Evdal Nuri: Zoti na ka bekuar, politika na ka varfëruar

495
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pse historikisht kaq keq ?

Shkas  për këtë shkrim u bë një shifër e dhënë disa ditë më parë, ku deklarohej se mbi      771. 000 veta  tek ne jetojnë në varfëri! Kjo mund  të barazohet me 1\4 e popullsisë. Nga shkolla 7-vjeçare  më kujtohet një vjershë  nga rilindësit ku thuhej: “Jemi popull fukara, ushqehemi me lakra , tre shtëpi me një ka”. Në regjimin e Zogut, mbetëm shtet feudalo- borgjez, kur shtetet e  Evropës kishin kaluar në kapitalizëm . Në 45-vjet diktaturë na gënjenin dhe ne i besonim, se jemi “fanarë ndriçues” . Hundën e kishim në qiell , b….n në diell. E  nisëm me triskë dhe e bitisëm me listë! Shpresa të mëdha na lindën me përmbysjen e Diktaturës , por jemi kështu si jemi!Ishim të rinj, po plakemi e tranzicioni s’po mbaron! Shpesh bëj pyetjen ?  Kush na ka “mallkuar” për këtë gjendje kaq të dëshpëruar ? Mos “natyra” e egër që kemi trashëguar nga kodi gjenetik? Mos “kultura” që ka qenë vazhdimisht e cunguar dhe e politizuar? Mos kemi gabuar që në krye (me ose pa dëshirën tonë ) kemi vënë njerëz që nuk na kanë drejtuar, por na kanë sunduar? Ata vetëm të mira s’na kanë bërë! Vetë i kemi zgjedhur duke ngritur në “qiell” kultin e tyre. E në këtë drejtim: “Mirë na e kanë bërë”!  Kjo pyetje më ka shqetësuar që nga koha kur arrita të kuptoj për botën, shtetet, regjimet, ekonominë, politikën. E njoh mirë historinë e vendit tim, mbasi për të kam studiuar. Jam i shqetësuar: “Pse punët në vendin tim historikisht ecin keq”? Unë di që vendi im është mjaft i begatë. Me një klimë për t’u admiruar! Edhe pse në një sipërfaqe pak më tepër se 28. 000 km2, rrallë gjen të ndërthurura  malet, kodrat, fushat, luginat, lumenjtë, liqenet, detet! Me pasuri të mëdha mbi e nëntokësore, që s’i gjen diku tjetër! Kjo u përsërit shpesh nga Kryeministri në fushatë, por pas tetë vjetëve jemi si kemi qenë.  Pse, 27% e shqiptarëve me zor mbyllin muajin e 71% nuk kursejnë dot asgjë? Tek shitësi i lagjes, fletorja është e mbushur me emra që marrin ushqime për t’i paguar në fund të muajit . Tek fruta perimet marrin  fruta perime me kokta, tre domate, katër qepë, dy tranguj, pesë karrota, aq sa shitësi tha, që s’di s’i t’i peshojë  ? Pse tek “Gabi” , gjenë vajza e gra  për të blerë ndonjë rreckë ? Arsyeja, vafëria!

60% e rinisë duan  të emigrojnë!

Një studim i ekspertëve Gëdeshi dhe King ka identifikuar se, 70% e 20 -vjeçarëve dëshironin të largoheshin nga vendi. Kjo dëshirë për të lënë vendin është më e lartë tek të rinjtë se te grupmoshat e tjera. Shkaqet lidhen me një seri faktorësh socialë dhe ekonomikë, thotë Gëdeshi.  Instituti Shqiptar i Statistikave ka raportuar se vitin e kaluar, 25.5% e të rinjve nga mosha 15 – 24 vjeç nuk ishin as në shkollë dhe as në punë. Shqipëria renditet  ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1%, që sipas tabelës së OECD pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve. Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e të cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante. Emigracioni është një fenomen që prek vendet më të ardhura të ulta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por të arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë. Sipas raportit, në Evropë, vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të emigrantëve. Për shembull, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnja dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia Veriore prej 18%. Në përgjithësi, nivelet e emigracionit  të personave me arsim të lartë, janë pothuajse gjithmonë më të larta se nivelet totale të emigracionit. Kjo përzgjedhje pozitive e migrantëve  është e lidhur me disa faktorë: jo vetëm individët me arsim të lartë zakonisht kanë më shumë mundësi financiare për t’u angazhuar në migracionin ndër-shtetëror sesa kolegët me kualifikim më të ulët.

