Iris Halili: Koha për një Shqipëri ndryshe ka ardhur me kohë

623
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Fadil Shehu, USA

-Ditë e veçantë kur kam takuar Papa Vojtilën në Vatikan, në vitin 2002

-Ju rrëfej kush ishin Alfred Moisiu dhe Sokol Olldashi

– Libri “Lideri nuk lind… bëhet”,  trajton në sintezë si, lideri bëhet duke zhvilluar e përsosur karakterin e tij

-Iris, urime për librin tuaj “Lideri nuk lind… bëhet”, i cili në fund të muajit prill të këtij viti, është vlerësuar nga lexuesit dhe portali më i madh në Shqipëri “bukinist .al.”, si libri më mirë për vitin 2020. E prisnit këtë vlerësim?

-Jam vërtet e kënaqur për këtë vlerësim të lexuesve shqiptarë kudo që ndodhen dhe u jam shumë mirënjohëse për veçimin e librit tim si më i miri mes librave të motivimit dhe zhvillimit. Ky çmim është sa kënaqësi, aq edhe obligim për të dhuruar të tjerë libra me të tjera motivime. Padyshim është një kurorë suksesi në karrierën time, kënaqësia e të cilit do më shoqërojë gjatë.

-Cili motiv ju frymëzoi të botonit këtë libër, disi të veçantë?

Motivi për të botuar këtë libër kishte kohë që ushqehej në mendjen time, kështu që dhe libri erdhi natyrshëm, për t’i shërbyer lexuesit shqiptar, pasi kisha vënë re një zbrazësi të dukshme dijesh dhe konceptesh për lidershipin dhe trajtimin e tij. Meqenëse unë prej vitesh jam shkolluar në SHBA, në shkencën e lidershipit si dhe kam botuar me dhjetra artikuj në lidhje me të, mendova se të përmbledhura në një doracak, këto studime do t’i shërbejnë kujtdo që kërkon të dallojë liderin e mirë nga ai toksik, kjo sipas të gjitha studimeve tashmë të provuara shkencërisht. Më vjen shumë mirë që tashmë libri ka marrë vlerësimin e një manuali sa eduaktiv aq edhe motivues. Duhet thënë gjithashtu se, studimet në libër, janë tërësisht autentike dhe origjinale, dhe mbështeten në shembuj edhe nga realiteti shqiptar.

-Do të doja të dija diçka më shumë, përse lideri nuk lind por bëhet?

-Libri trajton në sintezë si lideri bëhet duke zhvilluar e përsosur së pari, karakterin e tij. Ky i fundit mbahet të jetë dhe si kyçi apo thelbi i lidershipit, pasi në çdo moment e në çdo kohë, dështimi në karakter është dështim në lidership. Në libër trajtohet edhe tema e raportit lider – ndjekës, kjo përmes analizave ku shpjegohet sa e rëndësishme është forca e ndjekësve në suksesin e një lideri, pasi direkt apo indirect, në çdo kohë, lideri nuk mund të drejtojë pa ndjekës dhe këta të fundit janë në rrugë pa krye, nëse mungon prania e liderit me vizion dhe transformues. Një temë tjetër që trajtohet në libër është ajo e ndikimit të kulturave në llojin e lidershipit, dhe studimi i kësaj teme, i jep sqarim pyetjes, pse shumë vende kanë prirjen të drejtohen nga lidershipi autoritar apo patriarkal dhe shumë të tjerë nga lidershipi demokratik pjesëmarrës? Libri prek temën e lidershipit të femrës dhe arrin pikën më të lartë tek flet për lidershipin e papërsëritshëm të Nënë Terezës me modelin e saj të drejtimit sa shpirtëror, aq edhe shërbëtor. Në libër ka trajtesa të veçanta për lidershipin karizmatik, atë narcizist, liderin etik, atë toksik dhe liderin shërbëtor duke i veçuar këto, si cilësi shumë dominante në llojin e lidershipit, që së bashku me karakterin, vendosin fatin jo vetëm të liderit, por edhe të vetë grupit apo shoqërisë që ai drejton.

-Për disa vjet keni qenë shefe e kabinetit të Presidentit Alfred Moisu, duke qenë kështu dhe shefja e parë femër në kabinetin e një presidenti në Shqipëri, më pas keni qenë këshilltare e marrëdhënieve me jashtë në ministrinë e brendshme, që drejtohej asokohe  nga Sokol Olldashi. Çdo të thoshit për këta drejtues të politikës dhe shtetit  shqiptar?

