Vepror Hasani: Koço Qendro, Harpagoni shqiptar që tronditi Stambollin

557
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Më 15 maj 2021 festoi 94-vjetorin e lindjes


Kisha një farë droje, tregon aktori i Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, Koço Qendro, tashmë 94 vjeç. Ndërsa ndodhesha përballë amfiteatrtit më të madh të Stambollit në Turqi, përpara meje kalonin personalitetet më të mëdhenj të artit skenik botëror. Kishin ardhur aty aktorë nga Danimarka, Suedia, Zvicra, Bullgaria etj. Ishin gjithsej 27 trupa teatrore nga më të mirat që merrnin pjesë në Festivalin Botëror të Komedisë në Turqi. Aktorë të pashëm, potentë, të veshur me sqimë, elegantë, të zhdërvjellët, me një zë brilant, më ngjallnin zili. Ata sillnin komeditë e tyre përmes regjisorëve më të njohur të kohës. Po ndjeja një farë droje dhe kjo ndjesi kishte nisur të më mundonte. Gjendesha përballë teatrit më të madh të Stambollit. Do të luaja në komedinë e Molierit, rolin e Kopracit, Harpagonin, i cili ishte një rol i luajtur nga aktorët më në zë të teatrit botëror.

A do t’ia dal mbanë?

“A do t’ia dal dot mbanë”, pyeta veten për të disatën herë me radhë. Ishte gusht dhe bënte mjaft nxehtë. Për rolin e Harpagonit kisha punuar ditë të tëra, pa shkëputje, aq sa ndoshta nuk do ta besoni, por në të vërtetë pësova një rënie peshe prej prej 7 kilogram. Për ditë të tëra, ndërsa zbërtheja rolin, më dukej sikur bisedoja me Molierin për të kuptuar idetë dhe mesazhin që kërkonte të përcillte ai. Një natë m’u duk sikur më tha: “Po Koço Qendro, këtë kam dashur të them edhe unë”. Flija dhe zgjohesha së bashku me Harpagonin. Për të arritur deri këtu m’u desh të mblidhja karaktere kopracësh që i kisha njohur dhe që m’i kishin treguar.

Harpagoni është njeri maniak

Harpagoni është nja njeri maniak pas pasurisë, aq sa për para, është gati të shkojë në hell këdo…por ndërsa aktori Koço Qendo thotë këtë shprehje, nis e hyn, vetiu, në rol, madje nis të interpretojë: “Nëqoftëse nuk gjej paratë e mia që m’i kanë vjedhur, unë jam gati të shkoj në hell… Ore, a, ka ndonjë njeri të më ndihmojë se kush m’i ka vjedhur paratë, apo jo….se unë dua t’i marr me vete, atje ku do shkoj… se tani do të vdes, do të më varrosin, por dua, dua t’i kem me vete paratë…” Dhe ndërsa dëgjon zërin e tij, rrëqethesh i tëri. Ai bëhet tjetër njeri edhe pse nuk është në skenë, por në një tavolinë, ku rufisim kafenë dhe tregon për për jetën e tij aktoriale. Zëri që del nga gjithë qenia tij, është depërtonjës, madje mund të thuash me mjaft siguri se të futet në gjoks, e të bën të drithërohesh. Ambientin përreth duket sikuar e kthen në një skenë, me rekuizitë e skenografi të magjishme. Jo, por, ai në çastin e interpretimit është i magjishëm!

