Sulejman Demollari, talenti i rrallë, që theu “barrierat” e izolimit

804
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Para pak ditësh gazetari i njohur spanjoll dhe autori i disa librave Roger Mateos (Barcelona, 1977) publikoi në revistën prestigjioze sportive “Panenka”, artikullin: “Platinia i Proletariatit”, dedikuar njërit prej futbollistëve më të shquar shqiptar: Sulejman Demollari. Në bisedë me gazetarin u bëra kurioz dhe e pyeta se si arriti të “zbulonte” Demollarin në kohën kur vendi ynë ishte krejtësisht i izoluar.  Duke i uruar Sulës ditëlindjen, po ndaj me ju përgjigjen që mora nga autori i shkrimit.

Kështu e “zbulova” Demollarin

Roger Mateos

Isha 9 vjeç kur u ula para televizorit, në shtëpinë time në Barcelonë, për të parë ndeshjen që ekipi spanjoll do të luante kundër Shqipërisë, për të cilën askush nuk dinte praktikisht asgjë, madje as komentatori që do të transmetonte ndeshjen në Televizionin Spanjoll, i cili mundi të ofronte vetëm një fakt në lidhje me rivalët: “…me sa duket, ylli i ekipit shqiptar ishte një “playmaker” me emrin Sulejman Demollari”.

Ai detaj ishte i mjaftueshëm për të zgjuar kureshtjen time për atë xhevahir misterioz. Atë pasdite të 3 dhjetorit 1986, në stadiumin “Qemal Stafa”, pashë një ekip spanjoll të çorientuar, të pafuqishëm që fitoi me vështirësi pasi u desh të kapërcente jo vetëm golin e Muçës por dhe drejtimin me zgjuarsi të lojës nga Demollari. Emri i tij më mbeti i regjistruar në mendjen time.

Pas asaj ndeshjeje, Demollari humbi si Hirushja. Publiku spanjoll nuk kishte asnjë mundësi të ndiqte kampionatin shqiptar. Shqipëria ishte ende një vrimë e zezë përsa i përket informacionit. Por fati e solli që ndërmjet viteve 1986 dhe 1993 ekipet e Spanjës dhe Shqipërisë të takoheshin pesë herë. Dhe Demollari si me magji u rishfaq në televizorin tim. Shqipëria gjithmonë i humbte ndeshjet, por kapiteni i tyre më mrekullonte me virtuozitetin e tij teknik, driblimet e tij, pasimet në thellësi. Ai kontrollonte topin me delikatesë, driblonte dhe nganjëherë e zbukuronte lojën me një pasim me themër apo me një finte. Ishte gjithmonë si një penel që i jepte ngjyrë lojës, si një luks i papritur për një Kombëtare modeste që mbi të gjitha ofronte përpjekje këmbëngulëse dhe krenari.

‘Hirushja’ humbi përsëri në vitet e mëvonshme. Nuk e dëgjova më emrin e Demollarit, por dëgjova atë të stadiumit “Qemal Stafa”. Dhe në fakt e vizitova atë. Në gusht të vitit 2007, bëra një udhëtim në Shqipëri si turist dhe shfrytëzova rastin për të parë nga shkallët e stadiumit finalen e Super Kupës midis Tiranës dhe Besa e Kavajës. Futbolli shqiptar vazhdonte të përparonte, futbolliste si Bogdani shkëlqenin në ligat e nivelit të lartë. Shqipëria, për më shumë se një dekadë, kishte hapur dyert e saj dhe misteri që e mbështillte atë në vitet ’80 ishte zgjidhur. Por për mua mbetej ende një pyetje: ku kishte shkuar Demollari?

Kur vendosa me revistën “Panenka” të botoja një seri prej gjashtë historish rreth legjendave të harruara të futbollit, më erdhi rasti të rikthehesha te kujtimet e mia për Demollarin. Pasi e kontaktova dhe dëgjova historinë e tij, kuptova se pas atij lojtari të madh, i cili më kishte verbuar në fëmijërinë time, ishte edhe një person i thjeshtë, dinjitoz, emocional. Sa me fat është futbolli shqiptar që ka një mit shembullor, një referencë dashamirësie dhe të paharrueshme, si Sulejman Demollari! /Eduard Dervishaj