Aeroporti i Vlorës do ti kushtoj taksapaguesve 138 mln.euro ose 50 mln. euro më shumë se sa ta bënte vetë shteti

278
Sigal

Dokumenti standard i tenderit të koncesionit shkruan: “Ky projekt mbart risqe të larta për arsye se është një aeroport i cili ndërtohet nga fillimi në një zonë te gjelbër (green field), dhe është e pamundur të parashikohet me saktësi trafiku.

Një kontratë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, fituesi i të cilës u shpall të premten, rrezikon t’u kushtojë shqiptarëve 138 milionë euro ndërsa fizibiliteti i projektit për aeroport të dytë vetëm 100 kilometra larg aeroportit ekzistues mbetet i dyshimtë.

Kryeministri Edi Rama shpalli të premten rezultatin e tenderit për koncesionin e aeroportit të Vlorës, një projekt fantazmagorik për të cilin vetë dokumentet e qeverisë së tij thonë se është i pavlerë nga ana ekonomike, por që për të garantuar interesin privat të dy kompanive fituese, taksapaguesi do të detyrohet të paguajë 138 milionë euro përgjatë një periudhe dhjetëvjeçare.

Rama, i cili e ka pasur projektin e Aeroportit të Vlorës një premtim elektoral në zonën elektorale ku garon vetë, deklaroi se kompanitë fituese Mabetex e biznesmenit dhe politikanit Behgjet Pacolli dhe kompania YDA, një kompani turke, e cila është kontraktuar nga qeveria turke për ndërtimin e një spitali në Fier.

“Shumëzoni 104 mln euro x 23 dhe ai do jetë impakti i shtrirë në dekadë që ky aeroport do sjellë në ekonominë e Vlorës dhe Shqipërisë. Mijëra mundësi për punësimi. Do ta ndjejmë praninë e kompanive shqiptare te biletat , tarifat dhe çmime që janë në Europë. Është një kompani shqiptare dhe ne kemi mundësinë ta vëmë përpara përgjegjësisë së madhe dhe të jemi të çliruar nga çdo pengesë e natyrës së këtyre marrëdhënieve me kompanitë e huaja,” deklaroi Rama.

Taksapaguesit shqiptarë do të detyrohen të paguajnë 138 milionë euro, ose afërsisht 40 për qind më shumë se sa kostoja e ndërtimit, në rast se koncesioni dështon apo nuk realizon fitime

Ajo që Rama nuk deklaroi dhe që del qartë nga dokumentet e tenderit është që jo shumë janë të bindur për suksesin ekonomik të këtij aeroporti ndërsa taksapaguesit do të detyrohen të paguajnë 138 milionë euro, ose afërsisht 40 për qind më shumë se sa kostoja e ndërtimit, në rast se koncesioni dështon apo nuk realizon fitime.

Dokumenti standard i tenderit të koncesionit shkruan: “ky projekt mbart risqe të larta për arsye se është një aeroport i cili ndërtohet nga fillimi në një zonë te gjelbër (green field), dhe është e pamundur të parashikohet me saktësi trafiku dhe nuk ka një bazë të dhënash. Gjithashtu sipas parashikimit të konsulentit të kontraktuar nga Autoriteti Kontraktor për kryerjen e studimit, vërehet një normë e ulet kthimi në rastin bazë e cila arrin 9.23%”.

Për këto arsye, qeveria shqiptare merr përsipër “garantimin e të ardhurave”, të cilat janë para që do t’i paguhen konsorciumit fitues nga taksapaguesit, në rast se aeroporti dështon. Sipas një grafiku të publikuar, konsorciumi do të marrë 9.6 milionë euro në vitin e katërt pas kontratës (supozohet viti i parë i operimit), shumë që do të rritet deri në 18.6 milionë euro në vitin e 13 të kontratës, (viti i dhjetë i operimit), për një total prej 138.2 milionë eurosh.

Kompanitë private kanë marrë përsipër ndërkohë të rrezikojnë 104 milionë euro nga paratë e tyre, sipas deklaratës së kryeministrit. Aeroporti i Vlorës gjendet 100 kilometra larg aeroportit të Tiranës. /BIRN