/Gazeta TELEGRAF
‘Teuta’-‘Partizani’ është njëlloj “finaleje” e këtij kampionati. Ilir Daja tha se luajnë gjithçka për gjithçka, ndërsa Edi Martini e konsideroi ndeshjen më të rëndësishme të karrierës së tij si trajner. Mjafton kaq për të kuptuar rëndësinë e 90-minutëshit në “Niko Dovana”, edhe pse pas tij mbeten të luhen edhe dy javë të Superiores. Fitorja e durrsakëve e bën thuajse punë të kryer titullin, e kundërta, triumfi i të kuqve, bën që peshorja të anojë nga kryeqytetasit. Në kuadrin e një prognoze, po mundohemi të evidentojmë 5 faktorë pro (indirekt kundër, për rivalin), për secilën skuadër. Natyrisht, të tilla përballje kërkojnë angazhim maksimal të gjithë stafit, që nga presidentët e deri te lojtari më i fundit. Hasanbelliu dhe Demi janë modeli referues në rolin e tyre. Mbështetës të pakursyer të skuadrave që financojnë, aspak polemikë dhe të bezdisshëm në media, duke u ankuar e kontestuar edhe “qimen e flokut”, luajalë me trajnerët, pa ndërhyrë në punën e tyre, ambiciozë për suksesin, por pa e kërkuar atë me çdo mjet e mënyrë, edhe të pandershme, sikurse mund të bëjnë kolegët. Referuar asaj çka përbëjnë dy presidentët respektivë, urojmë që edhe rezultati i kësaj supersfide të jetë “fair”, pa ndikime nga jashtë, sidomos nga gjyqtarët. Hasanbelliu dhe Demi e meritojnë këtë garanci nga FSHF-ja, pastaj të tjerat janë në këmbët e futbollistëve të tyre.
Faktori fushë – Edhe pse pa tifozë, të luajturit në Durrës favorizon disi ‘Teutën’. Kjo për shkak se në stadiumin e vet, “djemtë e detit” luajnë me sy mbyllur, si të thuash. Ia dinë edhe sekretin më të vockël fushës së “Niko Dovanës”, ku me siguri, zëri i ndonjë duzine tifozësh vendës, do të ndihet patjetër. Epërsia + 3 pikë – Kreu është një komoditet i madh në aspektin psikologjik për skuadrën e Martinit. Tri pikët më shumë aktualisht e kalojnë presionin te ‘Partizani’. Ky i fundit duhet të fitojë patjetër, çka mund t’i rëndojë këmbët dhe mendjet e të besuarve të Dajës. Në aspektin pragmatist, ‘Teuta’ mund të kënaqet deri diku edhe me një barazim, sepse e ruan distancën momentale nga “demat e kuq”. Starova – Mund ta konsiderojmë si një “Kalë Troje” për të kuqtë në ndeshjen direkte. Starova është një partizanas 24-karatësh, në plot kuptimin e fjalës, qoftë si ish-futbollist, qoftë si ish-trajner e drejtues i “demave”. Ai e njeh ‘Partizanin’ “dhëmbë e dhëmballë”, psikologjinë e tij, ndaj do mundohet bashkë me Martinin, të shfrytëzojë pikat e dobëta të rivalit. Dy mendje janë përherë më shumë se një e vetme, ndaj stafi teknik durrsak, falë “Bobit”, duket më i avantazhuar se Daja në kampin tjetër, sidomos me lëvizjet gjatë lojës, në funksion të situatave të krijuara. Aspekti fizik – Durrsakët me siguri janë më të freskët, sepse vijnë nga ndeshja me ‘Kastriotin’, e fituar 2-1. Ata e zgjidhën shpejt sfidën e kaluar me krutanët, duke shënuar dy gola në gjysmëorën e parë të lojës. Thuajse në krejt pjesën e dytë ekonomizuan energjitë, duke ditur se te dera ishte ‘Partizani’. Nga ana e saj, skuadra e