Ku e lamë z. Koço?- e pyes

Ku e lamë Koço? – e pyes, sepse më ka hutuar vërtet. Atë çast më kishte lënë shpirtin e një kopraci në pëllëmbë të dorës. Po, vazhdon aktori, Koço Qendro, – gjendesha përballë amfitetarit më dinjitoz të Stambollit, mes aktorëve të tillë që të sugjestiononin, ndërsa përballë tyre ndodhej një plak 79 vjeç, i shkurtër, i vogël dhe i imët sa më nuk bëhej që quhej Koço Qendro Tani nuk më kujtohen oraret e dhënies së shfaqjeve, por, nëse Danimarka do të ngjitej në skenë në orën 10.00, Zvicra në orën 11.00, trupa tetarore e Teatrit “Andon Zako Çajupi” ishte caktuar të jepte shfaqjen e saj në mbrëmje, në orën 21.00 dhe kjo ishte një përgjegjësi e jashtëzakonshme.
E përfytyroja sallën e teatrit të mbushur plot dhe veten time që do të dilja si Harpagoni në skenë, por nuk e dija kurrsesi si do të pritesha nga spektatori. Isha në ankth, në kuptimin e vërtetë të fjalës, sepse edhe spektatori ishte mjaft i zgjedhur. Donte edhe pak kohë që ora të shënonte 21.00. I dhashë kurajo vetes dhe atë çast m’u duk sikur dëgjova zërin e Harpagonit: “Mos u tremb Qendro, unë kam hyrë brenda teje dhe ndihem mirë” Mora zemër nga këto fjalë, thua se i kisha dëgjuar vërtet. Kisha luajtur gjithë jetën në skenë, por atë çast ndjeja përgjegjësi, sepse doja të tregoja Shqipërinë time.

Kisha luajtur me regjisorë të mëdhenj

Deri atëherë kisha luajtur shumë role: te komedia “Nata e dymbëdhjetë”, “Kohë pa emër”, kisha lujatur në filmat: “Përballimi”, “Vendimi”, “I teti në bronz”, “Agimet e stinës së madhe” etj. Kisha luajtur 27 vjet në estradë, por atë çast kisha frikë. E kisha nisur jetën në skenë me estradën e Brigadës  së Mbrojtjes Bregdetare në Durrës, ku me komedinë e shkruar nga unë, fituam çmim të parë, ndërsa mua më cilësuan si aktori më i mirë. E braktisa jetën ushtarake në vitin 1956, sepse nuk isha i prerë për kobure dhe nisa punë si drejtor i klubit të kulturës në Maliq. Aty gjeta aktorë të tillë si Aleko Prodani, Dhimitër Peno, Stavri Shamia etj. U ktheva në Korçë, kur u krijua estrada profesioniste. Këtë çast nuk do ta harroj kurrë, sepse do të punoja me regjisorin Sokrat Miho, i cili kishte mbaruar për regjisurë në Francë. Për mua ai mbetet babai i regjisurës shqiptare. Por do të punoja edhe me Pirro Manin, me njeriun  që vendosi themelet e aktorit profesionist në skenë. Ishte Pirroja ai që hoqi suflerin, sepse deri në atë kohë punonin me sufler. Ishin hapat e para të teatrit shqiptar. Për të kompletuar rekuizitën, sillnim gjithçka nga shtëpia, lugët, pirunjtë, gotat, qilimin tavolinat, perdet, karriget. Në teatrin e Korçës pata fatin të punoj me aktorë të tillë si Pandi Raidhi, Stavri Shkurti, Dhimitër Mele, Taqkë dhe Dhorkë Orgocka, Jani Riza, Spanja Pipa, dhe me shumë të tjerë.

Doja t’ju tregoja Harpagonin shqiptar

Me këtë përvojë po hyja në amfitetarin më të madh të Stambollit, por përsëri ndihesha i drojtur, sepse doja të sillja në skenë një Harpagon nga Shqipëria që të duartrokitej. Komedia e Molierit, ku unë kisha rolin kryesor, ishte dhënë më shumë se 300 herë, duke filluar që nga Jugu e deri në Veri, nga Leskoviku e deri në Durrës dhe gjithkund, isha pritur me entuziazëm. Rolin e Harpagonit e kishte luajtur  Zef Jubani në Shkodër dhe Dhimitër Trajçe në Korçë, kishin patur mjaft sukses, por unë doja të prezantoja Harpagonin e Koço Qendros, i cili të kuptohej në të gjitha gjuhët e botës. Ora po shënonte 21.00. Duhej të fillonte shfaqja. Atë çast kujtova edhe një herë time shoqe, Meri Lakon, e cila gjithë jetën më kishte ndihmuar për të ndjekur rrugën e artit e për të qenë dikushi. Përpara syve me dolën 3 djemtë dhe 2 vajzat e mia, të cilët sikur më thoshin: “Baba t’i përfaqëson Korçën, Shqipërinë…”