                                                                                     
Pandemia Covid -19 dhe tërmeti i 26-nëntorit 2019 e bënë me agresive varfërinë në Shqipëri

Sipas vlerësimeve të fundit të Bankës Botërore mbi varfërinë relative (popullsia që jeton me më pak se 5,5 dollarë amerikanë në ditë), Shqipërisë i janë shtuar midis 28 mijë dhe 112 mijë të varfër në 2020-n. “Në vitin 2020, niveli i varfërisë në Shqipëri parashikohet të jetë rritur me 1 pikë përqindje (28,000 të varfër të rinj). Metoda jonë më konservatore për vlerësimin e varfërisë parashikon një rënie më të madhe të të ardhurave për punëtorët në klasat 2-4 të shpërndarjes së të ardhurave, krahasuar me parashikimin standard bazuar në PBB, duke rezultuar në një rritje të vlerësuar të varfërisë prej 4 pikë përqindje, ekuivalente me 112,000 të varfër të rinj”, thuhet në raportin e Bankës.  Raporti thekson se Shqipëria ka nivelin më të madh të varfërisë në Ballkanin Perëndimor; rreth një e treta e njerëzve të saj jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë (në PPP 2011-prodhimi i brendshëm bruto për frymë bazuar në standardin e fuqisë blerëse).


Rezultatet e studimeve?                                                                                  

Shoqata “Mikrofinanca Shqiptare” ka organizuar një takim ku, bëri publike rezultatet e një vëzhgimi lidhur me edukimin financiar në Shqipëri. Sipas përfundimeve ka rezultuar se për rreth 41% e të intervistuarëve, janë të punësuar në sektorin privat, ama duket se shqiptarët i vuajnë shumë pasojat e papunësisë dhe varfërisë.  27% e të intervistuarëve kanë pranuar se mezi mbyllin muajin dhe se nuk kanë para mjaftueshëm për ushqim. Kjo e rendit Shqipërinë në pozicionin më të keq krahasuar me gjithë vendet e rajonit. Nga ana tjetër, 46% e të intervistuarëve janë shprehur se, kanë para mjaftueshëm për ushqime, por hasin vështirësi për blerjen e rrobave dhe pajisjeve shtëpiake. Megjithatë, duket se e gjitha ngelet tek përmbushja e nevojave bazike, pasi 64% e të intervistuarve kanë pranuar se nuk janë në gjendje të kursejnë para nga rrogat e tyre. Në zonat rurale kjo shifër bëhet edhe më serioze dhe arrin në 71%. Nga sondazhi gjithashtu rezulton se, vetëm 9% e të intervistuarve, shumica e të cilëve i përkasin grupmoshës  35-54 vjeç dhe banues në zonat urbane, kanë marrë kredi, por jo nga institucione bankare apo financiare. “Shqipëria është akoma një vend në tranzicion, qoftë nga zhvillimi ekonomik dhe politik. E ndaj lëvizjet demografike janë më të mëdha. Kemi 65 mijë persona që kanë kërkuar azil ekonomik. Pjesa më e madhe që kërkojnë azil janë 25-vjeç deri në 34 vjeç, mosha më e aftë për punë. Të dhënat e tjera shqetësuese janë se ka dhe persona që kanë hyrë në vendet e BE-së dhe nuk kanë ikur prej andej dhe punojnë ilegalisht, pasi nuk kërkojnë azil ekonomik. Shpesh herë thuhet se kjo është gjë normale edhe për shtetet e tjera, por jo kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria  ndodhet  në vendin e parë, ka kaluar dhe Sirinë dhe Irakun, të njerëzve që kërkojnë azil ekonomik. Shqipëria është vendi me numrin më të madh të azilantëve për popullsi.