Mund t’ju them se ka qenë shans dhe privilegj të punoja në zyrat më të larta të shtetit për një periudhë gati shtatë vjeçare. Meqenëse ju këmbëngulni të keni një mendim për lidershipët përkatës të drejtuesve më të cilët kam punuar shumë afër, mund të them se Presidenti Moisu ishte toksik, si dhe përfaqësonte staturën tipike të një drejtuesi që i takon shekullit të shkuar. Por duhet thënë se nga edukimi ushtarak, ai kishte trashëguar korrektësine në orare dhe disiplinën dhe organizimin në punë. Sokol Olldashi ishte lideri modern, i qetë, intelektual, krijues dhe që nëse do të kishte jetuar më gjatë, mund të them se ishte drejt ngritjes drejt një lideri transformues. Të dy ishin liderë për nga natyra, si dhe të dy shfaqnin personalitetin narcizist. Ndërsa Moisiu nuk kishte empati, Olldashi kishte empati, dmth., i pari ka më shumë tipare të narcizizmit disi të errët, ndërsa i dyti të narcizizmit të mirë.

-Cili moment ju ka emocionuar më shumë në jetë? 

-Të gjitha emocionet ndikojnë tek ne në forma nga më të çuditshmet. Shumë prej tyre ne nuk ua kuptojmë pasojat që na lënë në jetë. Më kanë lënduar momentet dhe padrejtësitë që më janë bërë, ashtu sikur më kanë lumturuar disa çaste për të cilat ndihem e bekuar. Çasti më i bukur i jetës sime ka qenë kur linda djalin tim. Një çast tjetër shumë emocionues është kur kam takuar Papa Vojtilën në Apartamentin e tij në Vatikan, në 2 Dhjetor të vitit 2002. Padyshim shumë emocionuese kanë qenë çastet kur jam diplomuar në Kolegj, Dy Masterat,  në Doktoratë, çastet kur jam botuar apo kam marrë vlerësime të tjera që kanë ardhur pas një pune pasionante dhe të lodhshme. Emocionuese dhe të mbetura në kujtesë kanë qenë ditët apo çastet kur kam dashururar dhe më kanë dashuruar në të njëjtën kohë.

-Keni fituar ‘Green Card’ në vitin 1999, por në Amerikë keni ardhur në vitin 2009, pra 10 vjet shkëputje. Mendoni se ishte momenti i një misioni të ndërprerë dhe fillimi i një ëndrre të re?

-Unë asnjëherë nuk kam dashur ta lë vendin tim të bukur. Erdha kur pashë se në Shqipëri nuk po mbylleshin vetëm rrugët, por dhe rrugicat, që të mund të na bënim ne të jepnim shërbimin tonë. Më shumë më duket sikur na përzunë. Ikëm kur pamë se misioni ynë si njerëz po zbehej, dhe ne nuk po na lejohej t’i shërbenim, jo vetëm vendit, por as edhe vetes. Kështu provuam sfidën e emigrimit që padyshim është sfidë shumë e madhe. Erdhëm dhe shkëlqyem edhe këtu, ndërtuam jetën nga e para, realizuam vetveten dhe vazhduam misionin e jetës duke e patur atdheun gjithmonë në zemër.

-Si u ndjetë në momentin kur ikët përfundimsiht nga Shqipëria duke lënë pas projekte të jetës dhe punës suaj, të afërm, miq e mikesha, studentët  tuaj… Shqipërinë?

-Të them ishte e vështirë gaboj, pasi ishte shumë e vështirë. Po të më thonë tani a do të tentosh ta fillosh jetën në një vend tjetër, nuk do ta kisha marrë kurrë më këtë iniciativë. Por kjo vjen se jam e bindur se kjo që le, nuk është më e mirë se ajo që do të gjejë. Atëhere ishte ndryshe, unë e dija që do të gjeja një të ardhme më të mirë se ajo që po na afronte lidershipi shqiptar ne, dhe vendit. Sot them se kam marrë një vendim të drejtë dhe të guximshëm. Jam çliruar në përmasa të tilla që, dhe vendit më duket se i shërbej më mirë prej së largu.