Qava kur pashë në sallë flamuj shqiptarë

Po, kisha dalë në skenë dhe po luaja Harpagonin. Kisha harruar drojen, ndoshta edhe frikën, isha kthyer në një Harpagon që e njihja mirë, që kisha jetuar shumë kohë me të. I kisha mësuar lëvizjet e tij, tmerrin e humbjes së pasurisë, zërin me të cilin fliste dhe si fliste ai, si lutej dhe përgjërohej, si kthehej në bishë kur flitej për para, si ishte gati të kalonte në hell veten e tij, por edhe të tjerët nëse, nuk i gjenin paratë e vjedhura. “Ore, ka ndonjë njeri të më ndihmojë se kush m’i ka vjedhur paratë apo jo…se unë do të vdes dhe dua t’i kem me vete paratë…”. Ndërsa isha duke luajtur Harpagonin, dëgjova duartrokitje, duartrokitje që më shoqëronin vazhdimisht. Shfaqja kishte mbaruar. Pashë se në të gjithë sallën shpaloseshin flamuj shqiptarë. Qava. Nuk e përmbajta dot veten. Lotët më rridhin nga sytë. Nga salla vinin thirrjet “Albania”, “Albania” Ndihesha krejtësisht i lumtur. Në skenë u ngjitën aktorë dhe regjisorë të mëdhenj. Më përqafuan. Më përqafonin të gjithë. U lotova përsëri kur më përqafoi konsulli shqiptar. Kisha nderuar Shqipërinë. Dhe ndërsa aktori Koço Qendro, tregon këtë çast, sytë i mbushen përsëri me lot. E mallëngjen kujtimi i asaj nate gushti. Në skenë, – vazhdon sërish aktori Qendro, – u ngjit edhe drejtuesi i festivalit, i cili më pyeti: “Sa vjeç je?” “79”, iu përgjigja “Po si mund të kërcesh ashtu”?! më pyeti sërish. “Nuk isha unë, i thashë, por Harpagoni”. Pas kësaj, më dhanë një tufë të madhe me lule, sa ç’isha unë në këmbë.

Interpretova Harpagonin shqiptar

Festivali u zhvillua nga data 6 deri në 17 gusht, por pas shfaqjes së “Kopracit” kudo që gjendeshim dëgjonim thirrje të tillë ‘Albania, Albania’. Isha përsëri aty përballë amfitetarit më të madh të Stambollit, ku kalonin aktorë të mëdhenj dhe regjisorë më në zë të kohës, por isha dhe unë që tashmë nuk provoja droje. Vetë personalitetet e skenës na kishin thënë: “Me këtë art ju mund të mateni me çdo trupë teatrore, kudoqoftë ajo”. Kështu e mbyll tregimin e tij aktori i mirënjohur, fitues i disa çmimeve, aktori i dramës dhe i komedisë, por edhe i filmit, i cili ka lindur në fshatin Senicë të Delvinës, në 15 maj të vitit 1927, por që fëminia e tij do të kalonte në qytetin e Delvinës, ku babai i tij kishte një dyqan, por kurrsesi, ndoshta, nuk kishte menduar se biri i tij do të braktiste jetën ushtarake, sepse nuk ishte i prerë për kobure, por për të sjellë jetë njerëzish në skenë, personazhe që do të mbeteshin të pavdekshëm. Më 15 maj të këtij viti festoi 94-vjetorin e tij.