Dajës u dërrmua fizikisht në derbi, shpenzoi pa fund në kërkim të fitores. Pjesa e dytë ndaj ‘Tiranës’ evidentoi lodhje te “demat”, ndërkohë që ditët në dispozicion për rikuperimin e energjive kanë qenë mjaft të pakta. Bregu dhe mbrojtja – ‘Teuta’ ka një lojtar të spikatur, që ka bërë diferencën në ndeshje delikate. E kemi fjalën për Dejvi Bregun, autor i 13 golave për durrsakët në këtë kampionat. Nga këmbët e tij mund të presësh gjithçka, edhe gola nga hiçi. Nëse do të jetë në ditën e tij më të mirë, lojtari vlonjat mund t’i bëjë gjëmën ‘Partizanit’. Si për kundrapeshë, mjafton të kujtojmë se shënuesi më i mirë te ‘Partizani’ është Jasir Asani me 9 gola, katër më pak se Bregu. Peshorja shihet qartë se nga anon. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për mbrojtjen durrsake, e cila ka pësuar më pak se të tjerët në Superiore, 14 gola. Në këtë pikë, të kuqtë e kanë nxjerrë 20 herë nga rrjeta e tyre topin në këtë kampionat.
Pse fiton ‘Partizani’
Ekip më produktiv – Në total, ‘Partizani’ ka shënuar 48 gola në këtë kampionat, përkundrejt 36 golave të durrsakëve. Diferenca është e konsiderueshme, 12 gola në favor të “demave”. Nëse te ‘Teuta’, “pjesën e luanit” e kanë shënuar Bregu dhe L.Vila, te skuadra e Dajës autorët e golave janë më të shpërndarë në ekip. Pra, finalizuesit mund t’i presësh dhe nga mesfusha e mbrojtja. Trajneri Daja – Martini e konsideron ndeshjen e nesërme më të rëndësishmen e karrierës së tij si trajner, ndërsa Daja ka parë shumë më tepër se kaq, madje deri fazën e grupeve të Ligës së Evropës me ‘Skënderbeun’. Kampion me skuadra të ndryshme, ai ka përgatitjen profesionale, pjekurinë taktike, kthjelltësinë e zgjidhjes së situatave. Një fitues i lindur, filozofi të cilën di ta përcjellë edhe te lojtarët që stërvit. Portieri Hoxha – Siguria e prapavijës së kuqe është portieri veteran, Hoxha. Një kapiten, që di të inkurajojë e orientojë skuadrën nga zona e tij, si një trajner në fushë, vendimtar me pritjet e tij, disa herë në kufijtë e së pamundurës. Bashkë me Belicën para tij, Hoxha është një vlerë e shtuar në krahasim me kundërshtarin. Drejtori Rama – Motivues i madh i lojtarëve. Shkrirja në një me ta, asistenca për çdo hall njerëzor të tyre e bëjnë Olsi Ramën një “kollonë” të fortë morale te të kuqtë. Me vizionin perëndimor të drejtuesit, ai është krahu i djathtë i Dajës, sidomos në aspektin psikologjik. Nëse Martini ka një “mentor” të sprovuar taktik si Starova, te ‘Partizani’ e ka në dorë “levën e Arkimedit” drejtori i përgjithshëm. Në sfida kaq përcaktuese, ai di të relaksojë grupin dhe ta largojë presionin nga lojtarët. Historia dhe tradita – ‘Partizani’ mbetet ‘Partizani’, ka pas vetes një emër të madh, që në përballje të tilla “jetë a vdekje” futet në lojë në aspektin psikologjik. Titujt, trofetë, kampionët janë në shkallën sipërore te “demat e kuq” në raport me durrsakët, edhe pse futbolli flet me gjuhën e së tashmes. Sidoqoftë, “geni” sportiv del në pah në sprova të së vërtetës, sikurse është kjo përballje titulli.