në këtë luftë. Për tu theksuar është qëndrimi patriotik i nënave për djemtë e rënë në këtë luftë:

Neve nënat nuk do qajmë,/ Për djemtë që në luftë ranë,/ Kur shohim Vlorën të çliruar,/ Djemtë i kemi të nderuar.

Historia e Luftës së Vlorës ishte frymëzim për popullin shqiptar në Luftën Nacional Çlirimtare kundër pushtuesve nazifashiste e tradhtarëve ballisto-zogiste. Këto ngjarje të mëdha historike do të jenë gjithmonë frymëzim patriotizmi e atdhedashurie ndër breza sepse: pa njohur mirë të kaluarën nuk kuptohet e sotmja, nuk ndërtohet e ardhmja më e mirë dhe më e begatshme.