Qeveria shpenzon 800 mln lekë për provat me uljen e avionve të “tipit Riformato” në aeroportin e Kukësit

276
Sigal

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, ironizoi pak ditë më parë nga Kukësi uljet e avionëve në aeroportin e ri. Simulimi i një avioni “piper”, si ai që kishte Riformato i Divjakës, sollën reagimin e mjaft ekspertëve, të cilët hodhën akuza për krerët e ministrisë së po “bëjnë lojëra me avionë”.

Në fakt, video e Ballukut u bë virale, për shkak se avioni i vogël nuk u ul në pistë, por sipas Ballukut “bëri ulje në ajër”!

Dhe, ministrja duke kopjuar paraardhësit e saj gjatë diktaturës, bënte komente me përfaqësues të firmës dhe Albcontrol-it. Në fakt, Balluku ka qenë dikur drejtuesja e këtij institicioni, të ardhurat e të cilit janë qindra milionë euro në vit.

Duke e njohur si funksionon nga afër, Balluku po vijon ta përdorë, për të bërë propagandën e radhës. Sipas dokumenteve , Albcontrol ka shpenzuar qindra mijëra euro për këto simulime, para, të cilat nuk dalin nga arkat e koncesionarit, por nga arkat e shtetit.

Sipas dokumentit të mësipërm, Albcontrol ka hapur një tender me objekt “hartimi i procedurave për aeroportin e Kukësit”. Në dokument janë edhe disa detaje, “përfshirë SID dhe STAR, bazuar në një studim paraprak që mbështet këtë procedurë”.

 

Gjithashtu, objekti është “validimi i procedurës nëpërmjet vlerësimit nga një palë e tretë, simulatori dhe fluturimit nga ajri”. Pra, pikërisht ajo çka pa nga afër Balluku apo ajo që trumbetoi me të madhe se “projekti nuk është 3D”. Natyrisht, aeroporti aty ka qenë prej vitesh dhe s’ka qenë 3D si ai i Vlorës, Sarandës, Korçës, Gjirokastrës e shumë qyteteve të tjera.

Ajo çka ngre dyshime të forta janë fondet që shpenzohen për këto “lojëra”. Në tender thuhet se kërkon një firmë private për “përgatitjen e hartave të procedurës si dhe updatimi i hartave të aeroportit që do të publikohen”. Fondi limit për këtë procedurë është 62.500.000 lekë (me TVSH rreth 600 mijë euro). Mësohet se këto simulime do të bëhen për vetëm 3 muaj, që përkon edhe me fushatën dhe zgjedhjet e 25 prillit. Me këtë fond, Balluku e ka të sigurt që të vijojë lojërat me avionë… Koncesioni i aeroportit të Kukësit u dha disa kohë më parë, ku për 35 vjet privatët kanë në dorë administrimin e tij. Firmat duhet të investonin vetëm 8 milionë euro, ndërsa ajo që bie në sy është se edhe shteti ka paguar dhjetëra milionë euro për të rivënë në punë aeroportin, megjithëse është me koncesion. Disa muaj më larë, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpenzuar 2 milionë euro për shërbime inxhinierike të pavarura. Ndërkohë, miliona të tjera për infrastrukturën rrugore dhe sistemime të tjera.